Rebelimi i robotit psikobudalla të diktaturës komuniste
Written by Gazeta SOT

E Shtune, 20 Shkurt 2010 00:00
Nga Stefan Teodor PRIFTI

Shteti i diktaturës komuniste në vendin tonë, i instaluar me idetë marksiste-leniniste, prodhoi militantë partiakë antinjerëzorë, të llojit robot psikobudalla. Këta robotë psikobudallenj u emërtuan nga regjimi komunist “Njeriu ynë i ri”, pa shpirt, pa ndjenjë, zemërgur. Këta përbindësha të rinj vranë, burgosën e internuan për një gjysmë shekulli shqiptarët e ndershëm atdhetarë që e donin Shqipërinë e lirë, pa ndikime komuniste të huazuar nga bolshevizmi.

Ishin elita shqiptare, ku para togave të vdekjes fjalën e fundit e thanë: “Rroftë Shqipëria”. Dhe krenarë këndonin Himnin tonë të Flamurit. Komunistët kishin primare partinë e jo kombin. Çdo shqiptar i ka dëgjuar thëniet: partia mbi të gjitha! Plumbat e tyre qëlluan atdhetarët duke mos i lënë të këndojnë plotësisht Himnin tonë të Flamurit. Këta dëshmorë të lirisë u groposën hajdutçe duke u vjedhur atyre jetën dhe dashurinë për atdheun.
Diktatorët, ashtu siç ishin vetë të errët, ashtu i groposën natën, errët, duke mos ditur vetë seç bëjnë, por një Zot do t’ i zbulojë me dritën e diellit, se rrezet e saj do t’ i nxjerrin në pah krimet komuniste. Kockat e tyre dëshmojnë dhe do të dëshmojnë të vërtetën dhe do të shpallen me të drejtë dëshmorë të lirisë. Monstrat e diktaturës, çdo ditë, edhe pse mbinin si një proces atomik ku protonet me goditjet e tyre antinjerëzore shtoheshin në radhët e tyre si elektrone atomike që shërbenin për zhdukjen e shqiptarëve “armiq” në luftën e klasave. Kjo goditje bëhej me armën e Sigurimit të Shtetit diktatorial të çmendurisë. Fillimet e kësaj lufte nisën me elitën shqiptare… E goditën me pa mëshirë duke i zëvendësuar me kuadro-robotë psikobudallenj të paarsimuar. Arma e tyre anunçohej si arma më e fuqishme në botë, madje më e fortë se arma atomike.
Mirëpo pas 47 vitesh po frynin erëra të forta si një furtunë e madhe që po godiste diktatorët në të gjithë Lindjen komuniste. Në Shqipëri nisi lehtshëm si një epidemi gripi. Kjo epidemi u quajt nga atdhetarët tanë: Gripi komunist! Kjo epidemi që sillte shkatërrimin e shtetit të diktaturës komuniste u mor seriozisht duke forcuar më shumë vigjilencën për të mbajtur Partinë dhe shtetin e tyre diktatorial. Këtë luftë të egër e shtuan më shumë që të frikësonin popullin që të mos ngriheshin si në Lindjen komuniste për liri e demokraci... Partia Komuniste në ato vite krijoi strategji të fshehta duke burgosur e duke vrarë atdhetarët. U shtuan sigurimsat e zgjedhur me përbërje robotë psikobudallenj të fisit të tyre... Sakrificat në radhët e tyre shkuan deri në burgosje si armiq të rremë për të çliruar elementë antiparti që më pas të zhdukeshin e të groposeshin në fshehtësi pa varr e nishan. Këto plane e direktiva u vendosën që të mbanin shtetin e tyre të diktaturës. Këto monstra sigurimi i fshehtë i emërtoi: Heronj të heshtur, se shërbenin në biruca e burgje si të dënuar politikë.
Po anunçojmë një prej tyre robot psikobudalla që u bë personazh i njohur nga të gjithë. Në vendet e Lindjes komuniste kishin nisur protestat popullore për ndryshim ndërsa në vendin tonë nuk lëvizte as miza. Por frika ishte se mos ndodhnin protesta të tilla ndaj vigjilenca ishte në kulm. Për të mbajtur popullin të qetë shpikeshin gënjeshtra dhe për gënjeshtra partia dhe sigurimi ishin mjeshtra. Në ditët më të vështira, kur populli ynë ishte mbërthyer me tollon, duke mos gjetur as qumësht e kos nëpër radhë, diktatorët shpallën Shqipërinë e para në botë për ushqim!!! Ky lajm madhështor i bëri triumfatorë organet e partisë e të Sigurimit të Shtetit. Nëpër kafene ku pihej kafe çikorje, populli thurte barsoleta se mishi, kafja, bulmeti e frutat nuk duhen konsumuar se mjekësia na porosit që të mbajmë dietë për të mbajtur trupin elegant. Robotët psikobudallen i denonconin këta që i bënin masat e gjëra të qeshnin me barsoleta me helm që dëmtonin partinë e shtetin e diktaturës.
Ja një robot psikobudalla që u bë personazh duke e instruktuar një shef i sigurimit sekret. Ky robot psikobudalla i kishte dhënë provat tek organet e Sigurimit të Shtetit dhe pasi dëgjoi detyrën e vështirë që të bënte sakrificën supreme për idealin e partisë që të burgosej në burg me pak vite dënim si gjoja armik dhe më pas të çlironte armiqtë e klasës brenda në burgje që ishin të rrezikshëm për pushtetin popullor. Pra këto lëvizje vigjilence revolucionare bëheshin dhe kontrolloheshin nga Sigurimi i Shtetit të diktaturës me anë të pararojës sekrete të psikobudallenjve. Shefi tepër sekret duke patur besim tek biografia e familjes së këtij personi dhe që për partinë roboti psikobudalla jepte dhe jetën. Shefi tepër sekret pasi i pa tiparet revolucionare të psikobudallait nisi të tregojë heroizmin e tij që as vetë psikobudallai nuk i kish dëgjuar ndonjëherë sepse ishin gënjeshtra të sajuara nga shefi tepër sekret që ta bënte psikobudallain tepër agresiv ndaj elementit antiparti.
-Nëna jote- i tha shefi tepër sekret psikobudallait,-të lindi ty në ditët e pushtimit fashist italian. Kam të dhëna se ti sapo i lindur nuk pije sisë te nëna jote dhe qaje aq shumë sa çuditje komshinjtë. Një të moshuari, të dalë malit partizan, i erdhi shumë keq që ti qaje e nuk pije qumështin e nënës. Ai në tregimin e tij gjatë pushtimit nga Italia fashiste shkruan: Edhe fëmija e porsalindur nuk pinte qumështin e nënës në shenjë proteste ndaj pushtimit fashist italian! Kjo tregon se ti që i vogël i ke urryer armiqtë. Edhe një nga fisi juaj në kohën e luftës,-shtoi shefi sekret gënjeshtrën e radhës,- ndonëse i vogël në moshë, ai vrau me llastik italianin fashist që kishte pushtuar Shqipërinë. Ky heroizëm është pasqyruar në filmin “Fortuna”.
Psikobudallai që s’ i kish dëgjuar asnjëherë këto heroizma u ngrit në këmbë si një ushtar që merr qëndrim gatitu, nderoi me grusht duke thënë: Heroizmat e mia do të jenë deri në fund të jetës sime për mbrojtjen e idealeve të partisë sonë! Ju jap fjalën shoku shef se do t’ i shpartalloj armiqtë e klasës kudo që të jenë, edhe në barkun e nënës.
Shefi, entuziast për ushtarin e tij besnik e uroi duke imituar Komandantin: Hë mo të lumtë! Pastaj shefi e orientoi duke i dhënë porositë sekrete se si do të vepronte nëpër birucat e më pas në burgjet si gjoja i dënuar politik. Lidhjet,- i tha shefi,- do t’ i mbash vetëm me mua dhe asnjë tjetër. Do të dënojmë jo më shumë se dy a tre vjet si i burgosur politik që të jesh i besuar tek të dënuarit politikë.
Psikobudallai i fiksoi mirë detyrat dhe priste që të arrestohej në mes të kolektivit të tij dhe dita erdhi... Disa sigurimsa në punën e psikobudallait bënin ecejake, dikush nga ata bisedonte me sekretaren e partisë së ndërmarrjes dhe kur nisi puna mirë, ata në mes të kolektivit i hodhën hekurat psikobudallait që nuk i bëri syri tërr. Pasi e futën në një gaz 69, njëri nga sigurimsat me sekretarin e partisë sqaruan kolektivin ku ai punonte se u arrestua si armik i klasës. Të gjithë punëtorët e nëpunësit u habitën për psikobudallain që u arrestua si armik. Nuk e besonin kurrë që psikobudallai të arrestohej si armik! Ai edhe pse nuk ishte komunist me teserë, me veprimet e tij tregonte se ishte më shumë se komunist!!! Psikobudallain e futën në biruca ku ishin edhe dy të tjerë të arrestuar si armiq për agjitacion kundër pushtetit popullor. Psikobudallai nisi të shajë ata që e kishin arrestuar. Shefi sekret u fut në dhomën e birucës dhe nisi ta rrahë psikobudallain në sy të dy të burgosurve politikë. Pasi u largua shefi psikobudallai nxori mllefin aktorial duke i sharë: Hajvan, më godite pa të drejtë, nuk ta ka frikën kush. Jam njeri, kam të drejtat e mia, s’ guxon njeri të flasë lirshëm, hajvan!
Në kohën kur shante gjoja shefin sytë i mbante tek të dy të arrestuarit për të parë reagimet e tyre, por ata qëndronin ulur në çimento të rraskapitur. Psikobudallai nisi propagandën e tij për të nxjerrë diçka nga të arrestuarit politikë. Kështu psikobudallai nisi aksionin e tij nëpër biruca që të zbërthente planet e të dënuarve dhe lidhjet e tyre me persona jashtë burgut. Koha solli ndryshime në vendet e Lindjes komuniste… Revoltat popullore arritën kulmin. Rumania diktatorët komunistë i qethi care duke i vënë para pushkatimit për krimet çnjerëzore. Edhe në disa vende të tjera komuniste diktatorët i dënuan. Kur nisën edhe tek ne revoltat popullore për liri e demokraci komunistët u bënë edhe më të egër. Populli nuk mbahej në diktaturë. Shkodra, Kavaja, Tirana dhe vende-vende, kërkohej ndryshimi demokratik.
Mirëpo psikobudallai që ishte future në qelitë e burgjeve s’ dinte se ç’ po bëhej jashtë burgut. Ai vazhdonte detyrën që kishte marrë nga shefi i sigurimit sekret. Në biruca ai kishte mbledhur disa informacione që përbënin agjitacion e propagandë hapur fare. Ai kishte marrë informacione se komunizmit po i vjen fundi, se gjoja është ngritur i madh e vogël në të gjithë Lindjen komuniste dhe pritet që të shpërthejnë edhe në Shqipëri. Psikobudallai thoshte me veten e tij se do t’ i këpuste si pras këta armiq kur të merrte vesh shefi sekret. Priste çdo ditë që të takohej me shefin në mënyrë të fshehtë që t’ i jepte informacionet. Muajt, ditët, po sillnin situate të reja në radhët e komunistëve që po u hynte tmerri nga lëvizjet masive popullore ku populli bërtiste për liri e demokraci. Kështu nis platforma alla demokratike, ujku dhe qengji, të dy bashkë, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. U hapën burgjet për të burgosurit, por psikobudallai që hyri në histori nuk pranonte të dilte nga burgu pa u dënuar. Oficeri i burgut me policët i thonin psikobudallait të dilte nga burgu se ishte falur dhe më pas do t’ i jepej dhe pafajësia.
-Jo, jo,- ngulte këmbë psikobudallai,- nuk dal nga burgu i gjallë pa u dënuar!!!
-Ore do të dalësh ti,- i tha oficeri i burgut,- apo të të nxjerrim me forcë nga burgu. Qenke budalla ti.
-Provoni, -tha psikobudallai, -të më nxirrni me forcë nga burgu. Jo dhe pikë, nuk dal pa u dënuar. E morët vesh. Kujtoni ju se jam lëng fasulesh unë? Me mua mos e kruani se do të gjeni belanë.
Policët u shkrinë së qeshuri dhe thanë me njëri-tjetrin: Ky qenka me gjithë mend budalla. Historia e psikobudallait shkoi deri tek drejtori i burgut që dha urdhër: Të nxirret budallai nga burgu me forcë. Policët e burgut zbatuan urdhrin duke e kapur psikobudallain si një barrë drush dhe e nxorën me forcë jashtë burgut. Psikobudallai tashmë jashtë burgut, në trotuarin para derës së burgut uluriste duke kanosur personelin e burgut që e flakën jashtë nga birucat me ultimatume të tilla: Do ta shikoni ç’ do t’ ju bëj unë juve! Do të më njihni mirë se kush jam unë! Ashtu i tronditur nga dalja nga birucat e burgut psikobudallai arriti në shtëpinë e tij. Pjestarët e familjes së tij u gëzuan kur e panë të lirë nga burgu. Mos u gëzoni i tha psikobudallai familjes së tij se unë shumë shpejt do të kthehem në birucat dhe do të dënohem si armik se e meritoj. Kështu i do mushka drutë. Familjarët e tij u çuditën për fjalët që fliste ai dhe me njëri tjetrin shprehën shqetësimin se njeriu i tyre paska ikur nga mendja.
Të nesërmen psikobudallai u nis menjëherë për të takuar shefin sekret në zyrën e diktaturës që t’ i tregonte se ç’ i kishte ndodhur me personelin e burgut. Kur arriti atje u interesua për shefin tepër sekret, të cilin qe i detyruar ta kërkonte me emër e mbiemër. Personeli i vjetër dhe i ri i thanë se personi në fjalë kishte vdekur para disa muajsh. Psikobudallait sa s’ i ra pika për lajmin e hidhur. Ashtu i brengosur u largua duke ecur i mpirë e duke folur me vete që i shkuan dëm birucat. Kur këmbët e shpunë te sheshi në qendër të Tiranës pa i çuditur grumbuj njerëzish të mbledhur që brohorisnin “Liri-demokraci” dhe ngrinin dy gishta lart. Psikobudallai u bë më budalla dhe luajti në moment më shumë kur dëgjoi parullat: Poshtë komunizmi, Enver-Hitler, E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Atë moment psikobudallai qeshi me vetë duke thënë: Hajde ëndërr që po shikoj unë hajde! Mirëpo ëndrrën ia prishi një fëmijë i vogël që i dhuroi një flamur me dy gërma PD. –Merre xhaxhi se do të shporrim komunizmin! Psikobudallai tashmë i zgjuar i shfryu fëmijës duke iu kanosur: Ti je i vogël dhe s’ të kap ligji që të të rrasin në burg por babain tënd do ta arrestojmë si reaksionar që të ka aktivizuar ty të hedhësh baltë mbi komunizmin! Edhe ty me familjen tënde do t’ ju internojmë. Fëmija u burrërua dhe i tha: Enverist qenke ti xhaxhi? Jam i tha psikobudallai. Fëmija u largua i habitur që në mes të turmave ndodhej një budalla.
Çuditërisht, kur u tha se u flak sistemi diktatorial, psikobudallai zuri punë e goxha punë në shtet. Kur i shprehnin të deklasuarit persekutimet që u kishte bërë regjimi enverist-komunist, psikobudallai përgjigjej: Kështu ishte ajo kohë, ka patur të mirat e veta dhe të këqijat. Me këto fjalë ai zuri rrënjë si i punësuar me goxha rrogë dhe nuk pranonte të punonin afër tij fëmijët e të deklasuarve. Psikobudallai dëgjonte bijtë e komunistë që nxirrnin vrer për të vrarët me gjyq e pa gjyq nga regjimi komunist dhe i fyenin me emërtime: horra, horra! Demokratët e bashkëvuajtësit dëgjonin nga fëmijët e komunistëve që u kish ardhur goja, të shpreheshin se ata që partia komuniste i vrau mbeteshin armiq, ndaj familjeve të tyre të mos u jepej asnjë qindarkë sepse duke i shpërblyer ata do të kërkojnë që t’ i shpallin këta të pushkatuarit armiq si dëshmorë të lirisë. Një i moshuar i rritur në internime bisedonte me një moshatar bashkëvuajtës nga regjimi komunist: Si more kanë kurajën që quajnë horra baballarët tanë që ishin elita e vendit, që e donin Shqipërinë si atdhe të vërtetë. Baballarët tanë para pushkatimit në fjalën e fundit kanë thënë: Rroftë Shqipëria! Ndërsa psikobudallenjtë me origjinë komuniste njollosin shpirtrat e tyre të pafajshëm. Shoku bashkëvuajtës e qetësoi shokun e tij me këto fjalë. Ata burra që ishin elita shqiptare që komunizmi i vrau, do të mbeten përjetësisht dëshmorë të lirisë. Komunistët dhe pjellat e tyre do të vijë dita që të marrin dënimin që të mos drejtojnë këtë vend. Atëherë do të vihet nderi i atyre të vrarë nga komunistët që i kanë lënë dhe pa varre. Do të ndodhë që edhe ata që kanë qenë anëtarë të partisë një ditë do të bëjnë pendesën e kështu do të vijë demokracia e vërtetë, duke u shkëputur nga diktatura komuniste. Ligji demokratik do t’ i shpallë martirët dëshmorë të lirisë. Kjo ditë do të jetë dita e shkëputjes përfundimtare nga e kaluara komuniste duke dënuar krimet çnjerëzore të komunistëve në vendin tonë, për të sjellë paqen dhe jo hakmarrjen.