Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    79 vjetori vrasjes së At Shtjefen Gjeçovit

    79 vjetori vrasjes së At Shtjefen Gjeçovit


    Takimet e At Gjeçovit në Zym të Prizrenit

    Për të 37-tën herë me radhë, edhe sivjet më 11 tetor, në Zym të Hasit në komunë të Prizerenit u mbajtën Takimet e Atë Gjeçovit. Figura e fraçeskanit e studiuesit shqiptar Atë Shtjefën Gjeçovit u përkujtua me një program kulturoro-artistik dhe me përurimin e muzeut të Zymit.
    Në manifestimin kulturor ‘Takimet e Gjeçovit’ morën pjesë personalitete të botës së kulturës, të kishës dhe me qindra njerëz nga të gjitha trojet shqiptare si dhe nga diaspora.


    Kush është Shtjefen Gjeçovi

    "At Shtjefen Gjeçovi lindi ne Janjeve te Kosoves me 12 Korrik 1874 dhe mesimet fillore i kreun e vendlindjen e vet, kurse ato gjymnazjare i bani ne Kolegjen Franceskane te Troshanit. Ne 1888 Gjecovi shkroi ne Boshnje ku muer udhen e meshtaris n’Urdhnin franceskan. Mesimet lyceale dhe te filozofise i kreun e Banjaluke dhe ato te teologjise ne Kresheve, ku n’ate kohe i kryejshin studimet franceskanet e rij shqiptare, e ku me pat rasen me u njoftun me epikun kroat Gege Martiq-in.

    Ne vjetin 1896 ktheu ne Shqipni dhe sherbeu si famullitar ne Peje, ne Lac te Kurbinit, ne Vlone, ne Gomsiqe, ku u dallue gjithmone per zell dhe per perhapjen e ndiesivet atdhetare, dhe ku me nji kujdes te jashtezakonshem mblodhi nga goja e popullit fjale, fraza, kange, zakone e sidomos Kanunin e Malevet t’ona. Mbas At Pashk Bardhit, qe mesues i gjuhes shqipe ne Borgo Erizzo, ku la pershtypje te mira ne popullsin e vendit e cila e cmoi dhe e nderoi.

    Veprimtarija e Gjecovit shtrihet sidomos ne fushen atdhetare: nuk u lodh kurre se punuemi per fatet e atdheut. Sa q ene Durres mblodh rreth vehtes Shqiptare nga viset e Shqipnis se mesme, tue i mesum e tue i keshilluem per bashkimin kombetar, q* ishte i vetmi shpetim i tokavet t’ona.

    Kerkoi me dore te kujdeseshme visaret e pacmueshme te nentokes se vjeter shqiptare; keshtu mujti te bashkonte me nji shije nder kolekcjonet ma te bukurat arheologjike dhe shkroi neper te perkoheshmet t’ona shume artikuj me nji vlefte te rralle mbi zakonet dhe mbi mbeturinat e kohvet historike shqiptare. Ne kete fushe asht per t’u theksuem ne nji menyre te posacme radha e studimit te tij me titullin “Trashigime thrako-ilirjane” i cili qe filluem te botohej ne fletoren “Populli” te Shkodres me pseudonymin “Komen Kanina” e q* ma vone qe vijuem rregullisht ne “Hylli i Drites”. Ndoshta aty-ketu shkencatari gjen shka te kritikoje ne keto studime por, po te mirret para sysh shka mund t’ishte bibljotheka e njij famulltari te vorfen malsije, i hjedhun tash ne nji vend e tash me nji vlefte shume te rralle.

    Si rremues i vjetersivet shqiptare qe cmuem dhe njoftun prej arheologevet te huej, si nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, prej Dr. Ugolinit, drejtuer i misjonit arheologjik italjan ne Shqipni, prej Nopces etj. Gjithnje e pa pushim botoi shkrime tjera te randsishme historije, arheologjike dhe folklore neper fletore dhe te perkoheshme gjithfaresh dhe bashkepunoi rregullisht me n’Albania me pseudonimin “Lkeni i Hasit”.

    Gjecovi botoi ne Shkoder ne vjetin 1910 vellimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtuem A. Fishtes, nder fletet e te cilit fryn gjithkund nji ere e paster ndiesish te flakta atdhetare. Asht per tu shenuem ne kete veper nji studim i holle mbi fjalorin e gjuhes shqipe, ku rrihet cashtja e pastrimit te fjaleve te hueja, te kujdesit ne te folum pa gabime dhe te menyres te mbledhjes se fjalvet nga goja e popullit. Pervec ketij libri, kemi nga penda e tij edhe perkthimin e dramit tri pamjesh te Pjeter Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.

    Por mbi te gjitha veprat e Gjecovit naltohet dhe mbetet permendore e pavdekshme “Kanuni i Leke Dukagjinit”, rreshtuem ma pare ne “Hylli i Drites” dhe mbas vdekjes shtype ne vehte (1933) ne nji vellim madheshtuer e me nji parathanje te gjate e te peshueme mire te Fishtes mbi randsin e folklores kombtare, te ligjvet dokesore dhe sidomos mbi vleften juridike te Kanunit. Ne kete veper jane permbledhe nder 12 libra dhe nji shtojce parimet gjyqsore, me anen e te cilavet rregullohej nder male shqiptare administrata dhe tagri ndeshkimuer. Ky monument ligjuer u ven perpara te huejvet malsorin jurist dhe shlyen me dishmi te gjalle ne dore paragjykimet e kundershtarvet t’emnit t’one, tue i bam te kaperdijne titujt e leshuem falas se populli shqiptar asht barbar dhe i eger. Keta sidomos n’ato pjese q* i perkasin se drejtes familjare e civile dhe statutit te fisit ku ndrit nji drejtpeshim e nji shpirti dishipline i bashkuem me nji nderim te madh per te drejtat e personalitetit q* i kujtojne pjeset e kohet ma te bukurat e se drejtes romake. Zotsija e Gjecovit nder ligjet kanunore asht e dallueshme; “ askush - thote F. Konica – nuk mund t’i afrohet At Gjecovit ne diturine e ketij kanuni, qe esht nji studim i palodhur dhe i holle ku ka mbledhur, radhitur dhe ndritur te gjitha sa kane mbetur nga mendimet juridike te Shqiperise se Kohen e Mesme, mendime te cilat ngjan t’i kene rrenjet shume pertej Kohes se Mesme”.

    Pergjithesisht shkrimet e Gjecovit nuk kane vlefte te persosun letrare: nuk asht artist i ambel i fjales, dhe stylin shpesh here e ka te vrazhde per arsye te pastrimit te tepruem te fjalorit. Porse nji fuqi skulptorike vigane ngrehet prej periudhavet te tija lakonike e te rrebta. Ai i ngjan Salustit.

    At Gjecovi ashtu nji nder ata kreshnike, që fushen e luftimit dhe flamurin shqiptar e njomen me gjakun e vet: 13 Tetuer 1929, mbasi qe thirre trathtisht nga auktoritetet slave te Prizrenit, u vra ndersa kthente ne Kishe te Zymit, ku vepronte si famullitar dhe si mesues i gjuhes shqipe".
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 21-10-2008 më 20:36
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22
    ATDHETARIZMI DHE ILUMINIZMI TIPARE QENËSORE TË JETËS DHE VEPRIMTARISË SË ATË SHTJEFËN GJEÇOVIT


    Isuf B.Bajrami

    "Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër i patën prej etërve tanë, Pellazgëve".
    Shtjefën Gjeçovi

    Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefini ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pakë në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit , i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
    Ndër figurat më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të Rilindjes Kombëtare është edhe At Shtjefën Gjeçovi, apo siç e quanin në fëmijëri Hili (Mihilli) i Vogël.
    Shtjefën Gjeçovi u lind më 12 Korrik 1874 në Janjevë të Dardanisë. Mësimet e para i mori në vendlindje, i vazhdoi në Kuvendin françeskan të Troshanit (Shqipëri), në Dërventë (afër Banja Llukës) dhe në Fojnicë e Kresheve të Bosnje-Hercegovinës. U shugurua prift në Zllakuqan (afër Klinës), më 25 Korrik 1896. Shërbeu në Zllakuqan, Pejë, Gllogjan të Pejës, në Gjakovë e Zym të Hasit të Thatë të Kosovës, si dhe në Theth, Gomsiçe, Rubik të Kurbinit, Vlorë, Prekal të Shalës e vende të tjera të Shqipërisë si edhe në Zarë të Dalmacisë e Livno të Hercegovinës. U vra nga serbët në Zym të Hasit të Thatë më 14 Tetor 1929.
    At Shtjefën Gjeçovi u lind dhe u rrit në shtratin e Rilindjes Kombëtare. Ishte personalitet i rrallë i fesë dhe i kombit. I nderuar nga mbarë kombi shqiptar. Ishte pishtar i devotshëm i shqiptarizmës, atdhedashurisë dhe i arsimit e kulturës shqiptare. Atë Shtjefën Gjeçovi bëri gjurmë të pashlyeshme në fushën e teologjisë së krishtere (Katolike), në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë së prozës e poezisë, si edhe të përkthimeve. Gjeçovi ishte një figurë e gjithanshme që do të thotë se vepra dhe kontributi i tij përbëjnë tiparet dalluese të atdhetarizmit e iluminizmit shqiptar. Ai hapi 11 shkolla shqipe dhe punoi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 shkolla të tjera. Themeloi koleksionin e parë arkeologjik në trojet shqiptare. Për kontributin dhënë afirmimit të vlerave kombëtare fitoi admirim në nivelin kombëtar dhe nga !
    qarqet shkencore evropiane, për ç’ka edhe u titulla Doktor Nderi në Universitetin e Lajpcigut të Gjermanisë.
    Ndër veprat më të rëndësishme të Atë Shjefen Gjeçovit që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe dhe përgjithësisht në kulturën tonë janë: "Dashnia e atdheut" (1901), "Jeta e Shën Luçisë" (1904), "Agimi i Gjydetnisë" (1910), "Nji argtim arkeologjik" (1902), "Sebaste s'Armeni apo në Arbëri" (1921), "Trashëgime thrrake-iliriane" (1924), "Trashëgime pellazge në traditën shqiptare" (1914), si dhe veprat që u botuan më vonë si "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (1933), "Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit" (1997), apo veprat që ndodhen në dorëshkrim, si "Trashëgime ilire në traditën shqiptare", "Përrallat popullore" (1903), "Doke e zakone vdekjeje" (1907), "Mënyra e jetës në Malci" (1908), "Doke e zakone dasmash" (1910?1911) si dhe përkthimet e botuara "Atil Reguli" (1912), "Vajza e Orleansit" (1916), "Mark Kuli Kryeqitas" e shumë e shumë të tjera.
    At Shtjefen Gjeçovi krijoi mbi 10 mijë faqe materiale e krijime të tjera të fushave të ndryshme. Në shenjë të përkujtimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, tash e 29 vjet me radhë në Zym të Hasit të Thatë mbahet një përkujtimore tradicionale kulturo-letrare-shkencore e titulluar "Takimet e Gjeçovit". Emrin e tij e mbajnë shumë shkolla fillore e të mesme , si dhe klubi letrar në Zym e shumë grupe letrare nëpër shkolla fillore e të mesme, si arkeologët e grupit të Historisë në Universitetin e Prishtinës. Duhet përmendur se redaksia e botimeve të "Rilindjes" në vitin 1987 e ka botuar serinë e veprave të tij (ato vepra që lejonte koha); gjithashtu, janë botuar vepra te tjera të ndryshme që i kushtohen Shtjefën Gjeçovit.
    Jeta e Shtjefën Gjeçovit ishte e gjitha një përpjekje. Mes maleve ku predikonte si françeskan, kërkoi visaret, organizoi lëvizje kombëtare dhe hartoi "Kanunin e Lekë Dukagjinit". Ditët e tij ishin të mbushura me shqetësime, çështje që kërkonin zgjidhje e të tjera që duheshin njoftuar. Shtjefën Gjeçovi nuk ishte veç aq sa njihet nga fjalët e të tjerëve dhe veprat që ka lënë. Letra të tëra, të shkruara me dorën e tij, na zbulojnë një tjetër At. Ato u drejtohen emrave të njohur të politikës dhe kulturës shqiptare, konsullatave, françeskanëve të tjerë, por edhe familjes. Gjeçovi në "betejë" me kohën. Me fjalë të përzemërta apo të shqetësuara, diku edhe i frikësuar... ai i shkruan At Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mithat Frashërit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Simon Shuteriqit, personaliteteve klerikale të ortodoksisë shqiptare dhe të kishës unite. Janë më shumë se 100 letra, të mbushura me kërkesa, njoftime për çështje madhore apo dhe vetëm shpjeguese, rreshta ku tregon gjendj!
    en e tij shpirtërore apo edhe gëzimin për një çështje të arritur. Ruhen në arkiva. Një pjesë e konsiderueshme në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë . Në dosjen e tij, apo personaliteteve të tjerë me të cilët ka patur korrespondenca. Nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim për Shtjefën Gjeçovin. "Shtyllat e Kombit" (publicistikë), "Mnera e Prezës" (novelë), "Tomorr e Pashtrik Përpiquni" (vëllim poetik), "Shqyptari Ngadhnjyes" (dramë), janë disa nga botimet e realizuara më parë.
    Në përmbajtjen e këtyre letrave zbulohen të dhëna interesante për Gjeçovin, por edhe veprimtarinë e zgjeruar të tij. Nga materialet e shumta që ruhen në dorëshkrim dhe shumë rrallë të botuara, janë korrespodenca e Gjeçovit që ka pasur me personalitete të kulturës shqiptare, albanologë të huaj, me klerikë për probleme të administratës kishtare, me organizata dhe shoqëri patriotike-atdhetare të kohës në të cilën ka jetuar dhe ka shtrirë veprimtarinë e tij Shtjefën Kostandin Gjeçovi. Ato tregojnë anën e panjohur të tij, probleme konkrete që kanë ekzistuar dhe janë debatuar, kërkesa të ndryshme që i dërgonin njëri-tjetrit njerëzit në kohëra dhe periudha të ndryshme. Te letrat e Gjeçovit shpalosen edhe disa veprimtari që nuk na dalin në dokumentacione të tjera. Një prej tyre është bashkëveprimi me kolegët për themelimin dhe konsolidimin e kishës igumenike shqiptare e cila po të hapim dokumentacionin, ose nuk shpaloset fare, ose gjendet ndonjë detaj shumë i vogël i saj. Duke !
    përfshirë telegramet e kartolinat, numri i tyre shkon në 118. Ende nuk janë përgatitur edhe 6 letra të tjera që gjenden në Arkivin e Shtetit, dy shqip dhe katër italisht. Kjo punë nuk është shteruar. Arkivat private mund të sjellin të papritura, siç ka qenë një letër me shumë vlera e gjetur në familjen e Ibrahim Shytit në Vlorë. Por shumë letra të tjera mund të jenë zhdukur. Sipas kujtimeve të të ndjerit At Zef Pllumi në vitin 1945-'46, në Kuvendin e Françeskanëve është pastruar arkivi i Shtjefën Gjeçovit. Ka mundësi që të jenë hequr letrat e Gjeçovit drejtuar Lef Nosit, Mit'hat Frashërit, Ahmet Zogut dhe arkeologut italian Ugolini. Të gjithë këta ishin shpallur armiq , por dihet që ka pasur korrespodencë me ta, pasi janë gjetur letra në fondin e tyre.
    Shjefën Gjeçovi la një trashëgimi të papërsëritshme për kulturën shqiptare. Veprat që vijnë deri në ditët e sotme, përfshirë këtu edhe përgatitja e “Kanunit të Lek Dukagjinit” kanë vlera të padiskutueshme. Në letrat që janë nxjerrë nga arkivi nuk mungojnë edhe shqetësime të tilla. Për materiale që mblidheshin, për pjesë që duheshin botuar, e të tjera që i rrezikonin. Aty dalin edhe përpjekjet që ai dhe kolegët bënin në mënyrë të organizuar për veprimtarinë atdhetare, kulturore, të alfabetit dhe botimeve që kishin në planin e përhershëm përkundër veprimtarisë ideologjike dhe kulturore të armiqve të Shqipërisë. Në letrat që i dërgon At Gjergj Fishtës ai i kërkon materiale, apo i tregon se ka lexuar një kanunun në frëngjisht. Përmes datimit të tyre, arrihet të kuptohet se në cilën kohë ai punonte për përgatitjen e Kanunit. Përveç qarqeve të ndryshme që ishin të interesuara të pengonin personalitete të tjera dhe Gjeçovin për zhvillimin kulturor, politik dhe shkencor, ai vet h!
    erë herë detyrohej të bënte një vet censurë për veprat që shkruante. Mes rreshtave të shkruara prej tij gjejmë edhe shqetësime familjare, probleme të tij me shëndetin, apo edhe kërkesa për vonesa e shlyerje borxhesh. Aty është Shtjefën Gjeçovi që merret me probleme madhore dhe ai që "mundet" nga imtësira të jetës së përditshme.
    Korrespondenca në dorëshkrim
    Faik KONICA

    Ca Kujtime Mbi At Gjeçovin Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t'ona për At Gjeçovin.
    At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë - si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane - At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n'Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fi!
    shta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, - se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej.

    Famullia - një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë - qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.

    Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregój një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.

    Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin.

    Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.

    Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur - dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.

    (Marrë nga "Dielli" 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)




    Gomsiqe 21. XI. 1910.
    Fort i dashtun P. Gjergj! Dy fjalë. Po t'i mbylli ktu do letra, porse me ket shteg m'i kthe teknej per rrogtarin. - Posë P. Ambrozit, pos mue e ty mos i kallxo kuejt! Se rreziku na rrin mi krye! N'muejsh se si, shkruej edhe P. Lorensit n'Bajzë e ai P. Sebastjanit, e mos t'pergjigjni Palluçit(!), por t'lypin m'u mbledhë n'Shkoder e athera t'bajmë do kuvende t'nevojshme për Provinçë. M'nep nji t'pergjigjun si t'vin letra eme? Gadi harrova. Shkruej edhe P. Palit t'bajn kshtu d.m.th. per me ardhë n'Shkoder. Masi asht tuj dasht me hjekë qafet administratorin e provinçjes duhet me i thanë, qi t'bajnë istifakname edhe A'Provinçjalit, se ne s'na çartet gja. Aman gajret pash Shna Nduen e Pash Shqypninë. T'marr ngrykë i Yti ASK Gjeçov.
    F. 58. D. 96 fl 6 - 7.
    Zarë, 31 dhjetor 1905.
    Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore.
    Veç i është e njohur Ministrisë së Lartë Imperiale- Mbretërore, që unë, sipas urdhërit të fort të ndershmit At Ministër Gjeneralit të Rregullit tonë1, kam ardhur në Zarë për të zëvendësuar fort të ndershmin At Pashk Bardhin për mësimdhënjie në gjuhën shqipe në Borgo Erizzo. Për këtë i falenderohem kësaj Ministrie të Lartë Imperiale Mbretërore, që më ka nderuar kaq dhe që ka gjetur personalitetin tim jo të denjë që ta angazhojë për këtë nevojë. Por, duke parë se At Bardhi ka qenë i perjashtuar prej kësaj detyre për shkak të fjalëve të rrejshme dhe shpifjeve, duke e ndërprerë me një mënyrë jo njerzore vitin shkollor, as unë s'e ndjej veten që të rrij në këtë Kuvend, ku etërit françeskan shqiptarë s'e ndjejnë veten ndër vëllezërit tanë. Që të mos më ndodhë edhe mua e njëjta gja, unë dëshiroj t'ju them me këtë shkresë të pranishme dhe të jap dorëheqje formale, e cila, duke pasur parasysh arsyen e lartpermendur, do të pranohet nga Ministria e Lartë Imperiale-Mbretërore. Këto d!
    itë do t'i shkruaj fort të ndershmit At Minister Gjeneralit dhe do t'i lutem të më japë leje, që të kthehem në Atdhe. Në rast se fort i ndershmi At Gjenerali më lidh me virtytin e Dëgjesës së Shenjtë për të pranuar detyrën e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në Borgo Erizzo, atbote unë do të jem i detyruar të pranoj. Por le ta dijë Ministria e Lartë Imperiale-Mbretërore, se në këtë rasë do të konsideroj banimin tim në këtë Kuvend, si banim të detyrueshëm dhe do të jap mësim pa dëshirë, në mënyrë mekanike dhe vetëm proforma, dhe s'mendoj të marrë kurrfarë obligimi për perparimin e nxanësve. Kam shpresë te forte, se Ministria e Lartë Imperiale- Mbretërore do të ma pranojë me zemer këtë dorëheqje, dhe se do të insistoj ke Ministri Gjeneral, që të më japë leje të kthehem në Atdhe. Duke u deklaruar gjithmone besnik dhe sherbëtor i gatshem ndaj Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore dhe me konsideratë të veçantë mirnjohje Fort i përshpirtshmi dhe i falenderueshmi At Shtjefën Konst!
    andin Gjeçovi, O.F.M. 1). Ministrit të Urdhërit Françeskan.
    Fort i dashuri P. Gjergj (Fishta).
    A të bjen nder mend kur ishim në Bosnje, si shtypej nder të kremte (kremtime) kombëtare shtypi me bojna t'Flamurit t'kombit të tyne? A nuk kishte me kenë punë e mirë qi t'fillojmë edhe na me e shpallun kah nji herë, si e naltpermenda? Edhe kishim me pasë shkak per t'ardhun t'Mbretit t'onë1, e të perkohshemen2 e frorit me e stolisun me bojna t'Flamurit tonë per nder të Mbretit ma parë, e e dyta t'ketë fillesë prej françeskanve t'Shqypnisë, kjo stolisje, si veshje kombtare e së perkohshmes sonë. Ket nder e pret prej tejet hem Shqypnija, hem i yti me zemer At Gjeçovi
    At Gjeçovi
    Gomsiqe, 9 - I - 914.
    AQSH, Fondi 58, Dosja 96,
    fleta 13.
    1). Ardhja e Princ Vidit në Shqipëri.
    2). Revistë e perkohshme, periodike.
    Këtu është fjala për revistën
    Hylli i Dritës.
    Gomsiqe, 8. I. 914.
    I ndriçmi Zotni Bajram Beg Curri!
    Mjaft keq po m'vjen, qi sun po ja ndreqi dishirin Zotnisë s'Ate per punë t'armve. Unë mas emnit t'Preng Pashës, qi kam pasë prej Ishmit, i kam da armet e kurrnji s'kam ktu. Pra Z. Jote ka me m'falë, se kjo punë nuk asht ma n'dorë t'eme, porse n'dorë t'Preng Pashës Ju falem Shqyptarçe e jam i Z. s'ate ASK Gjeçov.
    F. Bajram Curri (Nr. 818),
    d. 19. fl.11.
    Vlonë 21. IV. 920.
    Fort i nderti e i dashtuni Provincjal.
    Ket leter jam t'uj ta shkrue turravrapthi, sa me të ba me dije, se mrrina shndosh e mirë ktu. Pa u mbushë mirë me frymë, populli italjan i kësaj famullie porsa muer vesh, se jam shqyptar, janë vu menjiherë me ba prattiche, si më tha kapelani i ushtrisë, qi ka ba sherbim ksaj famullie deri tash, e i cilli ka shumë qef me ndej vetë ktu, e me ato prattiche janë tuj ba ricorsi pressole le tutorita di qui, per me hjekë mue e per me pru nji meshtar italjan. Unë jam gjetë ktu si gogla mbi ujë, e bafti i em asht, qi kam gjetë D. Mark Vasen ktu, i cilli deri më tash më ka mbajtë me darkë e me mjezditë në shpi të vetë, se sa për kapelanin e ktuhes kisha metë në rrugë të madhe. Në vijoftë puna kshtu, ndimo zot. Komanda më ka pritë si a ma mirë, porse janë gergasat, bash ky administratori-kapelani, i cilli u ba me pi mirë, kur më pa ktu. Puno si të dish e tjeter arsye së kan me pasë ankimet, perveçse jam shqyptar. Në folësh me nonji asi komandaresh, mos ban teper dava në kapelanin, s!
    e dreqi e din mos na ngatrroi punën edhe ma zi. Mirë kishte me kenë, qi ta bajsh, qi ti nepet urdhni e të më dali prej hospicit, e të shkojë ku të donë. Këtu skam deftere. Në qoftë se i jet famullia Urdhnit mir ban me mi çue. Tash tuj të marrë doren po jes i Yti.
    ASK Gjeçovi.
    P.S. Shumë shendet prej zemret prej D. Mark Vasës.
    38 (Letra i niset Lef Nosit)
    Elbasan 21. VIII. 924.
    Dashamir!
    Të falem per librin.
    Qellimi i kësaj asht të pves a pernjimend e keni nji dorshkresë të njifarë Theodhorit (Elbasanit) qi asht Mesha e perkëthyeme shqyp?
    Në kjoft e vertet, a mundet t'a shof.
    Tuj pritë edhe emnat......
    I yti
    Dashamir
    Sh. K. Gjeçovi.
    F. 58. Dosja 96, fleta 40.
    I nderti At.
    Lajmin e rilindjes së "Hyllit" e mora dhe u gëzuash. Sa per me Ju dergue (ndoj) shkrim për Kanu më duhet me ju pergjegj se me ket gjendje të kombit nuk mund të mblidhet, as mund të shkruhet gja prej gojet të popullit. Unë pernjimend se kam do dorshkrime mbi Kanu, porse nuk mund t'i ve për fije pa pasë njerëz të vaditun, s'jam ken i zoti dikur me i thirrë e me i pvetë. Besoni se qysh prej vjetit 1915 Kanunin se kam prek me dorë. Sa mos të mundem me thirrë kand e si mos të kem mjete me pritë e me percjellë, as Kanuni e as nji fjalë s'cirret prej gojet të popullit. Jeta kuvendare per ket punë s'asht, porse ju lutem mos ta merrni për të fyme ket fjalë se unë e kam vu me ta, a në Kuvend a në famulli, per mue janë nji doret, se jam merzitë ma tuj më thanë Fretnit "Dy bukë si hangra kund!" Tuj ju marrë doren, e tuj jy lyp bekimin po nenshkruhem.
    ASK Gjeçovi.
    P. sh. Mos më harroni për nji zhgun të ri.
    F. 133, d. 834, fl. 2.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    Të shtunën në Zym mbahen 'Takimet e Gjeçovit'


    Prishtinë- Në Zym të Hasit të komunës së Prizrenit, të shtunën (më 10 tetor), mbahet edicioni i 38 të i manifestimit tradicional letrar, kulturor e shkencor "Takimet e Gjeçovit", i cili sivjet mbahet nën kujdesin e Presidentit të Republikës Fatmir Sejdiu. Me këtë rast do të shënohet edhe 80 vjetori i vdekjes së të madhit Atë Shtjefën Gjeçovi, emrin e të cilin edhe e mban ky manifestim. Do përmendur se organizatori sivjet ka publikuar konkurs letrar për t'i zgjedhur poetët që do t'i lexojnë poezitë e tyre në "Ora e Anton Pashkut". Në konkurs kanë marrë pjesë 68 poetë (me nga një poezi), që kanë arritur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda. Ndërkaq poetët poezitë e të cilëve janë përzgjedhur e të cilët jetojnë jashtë Kosovës, por që pë shkaqe të ndryshme nuk mund të marrin pjesë në manifestim, do të deklamohen nga recitatorja tashmë e mirënjohur Majlinda Nushi.

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    80 vjet nga vrasja e Gjeçovit

    JAHO BRAHAJ
    "Metropol"

    12/10/2009

    Trashëgimia që na la Shtjefën Gjegjovi - Kryeziu është e pasur dhe shumëplanëshe: studime shkencore e krijimtari letrare. Letërkëmbimi falë përkujdesjes së vetë Gjeçovit pjesërisht është ruajtur, një pjesë humbi e u seleksionua në kushtet që dihen e do ti analizojmë një herë tjetër. Kjo trashëgimi është e rëndësishme për periudhën e historisë së popullit shqiptar dhe për ndriçimin shumëplanësh të Gjeçovit në të gjitha fushat ku kontribuoi.

    Gjeçovi, si pjesëtar me armë në dorë dhe organizator i luftës për liri dhe personalitet i shkencave albanologjike, me letërkëmbimin na ndriçon shumë aspekte historike dhe të etnokulturës shqiptare. Ky material shumë i vlefshëm dhe për disa ngjarje historike e lëvizje e veprimtari kulturore është i pazëvendësueshëm dhe vetëm vitet e fundi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe janë bërë shpalosje për aspekte të veçanta me publikime.

    Letërkëmbimi i këtij personaliteti ka tërhequr vëmendjen e studiuesve që në periudhën mes të dy luftërave botërore, ku kemi edhe botim të korrespodencës së tij nga studiuesi F. Fishta 1.

    Në vitet e fundit njoftime përshkruese e analizë të kësaj trashëgimie kemi nga Thoma Murzaku, Ruzhdi Mata, Jup Kastrati, Bardhosh Gaçe, Nikollë Lleshi.

    Nga hulumtimet sistematike të bëra në vitet e fundit është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit (vetëm letrat që ka nisur ai) dhe besojmë se lexuesi në një të ardhme të afërt do të ketë mundësinë të gjykojë vetë mbi rëndësinë dokumentare, historike e shkencore që ky zhanër i penës së janjevasit të madh i sjell historisë e shkencës albanologjike në vështrimin lokal, kombëtar e shkencës europiane.

    Letrat që njihen përfshijnë periudhën 1894–1928. Kemi të dhëna të tërthorta të sigurta, që ai kishte korrespodencë edhe me shumë personalitete, por që letrat e Gjeçovit drejtuar atyre nuk i njohim, konkretisht si Ahmet Zogu, Xhemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Luigji Ugolini. Nuk njohim letrat dërguar Mithat Frasërit, por përgjigjet e këtij të fundit për Gjeçovin, po kështu dhe disa letra dërguar Faik Konicës, Fan Nolit e të tjerëve.

    Nga tematika letërkëmbimi i Gjeçovit mund ta klasifikojmë në katër grupe: a) letra të karakterit personal e familjar; b) letra që shpalosin veprimtarinë patriotike e ushtarake për çlirimin e mbrojtjen e kombit tonë; c) të bashkëpunimit dhe veprimtarisë albanologjike e hulumtuese e mbrojtëse të pasurisë kulturore e historike kombëtare; d) administrative e veprimtarisë fetare.

    Letrat i kemi më të dendura në kohë trazimesh e periudha të vështira, ku tematikë e tyre është qëndresa e armatosur e forcimi i unitetit dhe më të rralla në periudha të stabiliteti të vendit, ku tematikë kryesore është veprimtaria shkencore, hulumtuese e botuese.

    Letrat që njohim të dala nga pena e tij rrokin pothuajse gjithë plejadën e lëvizjes kombëtare e kulturore të shqiptarëve. Ka letra dërguar Ismail Qemalit, Bajram Currit, Preng Bibë Dodës, Prend Doçit, Mithat Frashërit, Luigj Bumçit, Nikollë Kaçorrit, Ahmet Daklit, figurave të shquara të kulturës e artit, si Gjergj Fishtës, Lef Nosit, Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Mark Vasos, Ibrahim Shytit, Zef Skiroit, Pal Matrangës, Zoi Xaxes, Kel Marubit, Ali Asllanit, Faik Konicës, Ndoc Nikajt, Gjon Çobës, Gasper Gurakuqit, Murat Toptanit, personaliteteve të hierarkisë kishtare, si Pal Dodajt, Ernesto Kocit, Pashkë Trokshit, Pal Dodajt, Lorenc Mitroviçit, Gjon Bisakut, hoxhës së Milotit, Gjergj Gjermanojnt, Agustin Zubacit e shumë të tjerë. Nga studiuesit e huaj, Baron Nopça, Konti Kiatkovski, Ugolini, Teodor Ippen, dr. Miller (francë) etj.

    Në letrat në fjalë Gjeçovi është një personalitet i shpjegueshëm qartë, me respekt, stili i tij është lakonik, kur kundërshton në rrethet shoqërore është i kursyer dhe i hapur, kurse me kundërshtarët është i prerë dhe i pakursyer në argumente, por gjithmonë me etikën e një njeriu që ruan dinjitetin.

    Në aspektin atdhetar e luftëtar është ndër ata të paktë patriotë që mbajti korrespodencë me kryetarin e qeverisë së Vlorës, zotin Ismail Qemali, ku i kërkon këshilla se si të veprojë për të organizuar vetëqeverimin e krahinës së Vaut të Dejës sipas ligjeve të qeverisë shqiptare të sapoformuar. Që kishte një autoritet e simpati në Kosovë na e shpalos përgjigjja e një letre nga Prizreni për problemin e mësimit në gjuhë të huaj të fëmijëve prizrenas nga disa murgesha janjevase. Letra i thotë: "... ndera e kombit tonë kaq të përbuzun po fillon me dal ndritë. E unë gjithkuej i kam diftue punën e z. Tuej (punën e Gjeçovit), e tan po gzohen qi nShqipni mu gjet ksi gjinsh të menshem e atdhetar ... "

    Shpesh në letra nuk shprehet qartë për veprimtarin e tij atdhetare, si p.sh. në letrën-relacion të nisur nga Elbasani eprorit të tij ai nuk e përmend qëllimin e misionin e udhëtimit për bashkimin e kishave shqiptare, duke u shprehur se i ruhet postës së pasigurt e censurës që "biramilote çdo letër".

    Ka edhe letra që për studiuesin del detyra tu gjejë kuptimin, si është p. sh. letra e datës 21. 11. 1910 nisur Fishtës nga Gomsiqja. “Letrën po e mbylli ktu, porse me ket shteg mi kthe per rrogtarin. Posë P. Ambrpzit (Marlaskaj), pash mue e ty mos i kalzo kuejt. Se rreziku na rrin mbi krye.” Letra mbyllet: "Aman gajret pash Shna Nduen e pash Shqipninë." Nuk dim për çfarë do të bëhej ky takim me disa persona në Shkodër, ku të fshehtën para asaj ngjarje duhej ta ruanin këta të tre me rrezik koke.

    Letërkëmbimi për çdo person është një burim njohjeje. Por për Gjeçovin, si një personalitet, ajo (korrespodenca) na shpalos veprime të rëndësishme, që nuk i dimë nga informacione të tjera. P.sh., nga letra që i nis P. Pal Dodajt marrim vesh se Gjeçovi shkoi me dëshirën e tij në Vlorë në vitin 1920, ku po zhvillohej lufta kundër pushtuesit italian dhe, siç e dimë, Gjeçovi u bë një nga organizatorët dhe ideologët e saj.

    Shumë letra kanë dhe karakter të mirëfilltë dokumentar, p.sh. letra e 17 shtatorit 1913, që i nis Fishtës. Gjeçovi ishte njëri nga drejtuesit e mbledhjes të organizuar në Lezhë me parësinë e Mirditës, Pukës, Lezhës e Zadrimës. Dy ishin orientimet: një krah për ndarjen e Shqipërisë me një republikë të Mirditës, të cilën e përkrahte hapur kapidan Marka Gjoni dhe me dorashka dhe Preng Bibë Doda me të tjerë. Dhe krahu tjetër. që kishte mbështetjen e shumicës së prestarëve të Kuvendit, me në krye emzot Kolecin e Gjeçovin, që ishin në mënyrë të prerë për tu përfshirë në qeverinë shqiptare të Vlorës me një organizim të brendshëm sipas kushteve, por nën shembullin dhe në hullinë e ligjeve e udhëzimeve të qeverisë së ligjshme shqiptare me qendër në Vlorë. Kjo letër jo vetëm na shpalos patriotizmin e personalitetin politik të Gjeçovit, por është një faqe e dokumentuar e një evenimenti historik në këto kohë të vështira. Po kështu nga letrat e shumta të këtij personaliteti të Kosovës mund të veçojmë për karakterin dokumentar dhe evidentimet e dëmtimeve që bëri pushtuesi serb në vitin 1912-1913.

    Por letrat na paraqesin dhe karakterin individual të Shtjefnit. Në konfliktin që shkaktoi me disa fshatar të Gomsiqes, disa pasanik të Shkodrës, që kishin dhe mbështetjen e eprorit të Gjeçovit, ky nuk lëshon pe në asnjë rrethanë karshi kanoneve të kishës e së drejtës së kishës mbi pasurit e saj, derisa armiqësohet në shumë knih dhe pati shumë pasoja. Po kështu njihet simpatia e Gjeçovit kundrejt Perandorisë Austro-Hungareze, por ai është në mbrojtje të fshatarëve të Prekalit dhe akuzon dhe komandën kur shikon padrejtësi dhe nëpërkëmbje të malësorëve. Edhe për këtë transferohet, ashtu siç ishte shkarkua nga drejtor i shkollës në Shkodër, sepse nuk lejoi që një mjek i Austrisë të sillej si i plotfuqishëm në shkollë. Është vetë Gjeçovi që vazhdimisht ka kërkesa për ndihmë nga Austria për arsimin shqip, por nuk pranon në asnjë mënyrë që ata të sillen si zot shtëpie në atdheun e tij.

    Në letrat që ka me kolegë albanologë vendas e të huaj të bie në sy mbrojtja e lashtësisë së popullit tonë, euridicioni dhe njohja që ka mbi kulturën e historinë e popullit tonë dhe të vendeve të Ballkanit. Në të gjitha mënyrat është përkrah nismave të studimeve e të botimeve shqiptare. Është nismëtar për botimin e "Mesharit” të Gjon Buzukut dhe kërkon me insistim që ai të botohet në variantin shqip. Është Gjeçovi që udhëhoqi e ka një pjesë të madhe të përgaditjes së vëllimit "Visaret e kombit" të botuar në vitin 1911 nën emrin e përgatitësit V. Prendushi.

    Në letrat familjare më shumë janë të pasqyruara problemet e hallet e jetës, gjendja shëndetësore, malli për tu takuar, emigracioni etj. Por na dalin dhe fakte që u kundërvihen dashakëqijve, si ato që na përshkruan Konica kur bën portretin e Gjeçovit pas vdekjes: " ... At Gjeçovit... nuk i mungoj asnji hidhërim, asnjë çpifje, më e çuditshmja e të cilavet ndoshta është të mohuarit, se ay ishte shqiptar .. ." Megjithëse nuk ka asnjë dyshim në përkatësin etnike shqiptare të familjes Gjeçovi - Kryeziu të Janjevës, meqenëse jemi te letërkëmbimi i tij, mundet të përmendim letrën që i dërgon i kushëriri në emër të vëllait dhe të një kushëriri tjetër në vitin 1911 nga Ploeshti, ku shprehimisht i shkruan: "Të lutem letrat ti a dërgosh në adresën... Gasper M. Geçov Albanez .. " Kjo është shprehje e krenarisë së vetëdijes si shqiptar edhe në dherat e huaja ku i kishte degdis kurbeti pinjojtë e Gjeçovajve dhe të të gjithë janjevavesve.

    Shtjefën Gjeçov Kryeziu

    VJETËRSORJA*

    “Gomsiqe 1914.

    Nuk kishte me kenë per mue me u kapun nder do degë dituniet, tcillvet nuk jamë kenë vue me u kërkua as me u hetue skain, porse nuk mrrihet pa i çilë ketë gojë e pa i priskue dy fjalë mbi ato sende tvjetra tcillat i kam edhe i ruej nën kulm tshpisë seme, e tcillat a i kam gjetë vetë a mi kanë prum - me pak çmim disa njerëz tkombit tem me nji tpakeqësi sikurse i gjeshin a ndër vorre a ndër rrënime tvjetra.

    Ma i madhi mjerim për vendin tonë asht vorfnimi prej nji visarit ma tçmueshëm e ma tvlershëm si janë vjetërsinat. Kto qi kanë ndejë nën dhe kush e din sa mija vjet, qi kan ba gjumin e ambël nder eshtra tatyne burrave qi janë kenë ndera e faqja e bardhë e vendit tonë, e sod, lene si ato sende pushojnë nder Vjetersore thueja, por deri eshtra e atyne burrave qi pushoishin ngji ttokës Shqyptare u janë shpernda e i ka hjedhë era si ja tekë me fry e me koc e me rrasht janë marrë neper kambë!

    Ma i madhi e ma i pa perdëllyeshmi faj i shqyptarvet tonë asht, qi ato sende tvjetra tgjetme ntokë nder vorre tlashta i lëshojmë durësh tuj ja shitun thujve, e kta, për do çmime tngrata faret.

    Ky faj smund tju shkruhet malsorvet a katundarvet, për arsye qi ktyne su kupton mendja ma larg e sdinë me i peshue ato hollime e imtime historiet si i dimë e do tdimë na qi kena kalue disa mot ndër msojtore. Pernjimend se tpa regjun jena edhe na qi kena xanë dije nder msojtore, porse në u rrejshim nji herë, mendja na piqet për tjera herë: Gabojmë nji herë, por nji tjetër shteg sdo tgabojmë.

    Po qes vedin per tregim tuj ju rrfye hutimin tem e ndaçi edhe marrien teme tbame, por nji herë tvetme në vjetin 1900.

    Ishe nLaç - Sebaste të Kurbinit si i parë famulliet, si gjejshe tknaqun nkërkim të vjetërsinave - permi tcillat tash flas, -mu beh në qelë. Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it tBerlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burrë i madh (!) xuna me ju levdue për do sende tvjetra tcillat i pata gjet mun natë kohë mnji vorr në vend tqujtun “Koder Bogëz” në katund të Laçit - Sebaste.

    Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njërzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap -çap me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetersina. Ndër kto sende kishe edhe nji unazë-arit tcillën e pata gjetë nvorr të vendit të përmendun, e pveta Dr. Traeger-in, qi tmë diftote kohen e vjetersinës ssajë, e ky mu pergjegj: “Kohën e vlerën smund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetersivet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

    Të falem nderes i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana se shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetersins...”

    Ky shkrim i Shtjefën Gjeçovit, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, jo i plotë, është shkruar në vitin 1914. Megjithëse periudhë tepër e vështirë për kombin tonë, Gjeçovi i kushtoi një rëndësi të madhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Shkrimi botohet për herë të parë pas 89 vjetësh dhe na vjen keq që problematika e këtij shkrimi edhe në ditët tona është tepër aktual.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Pasardhesit e Sh.GJeqovit tani jane asimilu gati tersisht bile ase sfoline mo shqip.

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    afër kojshisë
    Postime
    228
    Po me cudit "fegi": "Pasardhesit e Sh. Gjecovit jane asimilue, gati tersisht, as flasin shqip".
    fegi, jane asimilue nga cilet: sllavet, turqit a te tjere. Do t'ua dija fort per nder ne nje pergjigje te sinqerte e me baza shkencore... faleminderit.

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Une i njoh do kusheri te tij jon bo kroat tash jon dal ne kroaci.
    Jon do sternipa te Zefi te vogel me mbiemer Kryezi se di ajon te nji prejardhje ata apo tjere me Sh.GJeqovine.
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 24-11-2009 më 14:52

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-07-2007
    Postime
    128
    Citim Postuar më parë nga BROZALINI Lexo Postimin
    Po me cudit "fegi": "Pasardhesit e Sh. Gjecovit jane asimilue, gati tersisht, as flasin shqip".
    fegi, jane asimilue nga cilet: sllavet, turqit a te tjere. Do t'ua dija fort per nder ne nje pergjigje te sinqerte e me baza shkencore... faleminderit.
    Janjeva dhe Ndre Mjedja përkitazi me shqiptarësinë e janjevasve

    Titulli që unë zgjodha për këtë postim timin është (në realitet)një sublimim i përmbajtjes së pjesës Gjuhëtari dhe atdhetarii,pjesë kjo e shkëputur nga studimi Konceptet filologjike te Ndre Mjedes të Begzad Baliut.Në këtë studim,veq tjerash,Begzad Baliu na e sjell Ndre Mjedën dhe kundërshtinë e këtij ndaj kontributit të Filgenc Carevit ne kuptimin e deshqiptarizimit të janjevasve:
    As brezit paraardhës të shkrimtarëve dhe as bashkëkohësve shkrimtarë e gjuhëtarë të Ndre Mjedës, nuk iu ka munguar atdheda¬shuria për gjuhën dhe për kufijtë etnografik të saj, por janë të paktë shkrimtarët dhe sidomos ata që kanë provuar të mbrojnë atdhetarinë e tyre edhe me përmasën shkencore të dijes linguistike që mbretëronte në atë kohë.
    Ndre Mjeda është nga ata pak krijues, i cili përveç me fjalën artistike dhe me konceptet shkencore mbi prejardhjen e popullit shqiptarë e të gjuhës shqipe, në tekstet e tij gjuhësore, problema¬tizuese e polemizuese, ka sjellë disa fakte të karakterit historik, etnografik, gjuhësor dhe madje politik të rrethanave historike të presionit mbi elementin etnik dhe gjuhësor në hapësirën shqiptare.
    Në vitin 1935 Mjeda polemizonte me etnografin Filip Fishta në lidhje me kontributin e prelatit Filgenc Carev në përhapjen e gjuhesa serbokroate ne Arqipeshkëvinë e Shkupit, të cilin edhe redaksia e “Hyllit të Dritës”, e kundërshtonte në të mirë të shejtanisë së peshkëvit Carev. Kjo është arsyeja që Ndre Mjeda jo vetëm të dëshmojë këtë por edhe ta plotësoj me të dhëna të tjera historike e personale, të cilat janë në të mirë jo vetëm të gjuhësisë (toponimisë e antroponimisë) por edhe të etnografisë, të historisë së kishës e të etnisë shqiptare përgjithësisht.
    Pasi arsyetonte predikimin e ipeshkëvit Carev në gjuhën serbokroate “meqë këtë gjuhë ia kishte mësuar nëna e tij”, meqenëse, theksonte Mjeda, edhe meshtarët shqiptarë në zonat sllave “predikojnë në gjuhën shqipe, me anë përkthyesish, kur nuk dinë gjuhën e vendorëve”, sillte një varg të dhënash për ndikimin që pati angazhimi i tij në Janjevë dhe për arsyet e largimit të tij, pavarësisht nga popullariteti që gëzonte ai falë angazhimit të tij prej meshtari: “Mâ së pari vjen përforcimi qi i dha jo veç giûhës por edhè liturgjisë sllave në Janjevë nëpër mjet të dy Boshnjakvet dhe me thane nepr mjet t’ish-fratit Shishkoviq, të cilin e vêndoi mësues në shkollë t’iati katundi, e të At Frano Brkiq-it Franqeskan prej Bosnjes. Këta dy vetë jo veç e ndeznë popullin e Janjevës në dashuni për giûhën sllave, sá me i bâ me mohue kombesine shqiptare, por edhè ja u shtine në zêmrë nji të përbuzun të çuditsh�! �m kundra shqiptarvet, porsi gjind të trashë e të poshter.
    Po tham: sá me mohue kombsine shqiptare pse shumica e madhe e Janjevës âsht fisi shqiptar sikursè atá vetë shum herë e kan dishmue. Bje fjala: Glasnoviqt, të cillët njohen mâ se 100 shpi, janë mbahen Shalnjanë; provë qi deri vonë bashin êmnin “Scialli”, si Arqipeshkvi i Shkupit Imz. Pieter Scialli, e ndo’j prift asò vllaznije p.sh. Tomë Shali, e Mikel Shali, shokë të mi në Seminàr të Shkodrës: e ky i mbrami e pat mbàjtë ket mbiêmen edhe mbassi u bâ Glasnoviq. I pari qi e ká marrë mbiêmnin Glasnoviq ndër Meshtarë âsht D. Nikoll Glasnoviqi, i cili kje çue në Seminár të Shkodrës prei Carevit, kje çue nder Jezuit nji dialë prej Crngore i nji katundit krejt mysliman e laraman, kû s’ndihei nji fjalë sllavishte. Deri asaj drite së parë së Fretenvet në Shqipni qi per êmen vllaznije kishte Pergjeçaj, i kje njitë Gjeçeviqë e Gjeçev. E me gjithsej shumica në Janjevë janë fisi shqiptar, mbas ase propagande së rrebtë na ka ! ra me ndie ndonji Janjevas të zgjuat tui thanë per sllavishten: “e ëmbla giûha e jonë amtare!”. E nuk âsht e vërtetë shka thotë Redakcijoni, se Imzot Carev u ka predikue sllavisht Janjevsvet, qi tjeter giûhë nuk dishin (nënvizim i N.M.). Në Janjevë në kohë të Timzot Trokshit pleqve e plakave ju vite e vshtirë m’u rrfye sllavisht, e lypshin me i rrfye shqip, si e dëshmon edhe Nd. Zot. D. Pashko Krasniqi, qi n’atë kohë ishte ndihmës i famullitarit në Janjevë” .
    Në këtë rrjedhë të gjerë të dhënash Mjeda kujton edhe ‘kontributin’ e ipeshkëvit Carev në përhapjen e gjuhës sllave, duke përforcuar me meshtarë sllavë edhe kishën e fshatit Letnicë, Shkup, Prizren, Gjakoë etj., ku jo vetëm mbahej mesha në gjuhën sllave por edhe kënga e Meshës së Madhe bëhej në sllavishte.
    “E pra, - vazhdonte më tutje Ndre Mjeda, - Imzot Carev nuk u hoq prej Shkupit per pleqni, as pers mundje as pse dhe dorëhjekjen. Duel fjala se nuk e dote qeveria turke, por Turkija se kishte mênden atëherë me dbue nji shtetas austriak prei vendi së vet. Por arrësyeja e vërtetë se nuk e dote njajo Fuqi, qi mâ vonëdo të ngulte në parim: Shqipnija e shqiptarëve (nënv. i NM); e prei luftës ballkanike do të delte Shteti Shqiptàr vetëurdhënues e i pàmvarun. E u pà me’j herë kur mbas Carevit u vû nji Arqipeshkv Shqiptàr, qi prej ditsh nuk ishte pà nder né; e kjo Imzot Ndré Logoreci, i cili me tyë shpejtë çili shkolla shqipe, tuj sjellë prei Shkodre të nipat e vet; e në Pesrend vûni Mati Logorecin, e të vllàn Pashkon në Jakovë. E shqiptarë kjenë Imzot Pashko Trokshi, e Imzot Lazër Mjedja qi erdhne shoq mbas shoqit déri sà Argjipeshkvija e Shkupit i kje rrmye tokës shqiptare”
    . http://www.zemrashqiptare.net/articl.../3627/1/print/
    Ndryshuar për herë të fundit nga veletini : 26-02-2010 më 14:06

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-07-2007
    Postime
    128
    Letër Kryetarit të Komunës së Lipjanit,z.Shukri Buja,
    -me rastin e vendosjes së bustit të Shtjefën Gjeçovit para Shkollës Fillore të Janjevës-


    Zoti Kryetar!

    1.Më në fund,më 20.6.2009, përballë hyrjes kryesore të objektit të Shkollës Fillore Shtjefën Gjeçovi të Janjevës do të bëhet vendosja e bustit të Shtjefën Gjeçovit ,ndërsa mbi hyrjen e kësaj shkolle do të rivendoset pllaka emërtuese po me të njëjtin emër.Zatën,me këtë emër kjo shkollë qe emërtuar dikund në vitet 1991-1992 nga Qeveria e Kosovës në ekzil,duke u paisur me këtë rast edhe me vulën REPUBLIKA E KOSOVËS Shkolla Fillore SHTJEFEN GJEÇOVI –JANJEVË.Që atëherë e mbas me këtë vulë firmosej çdo dokument,krejt deri pak para vitit 2001,kur me ndërhyrjen e UNMIK-ut,më njërën anë,dhe- nga ana tjetët, nën trysnin e njerëzve të Departamentit Qendror të Arsimit të Kosovës(atëherë qe ndaluar përdorimi i termit Ministri)dhe me justifikimin e të dy palëve se emërtimi në fjalë e lëndoka komunitetin kroat dhe komunitetet tjera pakicë,na u hoq pllaka emërtuese si dhe na u ndalua përdorimi i vulës së përmendur.Gjithë debatet dhe kundërshtimet tona,atëherë,u treguan të kota.
    Dhe,tek e fundit,duke pasur parasysh se edhe vetë shtetit tonë i mohohej emërtimi,u deshtë të pajtoheshim për të hequr dorë përkohësisht nga ky emërtim,me bindjen e thellë, të shprehur me këtë rast ,se këtë çështje vetë koha do ta rregullojë.
    Dhe,vërtetë,koha u tregua rregullatori më i mirë:
    MË 17 SHKURT 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj,duke u njohur në gjithë botën si Republika e Kosovës.
    Shpallja e pavarësisë së vendit hapi shtigje dhe mundësi që ne vetë të rregullojmë punët tona ,në harmoni me vullnetin e popullit dhe në harmoni me gjakimin për të cilat u luftua dhe për të cilat dhanë jetën dëshmorët e lirisë,si dhe vetë Shtjefën Gjeçovi.

    2.Dhe vërtet është për tu gëzuar e për ta festuar kohën që solli rilindjen e Shtjefnit në vendlindjen e tij..
    Por,a mund ta ngres lartë shkollën e Janjevës vetëm vendosja e bustit të Shtjefën Gjeçovit aty ku do të duhej të vendosej shumë kohë më parë? Shtjefën Gjeçovi ishte nxënës i mirë,atdhetar sa për t\ia pasur lakmi gjithë brezat,ishte prift dhe mësues i madh,ai lakmonte ta shihte atdheun edhe të fuqishëm,por edhe me njerëz të arsimuar,dhe ai e kishte shumë të qartë se pa një arsimim cilësor nuk mund të arrihet thuajse asnjë pikësynim i dobishëm për popullin dhe atdheun.
    Dhe tash,kur Shtjefën Gjeçovin do ta kemi ditë përditë përballë,sigurisht se çdo njeri i ndërgjegjshëm do të ndjehet gjithnjë e më keq kur shehë se në këtë shkollë ditë e më shumë depërton truri fallc,respektivisht mësimdhënësit me diploma tejet të dyshimta .por që të tillëve nuk ua tërheq dot veshët kush,ngase ai që do të duhej ta bënte këtë(njeriu që pikërisht Ju,zoti kryetar, e zgjodhët për drejtor)ai edhe vetë është jo me një po me dy diploma tejet të dyshimta.
    Në gjendjen e përshkruar,vetëm të përpiqemi ta marrim me mend se si do të ndjehej një Shtjefën Gjeçovi vërtetë i ringjallur,një Shtjefën Gjeçovi që hynë në dhomat e mësimit të vendlindjes së tij dhe me këtë rast sheh mësimdhënësin i cili s\është as në nivelin arsimor të nxënësve të tij.Dhe,kjo,e pabesueshme, por shumë e vërtetë.
    Dhe,diçka e këtillë,sigurisht se është e tmerrshme.Prandaj,zoti kryetar,mbetet në ndërgjegjen tuaj të veproni dhe,me qëllim nderimi të njëmendët të kujtimit për Shtjefnin tonë të madh ,të zgjidhni dhe probleme tjera përbrenda kësaj shkolle,në interes jo vetëm të Janjevës.


    17.6.2009,Janjevë

Tema të Ngjashme

  1. Dosja e krimit politik në Kosovë
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 15:05
  2. Shtjefën Gjeçovi
    Nga Sheqerka në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 24-10-2009, 18:31
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-04-2009, 15:49
  4. Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 26-01-2007, 14:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •