Shqiptarë do t’i refuzojnë vendimet e qeverisë



Shqiptarët në Maqedoni mund të shpallin padëgjueshmëri ndaj vendimeve të qeverisë, nëse ajo vazhdon me ritmin e njëjtë të projekteve anti-shqiptare. Këtë alarm e kanë dhënë intelektualët, të cilët nuk e shohin në binarët e duhur politikën aktuale që udhëhiqet si për interesat shtetërore, por edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Unë shpresoj që një ditë do të përfundojë durimi i shqiptarëve edhe qëllimi i tyre që të rrojnë në një qetësi për kauza më të rëndësishme, për synime integruese do të t’i jepet fund këtij durimi. Mendoj se do të ketë pëdëgjueshmëri ose refuzim të vendimeve të qeverisë, ngjashëm siç ishte edhe refuzimi i maqedonishtes që nga klasa e parë”, tha akademik Ali Aliu. Sipas tij, ky reagim refuzues i shqiptarëve do të jetë më unik dhe do të forcohet edhe më tutje, nëse vazhdohet me provokime të tilla kundër shqiptarëve. “Gjithsesi se shqiptarët do të vetëdijesohen se politika e Gruevskit është haptazi antishqiptare”, tha Aliu.

Për profesorin universitar Lubomir Fërçkovski përveç keqësimit të marrëdhënieve ndëretnike, problem është edhe defokusimi nga zgjidhja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. “Vendimin kryesor që ai duhet ta ndërmarrë është kur do të tentojë të ndërtojë një shtet tjetër. Kur ne nuk jemi në NATO ne do të thotë jemi një shtet tjetër. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme”, tha Fërçovski.

Ai pohon se humbës më i madh përveç shtetit është edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. “Ai viktimizohet së tepërmi dhe është jo shumë i përgjegjshëm në këtë aspekt. Merr tepër obligime mbi veten. Mendoj se kjo politikë do të harxhohet deri në qershor kur patjetër duhet të kemi zgjidhje për emrin”, tha ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Analisti dhe publicisti Kim Mehmeti, pohon se politika e Gruevskit vazhdon të çojë drejt një ndarje të Maqedonisë. “Nëse forcat politike maqedonase që sot udhëheqin vendosin ta ndajnë Maqedoninë, shqiptarët s’mund ta mbrojnë atë. Ata duhet të jenë aq të pjekur sa që ta shohin se cili është koncepti i atyre, kurse ajo që shihet më shumë flet për ndarje se sa për një bashkëjetesë”, tha Mehmeti. Sipas tij, nëse vjen deri te ndarja e Shkupit kjo përfundimisht thotë ndarje edhe të Maqedonisë.

Akademiku shqiptar Ali Aliu vlerëson se Greuvski më shumë dëshiron t’i acarojë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe me këtë veprim i detyron shqiptarët të bëjnë punë të kota.



Fërçkovski: Ahmeti nuk do të durojë më

“Nëse nuk ka zgjidhje deri në qershor, atëherë do të kemi krizë politike. Mendoj se Ahmeti nuk do të mund të durojë edhe përkundër sjelljes pozitive dhe të përgjegjshme edhe më tutje të kërkojë diçka në këtë qeveri të VMRO-së, e cila nuk ka perspektivë për vendin. Ne duhet të kërkojmë zgjidhje pa këtë qeveri, dmth pa Gruevskin. Këtu rol të rëndësishëm do të ketë faktori ndërkombëtar, pasi ajo duhet të jetë një krizë politike dhe jo e sigurisë”, tha Fërçkovski.

Shqiptarët të mbahen nën kontroll

“Kur janë shqiptarët në pyetje, duhet të mbahen nën kontroll që kjo krizë politike mos të shpërthejë në ndonjë kërcënim tjetër. Të gjithë shtetet rreth Maqedonisë janë në NATO. Deklarata se do të ketë ndarje janë joreale. Këto shtete për rreth kanë për obligim të ruajnë kufijtë e vet dhe mos të përzihen jashtë. Neve mund të na ndodhë një prishje dhe ndarje e brendshme”, tha Lubomir Fërçkovski.

Maqedonasit do të shfarosen

Kush do të humbë e kush do të fitojë më shumë nëse ka ndarje? “Shqiptarët do të varet sa do të dijen ta mbrojnë veten. Gjithsesi se humbin të gjithë nga pak, por më së shumti humbin maqedonasit. Ata fshihen më prej hartës dhe nuk ekzistojnë më as si komb as si diçka tjetër”, tha Kim Mehneti.


http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/3602.html