Close
Faqja 2 prej 5 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 48
  1. #11
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Qyteti antik i Hatushës ndodhet në lokalitetin Boazkoj të nënprefekturës Boazkale (Boğazkale) të Çorumit. Hatusha ka qenë për shekuj me radhë kryeqytet i Perandorisë Hitite dhe një qendër shumë e rëndësishme në Anadoll. Banorët e tij të parë, pra Hatitë (Hatti) këtë qytet antik e kanë quajtur fillimisht "Hattuş", ndërsa me të hyrë në sovranitetin e hititëve mori emrin Hatusha. Numri i saj në listën e UNESCO-s me cilësi kulturore është 377.

    Sot po flasim për rrënojat e vendbanimit Boazkoj, i cili bashkë me gërmadhat e Alaxhahojykut (Alacahöyük) dhe tumës me të njëjtin emër, ndodhet në prefekturën e Çorumit.

    Vendbanimi antik i Boazkojit, i njohur me emrin Hatusha në kohën e hititëve, gjendet 82 km në juglindje të Çorumit dhe 208 km larg Ankarasë. Ky vendbanim, i cili ndodhet në qendrën e ish-zonës bërthamë të Shtetit Hitit, në jug kufizohet me luginën e Lumit Budakozy, në lindje me një numër të madh masash shkëmbore që ngrihen deri në 300 m lartësi nga fusha e luginës, kurse në perëndim dhe veri rrethohet nga shpatet e maleve. Qyteti antik është i rrethuar me mure përveçse anës veriore të tij, e cila është lënë qëllimisht e hapur për faktin se mbrohet nga shpatet e maleve.

    Rrënojat e vendbanimit Hatusha për herë të parë janë shëtitur dhe i janë prezantuar botës në vitin 1834 nga arkitekti dhe arkeologu francez Sharl Teksier (Charles Texier). Ndërsa personi që krijoi për herë të parë një lidhje mes këtyre gërmadhave dhe Shtetit Hitit, ishte arkeologu dhe linguisti anglez, Arçibolld Henri Sais (Archibald Henry Sayce).

    Deri në këtë kohë supozohej që qendra e hititëve të ishte Siria. Në vitin 1882 Karl Hjuman (Carl Human) dhe Oto Pushtain (Otto Puchstein) erdhën sëbashku në Boazkoj dhe hartuan për herë të parë një plan kolektiv. Ata nxorën gjithashtu edhe kallëpet e Jazëllëkajasë, e cila aktualisht ndodhet në Muzeun Pergamon, apo Bergama të Berlinit.

    Sondazhi i parë arkeologjik u realizua në vitet 1893-1894 nga Ernest Shantre. Ndërsa në vitin 1905 Theodor Makridi dhe Hugo Vinkler kryen vëzhgime të detajuara në Boazkoj dhe drejtuan gërmimet arkeologjike, që vijuan deri në vitin 1917.

    Kur vijmë në vitin 1932, Kurt Bidel (Kurt Biddel), një arkeolog anëtar i Institutit Gjerman të Arkeologjisë, filloi këtu gërmime sistematike. Gjatë Luftës II Botërore këto gërmime u ndërprenë për një farë kohe, pastaj rifilluan sërish për të vazhduar pa ndërprerje deri në vitin 1978. Nga kjo datë deri në vitin 1993 gërmimet arkeologjike u kryen nën drejtimin e Dr. Piter Nev (Peter Neve), ndërsa prej vitit 1994 e këtej vijojnë nën udhëheqjen e Dr. Jurgen Zeher (Jurgen Seeher).
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 19-05-2011 më 16:04

  2. #12
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Në rrënojat e Hatusha-Boazkojit shenjat e vendbanimit duken qartë që nga mijëvjeçari i 3-të p.e.s. Vendbanimi i vogël dhe i fortifikuar i kësaj periudhe është konstatuar të ketë qenë saktësisht në Byjykala dhe rrethinat e saj. Gjatë shekujve të 19-të dhe 18-të p.e.s., në "Qytetin e Poshtëm" vihen re ndërtime që i përkasin Periudhës së Kolonive Tregtare Asiriane, në dokumentet e shkruar të kësaj periudhe rastiset për herë të parë edhe emri i qytetit.

    Një nga veprat më të spikatura të zbuluara në vendbanimin antik të Hatushas është "Sfinksi i Boazkojit". Kjo vepër është punuar prej guri gëlqeror, i përket shekullit të 14-të dhe 13-të p.e.s. dhe është 2,58 metra e lartë. Vepra në fjalë është sfinksi i djathtë i portës jugore të Boazkojit dhe aktualisht ekspozohet në Muzeun e Berlinit në Gjermani.

    Periudha e parë e zhvillimit në Hatusha ka marrë fund me një zjarr të madh, përgjegjës për këtë zjarr duhet të jetë Mbreti i Kusharës, Anita. Sipas dokumenteve, Hatusha është rihapur për banim menjëherë pas këtij rrënimi në vitet 1700 p.e.s., rreth 1 shekull më vonë, pra në vitet 1600 është bërë kryeqytet i Shetit Hitit, ndërsa themeluesi i tij është Hatushili I, i cili ashtu si edhe Anita është me origjinë nga Kushara.

    Pasi bëhet kryeqytet Hatusha na del përpara me një strukturim monumental në pikën më ekstreme të zhvillimit të qytetit. Në shekullin e 13-të p.e.s. qyteti i gjerë 2 km kishte në brendësinë e tij një pallate, tempuj dhe lagje të tëra. Gjatë periudhës së dytë të zhvillimit, efektivë në vitet e fundit të perandorisë si jashtë ashtu edhe brenda kanë qenë 3 mbretër të rëndësishëm hititë, Hatushili III, djali i tij Tudhalia IV dhe i biri Shupiluliuma II.

    Në kohët e fundit të mbretërimit të Shupiluliumas II, e cila përkon me vitet 1190 p.e.s., pas shembjes së Shtetit Hitit për shkak të vështirësive ekonomike dhe trazirave të brendshme, Boazkoji është braktisur dhe i tillë ka qëndruar për 4 shekuj me radhë. Më pas gjatë mesit të shekullit të 8-të p.e.s. këtu fillojnë të vendosen frigët. Në Periudhën Helenistike dhe atë Romake Hatusha ishte një qendër e vogël principate e rrethuar me mure, kurse gjatë Periudhës Bizantine është kthyer plotësisht në një fshat.

    Në vendbanimin antik të Boazkojit, përveç sfinksit tërheqës janë edhe Ritonët Dema. Ritonë quhen enët ceremoniale të pijeve në trajtë zoomorfike, ose me forma kafshësh. Enët ceremoniale të pijeve prej balte të pjekur, i përkasin Periudhës Hitite të Hershme dhe datojnë në shekullin e 16-të p.e.s. Lartësia e tyre është 90 cm.

    Pjesa e Hatushas që njihet si "Qyteti i Sipërm", ka një sipërfaqe pak më të madhe se 1 km2 dhe një terren të thyer. Kjo sipërfaqe në shekullin e 13-të p.e.s., pra gjatë Periudhës së Vonë të Perandorisë, është dëshmitare e zhvillimit të qytetit. Pjesa kryesore e Qytetit të Sipërm formohej vetëm nga tempujt dhe vendet e shenjta. Qyteti i Sipërm nga jugu rrethohet me një mur të qëndrueshëm, mbi të cilin kishte 5 porta. Në skajin më jugor të murit rrethues dhe në pikën më të lartë të qytetit gjendet porta me sfinksa. Dy prej katër portave të tjera janë Porta e Mbretit dhe Porta me Luanë, të cilat qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, në skajin lindor dhe atë perëndimor të murit rrethues jugor.

    Strukturat që vihen re në Qytetin e Sipërm janë ndërtuar në tre faza. Faza e parë përkon me kohën e ndërtimit të murit të parë rrethues. Faza e dytë është ajo që konsiston në rindërtimin e mureve rrethues pas dëmtimeve të para dhe në trajtën përfundimtare të qytetit të tempullit. Kurse në fazën e tretë dhe të fundit, krahas meremetimeve dhe riparimeve të ndërtesave ekzistuese, fillon një vrull i ri ndërtimesh që nuk ka qëllime fetare, apo rituale. Në Qytetin e Sipërm, zona që njihet si "Lagjja e Tempujve" shtrihet nga Porta me Sfinksa deri në Nishantepe dhe Sarëkale. Në këtë terren janë zbuluar shumë tempuj që i përkasin periudhave të ndryshme.

    Inventari i gjetur nëpër tempuj ndahet në 5 grupe, qeramikë, vegla, armë, objekte kulti dhe dokumente të shkruar.

    Në hyrje të Qytetit të Sipërm, saktësisht në Nishantepe dhe Gynejkale, të cilat gjenden menjëherë përpara Byjykalasë, të bien në sy ndërtimet e bëra pas hititëve, ky është vendbanimi frig i shekullit të 7-të dhe të 6-të p.e.s.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 19-05-2011 më 16:05

  3. #13
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Përreth qytetit të Çorumit, në të cilin gjenden rrënojat e Boazkojit, ka edhe disa vendbanime të tjera antike me rëndësi shumë të madhe. Ne jemi të mendimit se ashtu si për Boazkojin, do të ishte me mjaft dobi që të flasim edhe për rrënojat e tjera, që kanë hedhur dritë mbi të kaluarën.

    Një nga këto vendbanime antike është edhe Allaxhahojyku, i cili gjendet 45 km në jug të Çorumit, 17 km në veriperëndim të Nënprefekturës Allaxha, 34 km nga Boazkoji dhe plot 210 km larg kryeqytetit Ankara, në fshatin me të njëjtin emër, pra Allaxhahojyk.

    Këto rrënoja antike për herë të parë i janë prezantuar botës në vitin 1835 nga udhëpërshkuesi Hamilton. Duke filluar nga këto vite Allaxhahojyku është kthyer në një prej vendeve më të vizituar nga shkencëtarët në Anadollin Qendror. Në vitin 1861, një tjetër studiues, Perrot, ka ardhur në këto rrënoja gjatë vizitës së tij nëpër Anadoll dhe ka nxjerrë në dritë planin e kullës katërkëndëshe në të majtë dhe të djathtë të portës, si dhe një prej orthostateve. Perrot pas këtyre hulumtimeve është njëkohësisht edhe personi i parë që ka pretenduar se këta basorelieve i përkasin periudhës hitite.

    Perrot bashkë me Ramsi de Uillson, një studiues që ka derdhur mund të madh për gjeografinë historike të Anadollit, në vitin 1881 realizojnë sondazhe të tjera në rrënojat e Allaxhahojykut dhe i shtojnë disa të reja basorelieveve të mëparshme.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 20-05-2011 më 01:31

  4. #14
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Ndërsa në vitin 1893 arkeologu francez Ernest Shontre (Ernest Chantre), kur erdhi në Anadoll fillimisht hyri në Allaxhahojyk dhe ashtu si ata përpara tij, edhe Shontre nxori në dritë korridorin katërkëndësh ndërmjet sfinksave, portën e dytë pas tij dhe gurët e bazamentit të portës. Pasi studioi me vëmendje kompozimin e basorelieveve, Shontre arrin në po të njëjtin përfundim me Perrotin, ky vend më shumë se një portë saraji ishte një e tillë tempulli. Shontre bëri një studim edhe mbi luanët në jug të Portës me Sfinksa dhe mendimin e tij, se shkrimi që gjendet mbi një prej këtyre portave është shkrim frig, e përforcoi edhe më shumë pas artikullit të publikuar nga Ramsi.

    Më pas Hugo Vinkler, i cili punonte që nga viti 1906 në Boazkoj, me propozimin e Makridi Beut dhe Drejtorit të Muzeut të Arkeologjisë së Stambollit, Halil Et'hem Beut, vendosi që të tre sëbashku të punojnë për studimin e Allaxhahojykut. Në vitin 1907 Makridi Beu ka realizuar rreth 15 ditë gërmime në Portën me Sfinksa dhe në fund të tyre ka nxjerrë në dritë edhe disa orthostate të tjera. Pas disa sondazheve në pika të ndryshme të këtyre rrënojave, Makridi Beu ka vënë re hyrjen në pjesën veriore të Allaxhahojykut dhe e ka krahasuar atë me hyrjen në Boazkoj.

    Gërmimet e para sistematike në Allaxhahojyk kanë filluar gjatë periudhës së Republikës me urdhër të liderit të madh dhe themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Gërmimet e para sistematike filluan në vitin 1935, në emër të Institutit Turk të Historisë nga Hamit Zybeir Koshaj, Remzi Ouz Arëk dhe Mahmut Akok, dhe vijuan deri në vitin 1983. Nga kjo datë gërmimet u ndërprenë për plot 14 vjet, deri sa më 1997-n Profesori Ajkut Çënarollu rifilloi gërmimet në këtë vend.

    Si rezultat i gërmimeve dhe studimeve të bëra këtu, u konstatua se Allaxhahojyku është një vendbanim i pandërprerë që nga Periudha Kalkolitike e deri në ditët tona dhe se në këto rrënoja ka 4 shtresa të ndryshme kulturash. Këto 4 shtresa që përfshijnë Periudhën Kalkolitike, atë të Bronzit të Hershëm, Periudhën Hitite dhe atë Frige, mes tyre ndahen në 15 shtresa të tjera arkitekturore.

    Vendosja e parë e njerëzve në Allaxhahojyk, që siç e thamë pak më parë ka ndodhur në Periudhën Kalkolitike, është realizuar duke u zgjedhur një shesh që shikon nga jugu, por që është i mbrojtur me kodra nga veriu dhe ka një nivel të lartë uji. Kjo vendosje nuk e ka kaluar dot nivelin e një fshati. Arkitektura në këtë periudhë bazohej tek muret e ndërtuar me qerpiç mbi themele guri dhe strehë të mbuluar me kallama e gjethe shpatore, pastaj të suvatuar me baltë.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  5. #15
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Periudha e Bronzit të Hershëm, e cila vjen menjëherë pas asaj Kalkolitike dhe përfaqësohet nga 4 kate ndërtimi, në Allaxhahojyk ka fituar rëndësi me 13 varre mbretërish. Varret që pretendohet se i përkasin katit të 5-të dhe të 7-të, zënë vend në një pjesë të veçantë të qytetit antik. Nga aspekti i formave të tyre, këta mund të cilësohen si shembuj të pashoqë të varreve të Anadollit, madje edhe të Azisë së Vogël. Varret i përkasin burrave dhe grave adulte. Në këto varre nuk është parë asnjë skelet foshnje apo fëmije. Po ashtu në këto vare është vendosur gjithmonë vetëm një trup, pra nuk ka vendosje të dyfishta, apo më shumë brenda një varri. Ndryshe nga llojet e varreve të Anadollit Qendror, në varret e Allaxhahojykut ka një drejtim të caktuar si për varret ashtu edhe për të vdekurit. Dhuratat për të vdekurit janë nga ato më të pasurat dhe të shumëllojshmet që njihen gjatë Periudhës së Bronzit të Hershëm në Egje dhe Azinë e Vogël. Mes tyre mund të përmendim disqet e diellit, statujat e drerëve dhe demave, stringla, armë lufte si kamë, shpatë dhe sëpatë, të cilat nuk janë hasur ndonjëherë deri më sot në zonat e kulturave të tjera, po ashtu edhe objekte të ndryshme prej balte të pjekur, apo të punuara në gurë, flori, argjend, bronz dhe bakër. Sistemi arkitekturor i Allaxhahojykut në Periudhën e Bronzit të Hershëm bazohet në teknikën tipike të ndërtimtarisë së Anadollit, sipas të cilës ndërtesat janë me themele guri, mure qerpiçi, tavane të sheshtë, dysheme të suvatuar dhe çati prej balte.

    Shtresat hitite, të cilat aktualisht përbëjnë pjesën e dukshme të Allaxhahojykut, formohen nga 3 kate ndërtesash. Në këtë periudhë është konstatuar në anë të rrënojave një sistem mbrojtës në formë rrethore me diametër 250 metra dhe në të dy porta kryesore, që siguronin hyrjen në qytet. Njëra prej tyre është Porta me Sfinksa në juglindje, ndërsa tjetra është porta në perëndim të vendbanimit antik. Në Portën me Sfinksa, e cila me shumë mundësi është edhe porta fetare, apo rituale e qytetit antik, gjenden 2 sfinksa mbi 2 metra të lartë, tek të cilët tërheq vëmendjen pjesa e kokës. Këta sfinksa me trup të fryrë qëndrojnë mbi këmbë të shkurtra dhe të ndara nga njëra-tjetra. Në anën e brendshme të sfinksit lindor gjendet një shqiponjë me dy krerë që në kthetra mban një lepur.

    Në serinë e ardhshme do të vazhdojmë të flasim për kulturën hitite të vendbanimeve antike në Çorum...
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  6. #16
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Vazhdojmë të flasim për krahinën në të cilën ndodhet Hatusha-Boazkoji, një vendbanim i vjetër hitit, që më 28 nëntor 1986 është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore.


    Përreth qytetit të Çorumit, në të cilin gjenden rrënojat e Boazkojit, ka edhe disa vendbanime të tjera antike me rëndësi shumë të madhe. Rrënojat e Ortakojit janë një prej tyre.

    Nënprefektura e Ortakojit gjenden 53 km në juglindje të qytetit Çorum, në verilindje të Ultësirës Allaxha, saktësisht mbi grykën ku bashkohen Fusha e Gojnyxhekut, me atë të Zilesë dhe Amasjas. Rrënojat ndodhen midis zonës së quajtur Tepelerarasë dhe asaj Aëllony, 2.5 km në jugperëndim të nënprefekturës.

    Gërmimet arkeologjike në rrënojat e Ortakojit kanë filluar në vitin 1990 nga Drejtoria e Muzeut të Çorumit. Ato vijuan edhe gjatë vitit 1991. Duke filluar që nga 1992-shi e këtej drejtimin e gërmimeve e ka marrë përsipër Profesoresha Ajgyl Syel, e cila e vazhdoi punën me po të njëjtin ekip që e kishte nisur Drejtoria e Muzeut të Çorumit.

    Meqenëse është e rëndësishme nga aspekti gjeografik dhe tepër e volitshme për bujqësi, kjo zonë është bërë skenë e ngulitjeve të vazhdueshme të njerëzve, që nga epokat e para e deri në ditët tona. Si rezultat i gërmimeve arkeologjike të realizuara deri më sot, në dritë janë nxjerrë kompleksi tempull-pallat mbretëror, i ndërtuar me gurë ciklopikë, si dhe një grup i dytë ndërtesat të përkufizuara si "dhomat e pozitivit", të cilat gjenden 150 m në juglindje të kompleksit tempull-pallat mbretëror, muret e tyre janë ndërtuar me të njëjtën teknikë, çatitë i kanë të mbuluara me kallama, gjethe shpatore e qerpiç, dhe i përkasin periudhës së Perandorisë Hitite. Mes ndërtesave të periudhës së Perandorisë Hitite, janë zbuluar edhe sarkofagë që datojnë periudhën e Perandorisë Romake; në këto varre në formë sënduku prej guri janë gjetur objekte të ndryshme me vlerë, aq sa që mund të formojnë një thesar të vërtetë.

    Falë gërmimeve arkeologjike të realizuara në rrënojat e Ortakojit, brenda kompleksit tempull-pallat mbretëror janë zbuluar mbi 3000 dokumente në pllaka argjile me shkrim kuneiform, të cilat do të hedhin dritë mbi historinë dhe kulturën hitite. Përveç tabletave që ruhen në Muzeun e Çorumit, një pjesë e mirë e të cilave përmbajnë tema fetare dhe politike, ndërsa pjesa tjetër janë letra të shkruara për dhe nga njerëz të caktuar, këtu janë nxjerrë mbi faqen e dheut edhe qeramika të formave të ndryshme, vegla pune dhe armë prej metali, objekte trekëndëshe, sende me vlerë, stringla të shumëllojshme dhe një numër i madh vulash. Duke u bazuar në dokumentet me shkrim kuneiform të gjetura në rrënojat e Ortakojit, arkeologët dhe historianët janë të mendimit se emri i këtij vendi në periudhën hitite ka qenë Shapinuva.

    linku foto.
    http://imageshack.us/photo/my-images...f4a63301e.jpg/
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 20-05-2011 më 02:22

  7. #17
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Tani radhën e kanë rrënojat e Pazarlisë, një nga vendbanimet e shumta antike që ndodhen në qytetin e Çorumit, ku gjendet edhe Hatusha-Boazkoji, e cila është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore.

    Në rrënojat e Pazarlisë, të cilat gjenden në Fshatin Çikhasan, 30 km në veri të Nënprefekturës Allaxha, gjatë viteve 1937 dhe 1938 kanë bërë sondazhe në emër të Institutit Turk të Historisë Dr. Hamit Zybeir Koshaj dhe Mahmut Akok. Pas gërmimeve të realizuara nga arkeologët e sipërcituar, është konstatuar se ky vend është banuar gjatë Periudhës Kalkolitike, asaj të Bronzit të Hershëm, Periudhës Hitite, asaj Frige dhe atyre Klasike.

    Epokën më të rëndësishme në rrënojat e Pazarlisë e përfaqëson shtresa e kulturës Frige. Si rezultat i gërmimeve arkeologjike të kryera këtu, është arritur në përfundimin se në rrënojat e kalasë dhe ndërtesave 2-katëshe me themele prej gurëve të kalasë dhe me mure qerpiçi të Periudhës Frige, si zbukurim për fasadat janë përdorur panele me basorelieve. Në kompozimet e basorelieveve të kësaj periudhe portretizoheshin luftëtarë duke ecur, kacafytje luan-dem, dhi të egra duke hipur në pemën e jetës të zbukuruar me centaur (njeri-kalë) dhe grifon (luan me krahë). Këta panele prej balte të pjekur janë disa nga shembujt më të bukur, që i përkasin shekullit të 7-të dhe atij të 6-të p.e.s. në arkeologjinë e Anadollit.

    Një maket i vendbanimit të Periudhës Frige në Pazarli dhe i kalasë që e rrethonte këtë vendbanim, bashkë me objektet qeramike dhe sendet e tjera të zbuluara këtu, ekspozohen në Muzeun e Çorumit dhe atë të Allaxhahojukut, ndërsa panelet shumëngjyrësh prej balte të pjekur mund të shikohen në repartet e Kulturës Frige tek Muzeu i Çorumit dhe ai i Qytetërimeve të Anadollit në Ankara.

    Një tjetër vendbanim antik në qytetin e Çorumit është ai tek rrënojat Eskijapar, të cilat gjenden 5 km në perëndim të Nënprefekturës Allaxha mbi rrugën Allaxha-Sungurllu, 25 km në verilindje të Boazkojit dhe 20 km në juglindje të rrënojave të Allaxhahojukut.

    Gërmimet e para arkeologjike në Eskijapar kanë filluar në vitin 1968 nën drejtimin e Raxhi Temizer, një arkeolog specialist që punonte për Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në Ankara. Puna këtu ka vijuar deri në 1983-shin, për t'u ndërprerë pas këtij viti për një kohë jo shumë të gjatë. Gërmimet rifilluan në vitet 1989-1991, këtë herë në përkujdesjen e Drejtorisë së Muzeve të Çorumit. Falë këtyre gërmimeve arkeologjike në rrënoja është konstatuar ekzistenca e një vendosjeje njerëzore të pandërprerë.Në Eskijapar janë zbuluar gjurmë të Epokës së Bronzit të Hershëm, Periudhës Hitite, Frige, Romake dhe asaj Helenistike, por në këtë të fundit gjurmët janë me ndërprerje dhe në dy faza.

    Në pjesën verilindore dhe atë perëndimore të rrënojave janë nxjerrë në dritë themelet e mureve rrethues të qytetit antik gjatë kohës së Perandorisë Hitite. Këto ndërtesa me planimetri katërkëndëshe dhe oborr të shtruar me gurë, janë ndërtuar në përputhje me stilin hitit, thuajse pa asnjë ndryshim nga rrënojat e ndërtesave të zbuluara në Boazkoj dhe Allaxhahojuk.


    linku foto
    http://imageshack.us/photo/my-images...3eb9d9f00.jpg/
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  8. #18
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Në anën juglindore të rrënojave Eskijapar, nga banesat e djegura të lagjes së mbetur nga Periudha Hitite e Hershme, janë gjetur një numër i madh veprash prej balte të pjekur. Po ashtu edhe vazot rituale me basorelieve të zbuluara në këtë pjesë të rrënojave, përforcojnë mendimin se këtu ka ekzistuar një qendër fetare.

    Gjatë gërmimeve të realizuara në shtresat e Epokës së Bronzit të Hershëm, të cilat gjenden nën shtresat e Periudhës Hitite të rrënojave, saktësisht nën themelet e një prej banesave të këtushme, është zbuluar një thesar i përbërë nga objekte prej ari dhe argjendi. Ky thesar i formuar nga vazo të argjendta, një sëpatë ceremoniale prej argjendi, gjilpëra të llojeve të ndryshme prej ari, stringla të shumëllojshme të arta dhe të argjendta, rruaza, vathë dhe byzylykë të punuar me mjeshtëri, nga njëra anë ngjason me ato të Allaxhahojukut e Kyltepesë, ndërsa nga ana tjetër tregon ngjashmëri edhe me gjetjet e Trojës, Polioknit dhe Sirisë Veriore-Mesopotamisë. Këto objekte me vlerë aktualisht ekspozohen në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në Ankara.

    Çorumi me rrethinat e tij renditen në krye të zonave që e jetojnë ende sot traditën e kulturës dhe artit vendas të Anadollit, traditë kjo që vazhdon prej mijëra vjetësh. Pas ndërgjegjësimit për të bërë studime dhe grumbulluar veprat e vjetra historike, aktivitetet muzeale në Çorum kanë nisur për herë të parë në vitin 1937. Rol të madh për të nxitur interesimin e kësaj krahine në drejtim të arkeologjisë dhe objekteve të vjetra historike, kanë luajtur edhe zbulimet e bëra gjatë gërmimeve në Allaxhahojuk, të cilat filluan në vitin 1935 me direktivën e liderit të madh dhe themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Drejtoria e Muzeve të Çorumit shërben për të interesuarit me dy muze lokalë brenda qytetit dhe me tre të tjerë pranë rrënojave arkeologjike.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  9. #19
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Vendbanimi më i hershëm në Divrigi dhe rrethinat e tij daton në Periudhën Hitite. Zona përreth bashkë me Spitalin pranë Xhamisë së Madhe janë ndërtuar në vitet 1228-1229 me urdhër të Mbretëreshës Turan Melek, bashkëshortja e Ahmed Shahut, ndërkohë që krahina ishte nën kontrollin e Menguxhekëve. Kjo kryevepër e arkitekturës islame formohet nga një xhami me një tyrbe që ka dy kube dhe spitali ngjitur me të. Krahas veçorive të tyre arkitektonike, këto ndërtesa të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore tërheqin vëmendjen edhe me shembujt e tyre të punimit tradicional të gurit në Anadoll.

  10. #20
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Sot do tju njohim me Ksantos-Leton, të përfshirë në datën 9 dhjetor 1988 në listë nga ana e Qendrës së Trashëgimisë Botërore.

    Ksantos-Leeton hyri në listë me cilësi kulturore me numrin 484. Me një largësi prej 46 kilometra nga Fet’hija, Ksantos ndodhet në afërsi të fshatit Kënëk (Kınık) dhe në Periudhën Antike ishte qendra më e madhe administrative e Likisë. Qyteti ka qenë i pavarur deri sa në vitin 545 para erës sonë hyri nën hegjemoninë e persëve dhe afërsisht 100 vjet më pas kësaj u dogj plotësisht. Pas këtij zjarri qyteti u ndërtua sërish. Madje në shekullin e 2-të para erës sonë mori përsipër rolin e kryeqytetit të Lidhjes Likiane. Më pas qyteti hyri nën kontrollin e romakëve, pas kësaj nën hegjemoninë e Bizantit dhe qëndroi nën sundimin e këtij të fundit deri në dyndjet arabe të shekullit të 7-të.

    Kjo qendër, e cila traditat likiane dhe ndikimet e periudhës helenistike e romake i tregon në objektet që janë ndërtuar nga çdo civilizim i vendosur këtu, në vitin 1988 hyri në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.

    Kurse për sa i takon Leton-it...

    Letoon-i ndodhet 4 km larg Ksantosit dhe në periudhën antike ka qenë në pozitën e një qendre fetare të Liki-së. Në këtë hapësirë fetare, së bashku me tempujt e Leto-së, Apollonit dhe Artemisës, ndodhet edhe një manastir, një çezmë dhe mbetjet e një teatri romak.

    Tempulli më i madh, i quajtur Leto, për nder të emrit të nënës së Artemisës dhe Apollonit, ndodhet në perëndim dhe është ndërtuar në stilin peripteros. Tempulli ka përmasat 30,25 metra me 15 presje 75 metra.

    Kurse tempulli i Apollonit, që ndodhet në lindje dhe është i ndërtuar në stilin Dor, ka një pozicion më pak të mbrojtur se sa tempulli Leto dhe me përmasat 27,9 metra dhe 15, 07 metra duket qartë që ai është më i vogël. Tempulli i Artemisës, që ndodhet në mes të dy tempujve në fjalë, është akoma edhe më i vogël, me përmasat 18,2 metra dhe 8,7 metra. Letoon-i së bashku me Ksantos-in zë vend në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.

    Do tju njohim edhe me një tjetër pasuri të Turqisë që ka hyrë në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s. Për Nemrut-in... Do t’ju flasim për Malin Nemrut, që në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s ka hyrë në 11 dhjetor të 1987-ës me numrin rendor 448.

    Mali Nemrut ndodhet në nënprefekturën Kahta të Adëjamanit (Adıyaman) dhe ka një lartësi prej 2150 metrash. Varri, statujat përkujtimore të ndërtuara në shpatet e këtij mali nga Mbreti i Komagjenës, Antioku i Parë, i cili sundoi këtu në vitet 69-36 para erës sonë, me qëllim për të treguar mirënjohjen ndaj perëndive dhe etërve të tij, si dhe panorama e mrekullueshme përbën një nga trashëgimitë më madhështore të periudhës helenistike. Statujat monumentale janë përhapur nëpër tarracat e lindjes, perëndimit dhe veriut. Tarraca lindore është një qendër e shenjte dhe për këtë arsye këtu ndodhen rrënojat më të rëndësishme të statujave dhe objekteve arkitektonike. Statujat gjigande janë të ruajtura në një gjendje të mirë dhe janë të ndërtuara me blloqe gurësh gëlqerorë, si dhe kanë një lartësi prej 8-10 metra.

    Nemruti, mrekullia e tetë e botës, me një lartësi prej 2150 metrash, është një pikëtakimi për qytetërimet e Lindjes dhe të Perëndimit, me statujat e magjepse, që janë mbi 10 metra të larta, me epigrafet disa metra të gjata bën pjesë në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s. Mali i Nemrutit përveç statujave gjigande dhe varrit përkujtimor që mbart, është tërheqës edhe me panoramën më të mrekullueshme në të gjithë botën për të parë lindjen dhe perëndimin e diellit. Çdo vit me mijëra njerëz vijnë në malin e Nemrutit vetëm për të parë lindjen dhe perëndimin e diellit.

    Mali i Nemrutit është cilësuar nga ana e UNESCO-s si një Trashëgimi Kulturore Botërore dhe së bashku me veprat e qytetërimit të Komagjenës që ndodhen në rrethinat e tij është një nga parqet kombëtare më të rëndësishme të Turqisë. Sot statujat gjigande dhe kodërvarret në malin Nemrut, Arsameia, e quajtur si kalaja e vjetër (Eski Kale), Kalaja e Re (Yeni Kale), Kodra e Karakushit (Karakuş Tepesi) dhe Ura e Xhenderesë (Cendere Köprüsü), ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar.

    Për të gjetur sekretin e statujave gjigande, që ndjekin lindjen dhe perëndimin e diellit nga lartësia prej 2150 metrash, duhet zbuluar Qytetërimi Komagjen...
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Faqja 2 prej 5 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •