
Postuar më parë nga
ademgashi_dk
BIOGRAFI E SHKURTËR
Fadil Vehap Lushi u lind në Tetovë, me 20.04.1950. Rrjedh prej një familje atdhetare, arsimdashëse dhe patriotike. Familja e tij është shpërgulur nga Lushnja në vitin 1906, respektivisht nga Shqipëria Londineze. Ajo fillimisht vendoset në Çarshinë e Epërme të Tetovës, kurse më vonë sistemohet pranë Xhamisë së Larme. Mësimin fillor dhe të mesëm e kreu në Tetovë dhe Shkup, ndërkaq, atë sipëror në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Pedagogji. Derisa vijonte mësimet e vitit të tretë përjashtohet nga gjimnazi dhe njëkohësisht burgoset, për shkak se ishte pjesëmarrës i Demonstratave të vitit 1968. U akuzua se kishte shkruar parulla antijugosllave dhe parulla prokosovare në kërkim të krijimit të Shqipërisë natyrale.
Në vitin 1975 punësohet në gjimnazin e Ferizajit si mësues i Filozofisë dhe Logjikës. Më 1977 inkuadrohet si Pedagog në Sh.f. “Kiril Pejçinoviq” në Tearcë ku punon deri në vitin 1981, kur me një vendim absurd të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, bashkë me bashkëshorten, pushohet nga puna për veprimtari armiqësore nga pozitat e iredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar. Në pamundësi që të gjejë një vend pune në Maqedoni detyrohet të shkojë në mërgim dhe plot 16 vite bredh bulevardeve të Gjermanisë Federale, Zvicrës dhe vatanit të tij. Me “demokratizimin” e këtyre hapësirave, në vitin 1997 i kthehet profesionit, tani si Këshilltar pedagogjik për mësimin klasor pranë Entit Pedagogjik, ku edhe aktualisht realizon dhe organizon aktivitete në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë Ndërkomunale për Tetovë, Gostivar dhe Dibër. Nga viti 1981 deri në vitin 1990 shtypi shkupjan nuk ia publikoi shkrimet, gjë që e detyroi të botojë në mediumet kroate me pseudonim. Vazhdon të merret me publicistikë, sidomos në lëminë e politikës dhe arsimit.
P.S.
Familja e tij njihet me veprimtari nacionaliste. Gjyshi i tij Ahmet Vehap Lushi (hoxhë dhe mësues) kishte një miqësi të ngushtë me Ahmet Zogun. Më 16 Shtator të vitit 1943, bashkë me Xhafer Devën, Bedri Pejanin, Llukë Mjedën, Asllan Boletinin, Musa Sheh Zaden, Rexhep Mitrovicën dhe atdhetarë të tjerë nga gjithë trojet shqiptare, merr pjesë në punimet e Kryesisë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në cilësi të Delegatit për ish Prefekturën e Tetovës. Ishte idhtar i bashkimit të tokave ku flitet shqip dhe njëri ndër themeluesit e Ballit Kombëtar për Tetovë. Vdiq një ditë para se komunistët ta pushtonin Tetovën e tij të lirë. Veprimtarinë e tij patriotike e vazhdoi i biri Vehbi Lushi (me profesion mësues), i cili në vitin 1952 largohet nga vendi i punës dhe dënohet me 12 vjet heqje lirie për veprimtari armiqësore. Ai i bën 8 vite burg në kazamatin famëkeq në Petrova Rupa të Goli Otokut.
Krijoni Kontakt