-
Hoxha e Bytyçi, dy nënkryetarë të komunës së Lipjanit


Hoxha e Bytyçi, dy nënkryetarë të komunës së Lipjanit
Lipjan, 13 shkurt – Florent Hoxha (PDK) dhe Banush Bytyçi (AKR) do të jenë dy Nënkryetarë të Komunës së Lipjanit për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Vendosja e këtyre dy nënkryetarëve në postet e tyre do të zyrtarizohet qysh në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, i cila do të jetë inauguruese, e ku do të betohet edhe kryetari i rizgjedhur Shukri Buja.
Buja ka konfirmuar të shtunën për Kohën Ditore se emrat e Florent Hoxhës dhe Banush Bytyçit janë të sigurt për nënkryetarë të Lipjanit.
“Është një vendim që është marrë nga të dy subjektet. Hoxha nga PDK-ja dhe Bytyçi nga AKR-ja do të jenë dy nënkryetarët”, ka thënë Buja. Ndërkaq, sa i përket emrave të drejtorëve të drejtorive, kreu i Lipjanit thotë se ende nuk ka asgjë zyrtare në këtë plan sepse, sipas tij, janë degët e partive në koalicion ato që do të vendosin për drejtuesit e dikastereve. “Tash për tash topi është te kryesitë e degëve që do t’i propozojnë emrat e drejtorëve, por kjo nuk do të thotë se të gjithë emrat e propozuar mund t’i pranojë kryetari. Drejtorët janë të emëruarit politikë dhe secili prej tyre, duke përfshirë edhe ata të koalicionit, do ta kenë një periudhë testuese tremuajshe për punën që bëjnë”, ka thënë Buja.
Sipas marrëveshjes parazgjedhore, PDK, AKR e LDD do ta ndajnë pushtetin në Lipjan. Nga 12 drejtori, sa pritet t’i ketë komuna në mandatin e ri, 3 prej tyre do t’i takojnë AKR-së, ndërsa një tjetër LDD-së, derisa të tjerat do të jenë të rezervuara për PDK-në.
-
-
PDK dhe LDK arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje në Klinë

PDK dhe LDK arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje në Klinë
Klinë, 13 shkurt - PDK dhe LDK kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Klinë, bëhet e ditur nga zyrtarët e të dy degëve të partive. Sekretari i degës së PDK-së, Esat Rraci të shtunën i ka thënë Kohës Ditore se është marrë konfirmimi zyrtar i LDK-së për pranimin e ofertës për bashkëqeverisje dhe se tash dy subjektet do të ulen të formulojnë marrëveshjen në letër, kurse të shtunën ose të dielën ajo do të nënshkruhet edhe zyrtarisht. Edhe Fadil Gashi, kryetar i degës së LDK-së, pohoi se kryesia e tij e ka pranuar ofertën e PDK-së për bashkëqeverisje dhe se tash pritet vetëm nënshkrimi.
Sekretar i degës së PDK-së, Rraci sqaroi se sipas marrëveshjes LDK-ja do të udhëheqë me 3 drejtori, atë për Buxhet e Financa, Gjeodezi e Kadastër dhe Kulturë, Rini e Sport, si dhe do të japë kryesuesin e Kuvendit Komunal.
Partner tjetër në bashkëqeverisje me PDK-në dhe LDK-në është edhe LDD-ja, e cila kishte bërë marrëveshje me PDK-në në rundin e balotazhit. LDD-ja do të ketë vendin e nënkryetarit të Komunës së Klinës dhe 1 drejtori komunale.
Në seancën e 15 shkurtit, të thirrur nga kryetari i Komunës, Sokol Bashota, është parapare zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit dhe formimi i komisionit për ndryshime statutore të Komunës. PDK-ja planifikon që të rritë numrin e drejtorive nga 8, sa janë tash, në 11 sosh. Dy prej tyre, që janë të reja, i janë besuar LDK-së. Blloku i partive që do të bashkëqeverisin tash ka 18 vota duke përfshirë dhe atë të PSHDK-së, që ka një ulëse në Kuvend. PDK-ja ka 9, LDK-ja 6 dhe LDD-ja 2. Me ketë numër të votave PDK-ja siguron shumicën absolute që do ti shërbejnë për marrjen e çdo vendimi. E vetmja parti opozitare mbetet AAK-ja me 9 ulëse./koha/
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt