Incident i rëndë i kryetarit të PS me banorët tek vendi i quajtur "Ura e Lahajt"
Shkodra përze Ramën: "Pas pushimeve u kujtove për ne", kreu socialist i ofendon
Kryetari i Partisë Socialiste provokoi dje një incident të rëndë me banorët e zonave të përmbytura në Shkodër, të cilët i ka sharë dhe ofenduar për faktin e vetëm se kanë refuzuar të dëgjojnë propagandën e tij politike në kurriz të fatkeqësisë së tyre. Pas pushimeve të stërzgjatura në Paris dhe vende të tjera, Rama ka tentuar dje të bëjë politikë me fatkeqësinë e banorëve të zonave të përmbytura, gjë e cila ka irrituar shkodranët që i janë drejtuar Ramës me fjalës "tani u kujtove për ne". Në vend të solidaritetit me banorët e këtyre zonave që po përjetojnë momente të vështira, Rama nuk ka nguruar të shprehë urrejtjen, arrogancën dhe moskokëçarjen për bashkëqytetarët e tij. Me një gjuhe ordinere, e denjë vetëm për një njeri rruge, Rama është përpjekur të bindë banorët se fajin për reshjet që shkaktuan përmbytjen e tyre e ka qeveria dhe jo moti. Një gjë e tillë ka irrituar jashtë mase banorët e prekur nga përmbytja, të cilët me të drejtë i kanë kujtuar Ramës se ai pushonte në plazhet më të shtrenjta të globit dhe i kanë kërkuar atij të largohet nga zona e tyre pasi nuk kanë nevojë për cinizmin dhe propagandën e tij bajate. Por pas këtij reagimi, Rama ka vijuar përdorimin e një fjalori ordiner në komunikimin me banorët e Shkodrës duke dëshmuar sërish se qëllimi i kësaj vizite në zonat e goditura nga moti i keq ishte vetëm nxjerrja e përfitimeve politike. Ky qëndrim jashtëzakonisht cinik në këtë situatë tepër të rënduar në zonat e përmbytura, ka shkaktuar indinjatë të thellë tek banorët, të cilët i kanë kujtuar Ramës se ai ishte me pushime në hotelet më të shtrenjta të globit, kur ata ishin në kushtet e kësaj fatkeqësie. Partia Demokratike denoncoi dje provokimin e rëndë nëpërmjet sjelljes arrogante dhe gjuhës ordinere që Rama përdori ndaj banorëve të zonave të përmbytura tek vendi i quajtur "Ura e Lahajt". Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, theksoi se Rama ishte dje në Shkodër për të provokuar qytetarët e zonave të përmbytura, në vend që të shfaqte solidaritetin për kushtet e vështira pas vërshimit të ujërave në shtëpitë e tyre. "Zoti Edvin Kristaq Rama u kthye vetëm dje nga vakancat e zgjatura. Ai as që nuk dënjoi të ndërpriste pushimet e luksit në Paris apo Bankok edhe pse zona të tëra u përmbytën dhe kaluan Vitin e Ri nën kërcënimin e vërshimit të ujërave apo dallgëve të detit. Sot, ai vizitoi zonat e përmbytura ku në vend të solidaritetit shau dhe fyu me gjuhë ordineri fshatarët e përmbytur tek Ura e Lahajt, vetëm se e pyetën 'ku ishe ti gjer sot' dhe se reaguan me indinjatë të thellë kur u tha atyre se ju përmbyti qeveria dhe jo moti", theksoi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. Partia Demokratike, duke dënuar këtë qëndrim të Ramës, i kërkoi atij të solidarizohet me të dëmtuarit nga përmbytja dhe të mos shkojë atje vetëm për t`i sharë dhe ofenduar vetëm e vetëm se ata reaguan ndaj trillimeve të tij, se qeveria nuk po bën gjë për t`i ndihmuar dhe se është ajo që ju përmbyti dhe jo moti. "Partia Demokratike sot nuk reagon ndaj këtyre trillimeve të Edvinit mbasi përgjigjen më të merituar ja dhanë fshatarët e Trushit tek Ura e Lahajt", u shpreh më tej Mëhilli. I sapokthyer nga pushimet e tejzgjatura në resortet më luksoze të globit, kryetari i Partisë Socialiste, ka vizituar zonat e përmbytura, në përpjekje për të shfrytëzuar fatkeqsinë e radhës për përfitime politike personale. Në vend të shprehjes së solidaritetit me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, Rama është munduar t`i bindë ata se duhet të fajësojnë qeverinë se i ka lënë pas dore. Por ai ka hasur në reagimin e ashpër të banorëve, të cilët ia kanë bërë të qartë kreut të PS-së, se nuk kanë nevojë për fjalimet e tij, aq më tepër në këto momente të vështira që po kalojnë. Ata kanë kërkuar largimin e Ramës nga zona e tyre, duke mos e fshehur indinjatën për këto qëndrime aspak humane të kreut të PS-së, i cili synon përdorimin e fatkeqësisë së tyre për të mbajtur në këmbë politikat e tij.
Rilindja Demokratike
Krijoni Kontakt