Prishtinë, 3 mars – Gazetari i “Kohës Ditore”, Valon Maloku, të mërkurën është sulmuar fizikisht nga një pjesëtar i sigurimit të ndërtesës së Qeverisë dhe është kërcënuar se “do ta çojë në bodrum”, nëse nuk shkon në Qendrën mediale, derisa gazetari ndodhej në një korridor duke e pritur zëdhënësin e ekzekutivit, Memli Krasniqi, i cili i kishte sugjeruar që ta priste pikërisht aty.
Gazetari ka deklaruar se personi që e ka sulmuar, përveç që nuk ka pasur asnjë shenjë të dukshme identifikuese të policisë, fare nuk e ka pritur as sqarimin e tij se pse po qëndronte në korridor, e ka kapur atë për jake dhe me forcë e ka futur në Qendrën mediale.
“Para përfundimit të mbledhjes së Qeverisë unë kam biseduar me Memlin Krasniqin për një temë. Pasi ai nuk ka pasur përgjigje në atë kohë më ka thënë që ta prisja në korridorin e ndërtesës së Qeverisë dhe do të përgjigjej menjëherë pasi të përfundonte mbledhja”, ka thënë gazetari Maloku. “Pas përfundimit të mbledhjes dola nga Qendra mediale ta takoja Memlin në korridor, ashtu siç u morëm vesh, por një polic i sigurimit më tha që të hyja në pres qendër. Unë u përpoqa t'ia sqaroja atij që kisha lënë takim me Memli Krasniqin në korridor. Ende pa e përfunduar bisedën me të ka ardhur një person tjetër i cili nuk kishte kurrfarë shenje të policisë më ka kapur për jake duke më përplasur për derën e Qendrës së sallës së medieve".
“A po hyn mrena a po t’çoj në bodrum”, i ka thënë ky person gazetarit Maloku.
Ndonëse gazetari ka qenë duke biseduar me policin, ky person nuk ka pritur të sqarohej se pse gazetari ndodhej në atë korridor, por e ka kapur dhe e ka futur me dhunë në sallën e mediave.
Pas këtij sulmi gazetari ka shkuar ta paraqiste rastin në stacionin “Qendra” të Policisë në Prishtinë, por në vend që të jepte deklaratë për rastin, Valon Maloku, ka marrë një “këshillë” nga një hetues se nëse e paraqet rastin do të arrestohet.
“Ti që po e raporton rastin, ne duhet të të arrestojmë për mosrespektim të rregullave të Policisë”, i ka thënë ky hetues gazetarit Maloku.
Hetuesi i ka thënë gazetarit që arrestimi i tij është dashur të kryhej menjëherë nga policia në ndërtesën e Qeverisë.
Pas sulmit në Qeveri, gazetari Valon Maloku ka kërkuar sqarime nga njeriu, i cili i kishte thënë ta priste në atë vend – Memli Krasniqi. Zëdhënësi i Qeverisë ka kërkuar nga gazetari i “Kohës Ditore” që të konsultohej në prani të tij me policët e sigurimit. Por, personi që e kishte sulmuar nuk ndodhej tek porta e ndërtesës ku e ka vendin e punës.
“Sqarim kam marrë vetëm nga polici, i cili ka kërkuar nga unë që të hyja brenda. I njëjti polic në praninë e zëdhënësit të Qeverisë ka thënë se ka urdhër të posaçëm nga qeveritarët që mos të lejojë askënd të qëndrojë në korridor, derisa kalojnë udhëheqësit e qeverisë”, ka thënë Maloku, i cili kishte hyrë në ndërtesën e Qeverisë sipas procedurave të rregullta nga dera ku bëhet edhe kontrolli i gazetarëve dhe i vizitorëve.
Polici dhe pastaj edhe zëdhënësi Krasniqi e kanë arsyetuar këtë ngjarje me faktin se gazetarit i kishte dalë afati i ID-së, gjë që e kanë vërejtur tek pas incidentit.
Gazeta e ka kontaktuar nëpërmjet telefonit zëdhënësin e Qeverisë, i cili sulmin e pjesëtarëve të sigurimit nuk e ka vlerësuar si të dhunshëm.
“Absolutisht nuk është kurrfarë dhune as kurrfarë presioni ndaj gazetarit. Gazetari nuk ka pasur akreditim për të hyrë në ndërtesën e qeverisë. Po ashtu nuk ka pasur as ID të vendosur në trup, siç është i obligueshëm të bartet në institucione”, ka thënë Krasniqi.
Megjithatë, ka më shumë se një vit që asnjë gazetar nuk ka dokument zyrtar të akreditimit nga Qeveria e Kosovës, për shkak se nuk u punon aparati që i prodhon kartelat.
Zëdhënësi i policisë nga ana tjetër, Brahim Sadria, nuk ka mundur të fliste për këtë incident, pasi, sipas tij, rasti nuk është raportuar në polici.
“Unë krejt çka mund të them lidhur me këtë çështje, e di që ky djali paska shkuar aty paska biseduar me një zyrtar policor dhe e kam versionin e të dy palëve. Edhe me gjithë faktin që është gazetar, jo vetëm ky por të gjithë nëse konsiderojnë që u kanë tejkaluar autorizimet policore në raport me të, ose nëse stacioni policor nuk e ka pranuar ankesën e tij lirisht le të shkojë në inspektorat dhe t’i paraqesë si dëshmi”, ka thënë Sadrija.
Ai ka shtuar se gazetari për këtë çështje mund t’i drejtohet policisë nëpërmjet një shkrese dhe të ankohet për gjithë ngjarjen.
Drejtori i Departamentit të hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, nuk ka mundur të fliste për këtë çështje, por ka kërkuar që të enjten gazetari të raportojë rastin në inspektorat.
Krijoni Kontakt