
Krejt kundër LDD-së
Numri i anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Dardanisë që punojnë nëpër institucione qendrore dhe lokale po rrudhen çdo ditë. Ata që u rezistojnë presioneve largohen, derisa të tjerët detyrohen të ndërrojnë parti. “Do vish në partinë time, apo nuk do të jesh më në punë”, kjo është strategjia që sipas anëtares së LDD-së, Besa Gaxherri, po ndjekin partitë më të mëdha ndaj këtij subjekti.
Presionet më të mëdha, sipas saj, vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Qëllimi, sipas saj, është i qartë. “Çdo lloj shantazhi bëhet ndaj LDD-së që ta shkatërrojnë këtë subjekt politik”, shton ajo.
Numri i atyre që janë larguar nga administrata qendrore dhe lokale, sipas Gaxherrit, është mbi 79. Rasti më i freskët është në Komunën e Prishtinës, në Ministrinë e Shërbimeve Publike dhe në Komunën e Vitisë.
Sabile Pllana, para dy viteve, ishte suspenduar nga kryetari Isa Mustafa. Pas ankesës që kishte bërë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, ajo kishte fituar të drejtën që të kthehet sërish në punë. “Obligohet kryetari i Komunës që në afat prej 15 ditësh nga disa e pranimit (07. 07. 2009) të këtij vendimi ta kthejnë ankuesen në vendin e punës”, kështu thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
Megjithëkëtë, kryetari Isa Mustafa nuk ka respektuar këtë vendim dhe e ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Supreme të Kosovës. Ajo pritet të vendosë për fatin e Pllanës dhe shumë punëtorëve të tjerë.
Por, nuk është vetëm Mustafa që nuk ka respektuar vendimin KPMK-së. Edhe Ministria e Shërbimeve Publike në kohën kur ishte Melihate Tërmkolli ministre ka suspenduar nga puna punëtoren Jeta Rafuna. Edhe në këtë rast, KPMK-ja ka kërkuar që ajo të kthehet në vendin e saj të punës, por as në këtë rast nuk ka ndodhur.
Edhe në Komunën e Vitisë, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, është larguar një punonjëse e Komunës. Edhe në rastin e Zymrije Salihut, KPMK-ja ka marrë vendim për rikthimin e saj në vendin e punës, por as në Viti kjo nuk kishte ndodhur.
“Nuk po ndodh prej dje ose sot, por po ndodh tri vjet me radhë. Prandaj, LDD’ja nuk është në një situatë të lehtë, sepse partitë e tjera në pushtet bëjnë edhe këso lloj shantazhesh, edhe këso lloj përjashtimesh. Kjo është e papranueshme”, shton Gaxherri.
Për këto diferencime, ajo akuzon LDK-në dhe PDK-në. Në LDD tashmë kanë filluar të mbajnë shënime për njerëzit që po largohen nga puna, sipas tyre, për motive politike.
“Unë ju garantoj që numri është me i madh se 79 persona. Në radhë të parë, para tri vjetëve kur jemi shkëputur nga LDK-ja, kanë reaguar me krejt forcat dhe ku kanë mundur, i kanë larguar aktivistët tanë. Tash po bëjnë edhe përjashtime edhe shantazh”, thekson ajo.
Astrit Haraçija nga Lidhja Demokratike e Kosovës përjashton raste të tilla. Por, pranon se edhe brenda LDK-së mund të ketë njerëz që bëjnë diçka të tillë. “Nuk ka mal pa thi”, thotë shkurt Haraçija.
Por, ai thotë se këto dy subjekte politike në vend se të përçahen, është mirë të bashkohen.
“Ne i llogarisim njerëzit e LDD-së si të jenë të LDK-së dhe pres që shumë shpejt ata t’i bashkohen LDK-së. Kur kemi mundur të bëjmë koalicion me AAK-në dhe PDK-në, qysh mos të bëjmë ne me shpinë tonë. Janë pjesë e shpisë sonë. Sa më shpejt të bashkohemi që mos të lëmë të na shfrytëzojnë as PDK’ja, e as AAK-ja”, thotë ai.
Edhe Blerand Stavileci, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se akuzat e LDD-së janë arsyetime për dështimet dhe rënien e tyre politike.
“Përkundrazi, PDK’ja edhe në nivelin qendror edhe në nivelin lokal në komunat që qeveris, për herë të parë në Kosovë e kanë dhënë provimin e korrektësisë. Asnjëherë nuk ka pasur përzierje në administratë përkatëse. Siç janë aplikuar praktikat në të kaluarën, kur njerëzit kanë pësuar për shkak të përkatësisë politike”, vlerëson ai.
Ndërsa, Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së, thekson se kjo parti ka mirëkuptim për të gjithë nëpunësit që janë të angazhuar në pushtetin lokal, pavarësisht ngjyrave dhe dallimeve partiake.
“Me këtë rast, nuk është faj i AAK-së, fakti që njerëzit e Lidhjes Demokratike të Dardanisë gjithnjë e më shumë po e gjejnë veten te koncepti politik i AAK-së”, shton ai.
Të hënën, në një intervistë për Express, lideri i LDD-së, Nexhat Daci ka kritikuar ashpër presidentin Fatmir Sejdiu, kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, se kanë vendosur ta copëtojnë LDD-në.
“Mendoj se është një turp i madh i këtyre partive që po mundohen ta shfrytëzojnë mungesën e ligjshmërisë në vend për t’i trafikuar mandatet. Ata, në veçanti, u janë gjuajtur deputetëve të partive që nuk kanë shërbime informative apo ushtarake të veta”, ka deklaruar Daci.
Ai, më pas, ka sjellë shembuj konkretë. “Presidenti i Kosovës, i cili mban funksionin e ngrirë të Kryetarit të LDK’së, po i thërret në konsulta sekrete në Presidencë deputetët e LDD’së dhe AKR’së, sepse deputetët e partive të tjera nuk ka kurajo”, ka deklaruar Daci.
Ngjashëm si Sejdiu, sipas Dacit, po vepron edhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili thuhet se u është afruar disa deputetëve të LDD’së me ofertën që të kalojnë në partinë e tij, LDK. “Nuk do të kisha dashur të merrem (me Isa Mustafën). Por ka faktografi të gjallë. Është shumë e vërtetë që është marrë me këto gjëra”, ka deklaruar Nexhat Daci.
Çka është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës (KPMK) është i paraparë në aktin më të lartë Juridik të Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 101.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton “Një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil, siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.
Krijoni Kontakt