Rruga për në Gjermani ka qenë e kobshme për banorin e fshatit Forinë të Gostivarit, Mahir Jakupi i lindur në vitit 1969 në po të njëjtin fshat. Në rrethana ende të pasqaruara ai është gjetur i vdekur në automjetin e tij me të cilën ka qenë duke udhëtuar në Gjermani tek të afërmit e tij.
Policia serbe ka konfirmuar se gjatë ditës së mërkurën afër fshatit Zhunicë, 10 kilometra larg vendkalimit kufitar mes Maqedoninë dhe Serbisë, në magjistralen Beograd-Shkup është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit, Mahir Jakupi.
Ai ishte vrarë me armë zjarri nëpërmjet dritares së mbyllur të veturës së tipit “Ford Eksport" me targa të Gostivarit. Policia serbe ka njoftuar se me një aktivitet operativ ka mësuar se veprën penale “e ka kryer një person i cili ka pasur të veshur uniformën e policisë dhe i cili është parë duke ikur nga vendi i kryerjes së veprës penale drejt Vranjës”.
Sipas njoftimit të policisë serbe, polici është arrestuar pas informatës se veprën penale e ka bërë një njeri i veshur me uniformë policore, i cili është vërejtur se si arratiset nga vendi i krimit. Më vonë, polici Zoran Memaraoviç është arrestuar nën dyshimin se është ekzekutues i veprës penale.
Në vendin e ngjarjes, sipas mediumeve serbe, janë gjetur së paku 45 gëzhoja plumbash të zbrazur. Gjurmët e plumbave vërehen buzës së asfaltit në një gjatësi disa dhjetëra metra.
Banori i rrethinës së Gostivarit, Mahir Jakupi, ishte nisur me veturën e tij personale për tek të afërmit e tij në Gjermani, duke zgjedhur relacionin nga Serbia. Babai i dy fëmijëve, Mahir Jakupi, për banorët e fshatit Forinë ka qenë njeri i ndershëm dhe familjarë.