-
Qeveria, plan për të privatizuar KESH-in
Qeveria, plan për të privatizuar KESH-in
Ard Kola
Planet e qeverisë në procesin e privatizimeve do të përfshijnë edhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Pas ndarjes nga OSSH-ja, KESH është kthyer në kompani fitimprurëse, falë edhe ndryshimit të modelit të tregut, duke shitur energji me para në dorë. Në planet ekonomike 2010-2012, qeveria ka vendosur në listën e privatizimeve edhe sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, duke shkaktuar dyshime rreth procesit. Privatizimi i një ndërmarrjeje kryhet duke u nisur nga situata e vështirë financiare dhe pamundësia për të menaxhuar, por në kushtet aktuale, KESH-i nuk kërkon nevojën e një pronari të huaj. Tjetër pikë debati që mund të zhvillohet në të ardhmen është fakti i hidrocentraleve, të cilat konsiderohen pronë e një rëndësie dhe sigurie kombëtare dhe privatizimi i tyre duke u përfshirë në procesin e KESH-it, nuk gjykohet i arsyeshëm. Aktualisht, qeveria menaxhon kaskadat e lumenjve, prodhon energji dhe e shet në një treg të garantuar. I vetmi problem për KESH janë borxhet e mëdha, që në fakt i takojnë OSSH-së, por me marrëveshjen e privatizimit nga CEZ, qeveria ia kaloi korporatës.
Strategjia
Gjatë viteve 2006-2008, është bërë ristrukturimi i KESH Sh.a, dhe ndarja e tij në kompani të veçanta. Po ashtu, është ristrukturuar dhe riorganizuar sektori transmetimit (OST-ja), si dhe është realizuar privatizimi i sektorit të shpërndarjes (OSSH-ja). “Gjatë vitit 2010 do të punohet gjithashtu për përgatitjen e strategjisë së privatizimit të sektorit të prodhimit të energjisë elektrike”, thuhet në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Financave, miratuar nga qeveria në janar 2010. Gjatë vitit 2009, kur KESH u nda nga OSSH-ja, fitimet e kompanisë vetëm nga eksporti arritën mbi 25 milionë euro, ndërsa këtë vit pritet të dyfishohen. Pavarësisht kësaj, qeveria e ka futur në listën e privatizimeve duke nënvizuar se, “Në zbatim të rekomandimeve të kësaj strategjie gjatë periudhës 2010 – 2012, do të iniciohet procesi i privatizimit të sektorit të gjenerimit të energjisë elektrike, që përbën edhe fazën përmbyllëse të procesit të privatizimeve në këtë sektor strategjik”.
Privatizimet
Kontrata për blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së nënshkruar më 11 mars 2009, solli 102 milionë euro të ardhura, ndërsa pjesa e mbetur do të dalë në shitje gjatë këtij viti. Edhe nga pjesa e mbetur tek AMC qeveria siguroi rreth 45 milionë euro të ardhura, ndërsa kanë mbetur në proces aksionet e “Albtelekom”, tenderi i të cilit planifikohet të mbyllet në tremujorin e parë 2010. Në proces privatizimi është edhe kompania e naftës “Albpetrol”, e cila në muajin shkurt do të njihet me konsulentin, sikurse edhe 15 për qind e aksioneve të ARMO-s kanë dalë në shitje. Tjetër kompani është INSIG, i dështuar tri herë për shkaqe financiare, por këtë vit plani është për ta mbyllur plotësisht. Të gjitha këto projekte do të mbyllen brenda vitit 2012, duke garantuar të ardhura të konsiderueshme për mbylljen e vrimës së madhe të borxheve.
gazeta shqip
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt