Mjekët protestojnë për pagat, qeveria ua adreson ministrisë
Me kërkesën për kushte më të mira për punë, më shumë se 2 mijë shërbyes shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, marshuan sot drejt Qeverisë. Në këtë protestë, ata bartnin me vete slogane drejtuar Qeverisë ky kërkonin paga dinjitoze, si dhe përpilimin e miratim të ligjit të punës. Pas parakalimit pranë qeverisë, mjekët ia mësynë Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq në orët e pasditës pritet që sindikata e QKUK- së të mbajë një konferencë shtypi për të treguar se çfarë ishte përgjigjja e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për këtë protestë. E në kohën sa mjekët protestonin para qeverisë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte një takim me ministrin e Jashtëm Finlandez, Alexander Stubb. Pas këtij takimi, ai nuk pati ndonjë përgjigje të prerë se si të tejkalohet pakënaqësia e shërbyesve civil, të cilët po marshojnë rrugëve të kryeqytetit. Ai vetëm tha se ministritë përkatëse do të realizojnë obligimet e veta për dhënien e pagave me të larta për punëtorët shëndetësor dhe policët e Kosovës.
Policia e Kosovës proteston për pagat
Njësiti elitar i Policisë së Kosovës, dhe njësiti mbështetës rajonal i Prishtinës, nuk kanë punuar që nga mbrëmë, për shkak të pakënaqësive në lidhje me rritjen e pagave. Ata janë mbledhur dhe kanë qëndruar në bazën e tyre në Kishnicë. Mbrëmë, ata i ka takuar zëvëndësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelilii, të cilit i kanë dhënë afat që deri të enjtën ta rregullojnë çështjen e pagave të tyre. Sot edhe stacioni nr 4 në Prishtinë, por edhe shkolla e policisë në Vushtrri e kanë ndërprerë punën për shkak të paknaqësive në lidhje me pagat. Ndërkohë, sindikata e Policisë, ka mohuar të jetë organizatore e kësaj greve.
Artikulli nga KLANKOSOVA
Krijoni Kontakt