-
Ligjet miratojnë fondin special për kompensimin e pronarëve
Komisioni i Ligjeve miratoi nen për nen projektligjin "për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", i cili ndryshon mënyrën e kompensimit financiar të ish-pronarëve. Projektligji parashikon kompensimin financiar të ish-pronarëve, jo në mënyrë të menjëhershme, por mbi bazën e afateve të ndryshme kohore, afate që do të përcaktohen nga Ministria e Financave. Ky fond do të vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Me ndryshimet që paraqet ky projektligj, fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuar pritet të rritet ndjeshëm. Drafti që i hap rrugën krijimit të një fondi special për këtë qëllim, do të përshpejtojë gjithashtu procesin e kompensimit financiar duke i dhënë më shumë kompetenca agjencisë që merret me këtë proces. Projektligji parashikon krijimin e një fondi të veçantë për kompensimin, në të cilin përveç fondeve të buxhetit do të përfshihen edhe të ardhurat nga privatizimet dhe donacionet. Kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, i pranishëm gjatë diskutimit të këtij ligji, në mbledhjen e radhës së komisionit parlamentar tha se ndryshimet e parashikuara në këtë ligj i japin zgjidhje dy çështjeve kryesore. Sipas tij, së pari fondet buxhetore për kompensimin e ish-pronarëve nuk do të digjen në fund të vitit, por ato do të mblidhen në një fond special, i cili do të përdoret në çdo kohë për kompensimin e ish-pronarëve dhe së dyti, fondet për AKKP, parashikojnë të rriten nga viti në vit, sepse, vijoi Cefa, fondeve buxhetore parashihet t'u bashkohen edhe fondet nga privatizimet si dhe nga donatorët e ndryshëm. Shefi i AKKP-së tha se për vitin 2010, fondi i vënë në dispozicion të ish-pronarëve arrin në vlerën e 700 milonë lekëve ose 100 milionë lekë më shumë se viti i kaluar. Ndërkohë, procesi i kompensimit nuk ka nisur ende. Ky proces, shpjegoi Cefa, do të fillojë zbatimin menjëherë pas miratimit të një VKM, i cili do të përcaktojë procedurat dhe kriteret e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve. Sipas draftit, qeveria ka përcaktuar një llogari të posaçme bankare, që administrohet nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për burimet e fondit të pronave, qeveria parashikon pesë të tilla: të ardhurat buxhetore ku përfshihen, të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore. Në bazë të arkëtimit të të ardhurave, qeveria, me propozim të ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve dhe parashikon shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Ndërsa kompensimi i ish-pronarëve për pronën e tyre në zonat informale do të kushtëzohet nga pagesa që do të bëjnë banorët, që do të legalizojnë truallin e ri të shtëpisë së ndërtuar në rrugë jo ligjore. P/ligji përcakton se ky fond i akumuluar dhe i papërdorur nuk digjet sipas ligjit për "Buxhetin faktik", por mbartet për llogari të vitit të ardhshëm. Llogaritë e fondit special të kompensimit të pronave paraqiten në Kuvend së bashku me buxhetin faktik. Në këtë llogari do të kanalizohen të gjitha të ardhurat për kompensimin financiar të pronarëve jo vetëm fondet që mbërrijnë nga procesi i legalizimit apo privatizimet, por dhe nga donacionet. RD
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt