
Postuar më parë nga
fattlumi
Sindikalistët e KEK-ut paralajmërojnë grevë dyorëshe
Prishtinë, 9 shkurt
- Punëtorët e Korporatës Energjetike kanë vendosur të futen në grevë dyorëshe për të reaguar ndaj menaxhmentit të KEK-ut, i cili, sipas tyre, nuk e ka realizuar marrëveshjen e lidhur ndërmjet këtyre dy palëve në muajin mars të vitit 2009.
Sindikalistët e kësaj ndërmarrjeje pretendojnë se strukturat udhëheqëse të Korporatës Energjetike nuk i kanë zbatuar disa pika qenësore të marrëveshjes të cilat kanë pasur të bënin me ngritjen e pagave si dhe me lejimin e shfrytëzimit pa pagesë të 200 KW në baza mujore për punonjësit e korporatës.
“Kryesia ekzekutive e Sindikatës së Pavarur e Energjetikës e Kosovës (SPEK) ka caktuar datën 22 shkurt për mbajtjen e grevës së përgjithshme e cila planifikohet të fillojë nga ora 10:00 deri në 12:00”, ka theksuar Izet Mustafa, kryetar i kësaj sindikate, duke shtuar se kjo grevë nuk ka për qëllim ndaljen e punës në korporatë, por me anë të saj t’u bëhet presion drejtuesve të ndërmarrjes që t’i përmirësojnë kushtet e punës për punëtorët e KEK-ut.
“Unë i kam dërguar letër kryetarit të bordit të korporatës si dhe drejtorit menaxhues në muajin dhjetor. Kam kërkuar që për vitin 2010 të parashihet rritja e pagave. Kam marrë përgjigje nga ta se 40 për qind e buxhetit të korporatës shkon në paga të punëtorëve”, ka potencuar Mustafa, duke shtuar me këtë përgjigje drejtuesit e korporatës kanë treguar se nuk e kanë ndërmend të bëjnë rritjen e pagave për punëtorëve.
Sipas Mustafës, njëra nga kërkesat e sindikalistëve që është realizuar ka qenë ndarja e mjeteve që janë kursyer nga puna e përbashkët.
“Në muajin dhjetor, edhe punëtorët e Korporatës i kanë marrë nga 100 euro”, ka thënë Mustafa.
Për kohën e mbajtjes së grevës së përgjithshme, Mustafa ka theksuar se do ta informojnë zyrtarisht bordin dhe menaxhmentin e Korporatës Energjetike.
Ndërkaq zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë komentuar paralajmërimet për grevë të sindikalistëve të korporatës.
Koha.net
Krijoni Kontakt