Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Endless
    Anëtarësuar
    17-08-2007
    Vendndodhja
    Shqiperi
    Postime
    5,119

    Thumbs up Kriminalizimi i politikës dhe dështimi i shtetit

    Qendisje e realitetit shqiptar :




    • Shinasi Rama

    Në disa shkrime të ditëve të fundit, e veçanërisht në “Punë Batakçinjsh” të botuar në gazetën Korrieri, z. Fatos Lubonja ka vënë në dukje se problemi themelor me të cilin përballet shteti shqiptar është problemi i kriminalizimit të parisë së Tiranës dhe lidhja në kërthizë që kjo pari ka me krimin e organizuar. Për Lubonjën, edhe pse segmentet politike të parisë grinden publikisht e në media, paria e Tiranës është shumë më kohëzive thjesht sepse elementët që i mbajnë krahët e parisë të lidhur bashkë janë influenca e jashtëzakonshme e krimit të organizuar, interesat e saj të ngushta ekonomike e politike, si dhe mbi të gjitha, mendësia kriminale e vetë parisë. Shembulli që përdor z. Lubonja për të ilustruar tezën e tij është shitblerja e kalimi dorë më dorë e ish-Taivanit, sot një lokal kumari tek Shallvaret nga njëra palë e parisë tek tjetra e anasjelltas thjesht me qëllime përfitimi personal. Ndërsa shembulli është shumë domethënës, dhe unë pajtohem plotësisht me analizën e z. Lubonja, mendoj se kjo dukuri ia vlen të analizohet edhe për disa aspekte të tjera, e veçanërisht për rolin qe luan ky kriminalizim i gjithanshëm i parisë në dështimin e shtetit shqiptar dhe në kapjen e tij nga bota e krimit përmes vetë strukturave politike, ekonomike e shoqërore te parisë.
    SHTETI DHE KRIMI I ORGANIZUAR
    Shteti normal është kundërshtari më i rreptë i kriminelit dhe armiku i pakompromis i krimit të organizuar. Në një shtet normal, ligjet dhe strukturat janë formuluar e ndërtuar në mënyrë të tillë që jeta, nderi, pasuria, mirëqenia e qytetarëve si dhe rregulli shoqëror të mos cënohen nga askush. Shoqëria normale jo vetëm i respekton këto norma e rregulla, por gjithkund kriminelët dënohen e humbin të drejtat bazë e shpesh edhe jetën. Megjithatë në shtetin shqiptar, siç del edhe nga shembulli që sjell z. Lubonja, vërehet se sjellja kriminale nuk është e kufizuar, e paorganizuar, apo e dënueshme. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Ajo që del nga analiza e tij por edhe nga shumë të tjera, është se kapja e hapur e shtetit shqiptar nga bota e krimit, legjitimimi i sjelljes kriminale, pranimi nga ana e shoqërisë e kësaj sjellje kriminale si normale, dhe kriminalizimi fund e krye dhe i padiskutueshëm i parisë dhe i institucioneve të shtetit janë thelbësore për realitetin shqiptar. Duke qenë se shteti nuk iu jep zgjidhje problemeve të tyre, individë dhe shtresa të tëra të shoqërisë i janë drejtuar dhe i drejtohen botës kriminale, tolerojnë sjellje kriminale dhe bëhen bashkëfajtore në krimin e parisë. Duke i zgjidhur problemet e tyre imediate si individë, ato e shkatërrojnë fabrikën e shtetit dhe të instituticoneve si dhe dëmtojnë rëndë mundësitë e tyre për një jetë normale në të ardhmen.
    Si shembuj të njohur të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar mjafton te përmenden 400,000 ndërtimet pa leje, dhjetëra, mijëra vajza që shiten rrugëve të botës, plakat qe arrestohen për rritje droge, fushat e mbjella me kanabis, katundet që ruhen nga bandat e armatosura, motelet e hotelet e prostitucionit, 40,000 te droguarit ë Tiranës, 20,000 shqiptarët që janë në burgjet e botës, grabitja e hapur dhe sistematike e pronës shtetërore, shkalla marramendëse e informalitetit në ekonomi që shkon deri në 70%, ryshfetet që merren nga gjykatësit e zyrtarët, shitblerja e posteve zyrtare, deputetët që arrestohen ‘gabimisht’ me thika e kobure apo politikane që vdesin rrugëve, pasi dalin nga motelet me sekretaret, politikanët që gdhihen në fund te mandatit më disa milionë euro pasuri ‘të fituar në bursë’ dhe në fund, por jo më e fundit, numri ne rritje i kriminelëve, të akuzuarve, vrasësve me pagesë, i hajnave dhe i gangsterëve të deklaruar edhe si eksponentë të politikës nga të dyja krahët e parisë së Tiranës.
    E natyrisht, shembujt e korrupsionit e të kriminalitetit, të vjedhjes dhe të shfrytëzimit të paskrupullt të shtetit e të shoqërisë nga ana e parisë janë të panumërt. Këtu mund të përmendën privatizimet, gomonet, piramidat, viti 1997, bandat e shumta, Gërdeci, Kinostudio, Taivani, Porto Romano, Fazlliçi, pallatet e Tiranës, Jala, e më radhë. Të gjithë këto shembuj shërbejnë për të ilustruar qartë se shteti nuk është normal por se është një shtet i kapur dhe i dështuar, se krimi sundon dhe se paria e Tiranës është vegël e krimit te organizuar.
    Një shembull shumë domethënës por për të ardhur keq i këtij kriminaliteti të gjithanshëm ishte edhe falja me aq ceremoni e pompe ë ndërtimit të paligjshëm të vilës së z. Ismail Kadare nga ana e qeverisë. Do të ishte njëmijë herë më mirë që qeveria shqiptare ta kishte blerë një vilë mbretërore apo private dhe t’ia bënte dhuratë, apo te ndërtonte një vilë të re posaçërisht për të e kudo tjetër që mund të ndërtohej, se sa ta shtynte shkrimtarin e njohur që të bëhej bashkëfajtor në këtë krim; z. Kadare herët a vone, më zë apo në mënyrë të heshtur do të duhet që ta falënderojë shtetin për faljen e vilës së tij të paligjshme. Atëherë, edhe ai do të bëhet bashkëfajtor në krimin e saj.
    Nuk ka fare dallim midis palëve të parisë se sa janë te lidhura me krimin e organizuar. Dallimi thelbësor është se nëse PD e kontrollon botën kriminale më dorë të hekurt, PS është e kapur nga bota kriminale. Sali Berisha i kontrollon strukturat e krimit vetë apo përmes familjes së tij. Udhëheqja e PS-së është të kontrolluar nga krimi ose përfaqësues të familjeve janë në politikë për të mbrojtur ato interesa.
    Por ky dallim zbehet e bëhet i parëndësishëm kur të gjitha palët shihen ashtu siç janë, pjesëtarë të segmenteve të parisë së Tiranës, klane e individë të pasuruar përmes politikës dhe që sillen e veprojnë si instrumente të vetëdijshme të krimit të organizuar, qoftë si ushtarë, qoftë si shefa të strukturave të tilla. Për të kuptuar këtë lidhje simbiotike të krimit me politikën duhet analizuar ajo që ndodhi gjatë sistemit të kaluar, sepse atje janë edhe disa nga shkaqet kryesore të kriminalizimit të sotshëm të parisë së Tiranës.
    ORIGJINAT E KRIMINALIZIMIT TË SHTETIT DHE TË PARISË SË TIRANËS
    Në thelb, origjinat e kriminalizimit të shtetit e të parisë në shtetin shqiptar janë katër. Ka edhe shkaqe të tjera, por këto janë më kryesoret dhe ia vlen të qëmtohen me kujdes, edhe pse shkurtimisht këtu.
    Së pari, shoqëria shqiptare doli nga sistemi i mëparshëm thellësisht e kriminalizuar në të gjitha nivelet. Kriminalizimi, korrupsioni e zvetënimi ishte më pak i dukshëm nga paria, tek intelektualët e tek njerëzit e thjeshtë. Sa kohë që kishte shtrëngesa, paria e intelektualët vepruan në mënyrë makiavelike. Sa u zhdukën shtrëngesat, paria e tregoi fytyrën e vet të vërtetë dhe ajo ishte shumë e pakëndshme. Natyrisht që kishte një shtresë të madhe kriminelësh ordinere, për të cilët kjo lloj sjelljeje ishte normale dhe për të cilët shkatërrimi i shtetit ishte edhe çlirimi i vërtetë i tyre. Pra, pavarësisht nga rruga nga e cila erdhën, si paria, ashtu edhe keqbërësit ordinerë, për shkak se ndanin të njëjtën mendësi, përfunduan në të njëjtin predikament. Një element i rëndësishëm që e shpjegon këtë shkrirje të natyrshme të parisë me llumin e shoqërisë ishte edhe struktura e ndryshuar e marrëdhënieve shoqërore gjatë sistemit të kaluar. Për shkak të varfërisë së thellë, proletarizimit ekstrem, mungesës së materialeve e produkteve, nevojave në rritje, e me radhë, shoqëria nga poshtë-lart e nga lart-poshtë, zhvilloi mekanizma të komplikuar, por shumë efektive për zgjidhjen e problemeve të tyre jetike, si b.f., përmes tramit e shkëmbimit të mallrave të vjedhura, punës vetjake në orarin e punës, përdorimit të mjeteve e të pozicionit për interesa vetjake, deri edhe favoreve seksuale e me radhë. Gradualisht, hajnia, mashtrimi, zvetënimi e korrupsioni u bënë mënyrë e nderuar apo e pranuar jetese nga shoqëria e nga paria e Tiranës dhe zhveshja e shtresave të gjëra nga sistemi i vlerave morale normale ishte e frikshme. Rrënjët e ‘kapitalizmit’ ekstrem shqiptar të derisotëm, duhen kërkuar pikërisht në marrëdhëniet shoqërore që u zhvilluan gjatë kësaj periudhe. Shoqëria iu përgjigj dështimit të shtetit të atëhershëm duke zhvilluar një sistem të tillë, mjaft efektiv të ekonomisë informale, ku gjithçka e kishte një çmim dhe ku gjithkush e dinte se çka i kishte borxh tjetrit. Shoqëria u transformua në një rrjetë merimange ku të gjithë vareshin nga njëri-tjetri dhe i ruheshin shtetit, që në fakt ishte dorëzuar para kësaj mendësie.
    Së dyti, duke qenë e vetëdijshme se shteti i konsoliduar është armiku kryesor i pasurimit të saj, paria e Tiranës dhe intelektualët që iu bashkëngjiten asaj (dhe hajnat e cubat e transformuar në militante, natyrisht) e bënë si detyrë parësore shkatërrimin sistematik të shtetit. Shteti ishte pengesa, edhe duke mos qenë më ai shteti terrorist, prapë frika se mund të rindërtohej nga dikush e dikur e bënte parinë të ishte e vëmendshme karshi çdo përpjekjeje për fuqizimin e tij. Duke qenë e zvetënuar deri në palcë, paria e Tiranës nuk mundej e nuk mundet me pranue që shteti të arrinte ta shtrëngonte parinë, të vinte kufizime në pasurimin e saj, ta taksonte, ta dënonte, ta kontrollonte e ta mbante parinë nën fre e të ndërtonte një shoqëri normale. Kështu që paria e Tiranës ka luftuar e lufton me shumë konseguencë kundër forcimit të shtetit, të cilin e sheh si një të keqe të domosdoshme; asaj i duhet një shtet i dobët por në shërbim të saj, një shtet që kap hajnat e xhepave por që nuk prek peshqit e mëdhenj. Ajo do të vazhdojë që të luftojë kundër shtetit efektiv edhe në të ardhmen me të gjitha fuqitë e saj.
    Së treti, tregu i pakontrolluar dhe i painstitucionalizuar, kapitalizmi pa kufij, e mbi të gjitha, liberalizmi u bë ideologjia e preferuar e parisë, jo vetëm pse ishte ajo platformë e ndërtimit të shtetit që këshillohej nga të huajt, por mbi të gjitha, sepse ajo platformë i përshtatej dhe i përshtatet interesave të saj jetike. Në thelb të liberalizmit qëndron një shtet i dobët. Ndërsa sipërmarrësit që vinin nga shtresa e proletarëve të djeshëm u turrën të blinin e të shisnin mallra nga e gjithë bota me para në dorë, paria e përdori liberalizmin si një instrument të fuqishëm ideologjik, për të justifikuar shpërbërjen, rrënimin e vjedhjen sistematike të shtetit dhe ruajtjen e pasurisë së saj nga shteti e nga shoqëria.
    Së katërti, një popull që kishte vuajtur aq shumë nga një shtet i mbrapshtë gjatë kohës së sistemit të mëparshëm, nuk kishte se si të dyshonte në sjelljen e mbrapshtë por të qëllimtë të parisë për shkatërrimin e shtetit. Shkatërrimi i shtetit dukej si objektiv normal e parësor për të gjithë. Në fillimet e tranzicionit, shkatërrimi sistematik dhe i tërësishëm i shtetit ishte dukuria më vrastare dhe më e dhimbshme që mund të përjetohej. Ndërsa paria e Tiranës, dhe ato 1500-2000 vetë që e dinin mirë se ç’ishte shteti i së ardhmes ishin pjesë integrale e saj, u turr që të pasurohej vetë, pikërisht dukë përdorur dijet e fituar në kurriz te shqiptarëve e me paratë e tyre për ti skllavëruar ata, shqiptarët e thjeshtë prenë pemët, mollët e hardhitë, shkulen edhe vidat e fundit nga tornot e makinat dhe i shiten për hekur nen duartrokitjet e parisë sunduese. Shumë shqiptarë u turren në emigrim dhe ndërsa shumë prej tyre e gjetën veten dhe më shume vuajtje u integruan si njerëz normale në një shoqëri normale, shumë te tjerë, pa atë përgatitje qytetare e nivel vlerash, atje e gjetën veten të përballur me shtet shumë efektiv dhe që për më tepër i kishte vënë shqiptarët në shënjestër. E vetmja mënyrë për më mbijetuar, për shumë nga këto individë që kishin një të shkuar jo të pastër, ishte kriminalizmi e pasurimi përmes krimit. Me prostitutat ne qoshe të rrugës, me qesen e drogës në një dorë e koburen në dorën tjetër, këta u turren “me u pasuru” më çdo kusht. Njëlloj si paria e Tiranës edhe këta, nuk kishin kurrfarë skrupujsh morale e njerëzorë, shumë bënë atë që dinin, atë gjë që deri dje e kishin bërë në forma të tjera. Dhe ato që nuk përfunduan në varreza e burgje, u kthyen në shtetin shqiptar ku u benë mbështetësit kryesorë të politikës së parisë ë të partive të saj.
    Tërheqja e politikës nga krimi dhe ajo e krimit nga politika ka qënë gati magnetike. Asgjë nuk e nxori në pah kriminalitetin e parisë, as veshja si oficerë e kuadro e hajnave me patente, as gradat e postet që iu dhanë banditëve të rrugës e vrasësve ordinerë, as tolerimi e bashkëpunimi midis strukturave të partive, udhëheqësve të tyre e gangsterëve të lagjes, se sa kriza e thellë e vitit 1997. Në atë kohë u pa qartë se pa mbështetjen e krimit, paria nuk kishte fuqi te kontrollonte shoqërinë. Aleancat e deriatëhershme u çimentuan dhe kanë vazhduar qe të përkufizojnë sjelljen e parisë. Banditët u bënë bodigardë, shefa informalë kuadri, drejtuan komisione zgjedhore, përcaktuan se kush zgjidhet e disa u bënë edhe figura të shquara politike, bile po botojnë edhe kujtime te shkruara nga shkrimtarë te blerë. Dhe kjo gjendje është e konsoliduar dhe vazhdon e pandryshuar te mbysë shpresën për një shtet të shëndoshë, edhe deri më sot.
    A MUNDET QË PARIA E TIRANËS TË NDËRROJË RRUGË?
    Shqiptarëve iu duhet një shtet disi i forte, për aq sa i kemi kushtet e mundësitë. Mbi të gjitha, shqiptarëve iu duhet një shtet normal, i ndershëm, në shërbim të qytetarëve, që ruan rendin, që nderon të ndershmit e dënon krimin. Mirëpo, më këtë pari që është në Tiranë, kjo nuk ka gjasa që të ndodhë. Paria e Tiranës është e lidhur në kërthizë me krimin e organizuar, me të paligjshmen, me të pandershmen, me vjedhjen e me shkeljen e ligjit.
    Prandaj kjo që po ndodh nuk është thjesht pune batakçinjsh, si e përkufizon z. Lubonja por shumë më tepër se kaq, sepse si rrënjët ashtu edhe pasojat e kësaj lidhjeje të parisë me krimin shkojnë thellë. Lidhja e parisë më botën e krimit është një nga aspektet më të frikshme të tranzicionit dhe nuk ka aspak gjasa që kjo lidhje do të këputet. Mbrapa çdo figurë qendrorë të një klani të parisë, qëndrojnë vrasësit e hajnat e gatshëm për ti zënë vendin “shefit” e për ti ngrënë kryet. Këto nuk dine rrugë tjetër, nuk njohin sjellje të tjera, dhe nuk do të pranojnë shtrëngesat që vijnë me një shtet të konsoliduar e të qëndrueshëm. Prandaj edhe paria duhet trajtuar ashtu si është, një shtresë kriminale, në shërbim te krimit, që mbijeton në sajë të krimit dhe si kancer i shoqërisë shqiptare. Faza e tanishme është edhe me tragjike, sepse nuk kemi më një aleance të thjeshtë të parisë me krimin, por kemi parinë që prodhon krim dhe krimin që e riprodhon e fuqizon parinë e Tiranës.
    Without deviation from the norm, progress is not possible

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e joss
    Anëtarësuar
    15-09-2005
    Postime
    311
    Shinasi Rama flet në një intervistë për fatet e kombit shqiptar dhe ku po e çon "paria" këtë komb. Sipas tij, Shqipëria i ngjan Haitit ose Napolit, ku krimi i organizuar i ka të lidhur fijet me të gjithë pushtetin. Rama thekson se BE-ja mund t'i japë dritën jeshile Shqipërisë për vizat apo për kërkesën për anëtarësim, por kjo nuk do ta shpëtojnë dot vendin nga ai "qorrsokak" ku po e çon kjo "pari", (e quan pari klasën politike shqiptare).
    Profesor Rama ju ishit në Shqipëri me pushime. Si e gjetët dhe si e gjykoni gjendjen e vendit?
    Çdo gjykim për gjendjen në shtetin shqiptar është relativ dhe i kushtëzuar shumë nga përvojat, këndvështrimi dhe pritjet e njerëzve e të grupeve të cilave iu përkasin ata. Ka shumë njerëz në shtetin shqiptar që janë krejt të bindun se jeta e tyne ka ndrrue për mirë. Këta persona, të cilët e masin çdo gjë me gjendjen ku kanë kenë në vitin 1990 ose në vitin 1997, shohin se në zona të caktuara ku ato jetojnë si grup, është vendosur rregull e qetësi publike, se mjaft rrugë janë shtruar, se ka normalizim të jetës për një masë të ndjeshme të popullatës, drita e ujë e mbi të gjitha, ka një pajtim të dukshëm me gjendjen ekzistuese që në dukje ua garanton ekzistencën. Mirëpo, përtej fasadës modernizuese të këtyre oazeve, gjendja është kritike. Ekuilibri shoqëror i arritur është shumë i paqendrueshëm dhe i padeshiueshëm për shumë shtresa që nuk kanë më asnjë zgjidhje tjetër në jetën e tyre përpos përballjes së përditshme me rrënimin ekonomik, varfërinë, e krizën morale. Prej kësaj perspektive, ai vend të duket një vend i marrun peng prej djallëzisë e zvetënimit të parisë, injorancës së shtresave të vuejtuna, dhe pares së lehtë që vjen prej krimit të organizuar. Kisha thënë se kur e sheh vendin me syrin e nji njeriu që shpreson e lufton për një shtet demokratik të së drejtës e në shërbim të qytetarëve, një shoqëri me moral të shëndoshë e me vlera njerëzore e kombëtare, një ekonomi që krijon mirëqenie për të gjithë qytetarët, si dhe për konsolidimin e sistemeve të shërbimeve shoqërore, të gjitha të vëna në funksion të një të ardhmeje më të mirë, ma të bukur, e ma të sigurtë për të gjithë shqiptarët, sigurisht që nuk ndjehesh aspak mirë.
    Shkurt, me të gjithë të mirat e të keqiat që ka, me arritjet e me mangësitë, shteti shqiptar është vetëm një republikë bananesh në një gjendje kritike. Edhe pse në sipërfaqe duket sikur ka normalitet e qetësi publike, si të gërmosh pak më thellë e sheh se vendi është ende i ndalur në udhëkryqin midis Haitit e Napolit. Burimet e shumta e të jashtëzakonshme materiale e njerëzore janë shpërdoruar, shanset historike janë humbur, kriminalizimi i shoqërisë ka shkuar deri në palcë, sistemi politik ka përfunduar në oligarki të pastër, vlerat kombëtare e njerëzore ia kanë lënë vendin një materializmi tipik për fundërrinat e shoqërive, paria sunduese është e zvetënuar dhe terësisht e korruptuar.
    Mbi të gjitha, nuk ka shpresë, as te udhëkryqi i tranzicionit që është ba si rrethi i trafikut te Zogu i Zi, ku gjindet vendi e as te paria sunduese. Në nivelin ideologjik nuk ka një vizion të ndryshëm e bindës për të ardhmen për të dalë nga qorrsokaku i gangsterizmit ku jemi ngujuar, por mbizotëron një gjendje rezinjate e pajtimi me gjendjen. Pra, në mungesë të një përpjekjeje titanike për me e ndryshue gjendjen, e ardhmja e vendit dhe zgjidhja që ka mbetur është që Shqipëria ose do të mbetet një shtet kriminal tipik në botën e tretë ose të bëhet një metropol hordheku, anipse në një shtet europian. Kështu si janë ndërtue raportet shoqërore, vendi mund të shkojë në rrugën e Haitit, por mund të shkojë edhe në rrugën e Napolit por jo në ndonjë rrugë tjetër më të mirë. Shteti nuk ndërtohet me beton por me njerëz, e kur njerëzit që e drejtojnë shtetin janë të shtrembër, as lesa nuk nuk mundet me u ba e jo ma shteti.
    Mirëpo, kjo që thoni ju nuk është ajo që thonë politikanët tanë. Këtu flitet se ka arritje dhe se vendi ka ecur përpara.
    Arritje ka por pyetja është se a janë shfrytëzuar si duhet mundësitë që janë krijuar, burimet materiale e njerëzore që u vunë në dispozicion dhe kushtet specifike në të cilat e ka gjetur veten vendi? A është vepruar si duhet? Nuk duhet parë gjithçka zi, por ama duhet thënë se figurativisht, në vend që të ndërtohej një pallat ku të jetonin mirë të gjithë, është ndërtuar vetëm një vilë ku rrin paria. Për gjithkënd që don me e pa të vërtetën, ai vend është qartësisht fole e krimit të organizuar, të drejtuar prej parisë sunduese e në sherbim të saj përmes një sistemi të konsoliduar oligarkik dhe me një popull të çoroditur që hedh valle në buzë të greminës morale duke pritur me hy në Europë me argumentin e vetëm se "nuk munden me na lanë jashtë." Edhe në rastin më të mirë, ai vend ka me kenë plevica e Europës, vendi ku duhet me jetue e me u rritë prostitutat, drogaxhinjtë, pushtat e mafiozët, vrasësit e hajnat, dmth, ose Haiti ose Napoli. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër, dhe koha ka ardhur që me ndrrue rrugë. E keqja nuk është e pashmangshme por po u la që të përkeqësohet, shërimi do të jetë gjithnjë e më i vështirë.
    Sa për me e ilustrue këtë gjendje kritike, them së ndër gjanat që bien më shumë në sy janë betonizimi i jashtëligjshëm dhe i pandalshëm i vendit, korrupsioni i papërshkrueshëm në të gjitha nivelet, shtresëzimi i theksuar shoqëror, dështimi i ndërtimit të një ekonomie të institucionalizuar të tregut, materializmi i zhveshur dhe i paskrupullt që sundon mendësinë e të gjithë shtresave shoqërore, humbja e identitetit dhe mungesa e vlerave që e mbajnë një shoqëri bashkë, piramidat e injorancës arsimore, mafiat me bluza të bardha, me diploma profesoriale apo me kallashë, shkatërrimi i sistemeve të shërbimeve publike, konsolidimi i sundimit të oligarkisë së Tiranës i manifestuar në besnikërinë e zyrtarëve e nëpunësve ndaj klaneve e individëve me pushtet, e natyrisht edhe papërgjegjësia politike e pakrahasueshme e parisë së Tiranës që mendon veç për veten e vet. Paradokset shqiptare janë tragjikomike dhe krejtësisht të dukshme në jetën e përditshme edhe të dikujt që kalon dy-tre muaj në vit atje si unë. Shqipëria është një vend ku as ato që e shfrytëzojnë nuk duen me jetue, nuk duen me i investue paret që ia kanë shtrydhë popullit, nuk duen me i rritë e me i edukue fëmijët e tyne, e bile as me kalue pushimet. Në shtetin shqiptar ka më shumë karrike në mejhanet e klubet e panumërta se sa ka banorë i gjithë shteti. Profesioni ma i përhapun asht kamerieri e studenti. Në Shqipëri ka më shumë studentë universitarë se sa është rritja vjetore e popullsisë. Lypsat të kërkojnë pare borxh me iPhone. Lajmi i ditës është se kryeministri then rekordin personal të notit kur shteti nuk është i zoti me marrë pare borxh. Flitet për legalizim e në pesë vjet janë ndërtue 200 mijë ndërtime të tjera pa leje. Shteti ngjit shkallët e transparencës në një tabelë e korrupsioni e maskarallëku janë në nivele të papara. Ketu të plas krimi para syve, e të gjithë e qepin gojën. Këtu ndodhi 1996-1997-ta e disa nga kriminelët përgjegjës për atë tragjedi kombëtare zgjedhin të merren me masakrën e Tivarit. Deklarohet se rritja e eksporteve është 70 përqind kur vendi importon edhe sanë, barin e thatë, nga Maqedonia e nuk ke nji impjant industrial me e tregue si provë se prej kah ka ardhe kjo rritje perveç ujit të Drinit e mineraleve. Njerëzit nuk kanë punë e dasmat i bëjnë princërore. Tanë banditët i sheh në klube me çanta te vogla profesoriale por me Zastava brenda gati me ia marrë jetën dikujt për njimijë euro. Flitet për rritje ekonomike kur buxheti pritet me 25 përqind. Vendi deklarohet se është më përpara vendeve të Europës në edukim, por studiues me master kërkojnë punë si pastrues hotelesh. Emigrantët që e mbajnë atë vend me bukë, përbuzen e trajtohen si kafshë ekzotike dhe është e habitshme pse vazhdojnë të çojne pare e të kthehen në atë vend që i abuzon në atë mënyrë. Flitet për zhvillimin e turizmit, e në të gjitha plazhet e vendit notohet në shtupa, jashtëqitje, boçe misri, mbeturina gjirizesh e me rradhë. Të gjithë emigrantët kthehen në vend gjatë verës, por të gjithë qeveritarët, bile edhe pronarët e hoteleve ia mbathin me pushime në Kroaci, Turqi e në Mal të Zi. Në një plazh ku shkojnë 150 mijë vetë çdo dy javë, vetëm një pallat me 28 hyrje është tërësisht i legalizuar, asgja tjetër veç nji leje përdorimi! Ky është i vetmi vend në botë ku paria sunduese vendos me e ndalue sherrin për dy muajt e pushimeve. Qeverisja e sherri në Tiranë mbaron në qershor e fillon në shtator. Mbi të gjitha, simptomë e paradoksit shqiptar është media çoroditëse që merret me gjokse silikoni, kangëtarë që duhet me kenë në dietë e reklamojnë birrë, ura e rrugë që nuk janë ndërtue, ujësjellsa që nuk funksionojnë se të vjen uji i pijshëm me ujrat e zeza, me vende që përmbyten e të shiten si objekte turizmi. Ky asht vendi ku njerëzit vdesin përditë nga landët kimike prej banesave të ndërtueme në zonat industriale e darkën e kalojnë në cocobongo me DJ të importuar e me tallava politikë.
    Me i ra shkurt, për dikënd që nuk bie pre e lustrës dhe e propagandës mediatike por sheh me vëmendje problemet e rënduara, kjo është një gjendje marrëzie kolektive, delusion, njëlloj si jeta e të burgosurve për të cilët realiteti fillon e mbaron tek kampi e jeta e burgut, e shumë prej tyne mbasi kanë ndenjë për shumë kohë në burg nuk dojnë me ikë prej atje. Shkurt, shansi historik me ndërtue një shoqëri normale që u dha në vitin 1990 është humbur. Problemet nuk janë zgjidhur, tranzicioni i menduar dhe i drejtuar nga paria na çoi në një qorrsokak moral, humbje të dy brezave, e shkatërrim ekonomik… shteti mbijeton duke shitë veprat e ndërtuara në kohën e Enver Hoxhës! Prandaj duhen krijuar kushtet për një shans tjetër historik që të ndryshojnë strukturat politike e marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike në mënyrë që të gjithë shqiptarët të përfitojnë. Kështu si janë ndërtue gjërat, atje fiton vetëm paria e Tiranës. Përshtypja ime është se vendi është i nxjerrun për shitje, se ekonomia është piramidë e gjallë, se droga, trafiku e krimi janë burime që nuk e lënë vendin me ra në krizë, se politikanët e të gjitha ngjyrave janë banditë e cuba të kategorisë së fundit, se niveli i moralit është shumë negativ, se nuk ka pikë ndjenje atdhedashurie e shërbimi publik, se nuk ka mbrojtje për të varfërin, të pazotin e të vuejtunin, se shteti është një instrument në duart e parisë, se zyrtarët janë të korruptuar deri në palce dhe se njerëzit janë pajtuar me këtë gjendje.
    Zoti Rama, politika aktuale po e mëson jo vetëm brezin e ri, por edhe breza të tjerë, të rritur dhe të vegjël, se të merresh me politikë bëhesh patjetër i pasur, pra është një biznes mjaft fitimprurës si për vete dhe për familjen që të rrethon. A është ky problemi kryesor, apo është thjeshtë një konstatim?
    është një problem i mprehtë e qendror që është i lidhur më shumë probleme të tjera që i përmenda më lart. Problemi është se atje ku nuk ka ekonomi, politika bahet ekonomi. Në një shtet normal, njerëzit merren me politikë jo për me u ba të pasur por me fitue nder e respekt. Paret e pasunia e vërtetë vehen me punë, profesionalizëm e tregti. Askush nuk e respekton ma shumë ligjin se ai që ka pasuni të vënë me nder. Prandaj një shtet i fortë është mbrojtja më e mirë e të gjithëve, e të varfrit nga shtypja e shfrytëzimi, e të pasurit nga lakmia e vet por edhe nga krimi kur të çon parja. Mirëpo, duke mos pasë ekonomi të mirëfilltë prodhuese, si dhe duke pasur një sistem politik oligarkik e klanor, atëherë vjedhja e thesarit të shtetit, shpërdorimi i pozitës apo i burimeve shtetërore bahen mjete e mënyra kryesore pasurimi, e në shtetin shqiptar, këto janë mënyra më e sigurtë dhe më e shpejtë e pasurimit. Kështu që paria e Tiranës, si për të fituar por edhe për të ruajtur pasurinë e vet kërkon që të ruajë edhe kontrollin e politikës me çdo kusht sepse politika është në plan të parë. Nuk kanë rrugë tjetër, natyra e sundimit oligarkik dikton që në këtë rrugë do të përfundojnë duke i zvetënuar edhe fëmijet e tyre dhe ata e bëjnë këtë me dëshirë. Gjarpëri nuk shqetësohet se pjella e tij ka me helmatisë të tjerët. Mandej, çka lind nga gjarpëri din vetëm me kafshue. Marrja me politikë e pinjollëve të parisë është e domodoshme për me ruejtë fuqinë e klanit, me vjedhë nga thesari i shtetit, dhe me përjetësue këtë gjendje krimi.
    A nuk është e tillë fillesa në politikë edhe në Perëndim?
    Ky perceptim se "kështu si ne kanë filluar të gjithë," është pjesë e arsenalit ideologjik të parisë. Mirëpo këtu duhen theksuar tre gjëra. E para, shtetet perëndimore kanë struktura të fuqishme shoqërore e sisteme vlerash që e kufizojnë shumë aftësinë e çdo parie politike e të individit për të luajtur me shtetin simbas interesit të ngushtë. është e vërtetë që ka familje politike, mirëpo me kohë, ideologjia del parësore e si kriteri në baze të të cilit përzgjidhen e zgjidhen edhe politikanët.
    E dyta, natyra e politikës është e tillë që interesat e shtetit nuk janë gjithnjë të pajtueshme me interesat e klasës apo grupit që përfaqësohet në politikë. Edhe kur ka tejkalime apo shtrembërime, sistemi demokratik funksionon në një mënyrë të tillë që ose politikanët dalin jashtë loje, ose bëhen korigjimet e nevojshme në legjislacion etj. Politikanët e vërtetë shtetarë shpesh iu bijnë ndesh interesave të veta të ngushta ekonomike por edhe shtresës së tyre për të mirën e shtetit e të kombit.
    Së treti, nuk ka fillim të mirëfilltë në politikë nder ne se nuk ka pasur ndërprerje drastike me të shkuaren. Politikanët tanë ma tepër ndrrojnë e ma tepër i janë besnikë vetvetes, e vetvetja e vërtetë janë ato konviktoret e katundaret me valixhe druni që nuk e ngopnin barkun me një rriskë buke e shtatë lekë marmalatë e çaj pa sheqer dhe qëe ishin të gjithë anëtarë partie, ose të lidhur me një mijë fije me sistemin që e kthyen Tiranën nga një fshat me 10 mijë vetë në një metropol. Politika e sotme dhe njerëzit që janë në lojë i kanë rrenjet në sistemin e mëparshëm, këtu ke në politikë ministra si Gramoz Ruçi e kandidatë për kandidatë të Komitetit Qëndror të PPSH si Salih Berisha, për të mos folur për të tjerët. E keqja nuk janë njerëzit e thjeshtë apo edhe kategoria e këtyre ish-shërbëtorëve të ndërgjegjshëm të sistemit të mëparshëm. E keqja është se fillimi i vërtetë duhej të ishte një sistem i ri i cili t'i detyronte këto tipa e të tjerët që iu shkojnë mbrapa që të silleshin si duhet, në një mënyrë të ndryshme prej asaj që ishin edukuar. Ai sistem nuk u vendos sepse nuk iu interesonte palëve të parisë e tash në vend të nji totalitarizmi kaotik kemi një kaos totalitar. Asht struktura shtetërore ajo që iu ven kufinjtë pasioneve njerëzore. E në Tiranë u vendos një strukturë që i shërben vetëm parisë dhe paria sillet ashtu si din e si intereson. Prandaj gjendja është kjo që është.
    Atehere a mos është çështje e nëvojë e dinastive dhe familjeve të mëdha. d.m.th., jo çdokush mund të bëhet politikan?
    Nuk është një zgjidhje e aplikueshme ndër ne. Të gjithë shqiptarët vijnë nga familje të mëdha e me emër, e gjithsecili shqiptar mundet me kenë e sillet si mbret. Shqiptarët janë popull i vështirë me u sundue e prandaj edhe ato që i sundojnë shqiptarët nuk munden me kenë mbretër por në rastin më të mirë, vetëm bajraktarë, d.m.th., katundarë thuajse të barabartë me katundarët e tjerë. Politika që nuk mban parasysh interesat e të gjithëve është e përcaktuar më shfrytezue e me thellue përçrjet në një shoqëri. Kur politika bëhet për me ruejtë interesat e familjes ajo është e bazuar qartësisht në kundërvenien e një familjeje kundër shtetit. Politika e shqiptarëve, një popull i vogël, duhej të ishte e bazuar në interesin e shtetit kombëtar. Kriteri i përzgjedhjes duhej të ishte: "kush i shërben më mirë shtet-kombit e popullit të vet?" Ato duhej të ishin në krye të vendit. Politika e familjeve asht një politikë ku vota shitet për një thes mielli. Politika e vlerave dhe ajo shtetformuese asht një politikë ku një familje si Kennedy humb shumë nga ana financiare por lufton me kontribue për përmirësimin e gjendjes të të gjithë popullit të vet. Politika e vërtetë është mbrojtja e interesave të shtetit-komb dhe kombi, prej natyrës së vet, është një strukturë shumë egalitare. Ai që iu shërben të gjithëve duhet me dalë në krye të shtetit, ai që i shërben vetes e familjes së vet, ka me e përdorë edhe shtetin për vete e për familjen e vet.
    Që prej 18 vitesh politika shqiptare nuk ka gjeneruar një ideologji të vetën, është bërë vetëm politika e momentit, ky është problem formimi, apo fakti që kombet e vegjël nuk kanë nevojë për një ideologji në politikë?
    Po natyrisht që është problem formimi, por edhe më shumë se kaq, është problem interesash e zgjidhje e ndërgjegjshme e parisë. Parisë së Tiranës i interesonte një gjendje amullie e spekulative ku ato të pasuroheshin e të ndërtonin një sistem kapitalist oligarkik ku në krye e më të pasurit të ishin ato dhe mandej të vinin pasuesit e tyre simbas shkallës e rendit në hierarkinë përkatëse. Kështu që të gjithë u deklaruan për tregun e lirë, etj. Mirëpo, kjo ideologji ekstremiste, që nuk aplikohet askund në botë, sepse gjithkund ka një ndërhyrje vendimtare të shtetit në ekonomi, iu shërbente atyre. Kështu ato lejuan ngritjen e pasurimin e përkohshem të hajnave e të gangsterëve, iu hodhën një krodhe pasurimi edhe zanatçinjve e tregtarëve të ndershëm, ndërsa vetë morën pjesën e luanit, monopolet kyçe. Tash që është shterrë mundësia e pasurimit, do t'iu kthehen kundër mafias e hajnave që nuk punojne per to dhe barren fiskale te mbeshtetjes se buxhetit te shtetit do t'ua hedhin zanatçinjve e tregtarëve të vegjël. Shteti punon e duhet të punojë për to, kjo është filozofia e tyre, dhe prandaj këto janë armiqtë për vdekje të të gjithë shqiptarëve. Kjo më sjell tek pika e dytë, ajo e nevojës së ideologjisë. Po natyrisht që shqiptarët, si të gjithë popujt e vegjël, kanë nevojë më shumë se kurrë që debatin për fatet e tyre ta shohin në terma ideologjike. Nuk mund të ketë politikë serioze pa një debat ideologjik e pa parti të mbështetura fort në një ideologji të caktuar e në mbrojtje të interesave të caktuara. Pavarësisht së gjithkush don me i veshë e me i mbrojtë interesat e veta me justifikime ideologjike, realiteti është se nuk punohet pa një ide të qartë të interesit kombëtar e shtetëror e pa një vizion të qartë se ku mund të shkohet. Vetëm një kuptim i qartë i ideologjisë e i efekteve të vendimeve që merren mund të ta bëjë të dukshme se në cfarë rruge po ecet e se çfarëe mund të pritet po u ec në një rrugë të caktuar. Nevoja e ideologjisë është iminente dhe e pashmangshme. Ndryshe politika asht thjesht ngatërresë midis personave e klaneve që i mbështesin.
    Çfarë qeverisje kemi?
    Me e thanë permbledhtas, vendi është i kapur nga një sistem oligarkik, tërësisht i kontrolluar nga paria e Tiranës dhe i vënë pa kushte në shërbim të parisë së Tiranës. Shteti funksionon si një strukture neopatrimoniale e bazuar në marrëdhënie klienteliste ku një grusht klanesh mafioze politike kontrollojnë politikën, median, ekonominë e vlerat thelbësore të shoqërisë. Qeverisja është e personalizuar, aktualisht bëhet me SMS e me intervista të Blendi Fevziut e ndonjë tjetër. Partitë e administrata janë vegla të verbëra të interesave të klaneve sunduese që i kanë ç'njerëzuar shërbyesit e tyre deri në palcë. Paria e Tiranës ia ka dalë me vendosë aq rregull sa iu duhet klaneve të saj për të vazhduar shfrytëzimin e vendit e skllavërimin e shqiptarëve. Shpërdorimi i burimeve njerëzore e materiale është një fenomen i gjithkundgjindshëm. Kundërshtarët e parisë eleminohen me njëmijë mënyra: ato ose margjinalizohen, ose blehen, ose ikin jashtë, ose shuhen. Injoranca është instrument sundimi i preferuar i parisë së Tiranës dhe ajo po shtohet nga ditë më ditë. Vendi është në krizë të gjithanshme po askush nuk don me e pranue thellësinë e saj. Mungesa e kundërshtisë së hapur ndaj sistemit ka krijuar përshtypjen e gabuar të legjitimitetit. Paria politike është pjesë e botës kriminale e mafioze. Vendi jeton në një terror psikologjik, mediatik e nga segmente të caktuara të botës kriminale. Kjo është qeverisja që kanë shqiptarët.
    A e meritojmë ne shprehjen se ne meritojmë atë qeveri që kemi?
    Jo, jo, askush nuk e meriton këtë lloj qeverisje. Kjo thënie është një mënyrë për me justifikue sundimin e parisë, prandaj përhapet me kaq zell nga instrumentet e saj mediatikë e analitikë. Edhe ma i humburi i shqiptarëve ka më shumë dinjitet se sa ky grup klanesh që e sundojne vendin. Problemi është se shqiptarët nuk e kanë vetëdijen se cila asht rruga që duhet me ndjekë e prandaj duken të dorëzuar para parisë së Tiranës. Por, shihi si sillen kur janë jashtë vendit. Nuk ka më qytetarë shembullorë e të zotë se sa shqiptarët. Edhe në kushtet kur sistemi në shtetin ku janë gjindë i ka diskriminuar, shqiptarët kanë qenë të zotët që në dhjetë vjet të ndërtojnë disa dhjetramijëra biznese të suksesshme. Nëse ai vend ia mbrrin me mbijetue, arsyeja është pikërisht tek kontributi i këtyre qindramijëra emigrantëve që jetojnë si qytetarë të ndershëm në botë, por edhe i shqiptarëve që punojnë me nder në Shqipëri. Problemi është se ka dalë kashta mbi ujë e paria kërkon që të gjithë të duken si ata vetë e fajin për dështimin e tyre t'ua lënë shqiptarëve.
    Vota që i japim kësaj lloj politike e bëjmë se na mungon ndërgjegjësimi për ata që na drejtojnë, se jemi të politizuar deri në palcë me dy kahet e politikës, apo se duhet të zgjedhim të keqen më të vogël?
    Njerëzit që kanë kenë të dëshëruem për nji copë bukë e pronë dhe e kanë marrë atë me forcë prej pronarit të ligjshëm e ndjejnë veten mirë se jetojnë në Tiranë apo se hanë bukë të bardhë grunit dhe flejnë në dyshekët e mbushun jo ma me pleshta por me pare e këtyne nuk ka me iu dalë kurrë untia dhe këto do të jenë militantët e partive respektive. Ato që kanë vra, vjedhë, trafikue e grabitë po ashtu e ndjejnë veten mirë sepse ai vend është kthye në parajsën e hajnave, e cubave, trafikantëve dhe e gangsterëve të të gjithë partive. Ato që kanë kenë të dëshëruem për pushtet, dashnia e parë e që sot janë në krye të shtetit, ku mbahen me të gjitha mjetet e mundshme, po ashtu ndjehen shumë mirë. Për këto njerëz ky vend është parajsa, jeta që ato kanë andrrue për vedi e për të tjerët. Këto e japin votën me sinqeritet të madh për partinë e udhëheqësin e tyne. Mirëpo një pjesë e mirë e shqiptarëve e japin votën duke zgjedhur të keqen më të vogël. Ato bëjnë kështu duke parë interesin e tyre të ngushtë por jo duke e parë të keqen nga këndvështrimi i interesit kombëtar. Ato e shohin nga interesi i tyre i ngushtë e tejet personal, d.m.th, ata nuk shohin më larg se hunda e vet. Kush ma fut djalin në punë? Kush ma legalizon pallatin, garazhin, tokën që ia kam vjedhë komshisë? Kush nuk i mbledh taksat? Kështu dikush jep 20 për qind të vlerës së pallatit rryshfet kur mund të paguante 15 për qind në taksa. Dikush tjetër jep 70 për qind të vlerës së taksës si rrushfet policit tatimor vjet per vjetë. Dikush tjetër paguan gjashtë mijë euro për një vend pune si mësues. E me rradhë. Duke e zgjedhur të keqen më të vogël nga këndvështrimi i ngushtë personal, njerëzit bëhen skllevër të bindur të parisë që mandej i shtrydh me njëmijë mënyra të ndryshme dhe i rrjep si do vetë, duke i bërë pjesë të sistemit të saj, thjesht sepse e vetmja mbrojtje që kanë njerëzit është që të lidhen me një klan të parisë. Po të ishin të lidhur me shtetin, të mbronin shtetin, dhe të paguanin detyrimet e të kishin mbrojtjen e shtetit, këto hajnat e të gjithë niveleve nuk do të gjenin vrimë të hynin. Edhe ky problem është i lidhur me mungesën e vizionit e të strukturave ideologjike që do të gjykonin veprimet e gjithsecilit në bazë të vlerave të caktuara e jo në bazë të interesave të momentit. Kur lidhesh me shtetin, dhe kur shteti është në shërbim të të gjithëve, gjithsecili qytetar është i mbrojtur e duhet të mbrohet. Atëherë i korruptuari, cubi, hajni, ka frikë edhe hijen e vet.
    Si e mendoni gjendjen politike të Shqipërisë?
    E ardhmja e shtetit shqiptar është që ose të vazhdojë të jetë një republikë bananesh e nivelit të Haitit ose të bëhet një parajsë mafioze e krimit si Napoli në një shtet europian. Në gjithsecilën rrugë që të ecet, vendi do të jetë në një situatë delikate, me ekuilibre të brishta shoqërore e i kontrolluar nga aleanca e parisë së Tiranës me familjet e konsoliduara mafioze. Askush nuk ka interes me e prishe këtë ekuiliber. BE-ja do të japë të drejtën për viza e bile mundet që së shpejti të shtyjë përpara edhe procesin e anëtarësimit, anipse nuk do të ketë pranim në nivelet e trumbetuara. Napoli e Palermo janë në Europë, pse të mos jenë edhe Tropoja, Tirana e Lazarati? Këto do të jenë sukseset që do t'iu serviren shqiptarëve si arritje të parisë e si fundi i tranzicionit. Mirëpo, askush nuk do të jetë i lumtur me këtë zgjidhje. Euforia e momenteve ka me kalue dhe shqiptarët kanë me e kuptue se fatet e vendit duhen kontrollue prej tyne vetë.
    Po e ardhmja?
    E ardhmja politike e vendit është duke u vendosur përdite. Paria po ban çka mundet me e kthye vendin në një ciflik. Të huajt duan stabilitet. Mirëpo ka kundër-korrente të fuqishme. Nga një anë, është fuqizimi i grupeve që identifikohen me qytetërime e vlera përjashtuese e tyre është rritur ndjeshëm. Shteti e paria po mundohen me i kontrollue mirëpo, jo me aq shumë sukses. Nga ana tjetër është edhe forcimi i grupeve e familjeve kriminale, të cilat shteti as nuk i prek, thjesht sepse paria është e lidhur simbiotikisht me to. Më në fund është një ndryshim në vlera e mendësi që është i dukshëm veçanërisht tek brezi i ri, pikërisht tek ato të rinj e të reja që nuk mbajnë mend se çka kenë sistemi totalitar e që kanë edhe një kujtim pak të turbullt të 1997's. Ashtu si unë e shokët e mi u ngritëm kundër prindërve tanë, ashtu edhe ky brez do të kthehet kundër prindërve të vet, një pjesë e mirë të paktën, dhe do të synojë të gjejë nder, respekt, siguri e dinjitet duke u identifikuar me popullin e vet. Ky brez e përfaqesues të spikatur të tij kanë përqafuar vlera e sisteme ideologjike që janë karakteristika të shteteve e shoqërive moderne. Dëshmi e qartë për këtë është rritja e intensitetit të debateve ndërmjet marksistëve të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga Gramshi e të tjerë, të liberalëve shqiptarë të frymezuar nga besimi se ekonomia e tregut është zgjidhja, por edhe zëri gjithnjë e më i fuqishëm i nacionalistëve të rinj të cilët besojnë se zgjidhja është një shtet-komb në shërbim të shqiptarëve. Gjithnjë e më tepër, këto zëra përfaqësues të këtyre ideologjive kanë filluar të tërheqin vëmendjen e masës së shqiptarëve të edukuar kudo që janë. Na e dimë se çka ka ndodhë por nuk e dimë se çka sjell e ardhmja dhe me dështimin e qartë të parisë e projektit të saj, të një shteti oligarkik e të një ekonomie monopolesh në shërbim të klaneve të saj, e ardhmja e vendit do të përcaktohet nga konflikti ndërmjet këtyre ideologjive e mbështetësve të tyre, shpesh vetë bijtë e parisë.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Zoti Basha
    Anëtarësuar
    25-01-2010
    Postime
    860
    -Ujku!
    -Jo, shih gjurmet ku i ke!

    -Shteti vjedh dhe vret!
    -Dikush duhet te fhsihet pas kesaj!

    Normalisht, sikru te gjenim nje njeri me thike te pergjakur ne nej dhom eme nje femije te therur, gjeja e pare qe do na vente ne mendje ehste qe ku ustai e ka varre femijen. Mendoni sa e cuditshme do ishte sikur polici, ne vend qe ta arrestonte kete tipin, ta pyeste "Pe gje njeir ketu, vrasesin?". mendoni sa e cuditshme do behej situat asikur te nejtin njeri ta gjenim ne kesi kushtesh 50 here, e serish vetem te pyetej "A mos u varve? Pe gje?"

    Kjo eshte ajo qe ndodh me shtetin: cdo dite lexoni gazeta arkuj se si politika vjedh, ai ose ky bjen lloj-lloj pisleeqesh, polici aben 'kontarbande', e serish askush nuk dyshon, qofte dhe nej cast te i vetmi 'njeir' qe eshte gjithnje ne skenen e krimit: SHTETI! Jo, duhet te jete dikush tjeter qe i ben keto, ndonje grupin i djallezuar ('politika' os e'pushteti'), kurre shteti! Jo, madje shteti duhet shpetuar nga keto grupime fantastike qe jeotjne ne mendjen tone dhe askund tjeter.

    Lum kush ka mend te kuptoje e sy te shohe: SHTETI, jo politika, jo sala, jo edi, jo mafia, jo pushteti', jo kliente, po vete SHTETI vjedh e vret e pret. Keshtu ka qene prej 8000 vitesh, keshtu mbetet. E serish askush nuk dyhson te shteti!

    shhteti qenka kriminalizuar dhe paska deshtuar!? Jo zoterinj, shteti po ka shume sukses, eshte mendja jone, qe ate qe ka perpara syve nok do ta shohe, mendja jone eshte ajo qe po deshton.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •