Jakup Krasniqi punon kundër bashkimit kombëtar
Shkruan: Shkëlzen Gashi
Pushteti i Enver Hoxhës, nën arsyetimin se po e sendërtonte “gjuhën e
njësuar letrare shqipe”, e shpërfilli krejtësisht, madje deri në
përmasat e trajtimit si të ishte gjuhë e huaj, dialektin e veriut,
gegnishten. Për rrjedhojë, afro dy të tretave të shqiptarëve në
Ballkan, me dekret politik, iu imponua “standardi” që për bazë ka
pothuaj qind për qind toskërishten, duke e vra kësisoj një traditë
letrare shumëshekullore - gegnishten e shkruar. Për më tej, krijuesit e
“standardit” të Enver Hoxhës, që në të njëjtën kohë janë edhe hartuesit
e “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (1980), shpërfillën më se
gjysmën e leksikut të gjuhës shqipe.
Në këtë sfond, me synimin që ta hapja një debat publik mbi këtë temë
tabu, erdha te ideja për një cikël intervistash me gjuhëtarë, studiues
e intelektualë, kryesisht të një formimi të ri, nga Kosova, Shqipëria e
diaspora, përqendrimi i të cilave ishte te problemet aktuale të shqipes
si gjuhë mbarëkombtare dhe te tejkalimi i ngërçeve që sot e kësaj dite
vazhdojmë t’i vuajmë në veriun shqiptar nga të rropaturit për t’u
shprehë e zënë vend në këtë ‘standard’ përjashtues.
Pas botimit të këtyre intervistave në të përditshmen KOHA Ditore,
Shtëpia Botuese “Rrokullia” vendosi t’i përmbledhë ato nën titullin
“Gjuha e Këputun e Shqipes”. Pas qarkullimit të njoftimit se libri ka
dalë në shitje, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ma
dërgoi një e-mail, të cilin s’do ta publikoja kurrë sikur të ishte
privat, por meqë u ishte dërguar edhe shumë të tjerëve, po e botoj pa
asnjë ndërhyrje:
Pasi ke marre kete mundim "ietnlektual" te shekullit XX qe na e lan
amanet intelektualet dhe politika seber qe per nje shekull u munduan te
krijojne nga kombi shqiptar, albancet dhe shiftaret dhe s'ia arriten
dote. Ne shekullie e XXI e kane marre do "nitelektuale" te ri kosovare.
Pasi ma dergove njoftimin per librin "GJUHA E KUPETUR E SHQIPES", me
obligove qe t'i them edhe une dy tri fjale. Populli yne ka shume fjale
te urta e te menqura. Njera nga keto thote: "Kur unk ke cka te besh,
luje deren" ose "kur ke nge, shti rruza ne pe". Po t'i kujtoj dy
varianta qe kane nje kuptim. Nuk deshiroj te zgjatem, vetem du ate te
them se, gjuha e unifikuar, e unisuar apo standarde shqipe, quajeni sit
e doni, ka qene e arritura me e madhe kombetare e shekullit XX, e
arritur qe coj drejt unifikimit te te gjithe elementeve qe perbejne
kombin tone. Kjo rruge zor se mund te ndalet edhe sot. Kete s’do ta
ndalin as partizanet e vegjel te “kombit” kosovare ( te Titos). Kosova
e lire, e pavarur, sovrane dhe demokratike, ju ka krijuar mudnesi te
shumta – shfrytzoni keto mundesi per pune me te menqura, per t’i
unifikuar perberesit tjere te kombit. Leni pallavrat tuaja mjerane.
Pershendetje!
Dr. J. Krasniqi
Më duhet të them se nuk do t’i hyja asnjëherë mundimit për t’iu
përgjigjë letrës së Jakup Krasniqit, e cila shfaq elemente të frikshme
disleksie, e madje analfabetizmi, sikur ajo të mos mbante autorësinë e
një personi që mban një post aq të rëndësishëm publik, atë të Kryetarit
të Kuvendit të Kosovës.
Hapi i parë për unifikimin e kombit do të ishte plotësimi i standardit
gjuhësor, me futjen e paskajores dhe funksionalizimin e fjalësit të
gegnishtes, duke qenë se një njësim gjuhësor i mirëfilltë nënkupton
vetë njësimin shpirtëror të shqiptarëve. Dhe vetëm kështu të njësuar do
t’ia hapnim rrugën bashkimit kombëtar, sepse ai nuk ia vlen të bëhet me
mendësinë e ‘mësitnisë’. Njësimi sipas kësaj logjike do të
interpretohej me të drejtë si aneksim, sapo të zgjoheshim esëll të
nesërmen e festimeve.
Jakup Krasniqi harron se “Kosova e lirë, e pavarur, sovrane dhe
demokratike” del jashtë konceptit të unifikimit të kombit shqiptar. Ai
shton se unifikimin e kombit shqiptar nuk do ta ndalin as partizanët e
vegjël të ‘kombit’ kosovar, por harron se vetë, duke punuar për
shpalosjen e flamurit kosovar dhe për intonimet e himnit të Kosovës,
askurrkund madje as të ngjashëm me ata shqiptarë, ai është bërë vetë
njëri prej kryepengestarëve të unifikimit të kombit. Është Jakup
Krasniqi ai që e kryesoi seancën në Kuvendin e Kosovës ku u miratua
Kushtetuta e Kosovës që ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Jakup Krasniqi pohon se Kosova e lirë, e pavarur, sovrane dhe
demokratike na ka krijuar mundësi të shumta, duke na këshilluar t’i
shfrytëzojmë ato për punë më të mençura. Ç’është e vërteta, kjo Kosovë
u ka krijuar mundësi të shumta pikërisht Jakup Krasniqit, Hashim
Thaçit, Fatmir Limajt e të tjerëve si këta, për të vjedhë pa fre, duke
na i ngushtuar tmerrësisht mundësitë për zhvillim, sot e në të ardhmen.
Duke përfituar kështu nga shpërdorimi i posteve, këta “politikanë” janë
më së paku të interesuar për bashkim kombëtar, pavarësisht nga retorika
boshe që lëshojnë nga adresat e tyre elektronike private. Nëse vërtet
je ithtar i bashkimit, atëherë marre për ty, Jakup Krasniqi, që po
punon vetëm kundër tij.
Krejt në fund me keqardhje e them se, në rrethana normale, duke i pasë
parasysh aftësitë tua, maksimumi që do të mund të arrije, do të ishte
që nga fshati yt të zhvendoseshe në qytezën e Drenasit, ku do të mund
punoje si një arsimtar nën mesatar i lëndës së historisë. Ti je Kryetar
i Kuvendit të Kosovës sepse ne po jetojmë në kohëra e rrethana
abnormale.
Shkëlzen Gashi
3 mars 2010
P.S. Këtë shkrim ka refuzuar ta botojë gazeta më opozitare "Koha Ditore"
Krijoni Kontakt