Neo “Vëllazërim – Bashkimi” shqiptaro – serb
--------------------------------------------------------------------------------
A MUND HYZMEQARI T’I BËJË PORDHË BEUT
* Gojëkëqijtë do të thonë se zoti Sali Berisha me këtë “hap vendimtar” definitivisht e mbushi gotën e marrëzisë dhe gotën e një politikëbërje ters.
Nga, Fadil LUSHI
* Nuk mund t’i bësh ftesë fqinjit të dytë pa u konsultuar me “fqinjin e parë”, në këtë rast me Kosovën. Opinioni politik dhe ai intelektual kosovar me të drejtë do t’i kishte parashtruar pyetje z. Sali Berisha se a mos vallë ai me këtë kontribut eurosh dhe me këtë ftesë dedikuar Boris Tadiqit (të birit të Ljubomir Tadiqit, një shovinist i njohur serb) mëton të fshehë dhe të anashkalojë poterën politike, ndasitë dhe hidhërimet ndërvëllazërore,...
* Ky takim i tij me serbët e Graçanicës duhet të jetë një qëndrim tejet përulës ndaj armikut të përbetuar, siç është ajo serbe nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, është përçmues ndaj vetvetes, vatanit dhe njerëzve që i përfaqëson.
shkrimi i plotë:
Mbase do të keni habinë për titullin që figuron këtë herë. Por kjo kryefjalë e opinionit në vijim është një shprehje proverbiale që mëton të nxjerrë në pah jo dallimin material ndërmjet njerëzve, sesa diferencën morale mes tyre, pavarësisht ngjyrës, përkatësisë fetare, kombëtare, gjeografike dhe trashëgimisë (jo) hileqare që sundojnë.
Viti që e lamë e që na la pas, u karakterizua me “shakanë” e (jo) radhës të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili në një takim, në Tiranë, me përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga kryetari i Partisë serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviq, konfirmoi se Qeveria shqiptare tok me të, kinse së shpejti do ndërtojnë agjendën lidhur me vizitën në Shqipëri të presidentit serb, Boris Tadiq. Gojëkëqijtë do të thonë se zoti Sali Berisha me këtë “hap vendimtar” definitivisht e mbushi gotën e marrëzisë dhe gotën e një politikëbërje ters. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se kryeministri bën politikë të alternuar, respektivisht politikë për nevoja të brendshme dhe një politikë për nevoja botore. Po, në atë takim, ai do të sjellë edhe një haber të mërzitshëm se qeveria të cilën ai e sundon do të kontribuojë me një shumë prej 400.000 euro për katundarët dhe paramilitarët serbë të komunës së Graçanicës. Sido që të ndodhë, këto euro nuk do të dedikohen për qytetarët e Llapit, Drenicës, Glloboçicës, Gjilanit, Mitrovicës dhe, së fundi, për fëmijët jetimë dhe për fëmijën e luftëtarit me paterica të vjetra. Madje gjithë këtë kontribut sikur ta konceptosh me gjuhën e religjionit, të lë përshtypjen kinse këto para u kushtohen njerëzve në emër të zeqatit-solidaritetit mysliman. Njohësit e mirë të kushtetutës së fesë islame do të thonë se ndihmë mund të japin vetëm ata që kanë më shumë se ç’u duhet, gjithsesi ato që i kanë duhet t’i kenë personale, jo të vëllait, motrës, dajës, tezes, të prindërve, jo të shtetit, le të jenë edhe të qeverisë, ato para duhet të jenë hallall e jo para jallane gjegjësisht false. Dhe paratë që nuk janë personale, sipas fesë, konsiderohen si harame.
Kësaj vendimmarrje (jo) politike të Sali Berishës i shkon ajo mesele për punën e gomarit: hall ta lësh pa ujë se e ngordh, hall t’i japësh shumë se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë se e... Është mirë t’i afrosh popujt, është mirë të ndërtosh politikë pozitive ndërfqinjësore, (ndonëse Serbia logjikisht nuk mund të jetë fqinj i Shqipërisë) është mirë, por ama jo marrëdhënie të mira me Serbinë, shtet ky i cili sot e gjithë ditën e Perëndisë, e konteston sovranitetin territorial edhe ashtu të kufizuar të Republikës së Kosovës, sovranitet ky i ndërtuar nga ndërkombëtarët në krye me Martti Kalevi Ahtisaarin. Nëse Sali Berisha e ka me gjithë mend t’ia bëjë këtë ftesë Tadiqit, atëherë këtë mund t’ia bëjë privatisht, jo në emër të qeverisë së tij autoritare. Po edhe sikur ta bënte këtë, atëherë kjo ftesë do të ishte thjesht një punë dreqi, e pakuptimtë dhe politikisht skandaloze. Kjo ftesë që i dedikohet Boris Tadiqit dhe tajfës së tij politike, i cili kohë më parë duke marrë pjesë në meshën e mesnatës në manastirin e Deçanit dhe duke ndezur një qiri ortodoks përcolli mesazhin e popullit serb se Kosova edhe më tej ngel vend i shenjtë i Serbisë, nga ana e kosovarëve do konceptohet si një ftesë jo serioze dhe diletante. Kjo grishje e palavosur, pa dyshim se shkel mbi dinjitetin, ndërgjegjen dhe historinë e nënave, motrave dhe luftëtarëve kosovarë. Shkuarja e tij në Shqipëri (nëse do të shkojë) pa “lejen dhe aminin e kosovarëve”, thjesht do të perceptohet si një “reklamë politike propagandistike serbe”, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, njëkohësisht në mënyrë indirekte do të trazojë nervozizmin e (jo) politikanëve kosovarë, në veçanti të atyre që pësuan më së shumti nga lufta e fundit serbo-shqiptare. Nuk mund t’i bësh ftesë fqinjit të dytë pa u konsultuar me “fqinjin e parë”, në këtë rast me Kosovën. Opinioni politik dhe ai intelektual kosovar me të drejtë do t’i kishte parashtruar pyetje z. Sali Berisha se a mos vallë ai me këtë kontribut eurosh dhe me këtë ftesë dedikuar Boris Tadiqit (të birit të Ljubomir Tadiqit, një shovinist i njohur serb) mëton të fshehë dhe të anashkalojë poteren politike, ndasitë dhe hidhërimet ndërvëllazërore, një, dhe e dyta, a mos vallë kjo ftesë nuk do ta cenojë rëndë ekuilibrin dhe standardin politik edhe ashtu të brishtë të shqiptarëve të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Pse nuk parashtron pyetje, çka me inatet ndërpartiake shqiptare, çka me opozitën që ka kohë që nuk merr vend në parlament për t’u takuar me shumicën parlamentare po ashtu shqiptare. Ky takim i tij me serbët e Graçanicës duhet të jetë një qëndrim tejet përulës ndaj armikut të përbetuar, siç është ajo serbe nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, është përçmues ndaj vetvetes, vatanit dhe njerëzve që i përfaqëson. Dhe kësaj marrëzie të zakonshme të Sali Berishës, i shkon ajo thënia: ti ke përpara ujkun, kërkon të gjesh gjurmët, apo thënia e Fan.S. Nolit: “Bishti i qenit, bisht qeni mbetet. Nuk ka shkencë që e ndreq. Madje as varr”. Dhe nëse Tadiqi është një bisht, atëherë duhet të jetë një bisht i Millosheviqit, ndryshe nuk bën, jo pse e themi ne, por pse e ka thënë lufta kosovare.
Ç’i duhet Sali Berishës kjo politikë ndaj kondicionimit të marrëdhënieve me Serbinë, në momentin kur Kosova kundërshtohet nga Serbia, e cila në vijimësi do të konceptohet si një i sëmurë psikik i sistemuar në një cep të Ballkanit të trazuar dhe të rebeluar. Do të ishte një qëndrim politik i ndershëm dhe burrëror i Sali Berishës, sikur të mos i mundësonte Boris Tadiqit, hyzmeqarit të nacionalizmit dhe shovinizmit serb, ta shkelte tokën shqiptare. Boris Tadiqi nuk ka bythë t’i bëjë pordhë BEJ SHQIPTARIT, po qoftë edhe kryeministrit tonë të nderuar dhe të respektuar Sali Bej Berishës. Tekembra-mja, ky shpjegim imi gazetaresk qoftë i gabuar si në aspekt politik, gjuhësor po edhe eseistik.
.................................................. .....
P.S. Ky shkrim është postuar edhe në Forumin Shqiptar, më 10.2.2010 dhe gjendet ne këtë tufëz/link:
http://www.forumishqiptar.com/showpo...&postcount=138
Krijoni Kontakt