-
Ballkani, pa Kosovën, në BE deri në vitin 2020
Bruksel, 20 janar- Spekulimi me data se kur ndonjë shtet mund të hyjë në Bashkimin Evropian është një punë jo e lehtë, sidomos për politikanët nga vendet ku ekziston përgjegjësi për fjalët e thëna dhe premtimet e bëra publike. Shumë vende të Ballkanit Perëndimor kishin përmendur me vite data dhe vite se kur vendi i tyre mund të hyjë në BE, por asgjë nga këto nuk janë përmbushur. Për shembull, Kroacia, i vetmi shtet për të cilin besohet se mund të hyjë në një afat të qartë në BE, ka humbur disa afate. Ishte menduar në vitin 2004 se ky vend do të mund të bëhej anëtare në vitin 2007, së bashku me Bullgarinë dhe Rumaninë, vende të cilat ishin dhe mbeten edhe sot shumë prapa Kroacisë në zhvillimin ekonomik dhe social. Kroacia humbi vitin 2007, humbi edhe vitin 2008, as viti 2009 nuk u realizua dhe gjasat më optimiste janë se do të përfundojë negociatat e anëtarësimit këtë vit për t’u bërë anëtar në vitin 2012. Pra prej nisjes së procesit e deri tek anëtarësimi për Kroacinë do të ketë kaluar një kohë prej 10 vjetësh. Këtë e marrin si shembull disa diplomatë në Bruksel kur u sugjerojnë politikanëve nga rajoni që të përmbahen nga përmendja e datave, në mënyrë që të mos krijohen pritje joreale nga qytetarët e me këtë edhe zhgënjime të mëdha kur të shohin realitetin se afatet janë joreale. Pos Kroacisë, asnjë vend i rajonit nuk ka nisur fare negociatat e anëtarësimit, ndërsa Kosova nuk ka bërë as hapin e parë as për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, përmbushja e së cilës është parakusht për të marrë parasysh çfarëdo aplikimi eventual për anëtarësim. Prandaj, në BE edhe në dokumentet e „Strategjisë së zgjerimit“ thuhet se „Bashkimi Evropian do të përmbahet nga përmendja e datave për anëtarësim të ndonjë vendi derisa negociatat e anëtarësimit të mos jenë afër përmbylljes“. Dhe kësaj në BE janë duke iu përmbajtur, prandaj vetëm tash, kur negociatat kanë hyrë në fazën e fundit, përmendet, madje kushtimisht, viti 2012 për anëtarësimin e Kroacisë. Për këtë është caktuar edhe shuma e parave në buxhetin e BE-së për dy vitet e para të anëtarësimit të Kroacisë, ka filluar draftimi i Marrëveshjes së anëtarësimit dhe institucionet e BE-së kanë filluar për herë të parë të punësojnë shtetas të Kroacisë. „Është tepër herët që të flitet për vendet e tjera të rajonit të cilat janë në fazën e aplikimit. Realisht mund të ndodhë që deri në fund të këtij viti të nisin negociatat me Maqedoninë, ndërsa deri në fund të vitit që vjen Mali i Zi, Serbia e ndoshta edhe Shqipëria të marrin statusin e kandidates. Gjithçka tjetër është e pamundur të parashikohet në këtë moment“, thotë një zyrtar i lartë i BE-së, i cili porosit të merret parasysh edhe paraqitja e Komisionerit të ardhshëm të zgjerimit, Shtefan Fule, në Parlamentin Evropian, i cili ka thënë se në mandatin e tij do të jetë kundër „afateve të caktuara për shkak të agjendave politike“ dhe do t’i përmbahet politikës së kushtëzimit në procesin e zgjerimit.
Mst: Për Kosovën joreale edhe 2020-a
Greqia ka disa muaj që në opinion përmend vitin 2014 si një afat të dëshirueshëm për anëtarësimin e vendeve të rajonit të Ballkanit në BE. Por edhe vetë diplomatët grekë pranojnë se ky afat është „qesharak“ dhe se insistojnë në përmendjen e tij „për të arritur çfarëdo përparimi, sepse shumë shtete janë kundër zgjerimit“. Edhe ministri i Jashtëm slloven ka përmendur po ashtu këtë afat, ndërsa diplomatë nga vendet e tjera të BE-së qeshin në mënyrë ironike duke thënë se „Greqia dhe Sllovenia, dy vendet që kanë bllokuar fqinjët e tyre, nuk janë shtete që mund ta avancojnë zgjerimin e BE-së, sepse ato i kanë bërë tashmë dëme të papërmirësueshme procesit të zgjerimit, duke instaluar përdorimin e problemeve bilaterale në procesin e zgjerimit të BE-së“. „Nëse Sllovenia ka bllokuar kaq gjatë Kroacinë, Greqia Maqedoninë, mund të paramendoni çfarë do të bënte Kroacia kur të jetë anëtare e BE-së para Serbisë apo Serbia para Kosovës“, thotë një diplomat tjetër. Por disa burime të tjera diplomatike pohojnë se po krijohet gradualisht një grup i „miqve të zgjerimit“ ku janë shtetet rreth „Ballkanit Perëndimor“ që kanë interesa të përbashkëta dhe disa shtetet të tjera si Suedia dhe vendet e reja anëtare. Në anën tjetër, në „zgjerim të ngadalshëm“ insistojnë Gjermania e Holanda. Austria, edhe gjatë vizitës së sotme të ministrit të saj të Jashtëm në Greqi, do të angazhohet për një „shtytje“ të dosjes së zgjerimit të BE-së dhe dinamizmit të „Agjendës së Selanikut“. Pas Selanikut ku ishte garantuar e ardhmja evropiane e rajonit, përfshirë edhe e Kosovën, kjo ishte konfirmuar edhe në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Salzburg në kohën e kryesimit të Austrisë, ndërsa pritet që të rikonfirmohet edhe në një „Konferencë të nivelit të lartë“ mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit në muajin maj në Sarajevë ku do të ftohet edhe Kosova (si „Kosovo/UNSC1244“). Për dallim nga Greqia dhe Sllovenia që kanë përmendur me qëllim afate joreale, vitin 2014, për anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit, Austria është më reale dhe angazhohet që të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Kosovës, të bëhen anëtare deri në vitin 2020. Austria, bashkë me Greqinë, Slloveninë, Hungarinë dhe disa vende të tjera po mundohen ta avancojnë agjendën e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit. Michael Spindelegger, ministër i Jashtëm i Austrisë, ka thënë se do të ishte mirë sikur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse i përmbushin kriteret e nevojshme, të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2020. Por ai ka shtuar se për Kosovën „do të duhet më shumë kohë“. Burimet në BE pranojnë se për momentin problem kryesor me Kosovën është fakti se ajo nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare, prandaj nuk mund të trajtohet si shtet nga ana e BE-së. Çdo hap në procesin e zgjerimit dhe në politikën e jashtme do të vazhdojë të vendoset me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Prandaj, Kosova edhe për një kohë do të mbetet jashtë çdo procesi formal i integrimeve evropiane, duke mos mundur të bëjë asnjë marrëveshje formale me BE-në. Në këto rrethana në BE tashmë është vendosur që të përqendrohen në „punët në terren në Kosovë“ për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe për ndihmë zhvillimit ekonomik të Kosovës. BE-ja në procesin e zgjerimit mund të negociojë vetëm me shtetet që janë të njohura nga të gjitha shtete ekzistuese anëtare. Negociata e anëtarësimit edhe bëhen në të ashtuquajturat „Konferenca ndërqeveritare“ ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e 27 shteteve të BE-së dhe ata të vendit kandidat. Prandaj, formalisht nuk ka mënyra që në BE të anëtarësohet ndonjë vend, i cili nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare, madje as që mund të bëhet me status kandidati ai vend.
Por ka shumë diplomatë të BE-së të cilët thonë se, edhe po të mos ishte problemi i mosnjohjes nga të gjitha shtetet, Kosova do të kishte një „rrugë shumë të gjatë“ deri tek integrimi në BE. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, në fund të kryesimit suedez të BE-së, pati thënë duke iu përgjigjur një pyetjeje të “Kohës Ditore” se „Edhe po ta kishin njohur si shtet të gjitha vendet e BE-së, e shumica e kemi bërë këtë, Kosova do të mbetej me sfida të mëdha në shtetndërtim. Prandaj, do të ketë nevojë për një angazhim më të madh edhe të BE-së për të ndihmuar Kosovën“, pati thënë ai. Se sa e vështirë do të jetë rruga e Kosovës drejt BE-së dëshmon edhe rasti i Bosnjës. Këtij shteti i është thënë qartë se „Si protektorat ndërkombëtar nuk mund të bëjë as kërkesën për anëtarësim në BE“. Por shumë diplomatë thonë se Kosova „nuk ka rrugë tjetër, pos asaj të integrimeve në BE dhe, sado e largët duket dita e anëtarësimit eventual, ajo duhet të synojë këtë rrugë“. Sa u përket afateve në BE thonë se „shtetet kandidate mund t’i caktojnë vetes afate për përmbushjen e kritereve, nëse kjo u shërben si stimulim për reforma, por duhet të kenë kujdes që të mos krijojnë zhgënjim në mesin e qytetarëve të tyre dhe ne në BE do të përmbahemi nga përmendja e afateve“.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt