Ka vazhduar punimet Seminari i shqipes, ku gjatë ditës së djeshme, përveç kurseve të gjuhës janë mbajtur edhe gjashtë referime nga studiues të gjuhësisë, si dhe një vizitë e seminaristëve në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare. Me interes është përcjellë referimi i studiuesit arvanitas Nikos Stylos, "Mbishkrime nga vendet arvanitase në pastrë glua shqipe 2700- 2500 vjet të vjetra", i cili jeton dhe vepron në Gjermani, mbishkrime që, sipas tij, janë arvanite dhe datojnë shumë vjet para Krishtit. Në fakt, studiuesi Stylos, para seminaristëve, në referencën e tij prezantoi shumë mbishkrime të gjetura në disa vendbanime arvanitase të Greqisë të cilat ai i zbërthente si mbishkrime me kuptim arvanitas dhe të shkruara me alfabet të ngjashëm me atë grek. "Në këto mbishkrime të gjetura në vendbanimet arvanitase, po të vërehen me kujdes bien në sy se në të shkruar ndryshojnë nga greqishtja, edhe pse alfabeti është i ngjashëm me atë grek, ka ndryshime", ka pohuar ndër të tjerash studiuesi arvanitas Stylos në referimin e tij, duke i ilustruar pohimet e tij me fotografi dhe deshifrime të bëra nga ai. Në vazhdim të referencës së tij ka përmendur edhe monedhat e Epirit, të cilat, sipas tij, edhe pse janë të shkruara me alfabet grek, nuk janë në gjuhën greke, pasi, siç është shprehur ai, edhe vetë grekët e thonë një gjë të tillë. "Këto monedha të vjetra qindra mijëra vjet, kanë një mbishkrim me alfabet të ngjashëm me atë grek dhe një gjuhë që grekët thonë se nuk është e tyre", ka thënë studiuesi arvanitas Niko Stylos. Ndërsa kanë referuar edhe studiuesit tanë të gjuhës shqipe, të cilët përmes referimeve të tyre kanë prezantuar prurje të reja për gjuhësinë shqiptare. Kanë referuar Flutura Çitaku, me referencën: "Togfjalëshat e qëndrueshëm në terminologjinë gramatikore", Sala Ahmetaj me referimin "Fjalitë njëkryegjymtyrëshe", Haki Hysenaj, "Leksiku i huaj në prozën e Koliqit" Hava Qyqalla, "Disa veçori fonetike të sistemit foljor të shqipes në veprën e Pjetër Bogdanit", dhe studiuesja Ina Arapi ka mbajtur referimin "Ndërtimi analitik si mënyrë për formimin fjalëve të reja në gjuhën shqipe". Po në kuadër të aktiviteteve për ditën e djeshme seminaristët kanë vizituar Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, me ç'rast nga personeli i kësaj biblioteke janë njoftuar mbi funksionimin dhe shërbimet që ofron kjo bibliotekë për qytetarët dhe studiuesit e interesuar t'i shfrytëzojnë burimet nga kjo bibliotekë.
Krijoni Kontakt