Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-05-2009
    Postime
    316

    Jakup Krasniqi punon kundër bashkimit kombëtar

    Jakup Krasniqi punon kundër bashkimit kombëtar

    Shkruan: Shkëlzen Gashi

    Pushteti i Enver Hoxhës, nën arsyetimin se po e sendërtonte “gjuhën e
    njësuar letrare shqipe”, e shpërfilli krejtësisht, madje deri në
    përmasat e trajtimit si të ishte gjuhë e huaj, dialektin e veriut,
    gegnishten. Për rrjedhojë, afro dy të tretave të shqiptarëve në
    Ballkan, me dekret politik, iu imponua “standardi” që për bazë ka
    pothuaj qind për qind toskërishten, duke e vra kësisoj një traditë
    letrare shumëshekullore - gegnishten e shkruar. Për më tej, krijuesit e
    “standardit” të Enver Hoxhës, që në të njëjtën kohë janë edhe hartuesit
    e “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (1980), shpërfillën më se
    gjysmën e leksikut të gjuhës shqipe.

    Në këtë sfond, me synimin që ta hapja një debat publik mbi këtë temë
    tabu, erdha te ideja për një cikël intervistash me gjuhëtarë, studiues
    e intelektualë, kryesisht të një formimi të ri, nga Kosova, Shqipëria e
    diaspora, përqendrimi i të cilave ishte te problemet aktuale të shqipes
    si gjuhë mbarëkombtare dhe te tejkalimi i ngërçeve që sot e kësaj dite
    vazhdojmë t’i vuajmë në veriun shqiptar nga të rropaturit për t’u
    shprehë e zënë vend në këtë ‘standard’ përjashtues.

    Pas botimit të këtyre intervistave në të përditshmen KOHA Ditore,
    Shtëpia Botuese “Rrokullia” vendosi t’i përmbledhë ato nën titullin
    “Gjuha e Këputun e Shqipes”. Pas qarkullimit të njoftimit se libri ka
    dalë në shitje, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ma
    dërgoi një e-mail, të cilin s’do ta publikoja kurrë sikur të ishte
    privat, por meqë u ishte dërguar edhe shumë të tjerëve, po e botoj pa
    asnjë ndërhyrje:

    Pasi ke marre kete mundim "ietnlektual" te shekullit XX qe na e lan
    amanet intelektualet dhe politika seber qe per nje shekull u munduan te
    krijojne nga kombi shqiptar, albancet dhe shiftaret dhe s'ia arriten
    dote. Ne shekullie e XXI e kane marre do "nitelektuale" te ri kosovare.
    Pasi ma dergove njoftimin per librin "GJUHA E KUPETUR E SHQIPES", me
    obligove qe t'i them edhe une dy tri fjale. Populli yne ka shume fjale
    te urta e te menqura. Njera nga keto thote: "Kur unk ke cka te besh,
    luje deren" ose "kur ke nge, shti rruza ne pe". Po t'i kujtoj dy
    varianta qe kane nje kuptim. Nuk deshiroj te zgjatem, vetem du ate te
    them se, gjuha e unifikuar, e unisuar apo standarde shqipe, quajeni sit
    e doni, ka qene e arritura me e madhe kombetare e shekullit XX, e
    arritur qe coj drejt unifikimit te te gjithe elementeve qe perbejne
    kombin tone. Kjo rruge zor se mund te ndalet edhe sot. Kete s’do ta
    ndalin as partizanet e vegjel te “kombit” kosovare ( te Titos). Kosova
    e lire, e pavarur, sovrane dhe demokratike, ju ka krijuar mudnesi te
    shumta – shfrytzoni keto mundesi per pune me te menqura, per t’i
    unifikuar perberesit tjere te kombit. Leni pallavrat tuaja mjerane.

    Pershendetje!

    Dr. J. Krasniqi

    Më duhet të them se nuk do t’i hyja asnjëherë mundimit për t’iu
    përgjigjë letrës së Jakup Krasniqit, e cila shfaq elemente të frikshme
    disleksie, e madje analfabetizmi, sikur ajo të mos mbante autorësinë e
    një personi që mban një post aq të rëndësishëm publik, atë të Kryetarit
    të Kuvendit të Kosovës.

    Hapi i parë për unifikimin e kombit do të ishte plotësimi i standardit
    gjuhësor, me futjen e paskajores dhe funksionalizimin e fjalësit të
    gegnishtes, duke qenë se një njësim gjuhësor i mirëfilltë nënkupton
    vetë njësimin shpirtëror të shqiptarëve. Dhe vetëm kështu të njësuar do
    t’ia hapnim rrugën bashkimit kombëtar, sepse ai nuk ia vlen të bëhet me
    mendësinë e ‘mësitnisë’. Njësimi sipas kësaj logjike do të
    interpretohej me të drejtë si aneksim, sapo të zgjoheshim esëll të
    nesërmen e festimeve.

    Jakup Krasniqi harron se “Kosova e lirë, e pavarur, sovrane dhe
    demokratike” del jashtë konceptit të unifikimit të kombit shqiptar. Ai
    shton se unifikimin e kombit shqiptar nuk do ta ndalin as partizanët e
    vegjël të ‘kombit’ kosovar, por harron se vetë, duke punuar për
    shpalosjen e flamurit kosovar dhe për intonimet e himnit të Kosovës,
    askurrkund madje as të ngjashëm me ata shqiptarë, ai është bërë vetë
    njëri prej kryepengestarëve të unifikimit të kombit. Është Jakup
    Krasniqi ai që e kryesoi seancën në Kuvendin e Kosovës ku u miratua
    Kushtetuta e Kosovës që ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

    Jakup Krasniqi pohon se Kosova e lirë, e pavarur, sovrane dhe
    demokratike na ka krijuar mundësi të shumta, duke na këshilluar t’i
    shfrytëzojmë ato për punë më të mençura. Ç’është e vërteta, kjo Kosovë
    u ka krijuar mundësi të shumta pikërisht Jakup Krasniqit, Hashim
    Thaçit, Fatmir Limajt e të tjerëve si këta, për të vjedhë pa fre, duke
    na i ngushtuar tmerrësisht mundësitë për zhvillim, sot e në të ardhmen.
    Duke përfituar kështu nga shpërdorimi i posteve, këta “politikanë” janë
    më së paku të interesuar për bashkim kombëtar, pavarësisht nga retorika
    boshe që lëshojnë nga adresat e tyre elektronike private. Nëse vërtet
    je ithtar i bashkimit, atëherë marre për ty, Jakup Krasniqi, që po
    punon vetëm kundër tij.

    Krejt në fund me keqardhje e them se, në rrethana normale, duke i pasë
    parasysh aftësitë tua, maksimumi që do të mund të arrije, do të ishte
    që nga fshati yt të zhvendoseshe në qytezën e Drenasit, ku do të mund
    punoje si një arsimtar nën mesatar i lëndës së historisë. Ti je Kryetar
    i Kuvendit të Kosovës sepse ne po jetojmë në kohëra e rrethana
    abnormale.

    Shkëlzen Gashi
    3 mars 2010
    P.S. Këtë shkrim ka refuzuar ta botojë gazeta më opozitare "Koha Ditore"

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979



    Gjuha e njësuar shqipe, vlerë gjithëkombëtare


    Mërkurë, 03 Mars 2010 22:52

    Dr. Jakup Krasniqi



    Ka të tillë që edhe sot guxojnë të marrin mundimin "intelektual" të shekullit XX, të cilin na e lanë trashëgim "intelektualët" dhe politika tradicionale kriminale e shovinistëve serbë, të cilët për një shekull u munduan të krijonin nga kombi shqiptar dy kombe: a - albancët (në Shqipëri) dhe b - shiftarët (në Kosovë)! Këta të fundit, disa fundërrina serbofile, të shfaqura si çakej e hiena edhe në faqet e internetit, i kanë konvertuar shiftarët si nocion përbuzës e fyes në komb kosovar. Praktika e politikës serbo-jugosllave, pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë rrafsh nuk ishte e pasuksesshme në raport me të tjerët në hapësirat e ish-Federatës Jugosllave, por jo edhe në Kosovë. Me gjithë mundin e tyre të pakursyer, të mendjeve narcisoide të "kombit qiellor", ata nuk ia arritën dot ta realizonin atë qëllim djallëzor dhe njëkohësisht kriminal. Nëse dyshoni në këtë, urdhëroni e shfletojeni shtypin serb nga vitet 80 deri më sot dhe do të bindeni. Kuptohet, nëse nuk ju dhimbset fakti se duhet ta lini rrugën dhe të shkoni në biblioteka për të lexuar, shfletuar e studiuar me nge. Duke qenë rrahagjoksë të tillë, besoj se e kuptoni gjuhën serbe të atyre viteve, të cilën po e përdorni sot me fjalë shqipe e mendësi serbe.

    Tani, në shekullin e ri, XXI, vetë politika serbe s'po ka nge të merret me këtë çështje, sepse ka edhe halle të tjera, ndaj i ka paguar ca argatë të punojnë për ta. Tani këtë detyrë e kanë marrë përsipër (si shpëtim për kosovarët!) disa pseudointelektualë klandestinë e çunakë (nuk po mendoj vetëm për moshën e re që e kanë) të Kosovës nënë, e cila po pengohet nga gërryerjet e tyre primitive të një lufte ndryshe të klasës politike e intelektuale sot. Këto përpjekje janë të pakohë dhe të palogjikë, s'kanë asnjë arsye të veprimit, s'kanë asnjë nivel kombëtar e intelektual, thjesht janë veprime krejt kuturu e pa interes. Janë humbje kohe. Jam sfiduar t'u përgjigjem shkurt partizanëve kundërshtarë të gjuhës së njësuar shqipe, sepse në adresën time elektronike më erdhi njoftimi për daljen e librit "Gjuha e këputur e shqipes", duke më obliguar kështu t'i them dy fjalë: Edhe pse jam i bindur se gjuhësia është fushë e rezervuar enkas për elitën akademike dhe studimore të gjuhësisë e jo për ata që nuk arritën kurrë ta mësojnë dhe ta flasin sa e si duhet gjuhën e bukur shqipe. Mësimi dhe përdorimi i gjuhës së njësuar shqipe, si një nga vlerat më të mëdha kombëtare, ende nuk është i lehtë për t'u shtrirë horizontalisht, se shkollën shqipe në Kosovë e kanë shoqëruar aq shumë pengesa e vështirësi, të cilat i shkaktoi sistematikisht armiku shekullor. Kjo nuk duhet të na pengojë ta mësojmë, ta përdorim dhe ta kultivojmë, në familje, në shkollë, në administratë, në media publike e private dhe kudo tjetër. Në thesarin e pasur të popullit tonë ka fjalë të urta, që shprehin filozofi të tërë. Njëra syresh thotë: "Kur nuk ke çka të bësh, luaj derën!" dhe tjetra, "Kur ke nge, shti rruaza në pe!" Sigurisht, ata që kohën e kanë të kotë edhe mund të merren me kotësi, ose, mbase, ndokush në kohën tonë i paguan edhe kotësitë e të kotëve, për të cilën gjë, në fakt, edhe nuk dyshoj shumë se po ndodh. Nuk dyshoj, sepse ata që marrin guximin për t'i përbaltur vlerat kombëtare, jo vetëm gjuhën e njësuar, nuk mund të kenë adresë tjetër. Angazhimi i tyre flet vetë.

    Duke jua rikujtuar dy fjalë të urta të përafërta të shqipes, që në një mënyrë edhe kanë një kuptim. Dhe, nëse dikush vërtet "ka nge me shti rruaza në pe" dhe për t'i përbaltur vlerat më sublime kombëtare, përse ne, që e kemi krijuar, që e kemi mbrojtur dhe kemi sakrifikuar shumë për këto vlera të heshtim para bjerrakohësve të sotëm?! Bjerrakohës, sepse kjo që kërkon ky soj e sorollop nuk do të gjejë as hapësirë, as shtrirje në tabanin tonë kombëtar. Nuk dëshiroj të zgjatem shumë, arsyet i thashë më lart, por dua të them se gjuha e standarde shqipe, është një nga të arriturat më të mëdha kombëtare të shekullit të kaluar, e barasvlershme me aktin e shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Ky hap i mençur dhe i domosdoshëm atëbotë i përfaqësuesve të shkencës së gjuhësisë shqiptare, bëri të njësohet atësia e substancës kombëtare, jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Dhe këtë e arritën kolosët si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti dhe dhjetëra shkencëtarë e dashamirës të njësimit të gjuhës e të kombit shqiptar. Tashmë kjo është vlerë kombëtare dhe meriton të mbrohet me ligj e shkuar ligjit. Prandaj janë krejt të kota krrokatjet e partizanëve të vegjël të "kombit kosovar" - pinjollëve titistë, të mbetur mes kryqrrugëve të botës, si langonjtë pa gjahtarë, për t'i bërë të pabërat, që dikur i bënin paraardhësit e tyre - kundërshtarët më të vrazhdë të përparimit të gjuhës, të historisë, të kulturës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.

    Kosova, sot, një shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe demokratik është një arritje e madhe, ndonëse jo gjakimi final, por intelektualëve të vërtetë u janë krijuar mundësi të shumta që vendin ta shpien drejt progresit me punë të çmuar intelektuale, dhe jo vetëm intelektuale, me djersë, me mund e me gjak, në të gjitha fushat e jetës për të cilat janë të përgatitur si mësues, specialistë, studiues e shkencëtarë. Prandaj, shfrytëzoni këto mundësi për çështje më madhore, në mënyrë që t'i njësojmë përbërësit e tjerë të kombit, e jo ta rrënojmë të krijuarën. Lini kotësitë dhe mos u merrni me to, ngase nuk i sjellin dobi as kombit, as kulturës sonë dhe në fund të fundit askujt, as rrënuesve të vlerave kombëtare. Ndryshe, kësaj i thonë punë e kotë ose nëse doni ndryshe, punë Sizifi. Se shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se mbyllja në feude, në krahina bajraqesh, kapedanësh a trevash nëndialektore, siç është Kosova, do të thotë humbje e çdo perspektive, tjetërsim dhe humbje e ardhmërisë së fëmijëve tanë për të jetuar me dinjitet në shtetin kombëtar.

    Infopress
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •