Ky vendim që u morë në 2004 për kancelimin e njohjes së Republikës së Saharasë Perëndimore dhe efektet e tijë sot në prçedençën e kancelimit të njohjes diplomatike përbënë rrezik në arenën ndërkombëtare.

Ambasadori i Mbretërisë së Marokut, Mohammed Nabil Benabdallah, në një intervistë për “Panorama”, tregon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe premton një nivel të ri shkëmbimesh ekonomike me Shqipërinë. Ai vlerëson maksimalisht punën e konsullit të Nderit të Marokut në Tiranë, Bujar Lybesha, ndërsa shprehet se Maroku do të mbështesë të gjitha zgjidhjet e OKB-së për çështjen e shtetit të Kosovës.
Zoti ambasador, ju sapo keni paraqitur letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe ne ju urojmë për detyrën e re, si e shikoni përmbushjen e këtij misioni në Shqipëri?
Është një nder i madh të paraqes letrat e mia kredenciale pranë Presidentit të Republikës, duke besuar se Shqipëria dhe Mbretëria e Marokut zhvillojnë marrëdhënie politike dhe diplomatike krejtësisht miqësore që prej 2004-ës dhe jam i kënaqur sot, që përmes paraqitjes së letrave kredenciale të përforcoj këto marrëdhënie për të çuar nivelin e bashkëpunimit tonë, jo vetëm në karakterin politik, por të përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike mjaft të avancuara.
Zoti ambasador, si vlerësohet në Mbretërinë e Marokut vendimi i qeverisë shqiptare i vitit 2004 për heqjen dorë nga njohja e Saharasë Perëndimore?
Ky ishte një pozicion krejtësisht pozitiv dhe ne e vlerësojmë thellësisht në Mbretërinë e Marokut. Kishim të bënim me një padrejtësi që është riparuar dhe sot Shqipëria e Maroku mbajnë marrëdhënie të shkëlqyera politike, sepse që të dy vendet kanë një afrimitet mjaft të madh. Këto janë dy vende myslimane të moderuara, janë dy vende që i përkasin Komunitetit Ndërkombëtar Islamik, janë dy vende që kanë një marrëdhënie të qëndrueshme me Evropën, dy vende që kanë eksperienca të avancuara demokratike. Sot unë besoj se kemi të gjithë elementët për të pasur përparime në fushat politike dhe ekonomike, kulturore, plotësisht produktive dhe ky veprim i Shqipërisë për heqjen dorë nga njohja e të ashtuquajturës Republika arabe e Saharasë Perëndimore lejon sot dy vendet tona të bashkëpunojnë në kushte të reja.
Në këtë këndvështrim si vlerësoni qëndrimin e shumë shteteve që kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri të Kosovës dhe kur pritet që Mbretëria e Marokut të bëjë njohjen e pavarësisë së saj?
Mbretëria e Marokut tregon prej kohësh një interes të rëndësishëm për çështjet e Ballkanit, e veçanërisht të një numri komunitetesh myslimane që kanë të drejtën të shprehen lirisht dhe nevojën të aspirojnë një ekzistencë në kuadrin e lirisë, pluralizmit dhe të shprehjes së lirë të opinioneve të tyre. Në këtë drejtim, ne kemi luajtur një rol shumë aktiv në gjirin e komunitetit ndërkombëtar, me qëllim që ky aspekt islamik të respektohet. Duke prekur çështjen e Kosovës në veçanti, ne e kuptojmë këtë aspiratë për pavarësi dhe shpresojmë që brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara, të gjenden zgjidhjet përfundimtare të kësaj çështje dhe Maroku nuk mundet veçse të mbështesë iniciativat e Kombeve të Bashkuara. Ne sjellim përmes abstenimit tonë mbi zgjidhjet e ndryshme që janë adoptuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara dhe unë besoj se nga ana e Mbretërisë së Marokut ka një qëndrim real kundrejt problemit të Kosovës. Është një çështje së cilës ne i japim vlerën maksimale dhe ne do të donim që pozicioni ynë të evoluonte në funksion të njohur këtë çështje.
Kosova është një vend me shumicë myslimane dhe ky fakt e lejon Mbretërinë e Marokut të shprehet më lirshëm për këtë çështje...
Jam plotësisht dakord me ju dhe ne po tregojmë një kujdes të veçantë për këtë çështje, duke parë si përbërjen myslimane në maxhoritar në Kosovë, si marrëdhëniet shumë miqësore që ne mbajmë me këtë rajon të botës dhe për këtë gjë ne nuk mundemi vetëm të veprojmë që kjo zgjidhje përfundimtare të gjendet në atë mënyrë që të respektohet vullneti i popullsive që përbëjnë këtë zonë.
Tashmë kemi një raport mjaft të mirë politik dhe diplomatik mes dy vendeve tona. Mendoni se mbi këtë bazë do të ngrihen që sot e tutje marrëdhënie po kaq të mira ekonomike dhe shkëmbimesh?
Ne shpresojmë që marrëdhëniet e shkëlqyera politike të çojnë shumë shpejt në marrëdhënie ekonomike më të thella. Unë kam për mision të punoj në veçanti në këtë sens për të zhvilluar në maksimum marrëdhëniet ekonomike, duam të vendosim një kuadër bashkëpunimi përmes një marrëveshjeje mes dy vendeve, duam të krijojmë një komision miks mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Marokut, që do të mblidhet rregullisht për të konkretizuar këtë marrëveshje shumë të gjerë bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm. Ne duam kështu të krijojmë marrëdhënie mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre marokenë dhe mes Dhomave të Tregtisë së të dy vendeve. Unë mendoj se sot ne mund të punojmë në shumë sektorë, në ndërtim, në fushën imobiliare, turizmin, bujqësinë, shërbimet, import-eksportin e mallrave të ndryshëm, miniera etj. Unë besoj se të dy vendet, duke qenë pjesë e bashkësisë mesdhetare, me këtë projekt të Unionit Mesdhetar, mund të japim një shembull konkret bashkëpunimi jo vetëm politik, por dhe ekonomik dhe besoj se të dy vendet mund të njihen më mirë me njëri-tjetrin përmes organizimit të aktiviteteve kulturore mes shqiptarëve dhe marokenëve këtu, por dhe në Marok.
Si e vlerësoni rolin dhe kontributin e konsullit të Nderit të Mbretërisë së Marokut në Shqipëri, zotit Lybesha, i cili ka një përvojë të gjatë në diplomaci, duke qenë dhe këshilltar i disa kryeministrave të shtetit shqiptar?
Nuk dua të jap një përgjigje diplomatike, por një përgjigje me zemër dhe të sinqertë. Zoti Lybesha ka bërë një punë të konsiderueshme, për të cilën ne në Mbretërinë e Marokut e përgëzojmë shumë. Unë besoj se historia do t’i detyrohet atij për të gjitha përpjekjet që ka bërë për afrimin mes popullit shqiptar dhe popullit maroken. Sot ne kemi marrëdhënie diplomatike dhe unë jam i dyti ambasador konsekutiv që paraqes letrat kredenciale dhe, kjo bëhet për rritjen e zhvillimit të marrëdhënieve politike, e veçanërisht ekonomike. Nëpërmjet zotit Lybesha brenda 24 orëve unë pata takime të shumta me autoritete shqiptare dhe do të kem edhe të tjera në të ardhmen dhe ne kemi besim tek ai, se me aksionet e tij ai do të japë kontributin maksimal që këto marrëdhënie të jenë në nivelin e duhur.


Raportet Shqipëri-Marok

Marrëdhëniet Shqipëri-Mbretëria e Marokut kanë marrë një zhvillim të madh në vitin 2004, kur qeveria e asaj kohe hoqi dorë nga njohja e Republikës arabe të Saharasë Perëndimore, me të cilin Maroku ishte në një konflikt të vazhdueshëm. Njohja e këtij fronti nga qeveria moniste e Enver Hoxhës kishte sjellë një ftohje në marrëdhëniet mes dy vendeve. Vendimi i 2004-ës i qeverisë shqiptare çoi marrëdhëniet mes dy vendeve në një nivel më të lartë, ndërsa pritet të ketë dhe një zhvillim ekonomik të këtyre marrëdhënieve.