-
Fjala e fundit e Beqir Ballukut në gjyq: Një pjatë fasule dhe nje pras o lal
Fjala e fundit e Beqir Ballukut në gjyq: Një pjatë grosh
» Vendosur: 07/01/2010 - 08:57
Afrim Imaj
“Dëshira e fundit!”. Aranit Çela dhe gjyqtarët e tjerë nuk mund të ndaheshin me gjeneralët e dënuar pa mësuar pengun e fundit nga goja e tyre. Ishte rasti ku Beqir Balluku dhe të tjerët, mund të flisnin hapur. Ora e tyre tashmë kishte ngecur dhe nuk bëhej fjalë për zgjidhje tjetër.
Lirim Gjetaj, njëri nga dëshmitarët e këtyre çasteve dramatike, kur kërkon të kujtojë mënyrën si u sollën gjeneralët pas apelit rrënqethës, ndalon paksa si për të sistemuar mendimet dhe humbet i tëri në vegimin e kujtimeve tronditëse. “E rëndë, shumë e rëndë të dëgjosh klithmën e fundit të atij që pret pushkatimin”, shprehet ushtari që ishte pjesë e trupit gjykues në procesin e të ashtuquajturve puçistë. Sakaq, fillon të përshkruaj gjendjen e tyre, duke u munduar të riprodhojë belbëzimin e fundit të gjeneralëve fatkeq. “Po të kisha vetëm pak minuta jetë dhe do më kërkonin çfarë dëshiroja, do tu thoshja shkurt: Të mësoj edhe diçka të re”. Ka mbetur proverbiale përgjigjia e njërit prej profetëve të shquar në zgjidhjen e dilemës tunduese para çasteve fatale. Po ish zëvendëskryeminstri i Shqipërisë, tiransi që arriti majën më të lartë të ekzekutivit shqipatar, si reagoi? Çfarë i kishte mbetur peng pas asaj hetuesie të tmerrshme dhe poshtërimit çnjerëzor gjeneralit të famshëm që kishte shijuar privilegjet e bllokut dhe ishte përfolur aty këtu si manjaku i kënaqësive? Ç'tha së fundi njeriu që kishte patur burrërinë të deklaronte se, kur ndeshen dy vezë, njëra do të thyhej, dhe, ja, qe thyer veza e tij. Me çfarë brenge iku ish partizani trim që më së fundi i kish thirrur viteve të betejave ku kish marrë pjesë në rininë e vet dhe kish treguar ballëhapur se ishte kundërshtar i prerë i “tezës tjetër”, pra, i “Teorisë së rrëshqitjes”, që Enver Hoxha e kishte cilësuar si diversion kundër mbrojtjes kombëtare, inspiruar nga kinezët. “Ato çaste u ktheva nga ai”, thotë Gjetaj. “Beqir Balluku perëndoi sytë e lodhur duke belbëzuar diçka nëpër dhëmbë. Sytë nisën të bëheshin të qeshur paksa, aq sa mund të qeshte një njeri i shpartalluar fizikisht dhe psikologjikisht. Pa nga ne dhe aty për aty shqiptoi vetëm dy fjalë.”Një pjatë fasule dhe një pras o lal”. Lirim Gjetaj njeriu që ka dëgjuar nga afër fjalët e fundit të ish ministrit të Mbrojtjes, e ndërpret sërish tregimin, për të vazhduar më tej me dilemat e shumta që ka përjetuar pas kësaj. Ç’farë deshi të thoshte me këtë Beqir Balluku? Kërkesë e një njeriu me mentalitete grykësi? Sfidë e një natyre tjetër, si ajo e legjendës së krehërit para litarit?Dëshirë e njeriut të ahengjeve për t’u kënaqur edhe një herë para vdekjes? Një goditje e tërthortë ndaj sistemit që po i merrte jetën, duke i kujtuar se kish ardhur nga rrogozi, se kish vuajtur si populli, se ishte njeriu i tij, i fasules dhe prasit?... Po si rrodhi dialogu i fundit me ish ministrin e Mbrojtjes në sallën e gjyqit...
U kutohet sa ditë zgjati procesi i gjeneralëve?
Me sa mbaj mënd rreth 10-12 ditë. Nisi aty nga fundi i tetorit dhe u mbyll në fillim të nëntorit. U bënë me dhjetra seanca, u thirrën dhjetra dëshmitarë, u hodhën prova të shumta e të gjithllojta. Ishte dicka e lodhshme, shumë e lodhshme, sidomos për mua. Të them të drejtën gjatë tërë kohës kam qënë si i mpirë. Fakti që nuk kuptoja mirë përmbajtjen e çështjeve dhe izolimi total që më ishte imponuar, madje edhe jashtë seancave gjyqësore, më krijuan një gjen dje makthi plot stres e sfilitje. Isha ushtar, kisha bërë betimin para flamurit e kjo nënkuptonte zbatim rigoroz të detyrës, përndryshe, pasojat ishin të jashtëzakonshme...
Çfarë keni parasysh kur thoni se ishit i izoluar edhe jashtë procesit gjyqësor?
Që ditën e parë kur më thirrën nga reparti i Zallherit dhe më komunikuan pjesëmarrjen në trupin gjykues, isha i detyruar të qëndroja larg kontaktit me njerëzit. Kjo do të thoshte se veç pranisë në sallën e gjyqit gjatë seancave, tërë kohën tjetër duhej ta shpenzoja brenda katër mureve të njërës prej dhomave të godinës së policisë ushtarake të Tiranës. Madje dhe aty me roje te porta. Nuk bëhej fjalë për liridalje në qytet, për bisedime telefonike me familjen apo për takime me miq e shokë. Deri në përfundimin e procesit ato i kisha rreptësisht të ndaluara. Lëvizjet e detyruara për të ndjekur axhendën e seancave gjyqësore, në të gjitha rastet ishin të kontrolluara dhe në praninë e shoqëruesve të zgjedhur. Për një të ri ky lloj regjimi ishte gati mbytës, por gjithsesi duhej përballuar, gjithnjë në emër të detyrës...
Të gjitha seancat e procesit gjyqësor ndaj Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë te burgu 313 u zhvilluan?
I gjithë procesi, nga fillimi në fund u bë aty. Gjeneralët e pandehur vinin me pranga në duar nga qelitë e tyre që ishin vetëm pak metra larg sallës së gjyqit. Ne, pjestarët e trupit gjykues, prokurori dhe personeli i sigurisë shkonim aty nga Gjykata e Lartë dhe sa mbaronte seanca e radhës ktheheshim përsëri në zyrën e Aranit Çelës për tu parapërgatitur për seancën e radhës...
A është e vërtetë që seancat gjyqësore janë zhvilluar në orët e vona të natës dhe kanë vazhduar deri në agim?
Asnjëra nga seancat e procesit nuk është zhvilluar në orët e natës. Ato çdo ditë fillonin në orën 8 të mëngjesit dhe vazhdonin normalisht sipas procedurës së përcaktuar. Nuk qëlloi asnjëherë që procesi të kalonte mbi tetë orë në ditë. Pra, zërat se gjyqi i gjeneralëve është bërë në orët e vona të natës, nuk janë të vërtete.
Flitet se gjatë procesit ka patur debate të nxehta midis të pandehurve dhe trupit gjykues...
Në një farë kuptimi i gjithë procesi ishte një debat, një ballafaqim midis dy palëve, por në përgjithësi nuk pati përplasje të nxehta siç flitet aty këtu. Gjeneralët vinin aty pas një sfilitje të jashtëzakonshme gjatë hetimit një vjeçar në kushtet e izolimit të plotë. Kjo binte në sy menjëherë, sidomos nga fytyrat e përvuajtura dhe pamja e venitur e vështrimit të tyre. Po kështu edhe në aspektin psikologjik dukeshin të shkërmoqur. Megjithatë mënyra si dëgjonin dhe dialogonin me përfaqësuesin e akuzës dhe gjyqtarët, të linte të kuptoje se ishin të kthjellët, pavarësisht se aty këtu e humbisnin durimin dhe rrëshqisnin nga rrjedha e çështjes...
Pra, e ruajtën vetpërmbajtjen...
Në përgjithësi, me sa më kujtohet, ata shfaqeshin të kujdesshëm në të gjitha përgjigjet dhe ndërhyrjet e tyre. Në tërë atë maratonë seancash, pati dhe momente kur ndonjëri prej tyre humbi vetkontrollin. Po kjo vetëm për një çast, sidomos kur bëhej fjalë për ndonjë akuzë të rëndë siç ishte ajo për grushtin e shtetit dhe eliminimin e Enverit...
Çfarë keni parasysh kur thoni që gjeneralët patën raste që e humbën vetëkontrollin gjatë procesit?
Të tilla ka pasur vetëm pak, disa episode sporadike që aty ndizeshin e aty shuheshin. Ndër to më kujtohet një përplasje e kryetarit të trupit gjykues me Beqir Ballukun. Ishte një argument i akuzës që bënte fjalë për grushtin e shtetit që do bënin gjeneralët. Aranit Çela i nxehur nga qëndrimi mohues i ish ministrit të Mbrojtjes, i’u kthye hakërrues: Kot mundohesh të dredhosh Beqir Balluku. Partia dhe shoku Enver ta dogjën planin në xhep dhe të sollën këtu si puçist. E di ç’të pret apo jo?!. “Unë nuk bëra plan, nuk kisha pse ta bëja...” u përgjigj aty për aty Beqiri, por Aranit ja zuri fjalën në grykë: Deshe ti bije murit me kokë, po harrove se do thyeje qafën. “Ç’është ky mur, po qafa e thyer, ç’hyjne këto këtu?”, plotësoi Beqir Balluku i revoltuar. “Hyjnë, si jo, hyjnë!” shtoi me ironi Araniti. “Muri nuk është si veza që thyehet kollaj shoku kryetar” Pa hë Beqir, na i shkoqit pak këtë punën e vezëve ti? Sakaq Beqir Balluku, u ngrit prape në këmbë dhe me një ton të qete ja ktheu shtruar. “Sa për vezët po, ato thyhen. Thyhen kur përplasen me njëra tjetrën. Po jo të gjitha. Më të fortat durojnë. Kështu, apo jo Kjo ndodhi dhe me vezën time?! U përplas me të Enverit dhe u thye. Patjetër që kështu do të ndodhte, se ndryshe...” Këtu durimi i Aranitit nuk mund të përmbahej. Mbaj mend që përplasi grushtin në tavolinë duke ju kërcënuar ashpër, urdhëroi mbylljen e seancës me një zë luftarak.
Mos ndoshta e ngatërroni këtë episod, pasi është folur se reagimin me historinë e vezëve në sallën e gjyqit e ka bërë Hito Çakua...
Nuk bëhet fjalë ta ngatërroj, sepse ky ishte një nga momentet më tronditëse jo vetëm për mua që isha më i riu ndër gjyqtarët, por edhe për të tjerët. Si sot e kam parasysh Beqir Ballukun në këtë reagim të papritur. Po, po, e kam fiksuar mirë. Ai u çua dhe aty për aty ja dha si me breshëri “I thoni Enverit se dy vezë që përplasen njëra do të thyhet. Veza ime ishte më e dobët dhe kuptohet fati i saj.” Për herë të parë në atë proces emri i Enverit u përmend jashtë etikës zyrtare dhe në një qasje disi shpërfillëse. Po siç e thashë, Araniti nuk e la ti rrëshqiste situata nga dora dhe e mbylli seancën menjëherë...
Po gjeneralët e tjerë si reaguan përball akuzës?
Petrit Dumja fund e krye qëndroi në pozita pohuese lidhur me gabimet e artikuluara nga akuza dhe dëshmitarët e shumtë, por në të gjitha rastet e mbyllte ligjëratën e tij me refrenin “pa dashje” “pa qëllim”. Pak a shumë me të tillë profil shfaqej dhe Rahman Perllaku, i cili dukej më i lënduar nga pasojat që e prisnin. Ndërsa Hito Çakua herë pas here rebelohej dhe mundohej t’i kundërshtonte akuzat e shumta. Të paktën kështu më janë fiksuar mua. Kanë kaluar 30 vite dhe kuptohet nuk ka si t’i mbaj mënd të gjitha detajet...
Çfarë u kujtohet nga mbledhja e trupit gjykues për të marrë vendimin, kush e drejtoi dhe a kishte zyrtarë të tjerë në të?
Ky moment në mos gaboj erdhi diku aty nga dita e dhjetë. Pikërisht kur kishin mbaruar të gjitha procedurat zyrtare, Aranit Çela u çua në këmbë dhe komandoi tërheqjen e trupit gjykues për të marrë vendimin. Një moment mendova se do futeshim në ndonjë zyrë e do diskutonim gjatë, por çuditërisht Araniti sa dolëm në korridor u vendos në një kënd të tij dhe hapi një dosje të verdhë që mbante në dorë. Ja dhe kjo punë kaq e pati, tha aty për aty dhe lexoi vendimin e parapërgatitur për dënimin e gjeneralëve. Besoj se e kemi të qartë, tha në fund dhe si pa që nuk kishte ndonjë mendim të kundërt, na ftoi të futeshim në sallë. Aty ishin vetëm të pandehurit të cilët sa u hap dera u çuan në këmbë si me komande. Aranit Çela si zuri vend, rihapi dhe një herë dosjen e verdhë dhe komunikoi me një ton solemn: Vendim i Gjykatës së Lartë i Republikës Popullore Socialiste... Sot më....Beqir Balluku dënohet me vdekje (pushkatim)... Petrit Dume me vdekje (pushkatim)... Hito Çako me vdekje (pushkatim)... I gjithë ky kumtim i tij nuk zgjati më shumë se pesë minuta. Pastaj...
Pastaj...
Pastaj sallën e pushtoi një heshtje varri. Ishin momente të tmerrshme. Për një çast hodha sytë nga tre gjeneralët e sapo dënuar me vdekje. Fytyrat e tyre ishin zbehur tërësisht dhe dukeshin në kllapi të plotë. Sakaq Aranit Çela, i ulur siç ishte, mbylli dosjen që kishte mbi tavolinë dhe ja zgjati sekretares, duke shqiptuar diçka si nëpër dhëmbë. Kur konstatoi që nuk e morën vesh çfarë tha, shpjegoi se e kërkonte procedura që të pandehurit të shpreheshin për dëshirën e fundit. Ky me sa dukej do të ishte dhe kontakti i fundit me ta. Të parit ju drejtua Beqir Ballukut. Beqiri perëndoi sytë e lodhur dhe qeshi pa vetedije, aq sa mund të qeshte një njeri i shpartalluar fizikisht, moralisht e psikologjikisht. Unë, çfarë desha unë, shtoi aty për aty dhe si ndënji disa çaste i menduar tha se donte një pjatë me grosh me një presh.
“Gjyqin e ndiqte nga afër një ambasadë e huaj”
“Kur zhvillohej gjyqi i Beqir Ballukut dhe në Tiranë nuk e dinte kush, një ambasadë e huaj ndiqte nga afër seancat e procesit te porta e 313-ës”. Dëshmia e rrallë e Lirim Gjetajt shfaq më së shumti konturet e një misteri të pazbardhur dhe mbetet në kufijtë e një ngjarje që nuk ka kaluar pa lënë gjurmë. Fillimisht, ushtari nga Lezha e ka vërejtur me shpërfillje, por kjo vetëm disa çaste. Tensioni i trupit gjykues pas konstatimit tronditës për nxjerrjen e sekretit dhe dyshimi i krerëve të regjimit për një lidhje të mundshme të puçistëve me agjenturat e huaja, e ka përfshirë dhe atë në vorbullën e makthit. Lirim Gjetaj kujton se asnjëherë nuk e mori vesh cilës ambasadë i përkisnin diplomatët, që ndiqnin nga afër seancat e gjyqit të bujshëm, por mban mënd se të gjitha lëvizjet e trupit gjykues ndiqeshin “rrotë më rrotë” nga një makinë me targa CD. Përtej këtij detaji të çuditshëm, ish-gjyqtari 20 vjeçar, zbulon në rrëfimin për gazetën “Panorama” mjaft nga rrethanat e ballafaqimit me gjeneralët e kryqëzuar si tradhtar e puçist. Pas shpjegimeve për mënyrën si është gjendur në krahë të Aranit Çelës dhe përjetimeve nga kontakti me aktakuzën për shtatmadhorët e shpallur komplotistë, Gjetaj kujton çastet kur është detyruar të pyesë Beqir Ballukun për idenë e grushtit ushtarak të aplikuar fillimisht gjatë një stërvitje në Shkodër. Gjetaj shpjegon si ka rrjedhur dialogu me kreun e shtatmadhorëve të ushtrisë gjatë 11 ditëve të procesit gjyqësor.
Cinizmi i Enver Hoxhës në Kuvend: Si thoni ta pushkatojmë Beqirin?!
“Hë mo, si thoni, ta pushkatojmë Beqir Ballukun?!”
Gjashtë muaj pas ekzekutimit të Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë, Enver Hoxha kërkon me cinizëm miratimin e deputetëve të Kuvendit Popullor për pushkatimin e tyre(!) Dokumenti me këtë ndërhyrje të çuditshme mban datën 6 maj 1976. Dosja me vulën e parlamentit komunist, ka në faqen e parë rendin e ditës së mbledhjes, ku si pikë e parë parashikohet shqyrtimi i letrës së Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos për t’u falur jetën. Ishte ky një ritual i rëndomte sipas të cilit të dënuarit me vdekje mund të përfitonin nga “zemërgjerësia” e kreut të shtetit komunist, i cili formalisht vendimin e tij do ta noterizonte në organin më të larte legjislativ të vendit. Në rastin e gjeneralëve fatkeq të dënuar nga Gjykata e Lartë me vendim të formës së prerë me vdekje (pushkatim) në fillimin e nëntorit 75, kërkesa ishte depozituar brenda afateve te kabineti i Haxhi Lleshit dhe Enver Hoxhës, por i qëlloi fati i keq me shqyrtimin pas gjashtë muajsh, ndërkohë që ata kishin ndërruar jetë! Patjetër që Enver Hoxha e dinte çfarë kishte ndodhur me gjeneralët e kryqëzuar, madje në dhjetra tubime politike e kishte trumbetuar me të madhe “vrimën e miut ku i futi Partia puçistët e rrezikshëm”, por “lojën” me ta nuk mund ta mbyllte pa përçmuar fundin e viktimave të tij. Pikërisht në çeljen e mbledhjes së Kuvendit të datës 6 maj 76, Enver Hoxha me pamje solemne u çuan nga vendi dhe me një letër në dorë u drejtua nga salla: Kam këtu kërkesën e Beqir Ballukut dhe puçistëve të tjerë për tu falur jetën. Si thoni ju, ti pushkatojmë apo jo? Sakaq sallën e pushtoi heshtja. Të gjithë mbetën të befasuar. Çfarë kërkonte kreu i tyre tani që gjeneralët kishin shkuar në botën tjetër? Mos vallë lajmi për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Larte kishte qënë një farsë? Çdokush prej tyre dinte dhe rrethanat në të cilat ishte bërë ekzekutimi i tyre. Sidoqoftë, Enveri nuk mund tu kërkonte kot miratimin e tyre. “Hë mo si thoni, ta pushkatojmë Beqir Ballukun?”, u drejtua ai përsëri nga salla.
“Shoku Enver, shoku Enver...gjeneralët më duket se janë pushkatuar. Partia na ka informuar se vendimi i gjyqit është ekzekutuar” Më në fund dikush nga deputetët mori guximin dhe u çua për të korrigjuar lapsusin e tij. Sakaq, Enver Hoxha me vështrim të menduar, shtoi: “Pra, pika e parë e rendit të ditës qenka ekzekutuar. Kalojmë në pikën e dytë!” Si tha këto u ul qetësisht dhe ja dha fjalën drejtuesit të seancës. Komedia e turpshme i përket seancës së parlamentit komunist të datës 6 maj 76.
panorama
-
-
pse pikerisht ushtarin nga katunet e lezhes kan gjetur te marr pjese ne gjykim???
gjetja mbiemrin.. e paska..??
ajo me ambasad te huaj eshte fantazi..
dhe ajo me ..deputet qe thot..dale se jan pushkatuar o shoku dull.. prap nuk duket e sakte..
edhe nje ish bodygard i kadri hazbiut..nji far shkelqimi..i pershkruan mire kto ngjarjet me beqir etjere gjenerale..
e kishte me besnikun beqir ballukun.. dulla..
kushedi se cfar i polli ne mendje qe ta ekzekutoje..
mistere mbeten keto gjera..
i vetmi qe i di sakte eshte xhaxhi ramiz..
po ai nuk flet..
as nexhi..
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt