Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    El-Letërsia Maska e macia_blu
    Anëtarësuar
    04-05-2002
    Vendndodhja
    michigan usa
    Postime
    2,492

    Ardian-Christian Kyçyku: Autori i "prozës së ndaluar"

    Elinda MARKU



    Askush nuk bëhet kurioz të pyesë se përse nuk njihet e lexohet Ardian - Christian Kyçyku në vendin e tij aq sa njihet e vlerësohet në Rumani e gjetkë? Asnjë kurioz nuk ka kurajën të pyesë se përse nuk e pranojnë, prezantojnë, kritika dhe letrarët shqiptare talentin Kyçyku, të paktën aq sa e pranojnë dhe prezantojnë në Rumani?! Asnjë kurajoz nuk guxon mjaftueshëm të tregojë (me shkrim ose me gojë), sesa të veçantë janë librat që shkruan shqiptari Ardian - Christian Kyçyku… Këto pyetje ndoshta përmblidhen në një të vetme: “A thua, është e mundur të ketë vdekur komunizmi e të ketë mbijetuar censura?...” Me gjasë, censurë nuk kemi vetëm atëherë kur të ndalohet e drejta të shkruash e të botosh. Tashmë censura ka ndërruar banesë. Nuk janë më shtëpitë botuese që nuk të pranojnë për njërën apo tjetrën arsye. Janë edhe librarët. Kështu është më e thjeshtë, t’i mohohet autorit e drejta të ankohet për censurim. Në kryeqytetin tonë kemi nga një librari për 10 qytetarë. Numëro sa librari e librashitës ka Tirana! Edhe pse kaq shumë librari e librashitës, edhe pse ka 20 vjet që Kyçyku shkruan e boton mbi pothuaj 20 libra shqip, mundesh a nuk mundesh të kesh fatin të gjesh një vepër të tijën. Kërkon të besosh se është shitur i gjithë tirazhi. Por, në fakt, librarët nuk të thonë një gjë të tillë, por “Kalo nga java tjetër!” Të shohin gati-gati gjithë frikë e habi sesi guxon të kërkosh librat e Kyçykut, teksa të përgjigjen sertë: “Nuk e kemi”. Duhet të kesh një tjetër fat; të gjesh dikë nga fisi që të punojë gazetar, “shkrimtar”, kritik apo jurist konkursesh... Dikë që punon me rrogë a pa rrogë, me shpërblime e pa shpërblime, me emër a pa emër, mjaft të jetë e mundur që t’i kërkosh të të gjejë ndonjë prej 20 librave të botuar në shqip nga Adrian – Christian Kyçyku. Kushëriri i parë, i dytë ose i tretë, sigurisht që do të tundohet të të gënjejë që nuk e ka lexuar këtë autor. Por, dreqi ta hajë, të ka fis, e pak më vonë do t’i vijë keq për ty! Do të të ftojë në shtëpinë e tij për një kafe. Brenda në shtëpi do të ndihet më i afërt dhe do të të besohet disi. Fillimisht do të të japë 3-4 nga librat e Kyçykut, të cilët sigurisht nuk i ka aty ku ka bibliotekën. Nuk i ka as në dhomën ku pret e përcjell kolegët gazetarë e shkrimtarë. Nuk i ka as në dhomën e punës, ku shkruan artikuj pafund për shkrimtarët e pafund... Pak më vonë, duke u ndier më fort i sigurt në gjakun e përbashkët, e tundon dëshira që shndërrohet në nevojë e anasjelltas. Ai ndien nevojë e dëshirë të çlirohet qoftë edhe për pak prej ndjenjës së fajit, ta lehtësojë ndërgjegjen që e vret.

    Pasi të sigurohet se komshiu, i cili mund të jetë “shkrimtar” a mik shkrimtarësh, i cili mund të zgjohet nesër një “shkrimtar i madh”, afrohet me sigurinë e pamjaftueshme e gati përshpërimtazi shoqëron secilin libër që ka vendosur të të “dhurojë” me nga një fjali që po ia ha shpirtin. Për librin e parë të thotë: “Ky është libër kaq i bukur, sa edhe vetë Garsia Markez do ta kishte zili. “Dhe, vijon më tej: “...ndërsa ky tjetri, është libri që i mbeti Kafkës, ndoshta pa shkruar... Kurse ky, ka për të të kujtuar Sartrin...” Ai mban frymën te libri i katërt, peng midis duarve dhe fytyrës: “Ky është ndoshta libri që vetë hartuesit e Biblës do ta kishin zili... Lexoji e do të më besosh! E shikon sa ziliqarë ka ky djalosh, që ti kujtoje se do ta gjeje në libraritë tona? Ky djalosh, në të keqen tonë ka qëlluar të jetë shqiptar dhe të jetë lindur nja 50 vjet më herët sesa ne të ishim gati për të dhe për letërsinë e tij”. Pas kësaj, në vend që të të vijë keq për autorin, i cili paska lindur në kohën e gabuar, në vend që të të vijë keq për veten që ende nuk ke lexuar, ndoshta asnjë nga 20 librat e tij, ndien keqardhje për kushëririn “gazetar-kritik-shkrimtar-jurist konkursesh…” që edhe pse 20 vjet në liri, ende ka mbetur pëshpëritës. Të vjen aq keq, sa harron t’i gëzohesh faktit se më në fund i ke katër nga 20 librat e autorit shqiptar që nuk e gjeje dot në asnjë nga libraritë e kryeqytetit. Pasi nuk ka mbetur asgjë, pothuaj as nga padurimi të fillosh leximin e librave të dhuruar, kërkon me sy derën. Kushëriri do të të shoqërojë deri tek ajo (dera) duke kërkuar fjali të shkurtra për të të porositur që askush të mos e dijë se librat e Ardian -Christian Kyçykut i “shpërndan” ai, gazetari, shkrimtari, kritiku dhe juristi i konkurseve të atyre, ndërkohë edhe kushëriri yt i parë, i dytë ose i tretë...



    ***



    Dashur padashur, ti nuk ke besuar asnjë nga zilitë për të cilat të foli kushëriri teksa deshi t’i binte shkurt vlerësimit të librave që të ka dhuruar. Nuk mund të besosh se shkrimtarët që të përmendi kushëriri do të ishin ndoshta të zilepsur nga një autor shqiptar... Fundja, ziliqarëve u mungon talenti, dhuntia… dhe përkushtimi ndaj letërsisë. Kështu që të mbetet të jesh kushëri me një ziliqar, ose kushëri me një servil ziliqarësh. Ç’është më e çuditshmja, të krijohet ndjesia sikur edhe ti ke nisur ta kesh zili autorin... pak para se ta lexosh. Mbasi, kureshtja ime i mundi të gjitha zilitë dhe keqardhjet, fillova të lexoj së pari romanin “Home”, botim i “Librarium Haemus”, Bukuresht, 2007.

    Romani “Home” është ndër më të rrallët libra që lexohen shpejt, por që ama, nuk mbaron kurrë së lexuari... Përndryshe do ta quaja një poezi që të mbetet në mendje e në mos në mendje, të hyn në gjak. Të gjitha poezitë që pas një kohe harrojmë t’i recitojmë me ose (pa) zë, vetes apo miqve, ndodh t’i tregojmë me fjalët tona. Romanin “Home” e bën poezi, jo vetëm stili, mjetet artistike, metafora që nuk i ndahet fund e krye veprës, gjuha që është jo vetëm e zgjedhur dhe e pasur, por edhe e krijuar enkas prej autorit për këtë vepër. Është gjuhë që krijohet vazhdimisht bashkë me romanin. “Home” nuk bëhet poezi, veç nga emocioni që lind e krijohet vazhdimisht te lexuesi që në “kapitullin e parë”. Ky roman nuk është as i ndarë në kapituj! Ndarja mund të bëhet vetëm se me strofa. Estetika e “Home” ia kalon secilës estetikë të zgjedhur e të përdorur deri më tash për prozën. Romani “Home” nuk ngarkohet me përshkrime prozaike, përkundrazi, detajet e romanit janë si sy që i dhurohen lexuesit për të parë brenda vetes.



    ***



    E besoj atë që thotë e beson vetë autori: “Letërsia është njëra prej atyre mrekullive që të shpëtojnë jetën...”. Teksa lexon romanin “Home” nëse nuk arrin të besosh se letërsia është mrekullia që ta shpëton jetën, ky roman mund të të shpëtojë shpirtin! Ndodh rrallë (nëse arrin të ndodhë) si në romanin “Home”, në të cilin ndodhia plotëson e përmbush vetveten. Edhe nëse nuk e thua, edhe nëse nuk e kupton, nuk mund të mos e ndjesh se këtë libër nuk është vetëm autori që e krijon dhe krijohet, realizon dhe realizohet, por ndoshta krejt magjishëm, me lejen e me dijen e tij, është edhe lexuesi që krijohet dhe realizohet. Pse jo, lexuesi e ndjen “fajin” dhe kënaqësinë e krijimit dhe të të qenit krijues njëherësh... Në roman nuk gjejmë emra pa fund personazhesh dhe ngjarje pa lidhje, të cilat ndodhin ngjashmërisht me ngjarjet tona... Përshkrime vendesh që ngjajnë me vendet që kemi lënë e që kemi gjetur, apo ato që mund të gjejmë. Gjithë sa shikojmë, jetojmë dhe rijetojmë gjatë leximit të romanit, e bën atë një dritare nga ku shikon kujtesa jonë. E prej andej edhe ne shikojmë atë, kujtesën tonë. Matanë kësaj dritareje, nëse jemi brenda, shikojmë jashtë. Përtej kësaj dritareje, nëse jemi jashtë shikojmë brenda, bëhemi nostalgjikë.

    Ndihemi të jetuar e nganjëherë ndiejmë se edhe mund të jetojmë. Emrat e personazheve të librit nuk janë thjesht të gjetur e të qenë, por kemi të bëjmë me emra që autori i ka krijuar me art, sikurse edhe personazhin dhe të gjithë veprën e tij.



    ***



    Nuk gjejmë një personazh kryesor e dhjetëra personazhe dytësore, që ngarkohen me misione. Në këtë roman protagonist është “Fati i njeriut”. Personazhet e tjera janë vetë lexuesit, të cilëve u mbetet të zgjedhin fatin... Gjithsesi, realisht i kemi tri personazhe: Home Ckena, pa atdhe (pa varr), Martina, pa fishekë dhe Suzi pa burrë. Personazhe kemi edhe ata të tre, që janë edhe ata të pestë, që janë edhe ata të trembëdhjetë, që janë edhe... deri kur të mësojmë se personazhe jemi vetë ne, lexuesit.

    Home Ckena nuk është “heroi” i veprës. Tashmë kemi një roman, i cili u jep fund veprave me heronj. E nëse duhet që për të pasur një roman të mirëfilltë, ta kemi një hero, atëherë as ky i fundit nuk mungon. Po, Home Ckena është heroi! Një hero i thjeshtësisë së madhërishme. Në vazhdë të asaj çka është letërsia?! Një banesë shpirtërore. Brenda saj jetojnë të gjithë; Shkrimtarët, personazhet, lexuesit... E nëse nuk duam ta besojmë këtë bashkëjetesë, na vjen të tronditemi se romani “Home” nuk është asgjë më pak se ADN-ja e jetës sonë në të tria kohët e saj: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Të tronditemi se ky roman është ADN-ja e kujtesës sonë! Kujtesës në tri kohë: do të kujtojmë, do të kujtohemi dhe do të na kujtojnë... Shkrimtari i bën vend lexuesit në banesën e tij shpirtërore, ndërkohë që ai hyn e banon qoftë edhe përkohësisht brenda nesh. Dhe, lexuesi e ndjen “peshën” e autorit, praninë e banorit më të ri brenda vetvetes. Kjo ndoshta është arsyeja që gjatë leximit të romanit “Home”, ndihesh lexues, personazh dhe autor në të njëjtën kohë. Autori i romanit “Home” është shkrimtar jo vetëm ndër më të talentuarit, por edhe më bujari, i cili me vetëdije të plotë e ndan letërsinë e tij me lexuesin e jo vetëm kaq; ai ndan me lexuesin edhe të pandashmen, atë më të shtrenjtën, që asnjë shkrimtar nuk do të guxonte ta bënte. Ai ndan autorësinë e veprës, krijimin e tij!

    Romani mbyllet me një hapje... ndoshta kjo është një ftesë për intervistë që i bën lexuesit jo thjesht autori, por vetë letërsia.
    "Shkolla nuk e ben njeriun me te mencur, e meson te duket i tille" (e.m)

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    Kujtohet e shkruan Elinda pertej oqeanit per nje shkrimtar vertet te rangut evropian, sepse piramidalet letrare brenda Shqiperise, jane te zene me punet e nguteshme te egos e manise se tyre te madheshtise. C'te them me shume se Elinda, ndonese s'kam me pak se ajo. Nje falenderim e pershendetje mike, per kete prurje njohese e prezantuese te Ardianit, qe e njeh, e vlereson dhe e cmon me shume Rumania e s'di sa pak, Shqiperia.
    -Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)

  3. #3
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Me këtë lloj artikulli kam shpresën se dhe ata që nuk e njihnin me parë Ardian-christian Kycykun ose dhe ata që e njihnin por nuk e lexonin për arsye të ndryshme, të shtyhen ta lexojnë e te krenohen, që është dhe jemi shqiptarë.

    Faleminderit që i solle këtu mendimet e tua!

    Me mall

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •