Nuk mjafton të thuash se je human, i mëshirshëm dhe solidar, kurse në anën tjetër, uni, kënaqësia dhe interesi yt personal të jenë në qendër të vëmendjes, me ç’rast, jo vetëm që gjithë kohën mendon vetëm për veten e aspak për të tjerët, por në të njejtën kohë mundohesh që kënaqësinë dhe interesin vetanak ta realizosh në llogari të dikujt tjetër.

Një qasje e këtillë, jo vetëm që ia humb kuptimin Ramazanit, por ajo ua humb kuptimin gjitha fjalëve mirakëndëse të lartëpërmendura. Kjo, ngase, Krijuesi, përmes të obliguarit të njeriut që të agjerojë duke abstenuar nga ngrënia dhe pija, dëshiron që t’ia bëjë atij me dije se çka do të thotë të jesh i uritur dhe i etur, ndjenjë kjo e cila do ta nxiste atë që të jetë falenderues dhe mirënjohës ndaj Atij i cili ia fali gjitha këto të mira, si dhe do ta edukonte shpirtin e tij që të jetë më human, më i mëshirshëm dhe më solidar; me ç’rast do të arrihej barazia shoqërore në mes njerëzve.