“Këpuca e artë” e sezonit 1992-1993 ka shënuar një “thes me gola” gjate karrieres se tij te gjate ne Shpiperi dhe jashte saj. Ish-kampioni i Partizanit: “Tek ne nuk po investohet si duhet në futboll”
(Dash Frashëri) - Në sezonin 1992-1933, Partizani – 15 herë kampion i Shqipërisë – fitoi edhe titullin e fundit kampion, por dhe Kupën e Shqipërisë (trofeu i 13-të). Lojtari “special” që kontribuoi maksimalisht në “pronësimin” e titullit kampion nuk ishte askush tjetër, por Edmond Dosti, atëherë 24 vjeç, e që njëherësh fitoi edhe “Kepucën e artë”, si golashënuesi më mirë i sezonit me 21 gola, e duke u radhitur në historinë e Partizanit përkrah emrave të mëdhenj të klubit.
Edmond Dosti, sot 41 vjeç (ka lindur më 5 shkurt të vitit 1969) është një ndër tetë golashënuesit më të mirë historikë të Partizanit, që kanë fituar “Këpucën e artë”, duke u radhitur përkrah emrave të mëdhenj si Refik Resmja (9 herë), Panajot Pano (3 herë), Robert Jashari (3 herë), Agim Murati (3 herë), Loro Boriçi (2 herë), Zihni Gjinali (1 herë), Dorian Bylykbashi (1 herë). Partizani ka 8 lojtarë që e kanë fituar bashkërisht në total 22 herë “Këpucën e artë”.
Pas katër vitesh të bukura te Partizani, aventura e Edmondit vazhdoi në Kroaci, Slloveni, Korenë e Jugut e për tu ndalur në Austri, ku në të këtë të fundit vari dhe “këpucët në gozhdë” në moshën 36-vjeçare. Rekordin për më shumë gola në një sezon si lojtar i një klubi europian e mban ish-sulmuesi i Partizanit, Edmond Dosti, i cili në një sezon të vetëm ka shënuar 22 gola për Olimpian në Slloveni. Një karrierë gati 20 vjeçare. Tashmë Dosti jeton në qytetin austriak të Klagenfurtit.
Dosti, jeni golashënuesi më i mirë i sezonit 1992-1933 me 21 gola, e që dhatë një kontribut të çmuar në fitimin e titullit të 15-të Partizanit në atë, e që për fat të keq është edhe i fundit i fituar nga të kuqtë.
Në fakt, jam dalluar gjithmonë për nuhatjen e golave dhe me cilëndo skuadër që kam luajtur, si në Shqipëri, Slloveni, Kore apo Austri, thuajse kam realizua në çdo ndeshje. Edhe pse në kampionatin shqiptar “rekordin” e mbaj me Partizanin, 21 gola, në kampionatin e Kategorisë së Parë, apo Superiore siç quhet sot, me Laçin në sezonin 1988-1999, atëherë në Kategorinë e Dytë, kam realizuar 36 gola. Në atë kohë, vetëm Refik Resmja me Partizanin kishte mundur të shënonte më shumë gola, 59, ndërsa në sezonin 2003-2004, Vioresin Sinani ka shënuar po 36 gola, por duke pasur në dispozicion 36 ndeshje.
Le ta nisim nga fillimi. Si e veshët fanellën e Partizanit?
Futbolli është jeta ime. Jam rritur pranë klubit të Partizanit, pasi dhe shtëpia ime edhe atëherë, por dhe tani ndodhet ngjitur me kompleksin sportiv të Partizanit. E kam filluar futbollin në moshën 7 vjeçare nën drejtimin e një trajnerit Besnik Çela, i cili sot punon në Federatën Shqiptare të Futbollit e në grupin e lojtarëve ishin Ledio Pano, Ylli Shehu, Edmond Kaçaçi, Niko Frashëri, Edmond Alite. Më pas kaluam te të rinjtë e Partizanit, te Shpresat, pasi atëherë ekzistonin edhe ekipet e tilla dhe trajner kisha Panajot Panon.
Karriera juaj, përpara se të niste me Partizanin kaloi përmes ekipeve më të vogla, Laç, Kastrioti e Pogradeci. Përse ndodhi kështu?
Partizani i para viteve 1990, në fakt gjithmonë ka pasur në gjirin e tij shumë lojtarë, dhe ne më të rinjve, atëherë unë isha 18 vjeç, na çonte në ekipe të tjera për të marrë eksperiencë. Në sezonin 1988-1989 luajta për Laçin, ku shënova 36 gola, e një sezon më pas me Kastriotin, po në Kategorinë e Dytë, ku vetm në fazën e parë realizova 14 gola. Në fazën e dytë të sezonin 1991-1992 kalova të Partizani ku shënova po 14 gola. Sezonin pasardhës, atë 1992-1993, fitova gjithçka me Partizanin, dolëm kampion, fituam Kupën e Shqipërisë.
Dhe ju personalisht atë sezon fituat një garë tërësisht individuale.
Po, me 21 golat e realizuar (Partizani realizoi në total 53 gola në 22 ndeshje) u shpalla golashënuesi më i mirë i vendit, duke fituar garën me të madhin Kujtim Majaci, një nga konkurrentët e mi më të fortë, e që nga ana e tij kishte fituar edhe ai një herë me Apoloninë “Këpucën e artë” (1985-1986, 20 gola). Më ka mbetur diçka pishman, e kam brengë edhe sot e kësaj dite, pasi nuk më dhanë një trofe simbolik si golashënuesi më i mirë, pra një statujë në formën e “këpucës së artë”. Më vjen keq, pasi me çdo ekip, kudo, dhe në çdo aktivitet zyrtar, apo turne miqësor apo kupë promocionale mund të kem koleksionuar mbi 15 trofe personalë apo medalje të personalizuara, qoftë si golashënuesi më mirë apo dhe lojtari më i mirë i aktivitetit. Në shtëpinë time në Austri, në Kapfenburg, por dhe në Tiranë, i kam ekspozuar në një vend të veçantë.
Pas këtij suksesi të trefishtë me Partizanin nis edhe karriera juaj ndërkombëtare. Cili ishte stacioni i parë?
Shqipëria kishte të paktën tre vjet që ishte hapur me botën ndërkombëtarë të futbollit dhe shumë lojtarë kishin nisur të sistemoheshin jashtë, duke zgjedhur si destinacione më së shumti Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, apo dhe Skocinë, siç ishte rasti i Rudi Vatës. Unë u nisa drejt Kroacisë gjatë merkatos verore të vitit 1993, ku për gjashtë muaj luajta për skuadrën Jadran Poreç, një ekip i Kategorisë së Dytë, në atë kohë. Pas një paraqitjeje të kënaqshme kalova me pas në Slloveni, me Olimpija Ljubljana.
Sa sezone luajtët me Olimpijan?
Dy sezone, 1994-1995 dhe 1996-1997. Vitin e parë shënova 19 gola, ndërkohë që në renditjen e golashënuesve të skuadrës sllovene, vinte një tjetër shqiptar, beratasi Kliton Bozgo (18 gola). Ishte vërtet nëj garë e bukur midis nesh dhe këtë e përcillte edhe media sllovene. Së bashku me Klitonin, edhe ky kishte fituar “Këpucën e artë” në Shqipëri (1990-1991, 29 gola), shkuam në të njëjtin vit përmes menaxherit të njohur të FIFA-s, Nexhmedin Haxhiut dhe një menaxheri kroat Jovica Nakoviç.
Dosti jeni ndër legjionarët shqiptarë që kanë shënuar në kompeticionet ndërkombëtare të UEFA-s, si ato të Ligës së Kampioneve, Kupën e Kupave, apo Kupën UEFA.
Po kam shënuar 3 gola me fanellën e Olimpija Ljubjanës, një prej klubeve më të famshëm në Slloveni, në një ndeshje kundër kampiones së Bullgarisë, Levski e Sofjes për Kupën e Fituesve të Kupave, duke e eliminuar këtë të fundit, edhe pse në gjirin e tyre kishin jo pak, por shtatë lojtarë të Kombëtares bullgare, pikërisht në vitin 1994, kur atëherë Bullgaria kishte dalë në vendin e tretë në botë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fituam 2-1 në Sofje, të dy golat e shënova unë. Edhe në ndeshjen e kthimit fituam 3-1, dhe unë shënova një gol. Më pas luajtëm kundër gjermanëve të Eintrahtit të Frankfurtit. Dolëm 1-1 në Slloveni dhe humbëm 1-0 në Gjermani. Edhe Kliton Bozgo ka shënuar gol në Ligën e Kampioneve. Më pas Bozgo shkoi të Admira Vaker në Austri dhe tani është trajner në një skuadër atje.
Sa lojtare shqiptarë të tjerë kanë luajtur në Slloveni?
Në fakt, për të thënë edhe të vërtetën me emrin e mirë që krijova në Slloveni, pas meje erdhën edhe trajneri aktual i Vllaznisë, Edi Martini te Svoboda Ljubljana, Ilir Sillo, Artan Bano po te Svoboda e që sot drejton Lushnjën, Gjergji Dëma, Edmond Dalipi, trajneri aktual i Skraparit. Në Slloveni kanë luajtur edhe Geri Çipi (NK Maribor), Enekeleid Dobi (ND Beltinci) dhe Klodian Arbëri (NK Maribor), Mahir Halili (ND Gorica), Redi Jupi (NK Slavija), Viktor Paço (NK Maribor).
Jeni ndër të parët futbollistët shqiptarë që keni luajtur për një skuadër aziatike, në Korenë e Jugut
Në Kore shkova përmes lidhjeve që kishte menaxheri im, Nexhmedin Haxhiu, ku luajta për ekipin Atom. Pas eksperiencës së shkurtër në Kore u ktheva në Austri, ku e nisa aventurën austriake me Eisenshtadt në Kategorinë e tretë, një karrierë prej tetë sezonesh të pandërprera. Në Kore ka luajtur edhe Adnan Ocelli, i cili aktualisht është trajneri në Kroaci, pasi ka luajtur në këtë vend. Ishte interesant, se atëherë në Kore fushat ishin me bar të verdhë dhe jo me jeshil. Mbaj mend se Maradona, i cili kishte ardhur në një ndeshje miqësore të Argjentinës me Korenë e Jugut i bëri një reklamë të madhe. Gjithsesi, nuk arrita të mësoj gjuhën koreane.
Dosti, jeni nje legjionar që keni shënuar më shumë gola me skuadrat jashtë shtetit. Sa keni realizuar në total?
Nuk kam lënë skuadër pa i shënuar të paktën një gol. Janë mbi 100 të tillë. Më thjesht, mesatarja ime e shënimit të golave shkon mbi 15 gola në sezon, e duke përfshirë dhe ato që kam realizuar në Shqipëri janë vërtet shumë. Jam krenar për ato gola, pasi shumë prej tyre janë realizuar në mënyrë spektakolare, si me roveshjatë, nga pozicione të vështira.
Kampion në Shqipëri me Partizanin, po me skuadrat jashtë shtetit ku keni luajtur a keni dalë?
Po, përveç Partizanit, skuadrës së zemrës sime, një fanellë që e kanë ëndërruar për ta veshur me qindra e qindra djem e sportistë. Gjithashtu, kam dalë kampion në Slloveni me Olimpjan, por kam fituar edhe kupën.
Cila ka qenë arma më e fortë e Edmond Dostit për të shënuar këtë numër të jashtëzakonshëm golash?
Unë jam një lojtar tipik zone, lojtar goli. Teknik, të dyja këmbët i përdorja shumë mirë, por dhe kokën, edhe pse jam shtatshkurtër. Po të hyja në 16-she nuk të falja. Kam pasur një nuhatje të lindur për gol dhe kam qenë gjithmonë një problem i përhershëm për mbrojtësit e portierët kundërshtarë. Një nga trajnerët më të famshëm të Sllovenisë e që ka drejtuar edhe Olimpijan, Danilo Popivoda, u bë shumë shpejt adhuruesi im. Më thoshte gjithmonë, se kisha një lehtësi të habitshme për të shënuar gola. Më thoshte se isha një Asen Panchev i ri, një prej futbollistëve më të famshëm të Bullgarisë.
Kombëtarja shqiptare ka qenë disa herë afër nënshkrimit me trajnerë austriakë, si Hans Krankl, Herbert Prohaska, pavarësisht se nuk ka nënshkruar me ta.
Po, janë dy ish-futbollistë dhe trajnerë të mëdhenj. Yjet e Austrisë janë Pecei, Hans Krankl, Toni Polster, Herbert Prohaska, Dietmar Konstantini, ky i fundit është dhe trajneri aktual i Austrisë. Krankl do të ishte një trajner shumë i mirë i Shqipërisë, gjithmonë ka treguar respekt për futbollistët shqiptarë. Vitin e kaluar, pas shkarkimit të Ari Hanit, unë i ofrova Federatës Shqiptare të Futbollit, Kurt Jarën, një trajner shumë i madh, por tratativa nuk përfundoi. Jara apo Krankl janë trajnerë që kërkojnë shumë disiplinë dhe të pavarur në vendimet e tyre. Me ta luajnë vetëm ata që e meritojnë.
Keni luajtur katër ndeshje me përfaqësuesen shqiptare në vitet 1991-1995, kundër Gjeorgjisë, Uellsit, Lituanisë dhe Çekosllavakisë, pra e njihni ambientin kuqezi. Sa kanë kontribuar trajnerët e huaj në futbollin shqiptar?
Kur unë kam luajtur me Kombëtaren trajnerët kanë qenë shqiptarë. Gjithsesi, përsa u përket trajnerëve. Për italianin Xhuzepe Dosena nuk mund të thuash ndonjë gjë, pasi drejtoi Shqipërinë vetëm në dy ndeshje. Për gjermanin Brigel, do të thosha se e ndihmoi shumë fati, pasi Shqipëria ishte eksperienca e tij e parë si trajner i një ekipi përfaqësues. Për Oto Bariçin, mund ta them me plot gojën që ka qenë trajneri më i mirë që ka drejtuar Kombëtaren tonë. Në Austri ka pasur një emër të madh, pasi çoi Salzburgun deri në finalen e Kupës UEFA, nga ana tjetër gëzon një emër të madh në vendin e tij në Kroaci. Holandezi Ari Han nuk la ndonjë gjurmë të dukshme.
Shqipëria tashmë ka njohur edhe kundërshtarët për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012. Në vështrimin tuaj si i shihni kundërshtarët dhe mundësitë e Kombëtares sonë?
Është një grup i vështirë. Trajneri i Kombëtares sonë, Josip Kuzhe, bëri deklarata realiste pas hedhjes së shortit, duke theksuar se synon të lërë pas Bjellorusinë. Të luash kundër Francës e Rumanisë është një punë e vështirë, por dhe kundër Bosnjës tani është pak e sikletshme, pasi thuajse të gjithë lojtarët boshnjakë luajnë në ekipe të mëdha europiane.
Skeda
Edmond Dosti
Datëlindja: 5 shkurt 1969
Roli: Sulmues
Ekipet: Partizani, Laçi, Kastrioti, Pogradeci, Olimpija Ljubjana (Slloveni), Atom (Koreja e Jugut), Eisenstadt (Austri)
Kampion: Me Partizanin (1992-1993), me Olimpija Ljubjana (1993-1994)
Ndeshje me Kombëtaren: 5 (1911-1995)
Golashënuesi më i mirë i sezonit 1992-1993: 21 gola
Partizani
Kampion 1992-1993
Ilir Shulku, Klodian Papa, Shahin Berberi, Adnan Ocelli, Afrim Myftari, Artan Bano, Alfons Muca, Sokol Meta, Altin Satka, Ardian Zhenga, Alban Tafaj, Andon Nikolla, Fabian Ziu, Edmond Dosti, Nikolin Coclli, Dritan Hoxha, Gert Jashari, Erjon Kasmi, Amarildo Zela, Denis Ndoci, Ardian Zhupa, Avenir Dani, Marko Pelinxhi, Ylli Shehu, Gent Lici, Ardian Aliaj, Edvin Kumaj. Trainer: Sulejman Starova.
![]()
“Si e bëja të vuante trajnerin e Sllovenisë”
Sllovenia është një ndër 32 finalistet e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Tre vjet më parë, Shqipëria barazoi pa gola në të dyja ndeshjet kundër Sllovenisë, për më tepër që trajneri i tyre Matjazh Kek është përmendur edhe si një kandidaturë për stolin e Shqipërisë. Pikërisht Kek ka qënë një nga kundërshtarët e Edmond Dostit. “Është normale rritja e Sllovenisë në futboll, pasi investohet vazhdimisht, sidomos në infrastrukturën sportive. Sllovenia është një vend me diçka më shumë se 2 milionë banorë, ku 800 mijë prej tyre janë të huaj. Sa për kuriozitet, trajneri Matjazh Kek ka qenë kundërshtari im, kur unë luaja në Slloveni për Olimpija Lubljanën. ka qenë shok skuadre me beratasin Kliton Bozgo (ne foto bashke me Dostin), ky i fundit ka qenë edhe lojtari që ka shënuar më shumë gola për Mariborin, po të kemi parasysh vetëm periudhën kur Slovenia doli si shtet më vete pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kek luante si mbrojtës dhe të them të drejtën vuante shumë për të më markuar. Nuk duhet të harrojmë se Mariborin ka luajtur edhe Geri Çipi. Gjithsesi, në Kombëtaren aktuale të Sllovenisë luajnë lojtarë që luajnë në Itali, Gjermani, Holandë, Angli, Portugali, Francë, Rusi, Izrael, pra kanë një grup futbollistësh profesionistë. Nuk duhet të harrojmë faktin tjetër se Sllovenia ka disa trajnerë me emër si Srecko Kataneci, Danilo Popivodën, Bojan Prasnikarin, Branko Oblakun.
![]()
“Salihi po bën një sezon të madh”
Në kampionatin austriak luajnë aktualisht disa lojtarë shqiptarë, Hamdi Salihi, Roland Gërcaliu dhe Atdhe Nuhiu. “Po, për mua Hamdi Salihi është duke bërë një sezon të madh në kampionatin austriak, - thotë Dosti. – “Të luash me Rapidin e Vjenës e të shënosh rregullisht gola për këtë skuadër është një gjë e madhe. Salihi ka bëre sezone të mëdha me Riedin dhe e meriton të jetë pjesë e ekipit më të madh e më të famshëm. Kam parë disa ndeshje të tij në stadium, madje dhe gola të tij. Nuhiu? Është vërtet një lojtar më të ardhme. Është pjesë e Kombëtares austriake U-21 dhe madje Atdhe Nuhiu i ka shënuar edhe dy gola kundër Shpresës së Shqipërisë, pasi të dyja skuadrat ndodhen në të njëjtin grup kualifikues për Kampionatin Europian U-21 2011. Është një djalë i talentuar. Me të vërtetë më duket çudi që Kombëtarja jonë nuk e ka kërkuar atë. Nuhiu ishte fillimisht pjesë e skuadrës së Klagenfurtit, e qytetit ku jetoj, ndërkohë që ka kaluar te SV Ried, pasi Salihi iku të Rapidi i Vjenës”,
Golashënuesit e kuq
Edmond Dosti është një ndër tetë golashënuesit më të mirë historikë të Partizanit, që kanë fituar “Këpucën e artë”, duke u radhitur përkrah emrave të mëdhenj si Refik Resmja (9 herë), Panajot Pano (3 herë), Robert Jashari (3 herë), Agim Murati (3 herë), Loro Boriçi (2 herë), Zihni Gjinali (1 herë), Dorian Bylykbashi (1 herë).
Goli më i bukur
“Janë shumë të tillë dhe të realizuar me mënyra të ndryshme. Një gol që e kam gjithmonë parasysh është i realizuar me rovjeshatë dhe është realizuar kundër Vllaznisë. Por, ia vlen ta kujtoj edhe një super-gol të realizuar kur luaja me Laçin në një takim kundër Erzenit, një gol perfekt për nga realizimi”
"Mungon infrastruktura"
“Në Shqipëri mungon infrastruktura cilësore sportive. Përveç Tiranës e Dinamos, e ndonjë Bese në rrethe, të tjerat nuk kanë fusha stërvitore cilësore. Në Austri edhe skuadra të kategorisë së pestë kanë ambiente stërvitore me fusha më të mira se të vetë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.
“Brezi im”
“Nga brezi im që ka shkëlqyer në Kroaci e Slloveni kanë qenë Kliton Bozgo, Besnik Prenga, Adrian Aliaj, më këtë të fundit kemi shkuar bashkë në një ditë në Kroaci, pasi edhe kishim luajtur bashkë te Partizani. Aliaj shkoi në Belgjikë dhe unë Slloveni. Në Kroaci luajtën edhe Adnan Ocelli dhe Ylli Shehu”.
“Kopje Pipo Inzagi”
“Jam konsideruar nga të gjithë trajnerët si lojtari i lindur për të shtyrë topin në rrjetë. Jam tifoz i Milanit dhe më pëlqen kur më krahasojnë me Pipo Inzagin, por dy nga trajnerët e njohur si Danilo Popivoda dhe Branko Oblaku më cilësonin shpesh si një ‘Panchev’ të ri”.
Ndeshjet me Kombëtaren
“Kam luajtur kur trajner ka qenë Agron Sulaj, Bejkush Birçe, Neptun Bajko dhe Astrit Hafizi. Ndeshja ime i parë është ajo kundër Çekosllovakisë në “Qemal Stafa” (1 maj 1991) për eliminatoret e Kampionatit Europian 1992. Humbëm atë takim 2-0. Luajta si zëvendësues. Gjithsesi, kam luajtur edhe kundër Greqisë në Patra, e më pas edhe kundër Gjeorgjisë, Uellsit dhe Lituanisë”
“Mësova nga Pano”
Edmond Dosti, golashënuesi më i mirë i Partizanit në sezonin 1992-1993, kujton legjendën e madhe të futbollit shqiptar, Panajot Pano, të ndarë nga jeta më 19 janar në Shtetet e Bashkurara të Amerikës: “E kam pasur trajner te Shpresat, kur Pano drejtonte së bashku me Lin Shllakun në vitin 1983. Nga profesor Pano, kështu e thërrisnim ne, kam mësuar shumë gjëra nga futbolli”.
“KËPUCËT E ARTA” TË PARTIZANIT
Sezoni Lojtari Gola
2004/05 Dorian Bylykbashi 24
1992/93 EDMOND DOSTI 21
1978/79 Agim Murati 14
1977/78 Agim Murati 14
1976/77 Agim Murati 12
1969/70 Panajot Pano 17
1964/65 Robert Jashari 14
1963/64 Robert Jashari 9
1962/63 Robert Jashari 18
1961 Panajot Pano 17
1960 Panajot Pano 12
1958 Refik Resmja 6
1957 Refik Resmja 11
1956 Refik Resmja 17
1955 Refik Resmja 23
1954 Refik Resmja ??
1953 Refik Resmja ??
1952 Refik Resmja ??
1951 Refik Resmja 59
1950 Refik Resmja ??
1949 Loro Boriçi 12
1948 Zihni Gjinali 11
8 lojtarë që e kanë fituar bashkërisht në total 22 herë “Këpucën e artë”
20 fituesit e fundit
të “Këpucës së artë”
Sezoni Golashenuesi Klubi Gola
2008/09 Migen Memelli Tirana 22
2007/08 Vioresin Sinani Vllaznia 20
2006/07 Vioresin Sinani Tirana 23
2005/06 Hamdi Salihi Tirana 29
2004/05 DORIAN BYLYKBASHI PARTIZANI 24
2003/04 Vioresin Sinani Vllaznia 36
2002/03 Mahir Halili Tirana 20
2001/02 Indrti Fortuzi Tirana 24
2000/01 Indrit Fortuzi Tirana 30
1999/00 Klodjan Arbëri Tomori 18
1998/99 Artan Bano Lushnja 22
1997/98 Dorian Bubeqi Shkumbini 26
1996/97 Viktor Paco Flamurtari 14
1995/96 Altin Cuko Laçi 21
1994/95 Arben Shehu Luftetari 21
1993/94 Edi Martini Vllaznia 14
1992/93 EDMOND DOSTI PARTIZANI 21
1991/92 Edmir Bilali Vllaznia 20
1990/91 Kliton Bozgo Tomori 29
1989/90 Kujtim Majaci Apollonia 19
Golashënuesit sipas ekipeve
Partizani: 8 lojtarë (22 herë në total)
Tirana: 12/15
Vllaznia: 6/7
Dinamo: 4/9
Tomori: 4/4
Flamurtari: 2/3
Besa: 1/2
Skënderbeu: 2/2
Apollonia: 1/2
Laçi: 1/1
Shkumbini: 1/1
Luftëtari 1/1
Lushnja 1/1
Gjithsej 13 ekipe kanë nxjerrë 41 golashënuesit më të mirë në kampionat
“Këpucat e arta”
9 herë (1 lojtar): Refik Resmja (Partizani)
6 herë (1): Ilir Përnaska (Dinamo)
3 herë (4): Panajot Pano (Partizani), Robert Jashari (Partizani), Agim Murati (Partizani), Vioresin Sinani (Vllaznia)
2 herë (6): Riza Lushta (Tirana), Vasil Ruci (Flamurtari), Kujtim Majaci (Apolonia), Dashnor Bajaziti (Besa), Agustin Kola (Tirana), Indrit Fortuzi (Tirana),
1 herë (29): Mark Gurashi (Tirana), Teli Samsuri (Skenderbeu), Teufik Agaj (Skenderbeu), Xhevdet Shaqiri (Vllaznia), Loro Borici (Partizani), Enver Shehu (Tirana), Skender Jareci (Dinamo), Stavri Lubonja (Dinamo), Saimir Dauti (Dinamo), Medin Zhega (Vllaznia), Skender Hyka (Tirana), Perparim Kovaci (Tomori), Arben Minga (Tirana), Edmond Dosti (Partizani), Klodjan Arberi (Tomori), Vaslli Fakja (Vllaznia), Petrit Dibra (Tirana), Altin Cuko (Laci), Arben Shehu (Luftetari), Kliton Bozgo (Tomori), Artan Bano (Lushnja), Dorian Bubeqi (Shkumbini), Viktor Paco (Flamurtari), Edmir Bilali (Vllaznia), Edi Martini (Vllaznia), Dorian Bylykbashi (Partizani), Mahir Halili (Tirana), Hamdi Salihi (Tirana), Migen Memelli (Tirana)
Futbollistët kampionë me ekipet e huaja
1. Naim Kryeziu, Roma, Itali, 1941-42
2. Roland Agalliu, Universitatea Craiova, Rumani, 1990-91
3. Eduart Abazi, Hajduk Split, Kroaci 1991-92
4. Sulejman Demollari, Dinamo Bukuresht, Rumani 1991-92
5. Perlat Musta, Dinamo Bukuresht, Rumani 1991-92
6. Edmond Dosti, Olimpija Ljubljana, Slloveni 1994-95
7. Hysen Zmijani, Al-Nasr Ryadh, Arabia Saudite 1994-95
8. Alban Bushi, Liteks Lovec, Bullgari, 1997-98, 1998-99
9. Viktor Paço, Maribor, Slloveni 1996-97, 1997-98
10. Fotaq Strakosha, Olympiakos, Greqi, 1996-97
11. Mehmet Dragusha, Maribor, Slovenia 1998-99
12. Besnik Hasi, KRC Genk, Belgjikë 1998-99, Anderleht Belgjikë 2000-01
13. Altin Haxhi, Liteks Lovec, Bullgari, 1998-99, Apoel Qipro, 2008-2009
14. Geri Çipi, Maribor, 1998-99, 1999-00
15. Kliton Bozgo, Maribor, Slloveni, 1998-99, 1999-00
16. Klodian Arbëri, Maribor, Slloveni 2000-01
17. Albert Duro, Steaua Bukurresht, Rumani, 2000-01
18. Ervin Fakaj, KRC Genk, Belgjikë, 2001-02
19. Erion Rizvanolli, NK Zagreb, Kroaci, 2001-02
20. Ridvan Zeneli, HJK Helsinki, Finlandë, 2003
21. Besnik Hasi, Anderleht, Belgjikë, 2003-04
22. Elton Shabani, Domagnano, San Marino, 2004-05
Burimi: Albania-sport.com
Krijoni Kontakt