Njejte shum pak ka ndryshuar mos me than hiq.
1000 zogj pula,kunder nje LUANI.
Misioni për përralla
Në ditët e fundit të jetës së tij në këtë botë Enver Hoxhën s’e zinte gjumi. Shokët dhe shoqet e Partisë Komuniste të Shqipërisë po ashtu s’i zinte gjumi – nga shqetësimi pse Enver Hoxhën s’e zinte gjumi. U mblodh me nguti Byroja Politike dhe vendosi t‘ia gjejë një përrallaxhi (përrallëtar, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe) xhaxhit Enver. Përrallaxhiu vinte çdo natë dhe i tregonte mesele shokut diktator, derisa këtë e zinte gjumi qetësisht. Një natë përrallëtari u vonua dhe Hoxha u zemërua. Kur hyri në rezidencën e Shefit të Madh përrallaxhiu tha se ishte vonuar për shkak se e kishte zënë shiu rrugës, e rruga, siç tha hapur, është e keqe, e arnuar, shpesh vështirë e kalueshme. Pasi e dëgjoi këtë shpjegim, Enver Hoxha ndërhyri i nevrikosur: „Një ditë të gjitha rrugët e Shqipërisë do të jenë të shtruara me qilima të kuq“. Përrallaxhiu sypatrembur si me humor ia ktheu: „Shoku Enver, mos t’i ngatërrojmë rolet: Unë jam ai që tregon përralla këtu“.
Kjo anekdotë nga Shqipëria komuniste është e vlefshme edhe sot. Për shembull në Kosovë, sidomos kur i dëgjon duke folur dinjitarët e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX). Që gati dy vjet flasin për sundim të ligjit, për luftim korrupsioni, për rrezikun që vjen nga krimi i organizuar, flasin edhe për nevojën urgjente që Kosova të jetë shtet funksional. Ka ardhur koha që këtyre bjerraditësve populli i Kosovës t’u thotë: „Sa për përralla i kemi politikanët tanë, mos na lodhni bile ju nga Evropa Perëndimore“. E kemi edhe televizionin publik, pardon shtetëror, ku raportet dhe lajmet qethen dhe përgatiten sipas porosive me SMS të politikanëve. Janë edhe disa gazeta e gazetarë, që shërbejnë si dorë e zgjatur e pushtetit dhe jo si zëdhënëse të publikut. Pra, në Kosovë ka shumë përrallaxhinj, nuk duhet të importohen të tjerë nga Evropa, edhe pse këta mund të jenë më të sofistikuar.
Para pak kohësh kryeprokurori i EULEX-it, Theo Jacobs, tha se janë duke u hetuar „peshqit e mëdhenj“ dhe paralajmëroi arrestime. Pastaj doli e i ra moh fjalës së tij. Duke e ditur se peshku qelbet nga koka, në rastin e EULEX-it po shihet se problemet qëndrojnë te krerët e këtij misioni. Ta analizojmë, për shembull dhe shumë shkurt, veprimtarinë e gjeneralit Yves de Kermabon. Dëftesa e bëmave të tij në Kosovë është pothuaj e zbrazët. Ka prodhuar ajër të ngrohtë me disa fraza tashmë bajate për domosdoshmërinë e sundimit të ligjit. Sheshit shihet se ka qenë gabim i madh i përgjegjësve të Bashkimit Evropian në Bruksel që si shef i Misionit në Kosovë të emërohet një gjeneral pa asnjë përvojë në shtetndërtim dhe në projekte civile. Franca, vendi i lirisë, barazisë dhe vëllazërimit, vend i diplomatëve me përvojë, sigurisht ka pasur kandidatë të tjerë për të dërguar në Kosovë. Si pikë shndritëse në karrierën e tij Kermabon mund të përmendë pjesëmarrjen në operacionin „Barracuda“ në vitin 1979, përmes të cilit arriti të rrëzojë nga pushteti regjimin e Jean-Bédel Bokassas në Republikën Qendrore të Afrikës. Prejse Kermabon ka ardhur në Kosovë në qarqet diplomatike flitet për raportet e tensionuara të tij me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe përfaqësuesin e veçantë të BE-së në Prishtinë, Pieter Feith. Arsyeja e tensionimit është sa qesharake aq edhe jobefasuese: një gjeneral francez nuk pranon asnjë urdhër apo këshillë nga një diplomat holandez. Çka është Holanda për Francën! Në vend të bashkëpunimit të ngushtë mes dy misioneve të BE-së në kurrizin e Kosovës zhvillohet një grindje, e cila e ka burimin te egoja e një gjenerali francez.
Taksapaguesit në Evropë, Këshilli i Ministrave dhe parlamentarët evropianë duhet ta dinë se Misioni më i madh i politikës së jashtme në historinë e BE-së, pra EULEX-i, vetëm është duke e menaxhuar status quo-në në Kosovë, pa bërë ndonjë punë të hairit. Duhet ta dinë në Bruksel – dhe për këtë ka dëshmitarë – se prokurorë të EULEX-it prej zyrave të tyre, përmes telefonit, u japin udhëzime personave të (pa)njohur se ku duhet të shkojnë të blejnë kondomë në Prishtinë. Nëse ky është prioritet i punës së EULEX -it, atëherë është mirë që populli i Kosovës të jetë i njoftuar, që të hapet së paku një fabrikë kondomësh. Vetëm për 16 muajt e parë për funksionimin e EULEX-it nga buxheti i BE-së janë ndarë 205 milionë euro. Përveç veturave të shtrenjta, të cilat zyrtarët e EULEX-it i parkojnë në trotuare, ky mision praktikisht nuk është i pranishëm. Java e shumë zyrtarëve fillon të martën, pasi të hënën pushojnë nga udhëtimi i fundjavës (në Selanik, Dubrovnik, Kotor), dhe përfundon të premten në mesditë, kur me vrap nisen ose drejt Greqisë ose drejt Aeroportit të Prishtinës me bindjen se duhet të largohen pak nga fisi tribal shqiptaro-kosovaro-multietnik. Kjo armatë zyrtarësh evropianë nuk i ndihmon Kosovës, por vetvetes. Kur u instalua EULEX-i në Kosovë shumë analistë të konflikteve dhe akademikë perëndimorë u entuziazmuan se tani, më në fund, Bashkimi Evropian po dërgonte një mision që do të rregullonte funksionimin e shtetit. Dy vjet më vonë këta akademikë mund të konstatojnë se EULEX-i ka shkruar shumë raporte të gjata, ka harxhuar shumë letër dhe në këtë mënyrë vetëm i ka dëmtuar pyjet.
Si rast grotesk për ilustrimin e krejt dështimit të EULEX-it mund të shërbejë i ashtuquajturi „rasti Bllaca“. Siç e dimë, Xim Bllaca doli në mes të rrugës dhe tha se ka marrë pjesë në 17 vrasje, tentativë vrasjeje, „plagesa“ (!) dhe sulme. Ai tha se ishte i gatshëm të shkojë në burg. E EULEX-i i tha: „Shko në shtëpi“. Këtu matet serioziteti i një misioni për sundimin e ligjit. Detyrë e tij është të sqarojë këtë rast. Populli i Kosovës duhet ta dijë: A është Bllaca dëshmitar dhe doras apo përrallaxhi, sikur ai tipi i Enver Hoxhës? Përgjigje duhet të japin institucionet e drejtësisë. Kur nuk japin ato përgjigje, atëherë s’mbetet gjë tjetër pos të brohorisim të gjithë së bashku: „Anarki, mirë se vjen“!
Taksapaguesit në Evropë, Këshilli i Ministrave dhe parlamentarët evropianë duhet të kërkojnë nga EULEX-i vendosmëri në luftimin e çdolloj kontrabande. Mos të presin se në këtë luftë, e cila duhet të nisë një ditë, do ta kenë aleate klasën e tanishme politike. Udhëheqësit e shtetit janë të zënë me biznese (i)legale, për njërin po punojnë djemtë, për tjetrin vëllezërit. Llogaria po del e majme. Xhepat po mbushen. Çfarë flasin publikisht liderët nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Për shembull thonë që Kosova do të jetë shtet modern, se do të luftojë këtë të keqe e atë krim. Por, askush nuk flet kur në një shtet të Evropës Perëndimore dënohen disa shqiptarë nën akuzën se nga një qytet i Kosovës (jo larg Prishtinës) kanë bërë kontrabandë nëpër Evropë hiç më pak se dy tonelata drogë. Taksapaguesit në Evropë, Këshilli i Ministrave dhe parlamentarët evropianë duhet të ballafaqohen me këtë pyetje: A dëshironi të keni një kancer të krimit në Evropë? A dëshironi t’i besoni një policie që drejtohet nga Sheremet Ahmeti, i cili i bën poza opinionit me veturën e tij të re, të blinduar, të shtrenjtë, të bukur, të shpejtë? E, njëkohësisht ai nuk detyrohet të largohet nga posti për shkak të skandalit të padëgjuar në historinë e re të policive të rajonit: vjedhjen e drogës dhe dëshmive nga Komanda e Policisë!
Sigurisht patriotët e mbufatur sërish do ta akuzojnë Serbinë për të gjitha këto të liga! Fundja, a nuk ka edhe ky vend fqinj probleme me kontrabandën me drogë. Pa dyshim që ka. Megjithatë, diçka po lëviz në Serbi, ministri i Brendshëm së fundi i ka urdhëruar dy mijë policë të zhvillojnë një aksion kundër dilerëve të drogës. Policia po konfiskon pronat e narkobosëve. Në Kosovë diçka e tillë nuk po ngjet. Madje ka edhe diplomatë të Kosovës që deri dje kanë bredhur kot nëpër Evropë, të cilët thonë: „Krimi i organizuar është pjesë e zhvillimit të shoqërisë. Shikojeni Shqipërinë!“ Shumë mirë. Që tani populli i Kosovës mund të gëzohet me këtë specie diplomati: Ai do ta përfaqësojë Kosovën si i ka hije! Dhe nëpër kafene do të shesë dardha të kalbura patriotike, kur shtypi i pavarur i Evropës prek plagët e hapura të Kosovës, për të cilat po flet edhe ambasadori i Amerikës në Prishtinë. Por, përherë është më lehtë të sulmohen gazetat e Evropës sesa të kritikohet ambasadori amerikan. Në fund të mandatit të tij kryetari kroat, Stjepan Mesiq, kishte këtë porosi për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit: Mos prisni sikur në 15 vjet për të luftuar korrupsionin në nivele të larta, sepse çmimi që do të paguani do të jetë i tmerrshëm. Mesiqi që një javë është në pension. Ndoshta Yves de Kermabon do të duhej ta angazhonte si këshilltar. Kështu siç është EULEX-i më tepër është pjesë e problemit sesa e zgjidhjes së çështjeve me rëndësi për Kosovën.
Shkruan: Enver Robelli
.Para pak kohësh kryeprokurori i EULEX-it, Theo Jacobs, tha se janë duke u hetuar „peshqit e mëdhenj“ dhe paralajmëroi arrestime. Pastaj doli e i ra moh fjalës së tij. Duke e ditur se peshku qelbet nga koka, në rastin e EULEX-it po shihet se problemet qëndrojnë te krerët e këtij misioni
autor i punimit:
Jeton Mikullovci (Koha Net)
Me "rrjetën" e vet EULEx-i,as fluturat spo mund t'i zen...prandaj qeshin peshqit e m'dhenj!
Ndryshuar për herë të fundit nga Harudi : 24-02-2010 më 19:27 Arsyeja: komenti i karikaturës
Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)
Lista e injorimit: Llapi
Kur Qeveria (s)e mban fjalën e dhënë
Nysret Ismajli
Çfarë kompjuterizimi të shkollave!
Ditë më parë kemi qenë dëshmitar të protestave dhe formave të tjera të pakënaqësive të punonjësve që marrin pagat e tyre nga buxheti i Kosovës. Këto pakënaqësi erdhën si pasojë e premtimeve që kohë më parë i kishte dhënë shefi i Qeverisë së Kosovës z. Hashim Thaçi. Si duket Qeveria këtë herë bëri një zgjedhje emergjente për këta punonjës të cilët ishin këmbëngulës në kërkesat e tyre për rritjen e pagave, është fjala këtu për punëtorët shëndetësor dhe për Policinë e Kosovës.
Në fillim të qeverisjes së kabinetit Thaçi, shefi i MASHT-it ministri Enver Hoxhaj i përkrahur nga kryeministri Thaçi pati thënë që pagat e arsimtarëve do të jenë të dinjitetshme dhe të gjithë këta do të trajtohen si punonjës shtetëror. Këto mbetën vetëm premtime, nuk u bë asgjë nga MASHT-i për pozitën materiale të mësimdhënësve. Nuk u rregulluan kushtet e punës të mësimdhënësve, edhe ato shkolla që janë ndërtuar për hir të syrit të kamerës menjëherë kanë filluar të prishen si pasoj e ndërtimit të tyre me material të dobët dhe pa një planë të mirëfilltë për t’ju përshtatur nxënësve dhe arsimtarëve për mësimdhënie dhe mësim-nxënie cilësore. Sot të gjitha vendet e rajonit e kanë një sistemin arsimorë më të avancuar dhe me cilësor se vendi ynë. Te ne akoma është në përdorim shkumësi nga gëlqerja si mjet për të shkruar ne të ashtuquajturën dërrasë e zezë. Mbase duhet ta din MASHT-i që ka kohë që në të gjitha vendet e rajonit janë në përdorim tabelat e bardha dhe mësimdhënia bëhet me projektor dhe kompjuter. Viti 2008 ishte shpallur nga Ministri Hoxhaj si vit i kompjuterizimit të shkollave. Nuk e di se çfarë kompjuterizimi të shkollave keni bërë dhe se çfarë quani ju kompjuterizim. Po jetojmë në një kohë kur teknologjia ka ecur shumë përpara ndërsa jemi shumë të brengosur që arsimi në Kosovë ka stagnuar e në disa raste edhe ka shkuar mbrapa. Pozita materiale e arsimtarëve është shumë e keqe, për veç kushteve të tyre materiale ata sot punojnë në ambiente që rrezikohet shëndeti i tyre dhe i nxënësve të tyre. Këtë herë Qeveria do ta ketë shumë të vështirë sepse organizimet e mësimdhënësve për një protestë veç kanë filluar, dhe do të jenë shumë këmbëngulës në qëndrimet e tyre për trajtimin më të mirë të tyre. Mësimdhënësit e Kosovës ndihen të mashtruar nga kjo Qeveri dhe fatkeqësisht nuk trajtohen të gjithë njësoi, por këta mësimdhënës trajtohen në mënyra të ndryshme edhe nga regjionet e ndryshme sepse disa Komuna të Kosovës kanë objekte më të mira shkollore dhe nuk kanë probleme të natyrës që kanë disa arsimtarë në disa Komuna që mungon përkujdesja e kësaj Qeverie. Më të mashtruarit janë mësimdhënësit e Komunës së Podujevës të cilët që nga shtatori i vitit 2008 janë përballur me probleme për pagat e tyre. Vitin e kaluar shkollor, 74 mësimdhënës nga kjo Komunë patën mbetur pa pagat e tyre për 9 muaj rresht për shkak siç është thënë nga MASHT-i se janë punëtor të tepërt. Po në këtë vit shkollor që nga shtatori këtij viti, Qeveri pati urdhëruar që asnjë nxënës të mos mbetet pa u regjistruar në Shkollën e mesme të lartë, vërtetë kështu ndodhi edhe në Komunën e Podujevës, u formuan klasë të reja u pranuan mësimdhënës të ri për këto klasë dhe ata, që nga shtatori edhe pse ja bëjnë mundin punës së tyre nuk marrin pagat për të cilat punojnë. Këtu është fjala rreth 30 mësimdhënës të Podujevës që nuk janë përfshirë në listën e pagave nga MASHT-i. Për dikë kjo do të dukej absurde, por është realitet për mësimdhënësit llapjan që nuk marrin pagat e tyre që nga fillimi i këtij viti shkollor sepse nga MASHT-i thonë që kjo komunë ka kaluar limitin e numrit të mësimdhënësve. Kjo duhet kuptuar se llapjanët nuk duhet të shkollohen të gjithë dhe duhet t’i caktohet një limit se sa nxënës duhet të jenë në bankat shkollore!
Të gjithë e dimë që janë pikërisht arsimtarët që kanë punuar pa paga në periudhën e para vitit 1999. Arsimtarët në çdo etapë kanë dhënë kontributin kryesor për t’i kontribuar këtij vendi. Duhet ta dinë Qeveria se ka kaluar kjo kohë, ditë më parë festuam dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Kosovarët nuk kanë ndërtuar kulturë të pavarësisë
Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje sivjet. Kjo gjë është tash pothuajse e sigurt. Jo pse koalicioni është stabil. As pse kosovarët janë lodhur nga zgjedhjet lokale që kanë zgjatur gjysmë viti, së bashku me fushatë dhe me ankesa e parashtresa, por për shkak se ambasadori amerikan në Prishtinë ka thënë se „nuk do të ishte mirë të ketë zgjedhje këtë vit“. A ka dashur ambasadori amerikan të thotë një mendim të vetin, një vlerësim joformal apo diçka tjetër pak ka rëndësi. Në Kosovë kjo është kuptuar si „Kështu do Amerika“ dhe pikë, s’ka kush e luan më, pra s’ka zgjedhje sivjet. Ky është vetëm një shembull, paksa më i freskët, për të dëshmuar se në Kosovë nuk ka kulturë të të qenit shtet. Kur politikanët e Kosovës mendojnë vetëm si të gjejnë sponsorë ndërkombëtarë, qoftë për ndonjë rrugëtim jashtë vendit apo për të mbrojtur pozicionet e tyre brenda Kosovës, kur qytetarët e Kosovës thonë se “shpresën e vetme e kemi tek faktori ndërkombëtar, sepse me këta politikanë që kemi ne s’kemi ardhmëri“, kjo dëshmon se as politikanët e as qytetarët nuk e kanë kuptuar se Kosova është shtet, së paku me vullnetin e popullit të tij e kanë shpallur politikanët dhe si të tillë e kanë njohur shtetet kryesore të botës.
Është e vërtetë se Kosova nuk ka pavarësi të plotë dhe se pavarësia e saj është nën mbikëqyrje ndërkombëtare. E kjo mbikëqyrje ndërkombëtare, tash për tash, ka qenë vërtet mbikëqyrje. Mbikëqyrësit vetëm kanë mbikëqyrur dhe kanë prodhuar raporte. Në shumicën e rasteve jo të mira për Kosovë, kanë nënvizuar shkelje, prej shkeljes së rregullave të prokurimit (që përkthyer në shqip është vjedhje e majme e parave të popullit të varfër) e deri tek shkelja e lirisë së shprehjes. Nuk kanë ndërmarrë ndonjë gjë këtu „mbikëqyrësit“, sepse roli i tyre parësor është për të mbikëqyrur. Por roli i dytë i disa prej mbikëqyrësve është edhe të ndërhyjnë. Dhe mungesa e kësaj ndërhyrjeje në disa raste i ka bërë qytetarët e Kosovës të fillojnë të dyshojnë edhe në praninë ndërkombëtare. Tash në Kosovë, ku janë përzier aq shumë „pushtete“ nuk dihet më se kush është përgjegjës për çka. Nëse pyeten ata që në Kosovë quhen „ndërkombëtarë“ atëherë përgjegjës për të gjitha të këqijat janë politikanët e Kosovës dhe shoqëria e pazhvilluar e Kosovës, e cila, siç po na thonë „ka ndërtuar korrupsionin si vlerë shoqërore e jo si dukuri negative“. Nëse pyeten politikanët e Kosovës, ata që janë në pushtet “askush nuk ka faj për asgjë në Kosovë, sepse në Kosovë nuk po ndodh asgjë e keqe, por vetëm suksese të mrekullueshme“. Nëse pyeten qytetarët atëherë përgjegjës janë politikanët e Kosovës për keqpërdorime, vjedhje dhe moskryerje të duhur të detyrave të tyre karshi popullit dhe përgjegjës janë edhe „ndërkombëtarët“, të cilët, nëse duan, mund të ndërmarrin masa. E pastaj „ndërkombëtarët“ u thonë kosovarëve se „ne nuk ua kemi zgjedhur këta politikanë, i kemi gjetur në mesin tuaj dhe i keni votuar ju“. Në një mënyrë krejt kjo situatë në Kosovë, me KFOR e EULX, me Polici të Kosovës e me Forca Kosovare të Sigurisë, me Qeveri dhe ICO e EUSR, është bërë sikur ajo thënia e famshme e përkthyer nga gjuha angleze se „nga drunjtë e shumtë nuk mund të shihet pylli“.
Çka ka ndryshuar nga pavarësia e deri më sot. Shumë pak. Politikanët e Kosovës ende duhet të merren vesh me zyrat kryesore ndërkombëtare kur duhet të vënë ndonjë veprim. Kërkojnë nga ato zyra mendime edhe kur nuk ka nevojë. Kjo tregon mungesën e guximit të tyre dhe mungesën e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi. E bëjnë këtë edhe për të ndarë përgjegjësinë, sepse mund të arsyetohen lehtë duke thënë: „kështu duan miqtë tanë ndërkombëtarë“. E kur „miqtë tanë ndërkombëtarë“ tërheqin vërejtjen për korrupsion dhe përzierje të politikës në krimin e organizuar, atëherë politikanët e Kosovës disi bëhen të shurdhër.
Kultura e varësisë, e cila është ndërtuar gjatë periudhës së administratës së UNMIK-t paska qenë aq e rrënjosur në shoqërinë kosovare saqë as dy vjet prej shpalljes së pavarësisë kosovarët nuk janë mësuar se vetë janë pik së pari përgjegjës për vendin e tyre e jo të presin që për çdo gjë të vendosin diplomatët e huaj.
Për shkak se Kosova krejt fatin e saj ia ka lënë në duar „miqve ndërkombëtarë“ dhe vetë udhëheqësit kosovarë nuk kanë bërë asgjë, dhe atë që kanë bërë ka qenë më shpesh në dëm sesa në dobi të Kosovës, për këtë shkak edhe Kosova sot është ku është, me vetëm 65 njohje ndërkombëtare, me qytetarë që rrezikojnë jetën për të ikur drejt Evropës Perëndimore, me hezitim të investuesve të huaj që nuk duan të japin përqindje politikanëve për të hyrë në biznese në Kosovë, me papunësi kaq të madhe.
Askush nuk sugjeron që Kosova të mos koordinojë veprimet e saja me shtetet kryesore që janë sponsoruese të lirisë dhe pavarësisë së saj. Por vetë Kosova duhet të piqet dhe të japë shenja edhe vetë se mund të funksionojë si shtet i pavarur. Shenjat e tilla, dhe kultura e pavarësisë, kanë munguar deri tash.
Shkruan: Augustin Palokaj
Zero tolerancë për liderët
Javën e kaluar në Prishtinë festuam dy vjet prej se Kosova u bë shtet. Në rrugët e kryeqytetit kishte festime - tipike për Ballkanin, me aromën e pashmangshme të qebapëve dhe qoftereve dhe zërin e thumbimit të farave dhe të pop-turbo-folk muzikës në mënyrën shqiptare – edhe pse për shumicën e njerëzve dihet se nuk janë edhe aq të kënaqur me atë që këto dy vite na kanë sjellë. Posaçërisht kur njerëzit i kujtojnë malet e premtimeve përmbushjen e të cilave na ofronin dhe garantonin zemërhapur liderët e shtetit tonë të ri vetëm para dy vitesh.
E premtime ka pasur, së tepërmi: prej ekspres-rilindjes ekonomike me rritjen që Kosovën do ta shndërrojë në Zvicër të re, model për tërë rajonin, e edhe për Evropën, deri tek zgjidhja e të gjitha problemeve me Serbinë, Rusinë dhe të tjerët që nuk është se iu gëzuan fort lindjes së shtetit tonë. Prej anëtarësimit në Kombe të Bashkuara deri tek afrimi në afat rekord tek anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Dhe: rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, çrrënjosje të varfërisë dhe papunësisë, luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe arritje të standardeve evropiane në afatin më urgjent të mundur.
Rezultati dy vite më pas? Dëshpërues! Ekonomia ka mbetur rrënojë, derisa Qeveria idenë e rimëkëmbjes ekonomike e ka shndërruar në një shitje të lirë të të mirave publike dhe shoqërore. Në vend të zgjidhjes agresive të problemeve të mbetura politike, gjatë tërë vitit të kaluar kemi shikuar se si të gjithë – Prishtina, Beogradi dhe Brukseli – po mësohen me status quo-në e re. Ndërsa Kosova si shtet është ende larg nga OKB-ja, BE-ja dhe NATO-ja, edhe pse këta, e edhe shumë të tjerë, kanë misione në vendin tonë.
Dhe kjo, natyrisht, nuk është e tëra: pagat dhe kushtet e punës rëndom lihen anash deri në momentin kur punëtorët dhe të punësuarit nuk protestojnë, demonstrojnë dhe kërcënojnë me grevë, ndërsa varfëria ka mbetur një përditshmëri e shëmtuar për gati gjysmën e popullatës. Korrupsioni lulëzon, ndërsa politika e trumbetuar me zë e “zero tolerancës për krimin” ka mbetur vetëm një fjalë ë shkruar në letër – në realitet kemi “90 për qind tolerancë”.
Për standardet evropiane as mos të flas.
* * *
Dhe, dikush edhe do të shtrojë pyetjen se çka, në të vërtetë, ndodhi ndërkohë? Si u bë që për vetëm dy vite prej optimistëve të papërmirësueshëm të bëhemi pesimistë cinikë? A po e humbasin në Kosovë njerëzit besimin në shtetin për të cilin aq shumë u sakrifikuan?
Nuk do të thosha! Nuk është faji te shteti! Faji është tek ata që e kanë marrë përgjegjësinë për ta ndërtuar, e nuk dinë si duhet bërë këtë! Dhe për njerëzit në Kosovë kjo po bëhet çdo ditë e më e qartë!
Secili sot e sheh se prej shpalljes së pavarësisë kemi ende mungesë njohjesh ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, se për shkak të Serbisë kemi probleme të ndërlikuara me integritetin territorial dhe sundimin e ligjit, posaçërisht në veri, posaçërisht në veri të Kosovës, e mbi të gjitha kemi edhe mungesën e skajshme të përparimit drejt një rimëkëmbjeje ekonomike e shoqërore, të cilat, do të thosha, janë kyç për ndërtimin e shtetit demokratik e funksional.
Nëse në njëvjetorin e parë të shtetësisë së Kosovës për një farë note kaluese mjaftonin stabiliteti dhe paqja predominante – të cilat, të mos harrojmë, i demantuan paralajmërimet ogurzeza serbe e ruse se pavarësia do të sjellë dhunë dhe lumenj refugjatësh serbë – kjo sot më nuk mjafton. Sepse, nëse njohjet e deritanishme janë dëshmi se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë të pakthyeshme – një gjë kjo të cilën Serbia me ngulm refuzon ta pranojë – në anën tjetër, mungesa e njohjeve tregon se shteti ende është i pakryer dhe se ka mbetur edhe shumë për t’u bërë.
* * *
Në fakt, problemi nuk qëndron vetëm në atë që kaloi, por edhe në frikën nga ajo që do të vijë.
Nëse viti i parë ishte pak a shumë i suksesshëm si “vit i stabilitetit”, ndërsa viti i dytë mbaroi keq si “vit i stagnimit”, tek kosovarët tashmë po përhapet aroma e zhgënjimit, e madje edhe frika prej asaj që do të na sjellë viti i tretë i pavarësisë.
Shumë më i këndellur sesa pushteti dhe politikanët, njeriu i rëndomtë në Kosovë ia ka drojën vazhdimit të këtij trendi negativ, sepse kjo, në trevjetorin e pavarësisë, në shkurtin e pas një viti, Kosovën sigurisht se do ta gjente në një situatë edhe më të rëndë sociale, politike e ekonomike.
Për këtë arsye, tani, njerëzit, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, kanë “zero tolerancë” për liderët e vet!
Shkruan: Agron Bajrami
Ej, tani mos u ankoni – vete e keni kërkuar këtë.
Tani është e udhës që të mblidheni, bleni ndonjë « peshkesh » dhe të shkoni të ia bëni përhajer Thaqit shtëpinë e re në Veternik të Prishtinës prej 1000 metra katror dhe 3 hektarë tokë përreth.
Where have all the good men gone
& where are all the gods?
Une mendoj qe pas dy vitev kosova gjindet shume me keq se sa qe ishte,e para zhgenjimi tek qytetaret nuk ka qen asnjeher me i madh,korrupcioni eshte futur ne institucionet shtetrore.
Perqamja politike asnjeher nuk ka qen me e madhe
Ndarja ne rajone ne fise ne bajraqe asnjeher nuk ka qen me e madhe
Per te mos fol fare per skamjen qe asnjeher nuk ka qen me e madhe,paramendoje me 0.45 evro per kok banori,kurse ne vendet tjera per rreth aq mjete ndajn per kafshet.
Zoti Shala, po rreni!
Në një takim të përfaqësuesve të Bankës Botërore, të këshilltarëve të transaksionit dhe të Qeverisë rreth privatizimit të kompanive publike, të huajt dolën më të brengosur për pronën publike dhe procesin e privatizimit sesa ministri i Ekonomisë dhe i Financave. Edhe përfaqësuesi i BB-së, edhe këshilltari për transaksionin e PTK-së (përfshirjen e kapitalit privat në PTK) kanë shprehur dyshimet e tyre se Qeveria nuk është mjaft e përgatitur për këtë proces dhe se kriza financiare, nuk është moment i përshtatshëm për privatizim. Ministri Shala nuk dëgjon për këtë. Ai thotë se kompanitë kryesore publike do t’i likuidojë brenda vitit 2010. Madje, ai nuk di të tregojë asnjë të vetmen arsye për këtë, vetëm se ky vit thotë do jetë viti kur do i heqim qafesh kompanitë publike me një shpejtësi drite, ashtu siç i hoqëm qafesh kompanitë shoqërore po nën udhëheqjen e Shalës.
Në këtë takim ministri Shala tha se opsioni i zgjedhur për privatizimin e PTK-së do jetë ai që ofron përfitime më të mëdha për vendin. Ai është duke gënjyer. Po të ishte kështu, procesi i privatizimit nuk do të bëhej nën tavolinë, por do hapej për diskutim. Shala tha se ky proces do jetë transparent. Por prapë nuk po e thotë të vërtetën. Madje kjo konfirmohet brenda minutave pasi që ai e tha këtë fjali. Ai kërkoi nga gazetarët ta lëshojnë sallën për t’i lënë vend prezantimit të kompanisë konsulente për privatizimin e PTK-së. Kush është kompania konsulente për pëgatitjen e PTK-së për privatizim, e keni informuar ndonjëherë opinionin publik zoti Shala? Ku është transparenca këtu? Ku është transparenca e zotit Shala në lidhje me PTK-në kur publikut kosovar akoma nuk i është bërë e njohur kontrata që kjo qeveri, përkatësisht Bordi i PTK-së, ka bërë me “Dardafone.net”? Kjo kontratë praktikisht ia ka falur operatorin “Vala” një kompanie private!
Shala thotë se pjesëmarrja e sektorit privat në ndërmarrjet publike, në këtë rast në PTK, do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Mirëpo, prapë po gënjen duke qenë se po shiten ndërmarrjet që aktualisht kanë fitime të konsiderueshme dhe çmimi i paralajmëruar është tepër i ulët në krahasim me kontributin që këto kompani kanë për Kosovën. Shala thotë se nuk është ngritur optimumi ekonomik i këtyre kompanive. Nuk jam i sigurt nëse e di ai çka nënkupton kjo fjalë, por optimumi nuk iu ngrihet vetvetiu kompanive, optimumin duhet ngritur me masa të mbrojtjes së këtyre kompanive dhe përmirësimit të qeverisjes së tyre, jo me masa destruktive, siç po bën kjo qeveri nëpërmjet nënshkrimit të kontratave të dëmshme për PTK-në dhe mbipunësimit që ka shkaktuar gjatë këtyre dy viteve dhe kalimit të thjesht tyre në duart sektorit privat.
Po ashtu Shala ka thënë se ne po plotësojmë infrastrukturën ligjore. Edhe këtu ai po e thotë një të pavërtetë, duke qenë se Kosova nuk ka akoma ligj për privatizimin dhe shumë masa të mbrojtjes nga konflikti i interesit nuk janë të normuara në Kosovë. Për shembull, gjer më tashti njerëz që kanë qenë pjesë e procesit të privatizimit kanë arritur të kapin pozicione nëpër kompanitë e privatizuara (“Ferronikeli” e “Llamkosi”), kurse edhe sot e kësaj dite kjo është e mundur duke qenë se kufizimi i kalimit në kompanitë e privatizuara të një zyrtari publik që ka marrë pjesë në privatizim është vetëm një vit edhe atë me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
Pra, procesi i privatizimit, nuk ka pasur e as që ka transparencë, me privatizim në kushtet dhe qeverisjen e tanishme Kosova nuk përfiton por humb, infrastruktura ligjore nuk po kompletohet por po bëhet qëllimisht gjithnjë e më konfuze. Në të njëjtën ditë që lexuam përkushtimin e Shalës për të hequr qafesh kompanitë publike, në të njëjtat faqe të gazetave lexuam presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, të thotë “kurrë nuk do ta lejoj privatizimin e Elektroekonomisë së Serbisë dhe sektorin e gazit”, sepse janë shtylla strategjike të ekonomisë sonë”. Shumë vende që po blejnë në Kosovë (për shembull, Sllovenia në telefoni mobile) këta sektorë i kanë akoma në pronë publike në shtetet e tyre. Shala tashmë ka shprehur angazhimin e tij që të shesë gjithçka ose të japë me koncesion për 40-50 vjet, madje edhe qymyrin që është aseti më strategjik që ka shteti i Kosovës. Natyrisht, kjo duket ta ketë mbështetjen e Qeverisë aktuale. Mirëpo, ku është në këtë mes Parlamenti i Kosovës, i cili është injoruar totalisht. Procesin e privatizimit të kompanive publike ia kemi lënë në dorë një ministri që katër vjet pas tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile, nuk ka arritur të marrë nga sektori privat 16,2 milionë euro të buxhetit të Kosovës, edhe pse të martën edhe vetë e konfirmoi se një garanci bankare për këto para ekziston. A guxojmë ta lejmë në duart e këtij ministri pasurinë e fundit që ka Kosova?
(Autori është bashkëthemelues i organizatës ÇOHU!)
Shkruan: Avni Zogiani
Krijoni Kontakt