Ankesa e muslimanëve, “ngrin” Mirela Bogdani
Partia Konservatore e Uellsit ka vendosur të pezullojë nga lista e kandidatëve për deputetë Mirela Bogdanin”, njoftoi dje Forumi Musliman i Shqipërisë. Vendimi është marrë pas një letre që iu dërgua nga Forumi Musliman i Shqipërisë, ku informohej se Bogdani, në emisionin “Déjà Vu” të datës 12.12.2009, që u transmetua në stacionin televiziv “Top Channel”, kishte lëshuar disa deklarata fyese për realitetet multi-kulturore që ekzistojnë në Britaninë e Madhe. “Partia Konservatore ka shfaqur shqetësim për këtë çështje dhe unë mund t’ju siguroj se ne e kemi trajtuar atë në detaje.
Partia krenohet për natyrën e vetë gjithëpërfshirëse dhe që ka përkrahje nga të gjitha komunitetet dhe besimet fetare. Unë jam shumë i kënaqur që ne kemi një anëtar asambleje musliman brenda listës që do t’i çojmë Asamblesë Kombëtare të Uellsit. Ai është një pjesë e rëndësishme dhe integrale e grupit tonë dhe të partisë sonë. Pas procesit të zgjedhjes së përfaqësuesve që janë zgjedhur dhe pasi çështja është hetuar, Mirela Bogdani është pezulluar nga lista e kandidatëve të Partisë Konservatore. Ajo nuk është miratuar për të qenë kandidate për një deputet në Uells dhe unë nuk besoj se ndonjëherë ka pasur një vend në Uells”, citojmë nga letra që Nicholas Bourne, lideri i Partisë Konservatore të Uellsit i ka dërguar Forumit Musliman të Shqipërisë.
Letra
Në letrën informuese drejtuar Partisë Konservatore të Uellsit, Forumi Musliman referuar deklaratave të Bogdanit në emisionin “Déjà vu” të datës 12.12.2009, theksonte mes të tjerash se “Znj. Bogdani është shprehur shumë e shqetësuar për rrezikun e ‘islamizimit të Evropës’, për shkak të refuzimit që muslimanët i bëjnë asimilimit ndaj kulturës evropiane. Në një moment gjatë emisionit ajo u shpreh se “një pjesë veriore e Londrës tani njihet si Londonistan, sepse po të shkosh atje, të duket vetja si në Middle East” dhe “mua më vrasin sytë kur shikoj në mes të Londrës njerëz me ferexhe”. Gjithashtu, ajo ka shprehur shqetësim për eventualitetin e pranimit të Turqisë në BE për shkak të fesë islame të popullatës së saj, e cila sipas kësaj zonje, “do të prishë ekuilibrat e Evropës së Bashkuar”. Mandej, Forumi Musliman i Shqipërisë shprehej se “për sa më sipër, jemi të mendimit që deklaratat e znj. Bogdani duhet të shihen me vëmendje nga organizmat e partisë suaj”.
Gazeta shqiptare
10.02.2010
Krijoni Kontakt