Në redaksinë e re të Enciklopedisë maqedone, vetëm një shqiptar
Shkup, 4 mars- Në mbledhjen e Akademisë Maqedonase të Shkencave është zgjedhur të mërkurën redaksia e re, e cila do ta shkruajë enciklopedinë e parë maqedonase. Kryeredaktor i ri redaksisë është zgjedhur akademiku Mitko Maxhunkov. Ai ka thënë se në pesë seksionet e ASHAM-it janë zgjedhur pesë akademikë. Përpos Maxhunkovit, në redaksinë e re do të marrin pjesë akademikët: Milan Gjurçinov, Ivan Katarxhiev, Alajdin Abazi dhe Vllado Matevski. Akademiku Maxhunkov paralajmëroi se redaksia brenda afatit sa më të shpejtë do të konvokojë mbledhjen dhe do të fillojë punën e saj. Sipas tij, para se të fillojë me enciklopedinë e re, duhet të bëhet analiza e hollësishme e materialeve të enciklopedisë së vjetër dhe të vendoset se çfarë do të bëhet me të. Vitin e kaluar, ASHAM-i botoi Enciklopedinë e parë të përgjithshme të Maqedonase në dy vëllime, e cila u përcoll me reagime të bujshme në opinion për shkak të përmbajtjes së saj ofenduese ndaj shqiptarëve. Enciklopedia sërish ka aktivizuar mëritë ndërpartiake. Hapja e debatit brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë për vënien në qarkullim të ekzemplarëve të “Enciklopedisë Maqedonase” të mbetura stok, provokoi edhe reagime të ndryshme nga blloku politik shqiptar. Dy forcat opozitare, Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re, përgjegjësinë për këtë situatë të re të krijuar në qarqet akademike e kërkojnë te Bashkimi Demokratik për Integrim. Enciklopedia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve do të jetë ashtu si ajo britanike. Ky është vizioni i ri dhe premisat për reforma në fjalët e para të kreut të ardhshëm të redaksisë që do të hartojë Enciklopedinë e re, akademikut Mitko Maxhunkov, i cili është zgjedhur kryetar i Qendrës Leksikografike në seancën e së premtes të Kryesisë së Akademisë. Ai ka siguruar se vepra e re jo vetëm që do të përpilohet konform të gjitha standardeve për libra me të tilla dimensione, por do të ketë edhe versionin e saj elektronik, ashtu si çdo botim tjetër bashkëkohor. Maxhunkov ka shtuar se në veprën e re do të fiksohen fakte që janë të një rëndësie potenciale për vendin. Kryesia e ASHAM-it, pasi nxori në botim Enciklopedinë vendosi tërheqjen e saj nga shitja shkaku i reagimeve të pjesës shqiptare. Redaksisë së Enciklopedisë iu propozua që në një afat sa më të shpejtë të bëjë korrigjimin e njësive lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase, shqiptarët e Maqedonisë, agresionin ndaj Maqedonisë, Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK)... Kryesia e detyroi redaksinë që korrigjimet t’i bëjë së bashku me akademikët shqiptarë dhe shkencëtarët e tjerë të bashkësive jo shumicë. /koha/
Krijoni Kontakt