Gjendja e disa të devotshmëve:
Omer ibën Hattabi radijall-llahu anhu ka thënë: “Vërtetë njeriut mund t'i zbardhet mjekrra, e të mos e plotësojë asnjë namaz si duhet”. (Njerëzit) thanë: “Si ashtu?”. (Ai) tha : “Nuk është i koncentruar, nuk është modest dhe nuk i drejtohet All-llahut si duhet”. Kjo fjalë e Omerit r. a. ka të bëjë me kohën e atëhershme. Ç'do të thonte vallë për ditën e sotit?!! Shumicën e njerëzve në namaz i marrin nëpër këmbë hallet e dunjasë. Është duke u falur, por me mendjen e tij shëtit në të gjitha tregjet, blen e shet, shton e pakëson. E gjithë kjo vjen vetëm prej pakujdesit të tij. Hasan el-Basriu ka thënë: "Amër ibën Abdulkajsi ka dëgjuar një grup njerëzish se si flasin për të habiturit në namaz dhe i pyeti: “A mund të ndodhë kjo?” (Ata) thanë: “Po”. (Ai) tha: “Vall-llahi, të më përzihen dhëmbët në zgavrën e gojës është më e dashur për mua, se sa kjo".

Vëlla i dashur, ku jemi ne ndaj tyre?!!
Abdull-llah ibën Zubejri kur binte në ruku, mund të pushonte shpendi mbi shpinën e tij, ndërsa në sexhde dukej si i vdekur. Ne çuditemi prej këtij lloj namazi, sepse diçka të tillë sot nuk po shohim. Ejani, ejani t'i vizitojmë pak njerëzit e devotshëm!
Ebu Bekër ibën Ajashi thotë : "E kam parë një here Habab ibën Ebi Thabitin duke qenë në sexhde. Sikur mos ta kisha ditur se falet, do të thoja se është i vdekur (sepse ka qëndruar shumë në sexhde). Ibnu Vehbi ka thënë : "E kam parë Sufjan eth-Thevriun njëherë në xhami pas akshamit. U fal, pastaj ra në sexhde dhe nuk u ngrit derisa thirri ezani e Jacisë”.

Atyre nuk u ka interesuar tjetër në namaz përveç All-llahu, ashtu që mes tyre dhe All-llahut nuk ka pasur kurrfarë pengese. I tërë mendimi i tyre ka qenë në namaz dhe si të koncentrohen sa më tepër. Ebu Abdull-llah en-Nebaxhi njëherë ishte duke u falur, kur papritmas një grup njerëzish e thirrnin atë, e ai nuk e ndali namazin. Pasi e kreu namazin, ata i thanë: “Ti je i keq.” (Ai) tha: “Pse?” (Ata) thanë: “Kur të thërritëm pse nuk e ndale namazin?!” (Ai) tha: “Unë nuk mendoj se një njeri duke u falur mund të dëgjojë diçka tjetër përveç asaj që lexon ai vetë”.

Një natë imam Buhariu rahimehull-llah ishte duke u falur, e një grerëz e kafshoi 17 herë. Kur e kreu namazin tha: "Shikoni, më paska kafshuar diçka"
Ibnu Hajjani ka thënë: "Nuk e kam parë asnjëherë Muslim ibën Jesarin në namaz të kthyer në anë tjetër pos Kibles. Njëherë u rrëzua një pjesë e xhamisë, e njerëzit u frikuan se do të mbytet, por ai mbeti në xhami duke u falur pa u kthyer aspak dhe nuk e goditi asgjë".
Hafs ibën Ejjubi njëherë u pyet: "Pse nuk e largon mizën kur të pengon gjatë namazit? (Ai) tha: “Nuk dua t'ia prish bukurinë namazit”. (Njerëzit) i thanë: “Po si duron atëherë?” (Ai) tha: “Kam dëgjuar se njerëzit e këqinj kur dënohen me rrahje, bëjnë durim, e pastaj lavdërohen dhe thonë se ata janë trima, ndërsa unë jam në namaz para All-llahut subhanehu ve te’ala. Andaj a më ka hije të lëvizë për një mizë?!!

Njëherë Ebu Talha radijall-llahu anhu ishte duke u falur në kopshtin e tij, ku kishte një zog i cili erdhi e u ndal në një dru. Këtij i iku shikimi për një moment, kështu që kishte harruar se sa rekate i kishte falur. Shkoi te Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i tregoi për këtë që i ndodhi dhe i tha: "Kopshtin tim e lë për sadaka, jipja kujt të duash".

Kasim ibën Muhammedi ka thënë: "Dola një ditë prej shtëpisë. Kur dilja e kisha zakon që të shkoj deri te Ajsheja radijall-llahu anha dhe ta përshëndes. Atë ditë kur shkova, e gjeta duke e falur namazin e Duhasë (Ky namaz është sunet të falet. Koha e tij është prej lindjes së Diellit e deri në zenit sh.p.), dhe lexonte këtë ajet: "All-llahu na dhuroi të mira dhe na mbrojti prej dënimit të rreptë", dhe qante, lutej dhe e përsëriste këtë ajet. Prita shumë, por ajo nuk mundte më tepër të vazhdonte leximin (sepse qante shumë sh.p.). Mendova të dal në treg, t’i kryejë nevojat e mia e të kthehem prapë. Kështu edhe bëra. Kur u ktheva e gjeta Ajshen radijall-llahu anha në namaz duke qajtur, duke u lutur dhe duke e përsëritur të njëjtin ajet".
Transmetohet nga Hatim el-Esami rahimehull-llah se është pyetur për namazin e tij, e ai ka thënë: "Kur të vjen koha e namazit marr abdest mirë, pastaj shkoj në vendin ku dëshiroj të falem dhe ulem aty derisa të qetësohem mirë. Kur të çohem për t'u falur, Ka'ben e paramendoj para syve, urën e Siratit nën këmbët e mia, xhenetin në të djathtë, zjarrin në të majtë, melekun e vdekjes pas meje dhe mendoj se ky është namazi im i fundit. Shpresoj shpërblimin dhe i frikohem dënimit, e pastaj e marr tekbirin fillestar. Në namaz lexoj ngadalë, kurse në ruku dhe në sexhde me modesti. Në rekatin e fundit ulem mbi këmbën e majtë, e gishtin e madh të këmbës së djathtë e drejtoj drejt Ka'bes. Gjithë këtë mundohem ta bëjë sa më me sinqeritet, dhe nuk e di se a më është i pranuar ky namaz apo jo".

Ja si na këshillon Bekër el-Mizeni për kujdesin ndaj namazit dhe faljen e tij si duhet. Ai thotë: "Nëse dëshiron që të të bëjë dobi namazi yt, thuaj: “Me siguri s'do të kam rast të falem përsëri”. Edhe pse këta njerëz kujdesesh shumë për namazin shumë dhe e falnin si duhet, Othman ibën Ebi Dehrishi thotë:
"Çdoherë që fal namaz, kërkoj falje prej All-llahut, sepse nuk e di a ia kam dhënë hakun namazit". Vëllezër, dijeni se ka pasur njerëz që i kanë praktikuar ato për të cilat All-llahu subhanehu ve te’ala i ka urdhëruar edhe janë larguar prej gjërave që ai i ka ndaluar. Kur kanë parë se sa mëkate kanë bërë u demoralizuan shumë (e ata bënin shumë pak mëkate sh.p.), ashtu që trokitën në derën e All-llahut subhanehu ve te’ala dhe Ai i arsyetoi. All-llahu subhanehu ve teala thotë: "Unë sot i shpërbleva ata, për atë që ishin të durueshëm, ata janë fitimtarët." (Mu'minun 111)
POR!! Si të arrihet hushuja (frikërespekti, devotshmëria) në namaz? Cilat janë gjërat që ndihmojnë për t'u arritur kjo?
1. Koncentrimi i fortë para se të fillosh namazin;
2. Paramendimi se para kujt do të dalësh tani;
3. Shpresa se do ta arrish shpërblimin e plotë prej All-llahut subhanehu ve teala;
4. Marrja mirë e abdestit dhe mosteprimi në derdhjen e ujit;
5. Qetësimi (lirimi) para fillimit të namazit. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: "Nuk ka namaz në prezencë të urisë dhe nevojës" (Transmeton Muslimi);
6. Kujdesi për faljen e namazit me xhemat dhe shkuarja në xhami para ezanit;
7. Moslënia e sunneteve, posaçërisht namazin e vitrit dhe sunetet e sabahut. Po ashtu duhet të falësh edhe namaz nate;
8. Të menduarit rreth ajeteve dhe duave të cilat i lexon në namaz;
9. Mosshpejtimi gjatë faljes së namazit;
10. Edukata në namaz, duke mos lëvizur pa nevojë dhe duke mos luajtur me diçka;
11. Kujdesi për dispozitat e namazit dhe edukatën në të. Shiko vetëm në vendin e sexhdes. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Faluni ashtu sikur më shihni mua duke u falur";
12. Përcjellja e imamit, ngase imami është caktuar për t'u përcjellë;
13. Largimi zemrës tënde prej dunjasë, ngase gjithë dunjaja me gjithë atë ç'ka në të nuk vlen tek All-llahu subhanehu ve teala asgjë;
14. Zgjedhja e vendit për namaz (ku nuk ka shumë zbukurime, fotografi apo zhurmë);
15. Falja e namazit sikur të jetë ky namaz i fundit;

O vëlla musliman, Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Një musliman, nëse i falë namazet, merr abdest mirë, është i koncentruar dhe i plotëson rukutë, All-llahu ia falë të gjitha mëkatet, përveç të mëdhajave. . . ".

All-llahu na i përmirësoftë punët tona dhe na shpërbleftë më së miri e më së shtrenjti.
O Zot, kërkojmë mbrojtje prej zemrës e cila nuk të ka frikë, prej syrit i cili nuk loton për Ty dhe prej duasë e cila nuk pranohet. O Zot, na i falë mëkatet, neve, prindërve tanë dhe gjithë muslimanëve. Paqja dhe mëshira qoftë mbi Muhammedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë atë në mënyrën më të mirë. AMIN