Varfëria, kërcënimi i gruas 32-vjeçare: Do i vë zjarrin vetes si im shoq 1 muaj më parë
» Vendosur: 24/01/2010 - 11:08
•
BULQIZE/ HASAN PASHA
Një muaj më parë, i shoqi i dha fund jetës para syve të saj. Ndonëse u përpoq ta shpëtonte, nëna e dy fëmijëve nuk ia doli dot t’i shuante flakët nga trupi i bashkëshortit. Ajaz Duriçi, 33 vjeç ndërroi jetë në spital pas 3 ditësh vuajtjesh prej plagëve të marra. Sot është e shoqja e tij që kërcënon se do të ndërmarrë të njëjtin veprim. Kushtet e vështira ekonomike, në të cilat Zyra Duriçi jeton me fëmijët e vegjël e detyrojnë të pohojë këtë vendim ekstrem. Tani që i shoqi nuk është më, gruaja 32-vjeçare e ndjen veten të pafuqishme për t’ia dalë e të rrisë e vetme fëmijët. Nga njëra anë humbja e bashkëshortit dhe nga ana tjetër varfëria e të ftohtit kanë krijuar një situatë dramatike për atë dhe dy të miturit. Të gjithë së bashku mblidhen në fundin e një të ashtuquajture dhomë, e cila vetëm e tillë nuk mund të konsiderohet, në një prej ndërtesave në lagjen e ish-minatorëve që njihet me emrin “Gjeologu”. Varfëria e madhe çoi bashkëshortin e saj Ajaz Duriçi në vetëvrasje, duke djegur trupin me benzinë në sy të gruas dhe fëmijëve, ndërkohë ankthi për Zyranë dhe fëmijët është shtuar shumë. Apeli i saj dhe i të afërmve drejtuar strukturave të shtetit ka mbetur pa një përgjigje, pa një reagim konkret. E gjendur në pikë të hallit, pa asnjë mbështetje financiare, Zyra Duriçi kërkon ndihmë. “Kjo varfëri e shkreta i mori jetën burrit tim. Më la në rrugë me dy jetimë. Ka kaluar më shumë se një muaj dhe askush nuk kujtohet për fëmijët e mbetur jetimë. Kam pritur ndihmën e bashkisë apo shoqatave, por jam në të njëjtën situatë si më parë. Kjo nuk është shtëpi. Pa dyer e dritare, pa tavan e dysheme normale. Rroba fjetje nuk kemi. Nuk bëhet fjalë për ushqime e orendi. Jam në dilemë. Vazhdoj të mendoj se ndoshta duhet të ndjek rrugën e burrit tim, nuk kam asnjë shpresë se shteti apo dikush do të mendojë për fëmijët e mi”, shprehet Zyra Duriçi, teksa lotët nuk i thahen në faqet e saj.
Deri dje të afërm të kësaj familjeje janë rrekur t’i çojnë ç’të munden, ushqime, bukë dhe ndonjë rrobë. Por kjo familje aktualisht ka nevojë për një banesë, më pas për një ndihmë konkrete financiare. Sipas Zyrasë, burri i saj punonte në një ndërmarrje shtetërore dhe dy vitet e fundit nuk është paguar. “Ishte roje në ndërmarrjen e rrugëve Ajazi, - tregon gruaja e ve. Herë pas here i thoshin se paratë do t’i merrte. Kanë kaluar dy vjet dhe ato para nuk na i dhanë. As pas vdekjes së tij ndërmarrja buxhetore nuk ka menduar për këta fëmijë të mbetur në mëshirë të fatit. Nuk e kuptoj sa mizorë janë disa. Të shfrytëzojnë deri në fund, të detyrojnë të vritesh dhe ende nuk reagojnë”, shprehet e pikëlluar 32-vjeçarja nga Bulqiza. Vetë ajo, për të nxjerrë ndonjë lek për shtëpinë, ashtu si dhe të tjerët dilte të mblidhte krom. Por kurrë nuk ka pasur një punë të qëndrueshme, ndërsa tani i duhet të mendojë e vetme për dy fëmijët, njëri në klasë të pestë e tjetri në të parën.
Si u dogj me benzinë kryefamiljari Duriçi
Në mesin e dhjetorit të vitit 2009 Ajaz Duriçi, baba i dy fëmijëve të vegjël i ka vënë zjarrin vetes në orët e para të mëngjesit të asaj dite. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, kur sapo ka zënë gjumi të shoqen, Zyranë. Ai ka hedhur mbi trupin e tij benzinë dhe ka ndezur shkrepësen. Pak çaste më vonë gruaja ka ndjerë erën e benzinës, duke u zgjuar e alarmuar nga ajo ç’ka po shihte. Me shpejtësi ka lajmëruar komshinjtë dhe njerëzit e saj të afërm. Ashtu i përfshirë në flakë, kryefamiljari ka tentuar të pengojë të shoqen që të njoftojë personat e tjerë për ta shpëtuar. Ulërimat e gruas dhe më pas të fëmijëve të mitur kanë bërë që shpejt të mbërrijnë në shtëpinë e Duriçit komshinjtë e tyre. Ata kanë arritur të shuajnë flakët me batanije dhe mjete rrethanore dhe e kanë dërguar të dëmtuarin shpejt në spitalin e qytetit. Sipas mjekëve të këtij spitali djegia ka qenë e shkallës së tretë dhe për këtë arsye nuk kanë pasur mundësi t’i vijnë në ndihmë. Duriçi është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për një mjekim më të specializuar, por mëngjesin e një ditë më vonë jeta e tij është prerë në mes. Ashtu siç pohoi gruaja e tij, shkak i vetëflijimit të të shoqit është bërë varfëria, që i shkaktoi atij depresionin. Vite më parë, Duriçi kishte punuar në minierë, por ishte shkëputur prej saj. Dy vite më parë, siç pohojnë familjarët e tij, ai kishte nisur punë si roje në ndërmarrjen e rrugëve, por nuk kishte marrë rrogën e rregullt.
gazeta shqiptare
Krijoni Kontakt