
Postuar më parë nga
Guri i Kuq
LDK-ORA nënshkruajnë bashkimin
Nga Express më 23.02.2010 në ora 18:35
Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sot është nënshkruar marrëveshja për bashkim ndërmjet këtij subjekti politik dhe Partisë Reformiste ORA. Marrëveshja është quajtur akt madhor dhe i rëndësishëm, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën.
LDK-ja po pasurohet me një prurje, me një dimension që do ta forcojë atë aspektin e qytetarisë si parti, ka thënë me këtë rast nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu.
Ndërsa kryetarja e deritashme e ORA-s, Teuta Sahatqija, është shprehur e bindur se ky “bashkim i forcave” do të ketë ndikim në skenën politike të Kosovës.
“Është fjala jonë popullore e moçme që ‘Bashkimi bën fuqinë”, mendoj që me këtë rast vërtetohet edhe njëherë ajo mençuria e popullit tonë, që me bashkimin e forcave arrihet një rezultat më i fuqishëm, më i madh i cili do të ketë ndikimin e mirë në skenën politike të Kosovës”, ka thënë Sahatqija.
Sipas saj, nëse dikur u bashkuan të gjitha fuqitë për të arritur deri te pavarësia e Kosovës, tani paraqiten objektivat tjera, me qëllim që Kosova të shndërrohet në një shtet të mirëfilltë dhe të denjë për Evropën.
I pyetur pse nuk është konsultuar kryesia e LDK-së me anëtarët e kryesisë, Kryeziu është shprehur se të gjithë anëtarët e Kryesisë së LDK-së janë të kënaqur me bashkimin e këtyre dy subjekteve dhe se nuk ka pasur nevojë për mbledhje formale të këtij organi të lartë të partisë.
Ai madje ka folur edhe në emër të kryetares së Grave të LDK-së, njëherit anëtare e Kryesisë, Melihate Tërmkolli, për të cilën tha se “është shumë e kënaqur” me këtë zhvillim. Por vetë Tërmkolli ka thënë se ky nuk është vendim i Kryesisë së LDK-së. “Ky është vendim privat i atyre njerëzve që e kanë privatizuar LDK-në, duke u nisur nga kryetari i LDK-së. Ky është një akt për të fshehur humbjen e thellë që ka pësuar LDK-ja në krye me këtë udhëheqje, e cila po e qon drejt shkatërrimit të plotë LDK-në”, ka thënë Tërmkolli për mediat.
Nga ana tjetër, Kryeziu ka kërkuar mirëkuptim nga LDD-ja, e cila ka bërë publike një ofertë për koalicion, që deri më tani nuk i kanë kthyer përgjigje. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të agjendës së ngjeshur të zyrtarëve të LDK-së.
Krijoni Kontakt