Ndalohet mësimi shqip në Podgorcë të Strugës, prindërit në protestë
Podgorcë, 20 shkurt - Inspektorati i arsimit pranë Ministrisë së arsimit - Njësia rajonale në Strugë, përmes inspektorit të arsimit, pas reagimit të individëve dhe grupeve të caktuara antishqiptare, ka sjellë vendim për ndalimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe në shkollën fillore në fshatin Podgorcë. Ky vendim ka shkaktuar revoltën e prindërve të nxënësve që mësimin e zhvillojnë në gjuhën shqipe, duke këmbëngulur që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën shqipe, raporton agjencia Ina.
Para oborrit të shkollës ishin tubuar shumë prindër, që reaguan ndaj vendimit të inspektorit të arsimit, që sipas banorëve të Podgorcës, vihet mbi Ministrinë e Arsimit. Në momentin kur vizituam shkollën në Podgorcë, sipas fjalëve të sekretares së shkollës, drejtori ndodhej në një takim në Strugë, ndërsa ajo, siç deklaroi, nuk është në rrjedhë të zhvillimeve të fundit. “Megjithatë, pash se ishin tubuar shumë prindër para shkollës, por nuk dija pse. Përndryshe, mësimi zhvillohet normal në ndërrimin e pasdites edhe në gjuhën shqipe”, tha sekretarja e shkollës.
Me iniciativës së banorëve të fshatit Podgorcë, me miratimin e propozim-vendimit nga ana e Këshillit të komunës së Strugës, u kërkua nga Ministria e arsimit dhe shkencës së RM-së pëlqimi për zhvillim të procesit mësimor në gjuhën shqipe. Sipas shkresës së dërguar në selinë e administratës komunale në Strugë, Ministria e Arsimit, përmes shkresës së nënshkruar nga sekretarja shtetërore e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Todorovska, jep “dritë jeshile”, duke shtruar edhe kushte, të cilat duhet t’i përmbushë autoriteti lokal - Këshilli dhe komuna e Strugës.
Në shkresën e Ministrisë së Arsimit shkruan: “Lidhur me kërkesën tuaj nr.03-1341, datë 28.10.2009, për të dhënë mendim pozitiv për formimin e paraleles me numër më të vogël të nxënësve në shkollën fillore “Goce Dellçev” në fshatin Podgorcë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ju informon se sipas kërkesës së Këshillit të komunës, do të japë mendim pozitiv nëse: nuk nevojiten mjete plotësuese financiare, ose, nëse komuna këto mjete plotësuese financiare do t’i sigurojë nga buxheti komunal”. Podgorca është fshati i dytë, krahas Labunishtës, në të cilin mësimi paralelisht me maqedonishten do të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe./koha/
Krijoni Kontakt