Beograd, 3 mars – E përditshmja konservative e Beogradit, “Politika”, në një vështrim më të gjatë rreth kërkesave të BE-së drejtuar Serbisë, që të bashkëpunojë me Kosovën për çështjet me interes të ndërsjellë, pa qenë e detyruar që të njohë pavarësinë e saj, rikujton në këtë drejtim këshillat e diplomatëve perëndimorë, dhe pyet analistin Dushan Janjiq se cila do të ishte zgjidhja.
- Si të lihet anash problemi i statusit dhe t’i hyhet zgjidhjes së problemeve konkrete në terren, nëse Beogradi refuzon çfarëdo kontakti me autoritetet e Prishtinës, të cilat nuk i njeh, kurse Prishtina këmbëngul se me Serbinë mund të bisedojë vetëm siç bisedojnë dy shtete të pavarura? – ishte njëra nga pyetjet për drejtorin e Forumit për Marrëdhëniet Etnike, Dushan Janjiq, i cili menjëherë u përgjigj se jo vetëm që është e mundur, por edhe e domosdoshme dhe se i gjithë presioni i BE-së bëhet për këtë qëllim.
“Ekzistojnë tri baza sipas të cilave Serbia është e obliguar të bisedojë: Marrëveshja me UNMIK-un e vitit 2003 mbi “dialogun teknik”, Marrëveshja me UNMIK-un për gjashtë pikat, dhe Marrëveshja me EULEX-in që na bëri të mundur liberalizimin e vizave, dhe që ka të bëjë me kontrollin policor e doganor të kufijve dhe jurisprudencën në veri, të cilin ne nuk po e përmbushim plotësisht por vetëm aq sa na konvenon”, u përgjigj Janjiq.
Por ai konsideron se për shkak të raportit të forcave politike në pushtet, Serbia aktualisht vetëm mund të taktizojë, të hapë disa nga këto çështje teknike dhe të presë raportin e ri të forcave.
“Ata kanë bërë marrëveshje koalicioni pa përgjigje të qartë në pyetjen se kush çka nënkupton me mosnjohjen e Kosovës, kështu që doli se më pragmatikët janë socialistët dhe më të pathyeshmit demokratët, të cilët nuk shkojnë as në mbledhjet ku janë shqiptarët”, thotë ai.
Shefi i grupit parlamentar të socialistëve në Kuvendin e Serbisë, Branka Ruzhiq, citohet të ketë thënë: “Ne duhet të dalim nga llogoret, që është sindrom shekullor yni kur bëhet fjalë për Kosovën. Duhet të përpiqemi për ato që janë të rregulluara me të drejtën ndërkombëtare dhe statusin e shtetit tonë si një subjekt i të drejtës ndërkombëtare në këto hapësira, por po ashtu duhet të gjejmë ndonjë zgjidhje të urtë e cila do të ndihmojë që integrimet tona evropiane të shkojnë në drejtimin dhe me shpejtësinë e duhur”.
Edhe analisti politik serb, Milan Nikoliq shpreh bindjen se do të gjendet modeli përkatës sipas të cilit do të bashkëpunohet, kurse formalisht asgjë s’do të pranohet. “Një formulë e tillë do të gjendet, sepse është në interesin e të gjithëve. Ndoshta shqiptarët një ditë do të nisin të ngulin këmbë, sepse duan që të përfundojë ky proces, por nuk besoj se do të ngadhënjejnë”, por BE-në është me rëndësi të nisë bashkëpunimi.
“Sikur BE-ja të ishte unike, ndoshta do të bënte më shumë presion. Por ka vende të cilat kurrë s’do ta njohin Kosovën, kështu që askush nuk ka llogari të kërkojë më shumë
se zgjidhje praktike”, është shprehur Nikoliq.
Edhe zëdhënësi i Partisë Demokratike të Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se Serbia nuk është e detyruar në mënyrë eksplicite të njohë pavarësinë e Kosovës, porse për faktorët ndërkombëtarë është e rëndësishme që ajo të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe që ato marrëdhënie të funksionojnë.

“Ata që vendosin nëse Serbia do të hyjë në BE janë shumë të qartë dhe kërkojnë që Serbia të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën dhe që në këtë mënyrë ajo të pranohet në mënyrë implicite”, citon “Politika” zëdhënësin e kësaj partie.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq thotë se “Duhet të gjenden formula fleksibile dhe të shkohet nga rasti në rast. Tadiq ka mundur që në inaugurimin e presidentit kroat të dërgojë përfaqësuesin e vet që nuk do të ishte personalitet politik,por publik. Sa i përket lirisë së lëvizjes, mund të arrihet ujdia që në pasaporta të mos vihen vula, por që të evidentohet secili kalim. Diplomat, për shembull, mund të nostrifikohen, por me vulë të universitetit dhe jo të Ministrisë së Kosovës”.Faleminderit për rekomandimin