Nëse njeriu do ta thjeshtësonte përshkrimin e “periudhës së Qeverisë së përkohshme të Kosovës” më 1999 do të mund të dilte një tablo e këtillë: periudha ku duhet prodhuar Thaçin si kryeministër, Rugovën si një humbës të izoluar në shtëpinë e vet, koha kur duhet “zapuar” shtëpia, banesa dhe lokale me parullën e shkruar “Mos prek,UÇK”, gjendja kur duhet marrë me kallashë KEK-un dhe ndërmarrjet e tjera publike e futur aty menaxhues me kredenciale të mjaftueshme revolucionare, gjendja ku nëse flitet për të pabërat e revolucionarëve të rinj këtë duhet bërë me zë të ulët, gjendja ku së pari minoritetet e më vonë edhe shqiptarët i ha terri.
Efekti politik i Qeverisë së përkohshme ishte shumë më i rëndë se ky përshkrim i thjeshtësuar. Bashkësia ndërkombëtare nuk kishte partner kyç e të përbashkuar kosovar, i cili do të printe, të tregonte rrugën e ndërtimit të Kosovës demokratike, për ç’gjë do të ndihmohej nga bashkësia ndërkombëtare. Në mungesë të një qendre të vendosjes kosovare, drejtimet i kanë përcaktuar me vite të tëra përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, edhe ata jo shumë herë të unifikuar. Ilustrimi i dukshëm ishte Kushtetuta, kur bashkësia ndërkombëtare vërejti se nuk ka iniciativë vendore, filloi të shkruante vetë një dokument restriktiv juridik, të cilin e quajti Kornizë kushtetuese, dhe për këtë mori legjitimitetin e kosovarëve.
Efekti mendor, kolektiv, i pranisë disamuajshe të një organizate gjysmë-klandestine të quajtur Qeveri e përkohshme, ishte se në Kosovë nuk ka qeverisje, përkatësisht se kemi një transformim të guerilasve në rroba civile, dhe vazhdimi i luftës së tyre për pushtet me mjete të tjera, në shumicë jodemokratike.
Efekti strukturor për vendin ishte shkatërrues: mungesa e prijësit vendor për shtetndërtim, veprimi gueril, gjysmë klandestin, me rroba e rrethana të reja e ka lënë Kosovën me një gjyqësor pothuajse tërësisht të paralizuar dhe joefikas, struktura të dobëta e të partizuara në administratën shtetërore dhe një kulturë demokratike që toleron nivelin më të ulët politik-parlamentar në Evropë.
Krijoni Kontakt