
Postuar më parë nga
Albo
Konsumatorët dhe biznesi: Ekonomia është në krizë
Ndërtimi, shërbimet, industria dhe konsumatorët kanë më pak besim tek ekonomia. Të dhënat e tjera të publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë qartë se shqiptari ka hyrë në një krizë ekonomike. Më e keqja është se edhe besimi në një të ardhme më të mirë është i ulët, për të mos thënë në nivele pesimiste. Sipas sondazhit, që Banka e Shqipërisë, bën me bizneset dhe konsumatorët, treguesi i tendencës ekonomike ra me 5.1 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009. Në total, ky tregues është 16.8 për qind nga mesatarja që nga vitet 2002, kur ka filluar të matet tendenca ekonomike e vendit. Një tjetër faktor që plotësuan konturet e krizës ekonomike, është rënia e kërkesës, si ajo e konsumatorëve vendas, ashtu edhe ajo e jashtme. “Për pasojë, shfrytëzimi i kapaciteteve ka rënë përsëri në tremujorin e katërt të vitit 2009, duke shënuar normën 65.6 për qind”. Pra, edhe se politikisht është vështirë të pranosh, qoftë edhe për efekt të injektimit të optimizmit në ekonomi, shifrat flasin qartë për një krizë ekonomike.
Ndërtimi
Katalizatori i rritjes ekonomike të vendit është në rënie të vazhdueshme. “Treguesi i besimit të ndërtimit shënoi rënie me 12.8 pikë përqindjeje për tremujorin e katërt të vitit 2009, duke shënuar vlerën më të ulët historike që nga fillimi i matjes, në tremujorin e dytë të vitit 2002”. Sipas vrojtimit të Bankës, sektori i ndërtimit, është negativ në të gjithë komponentët e tij. Kërkesa për ndërtime është ulur me 17.6 për qind, ecuria e prodhimeve vazhdon të jetë negative, me një rënie prej 15.2 për qind, ndërkohë që ulje me 5.2 për qind ka pësuar edhe punësimi.
“Për sa i përket gjendjes financiare, bizneset raportojnë për një përkeqësim më të lartë se ai në tremujorin e kaluar. Balanca e këtij treguesi ra në nivelin -15.5 për qind nga -4.0 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm. Sipas shifrave, tregohet qartë se gjatë tremujorit të fundit të vitit, ecuria e ndërtimit ka qenë negative, në krizë të plotë që pas vitit 2002.
Industria
Edhe industria, e cila gjatë pjesës së parë të vitit të kaluar ishte optimiste, në fund të vitit është përfshirë nga pesimizmi. “Treguesi i besimit të industrisë është ulur me 0.6 pikë përqindjeje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009.” Sipas Bankës, bizneset raportuan për rënie të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe një keqësim të nivelit të kontratave porositëse. Faktorët me ndikimin më të madh negativ në ecurinë normale të bizneseve të industrisë, janë ato që kanë të bëjnë me kuadrin ligjor dhe institucional, si dhe marrëdhëniet me bankat.
Shërbimet
Edhe pse turizmi, pritet të jepte efekte në rritjen e besimit të sektorit të shërbimeve, sërish tremujori i fundit është mbyllur me balancë negative edhe pse këtë sektor, “treguesi i besimit të shërbimeve ka regjistruar një rënie të lehtë me 0.2 pikë përqindjeje. Përmirësimi i balancës së gjendjes financiare, të rregulluar për sezonalitet, nuk ka mundur të kompensojë plotësisht rënien e balancës për gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe rënien e asaj të punësimit.” Shërbimet, janë sektori më pak i prekur i ekonomisë, megjithatë, bizneset kanë vlerësuar në një shkallë më të lartë se në tremujorin e kaluar marrëdhëniet me bankat, si faktor që pengon aktivitetin normal të tyre. Ndërsa, situata e ekonomisë informale vijon të cilësohet si faktor pengues.
Konsumatorët
Treguesi i besimit të konsumatorit pësoi një rënie të lehtë me rreth 0.5 pikë përqindjeje. “Situata financiare aktuale e konsumatorëve u vlerësua negativisht gjatë tremujorit të katërt. Gjithashtu, negativisht është vlerësuar edhe situata e përgjithshme ekonomike në vend, gjatë tremujorit të katërt të vitit, balanca e të cilit u ul me 7.9 pikë përqindjeje. Konsumatorët shprehen për rritje të kostos mesatare të jetesës gjatë tremujorit të katërt të vitit, balanca neto u rrit me rreth 14.0 pikë përqindjeje krahasuar me një tremujor më parë. Gjithashtu, konsumatorët shprehen për rritje të kostos së , krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, edhe pse në nivel më të ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm.”
Parashikimi per 2010
Ndërtimi, parashikimi për 2010
Pritjet e bizneseve për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për aktivitetin ekonomik të tyre gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 janë negative.
Industria, parashikimi për 2010
Për tremujorin e parë të vitit 2010, bizneset presin përmirësim të prodhimit industrial dhe të kërkesës, megjithëse pritjet për situatën ekonomike në vend janë në rënie.
Shërbimet, parashikimi për 2010
Pritjet e firmave të sektorit të shërbimit për tremujorin e parë të vitit 2010, flasin për një vlerësim më të ulët të tyre për situatën e përgjithshme ekonomike dhe gjendjen e biznesit. Gjithashtu, në rënie pritet të jenë kërkesa dhe punësimi në këtë sektor, për tremujorin e ardhshëm.
Konsumatorët, parashikimi për 2010
Balanca e pritjeve të konsumatorëve mbi situatën e përgjithshme ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2010, shënoi rënie me rreth 4.3 pikë përqindjeje. Balanca e pritjeve mbi situatën financiare gjatë tremujorit të parë 2010 është pozitive. Për sa i përket nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm, rreth 42.5 për qind e konsumatorëve presin që ai të rritet dhe rreth 18.9 për qind e tyre presin që ai të ulet.
Panorama
Krijoni Kontakt