Mitrovicasit kërkojnë rindërtimin e Xhamisë së Ibrit
Në Mitrovicë është riaktualizuar kërkesa për lejimin e rindërtimit të Xhamisë së Ibrit që ka qenë deri para lufte në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.
Një kërkesë të tillë e ka dërguar Bashkësia Islame e Mitrovicës në adresë të Administratës së UNMIK-ut në veri, që ende është përgjegjëse për atë pjesë të qytetit. Kërkesë të njëjtë kanë bërë edhe përfaqësuesit e banorëve të lagjeve të veriut që mbajnë takime me zyrtarë të UNMIK-ut.
Xhamia afër lumit Ibër ka ekzistuar që nga viti 1778, ndërsa është djegur nga forcat serbe dhe pastaj është rrafshuar me ekskavator më 2 maj të vitit 1999.
“Këshilli i BI në Mitrovicë menjëherë pas përfundimit të luftës ka kërkuar me shkrim që të fillojë rindërtimi i xhamisë, dhe madje nga të gjithë administratorët, duke filluar nga i pari Martin Garrot, mirëpo deri tani kjo nuk është realizuar”, thotë Izet Feka, sekretar i KBI-së në Mitrovicë. Ai thotë se janë se paku 10 kërkesa me shkrim që janë dërguar në adresë të zyrtarëve të UNMIK-ut, por edhe të zyrtarëve vendorë, por që nuk kanë pasur efekte.
“Vetëm një herë kemi marrë një shkresë para disa viteve nga ish- administratori Gerard Galluci, se tani për tani kjo nuk mund të realizohet për shkaqe të sigurisë”, thotë Feka.
Një kërkesë e tillë është ripërsëritur edhe këto ditë nga kryetari i KBI-së në Mitrovicë, Jetish Berisha, në adresë të Administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës.
Sipas tij, tani janë krijuar kushtet për lejimin e rindërtimit të xhamisë dhe shpresojmë në një përgjigjeje pozitive pasi që edhe mjetet janë të siguruara.
Berisha në këtë kërkesë ka theksuar se çështja e rindërtimit të xhamisë po vazhdon të mbetet e parealizuar, gjë që po e indinjon edhe popullatën në atë pjesë të qytetit, ndërsa serbëve u është lejuar ndërtimi i kishës që më parë nuk ka ekzistuar dhe rinovimi i kishës në jug.
“Ne si Bashkësi Islame nuk jemi kundër objekteve fetare të çfarëdo besimi, por jemi për drejtësi dhe realizimin e të drejtave të të gjithë besimtarëve”, thotë Berisha.
Në anën tjetër, edhe përfaqësuesi i Lagjes së Boshnjakëve, Adem Mripa, thotë se e ka ngritur këtë çështje gjatë bisedimeve me zyrtarët e UNMIK-ut si kërkesë të banorëve.
“Kërkesë e banorëve është që të lejohet rindërtimi i xhamisë pasi besimtarët nuk mund t’i kryejnë obligimet e tyre fetare”, ka thënë Mripa.
Ndërkaq një zyrtar i UNMIK-ut me kusht të anonimitetit ka konfirmuar për gazetën marrjen e kërkesës për rindërtimin e xhamisë, si dhe kërkesat e banorëve, por nuk ka mundur të thotë se cila do të jetë përgjigjja nga UNMIK-u. /koha/
Krijoni Kontakt