
Postuar më parë nga
REALIST
Grupimi më i madh politik në legjislativin europian deklaron se PS po nxin imazhin e vendit
Reagon Europa: Nuk presim PS për të vendosur për vizat
Kryetari i Partisë Popullore në PPE, Joseph Daule i bëri dje thirrje opozitës shqiptare të heqë dorë nga lojërat me tempullin e demokracisë dhe të zërë vendet e saj në Kuvend. Duke iu referuar hyrje-daljeve të opozitës nga Kuvendi, përfaqësuesi i grupimit më të madh politik në Parlamentin Europian e vuri theksin në rëndësinë që ka demokracia funksionale. Zyrtari i lartë europian i kujton opozitës në Shqipëri se demokracia është debat, i cili nuk mund të bëhet me karrige bosh në sallën e Parlamentit. Ai theksoi se me këtë sjellje opozita po përcjell një imazh negativ për çdo shqiptar. "Demokracia duhet të funksionojë dhe nga ajo duhet përfituar. Por demokracia nuk është lojë, duke u futur dhe dalë nga Parlamenti. Jo, demokracia është një debat dhe ky debat nuk mund të ngjallet me karrige bosh. Aq më tepër imazhi që përcillet nga kjo sjellje këtu në Parlamentin Evropian tek kryetarët e grupeve politike është: Ah, shiptarët s'janë të përgatitur, atëherë le të presin!", është shprehur kreu i Partive Popullore Europiane. Duke u ndalur në proceset e rëndësishme përmes të cilave po kalon Shqipëria, Daule tha se nuk është koha për të bojkotuar Parlamentin, por për të bashkëpunuar për heqjen e shpejtë të vizave dhe për integrimin evropian. Ai vuri në dukje se populli shqiptar nuk duhet të presë më për të lëvizur në zonën Shengen dhe Partia Socialiste duhet të mbajë përgjegjësi për pengesat që po krijon. Kreu i Grupit parlamentar të PPE-së në Parlamentin Europian theksoi se, politikat bëhet gjithnjë e më të avancuara kur debati zhvillohet në Parlament. "Mendoj, se populli shqiptar s'ka pse të presë. Ne do të marrim raportin e Komisionit Europian për heqjen e vizave dhe me këtë imazh që po na përcillet nga Shqipëria, ky raport nuk mund të përmirësohet. Ajo që duhet është që demokracia të funksionojë brenda Parlamentit. Si them gjithnjë, Evropa është krijuar kështu. Në Strasburg, ne kemi debatuar, madje ka patur përplasje të ashpra midis nesh në gjirin e Parlamentit, por kjo është demokracia e vërtetë dhe jo ajo e karriges bosh. Për Europën, kompromisi është i shenjtë. Këtu jetohet me kompromis. Unë që kur çohem në mëngjes mendoj se si dhe me cilin duhet të punoj për të gjetur një kompromis të gjerë për të avancuar me politikat evropiane. Mua më duhet të gjej gjithashtu një kompromis për t'i thënë Shqipërisë, që vendi mund të integrohet në BE, që duhet të zbatojë demokracinë si vendet e tjera të BE dhe duhet të punojë si të gjitha demokracitë e tjera evropiane, ndaj ne nuk kemi kohë për të humbur. Shpresoj sinqerisht, që para se çështja e vizave të vijë në Parlamentin Evropian, ngërçi politik t'i përkasë së kaluarës", u shpreh Daule. Ndërkohë, vetëm katër ditë më parë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i bënë thirrje Partisë Socialiste në Shqipëri të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Në një takim të organizuar në Romë nga ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini dhe 12 ministrat e Jashtëm europianë, anëtarë të Partive Popullore Europiane dolën me një deklaratë të përbashkët në të cilën shprehet shqetësimi për situatën e krijuar pas bojkotit të opozitës. Krerët e diplomacisë europiane i kërkojnë Partisë Socialiste të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të çertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Përmes kësaj deklarate, ata e konsiderojnë të papranueshëm bojkotin e opozitës shqiptare si dhe kërkesën e saj për të rihapur kutitë e votimit. Ministrat e PPE shprehin shqetësimin se bojkoti i opozitës pengon konsolidimin e reformave në vend si në aspektin e integrimit ashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik.
RD
Krijoni Kontakt