Judah: 'Kosova ka ngecur në vend'
Tim Judah
'Autoritetet kosovare nuk po bëjnë politikë pro-aktive'
Ndërsa kanë kaluar dy vjet nga pavarësia e Kosovës kritikët thonë se pas inercisë së pavarësisë, vendi duket se ka ngelur në vend.
Në një intervistë për BBC-në, publicisti britanik Tim Judah i cili ka shkruar librin 'Kosova: Luftë dhe Hakmarrje', thotë se autoritetet kosovare nuk po bëjnë "një politikë pro-aktive", siç e quan ai, për promovimin e vendit duke e lënë këtë në dorë të të huajve.
Ai thotë se Kosova ka ngecur në vend edhe për sa i përket ekonomisë, dhe krijimit të vendeve të punës.
Ilir Nishku bisedoi me zotin Judah dhe fillimisht e pyet nëse gjerat kanë ecur me shpejtësinë e duhur për Kosovën dy vjet pas pavarësisë.
BBC: Dy vjet pas pavarësisë, a mendoni se gjërat kanë ecur me shpejtësinë e duhur për Kosovën?
Tim Judah: Një vit më parë do të thoja, po, gjërat kanë shkuar përgjithësisht shumë mirë, duke marrë parasysh parashikimet shumë të errëta se çfarë mund të ndodhte pas pavarësisë, ndërsa njerëzit flisnin për një valë të re refugjatësh, për një konflikt të ri.
Por tani, pas dy vitesh, mendoj se ekziston një ndjenjë që Kosova thjesht ka ngecur në vend dhe nuk po ecën me të vërtetë.
Duket se ka një ndjenjë inercie për Kosovën, nuk duket se ka ndonjë vizion strategjik se çfarë duhet të bëjë më pas dhe qeveria e saj nuk po bën sa duhet, apo mjaftueshëm, për të krijuar vende pune, apo për të tërhequr investime.
Sigurisht, që nuk është e lehtë, por më është krijuar përshtypja që Kosova duket se ka ngecur në vend dy vjet pas pavarësisë.
BBC: Kur i pyet autoritetet kosovare 'pse gjërat nuk po shkojnë kaq mirë në ekonomi, apo në krijimin e vendeve të punës', një nga arsyet që japin është për shkak se çështja e statusit nuk është zgjidhur ende në mënyrë përfundimtare, - ata po presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë - dhe mendojnë se vendimi i gjykatës do të përshpejtojë gjerat. A mendoni ju se vendimi i Gjykatës do të ndikojë, çfarëdo që të jetë ai?
Tim Judah: Ndjenja ime është se autoritetet e Kosovës nuk janë pro-aktive sa duhet. Vitin e shkuar unë bisedova me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, dhe ai më tha se vitin e shkuar ai kishte shpenzuar 700 orë në aeroplan, pra rreth dy orë në ditë.
E di që nuk është njëlloj dhe është e vështirë, por a kalon ministri i Jashtëm i Kosovës dy orë në ditë, çdo ditë, duke fluturuar nëpër glob për të promovuar Kosovën dhe a bëjnë të njëjtën gjë ministrat e tjetër kosovarë?
E kuptoj se Serbia ka një diplomaci më me eksperiencë, por ndryshimi i madh midis Serbisë e Kosovës është se Serbia ka një politikë pro-aktive për të bërë diçka, ndërsa me kosovarët duket se ata janë tepër të gatshëm që të lënë të tjerët të bëjnë diçka, duke pritur që amerikanët apo britanikët të bëjnë diçka për ta.
Nëse je në Kosovë, ajo të duket e madhe, por krahasuar me botën, po të kihen parasysh çështje si Irani apo Afganistani, Kosova nuk është aq e rëndësishme. Pra, është e mundur të shkosh dhe të promovosh biznesin apo edhe njohjen.
BBC: Ju thatë se Serbia punon fuqishëm kundër pavarësisë, por a nuk mendoni se përpjekjet e tyre janë të kota? Ata nuk mendojnë se kanë për marrë Kosovën përsëri, apo jo?
Tim Judah: Jo, nuk e mendoj këtë në asnjë moment. Por nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre. Nuk mendoj që një qeveri serbe të ketë ndonjë synim që të sundojë dy milion shqiptarë armiqësorë ndonjëherë përsëri. Nuk mendoj se ky është qëllimi.
Qëllimi, mendoj unë, është që ta manovrojnë Kosovën në një pozicion që Kosova të jetë e detyruar të negociojë, jo që Kosova të vendoset përsëri nën sundimin e tyre, por që të vijë në një pozicion drejt ndonjë ndarjeje apo shkëmbimi territoresh. Dhe në fund të fundit, nuk është se kjo nuk është tërheqëse për njerëzit në Luginën e Preshevës.
Një nga udhëheqësit në Luginën e Preshëves tha vetëm javën e shkuar, nëse nuk e kam gabim, se nëse Mitrovica e Veriut nuk do të jetë nën sundimin e Kosovës, pse duhet të jetë Presheva në sundimin serb.
Mendoj se ky është synimi. Nuk mendoj se ata do ta arrijnë këtë, në afat të shkurtër apo të mesëm, por ai është qëllimi, jo që të marrin përsëri Kosovën.
BBC: Pra siç e thatë edhe ju, a janë këto ide të zbatueshme, po të kihet parasysh se Perëndimi është fuqishëm kundër tyre, madje edhe udhëheqësit kosovarë shprehen kundër kësaj?
Tim Judah: Nuk e di nëse kosovarët janë kundër kësaj, udhëheqësit kosovarë thonë që janë kundër kësaj, se jam i sigurt se do të krijonin probleme me amerikanët, apo të tjerët, p.sh, nëse thonin diçka tjetër, por nuk e dij nëse ata e besojnë këtë me të vërtetë.
BBC: Po Perëndimi. Çfarë mendon Perëndimi për këtë?
Tim Judah: Në terma të përgjithshme, jo, ata nuk duan që kjo të ndodhë. Por ata nuk duan që kjo të mos ndodhë për shkak të Kosovës apo Serbisë. Ata nuk duan që kjo të ndodhë për shkak të pasojave të mundshme në Maqedoni dhe Bosnjë. Ky është problemi. Nëse Serbia dhe Kosova do të ishin në një ishull, dhe mos të kishin lidhje me të tjerë, nuk e besoj se të tjerët do të shqetësoheshin sado pak.
BBC: Kohët e fundit po bëhen përpjekje në Kosovë për ta afruar veriun, për ta integuar atë me Kosovën. A mendoni ju se është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër, komuniteti serb në Kosovë të harrojë çështjen e pavarësisë dhe të mendojë më shumë për jetën e përditshme?
Tim Judah: Mendoj se duhet të veçojmë veriun e Kosovës nga enklavat serbe. Mendoj se në enklava ka një vetëdije se, që të mbijetojnë ata duhet të bëjnë biznes me Prishtinën, por kjo nuk mund të ndodhë me Veriun. Nuk mendoj se Veriu mendon edhe për një sekondë të vetme për këtë, sepse nuk ka qenë pjesë e Kosovës në asnjë kuptim që nga viti 1999.
BBC: A mendoni se me kalimin e kohës plagët mund të shërohen?
Tim Judah: Është një pyetje interesante dhe mendoj se është e mundur. Interesante është në fakt, se, megjithë të gjitha ato që kanë ndodhur, megjithëse kanë qenë pak negativë në vitet e fundit, në një farë mënyrë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës nuk kanë qenë aq keq.
Çfarë dua të them me këtë? Për shembull, në takimet rajonale që janë shumë të rëndësishme për Serbinë dhe shumë të rëndësishme për Kosovën, të dy vendet janë në përgjithësi atje së bashku.
Sigurisht që ka gjithnjë argumenta, a do të përfaqësohet si Republika e Kosovës apo nën Rezolutën e OKB-së 1244, apo asnjëra prej tyre, por fakt është se për shumë gjera të rëndësishme Kosova dhe Serbia janë të përgatitura të ulen së bashku në të njëjtën dhomë dhe të bëjnë gjera së bashku.
Kjo është një shenjë e mirë, nëse e krahason me një vend tjetër të ndarë si Qiproja ku ata thonë. 'Harrojeni - nuk do të bëjmë asgjë së bashku!'. Pra, krahasur me qipriotët grekë dhe turq, kosovarët dhe serbët janë në fakt në një pozitë më të përparuar në një periudhë shumë më të shkurtër kohore.
Pra, a do të shërohen plagët me kalimin e kohës?! Si tju them, unë nuk kam në dorë globin e kristaltë, por do të thoja se ka shenja të mira që të dyja palët mund të vazhdojnë të kënë marrëdhënie dhe të kalojnë në një fazë tjetër marrëdhëniesh, kur ata ta pranojnë se nuk janë dakord për shumë gjera, por të bëjnë biznes ditë pas dite, marrëdhënie që nuk janë të mundshme në vende të tjera, si p.sh Qiproja.
bbc
Krijoni Kontakt