Close
Faqja 0 prej 10 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 93
  1. #1

    Debat publik mbi çështjen e pronës private në bregdet e më gjerë në Shqipëri

    Dekleratë e Shoqatës "BREGDETI" për pronat e bregdetit

    Drejtuar : Institucioneve demokratike, masmedias dhe pronarëve


    Zotërinj të nderuar,

    Kthimi fizik i pronës tek i zoti në zonat turistike është fjala e shkelur nga z. Sali Berisha, është detyrim i shenjtë kushtetues, Biblik, Kuranor dhe moral, është sfida e vitit 2010 për vetë Kryeministrin, Partinë Demokratike dhe LSI në pushtet, për Partinë Socialiste, për Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, për politikën shqiptare që kërkon një Shqipëri si e gjithë Evropa si dhe solidariteti e ndihma që ne kërkojmë nga faktori ndërkombëtar.

    Shoqata “Bregdeti” deklaron me shqetësim të madh se për çështjen e pronësisë mbi tokën Qeveria dhe Kuvendi, në vend të një ligji demokratik, në përputhje me Kushtetutën dhe të pranueshëm për të gjithë, përfshi dhe BE, bëri të kundërtën. Në fund të vitit 2009 u ndryshua ligji nr.8053 i vitit 1995 dhe u miratua një ligj që ju mohon pronarëve origjinalë të zonave turistike të drejtën e pronës së trashëguar. Ky së bashku me ligjin tjetër që pa përfunduar akoma procesi i kthimit fizik, miraton legalizimet e ndërtimeve të paligjshme të personave të tretë si dhe ligjin për shitjen e truallit të zonave turistike në favor të shkelësve të shumëfishtë të ligjit e shton anarkinë e pronës në zonat turistike, duke e shtuar akoma më tej pakënaqësinë, konfliktet midis pronarëve të ligjshëm dhe pseudo pronarëve. Politikanët, duke abuzuar me të drejtën e miratimit të ligjeve mohojnë historinë e krijimit të pronës private, e cila është pjesë integrale e historisë së vendit dhe jo kontribut i pluralizmit politik dhe i partive politike. Kjo situatë pengon investimet e huaja dhe zhvillimin e ekonomisë.
    Ne denoncojmë qëndrimin e institucioneve të shtetit tonë, që duke e trajtuar tokën bujqësore dhe pronat private që i janë shtetëzuar fshatarësisë, njësoj si tokë në pronësi të shtetit, justifikon piratërinë mbi pronat tona. Jemi i vetmi vend pjesëtar në NATO, ku qeveria bën ligje të këtij tipi.
    Ne vlerësojmë ndërhyrjet e fundit të ndërkombëtarëve që deputetët socialistë të shkojnë në Parlament për të zgjidhur problemet, por kjo për popullin ka rëndësi shumë më të vogël se moskthimi fizik i pronave private, që duhet të na ishin kthyer me ligj që në vitin 1991. Ne shprehim keqardhje për interesin e pakët të përfaqësuesit të BE dhe NATO, pasi heshtja tyre, po favorizon zhvillime negative për këtë problem kaq themelor dhe parimor për demokracinë.
    Janë dy hallka tërësisht antidemokratike që e mbajnë të pazgjidhur, të tensionuar e në vend numëro këtë situatë absurde që më mirë vonë se kurrë, duhet të korrigjohet. Ata janë:
    1- Zëvendësimi në formë por jo në përmbajtje që i bëri shteti pluralist i pas vitit 1991, shtetit komunist, për pronësinë mbi tokën, duke anashkaluar dispozitat kryesore Kushtetuese, të cilat e shfuqizuan Kushtetutën Komuniste te vitit 1976 që i pati quajtur edhe pronat tona “pasuri të shtetit”. Me vonë në të njëjtën linjë, antidemokratike, u anashkalua edhe Kushtetuta e vitit 1998.
    2- Mekanizmi ose boshti diabolik i kësaj situate jo normale është ligji antikombëtar 7501, i miratuar nga Parlamenti pluralist dhe Presidenti Ramiz Alia në 1991, cili me nenin nr. 8 i ndaloi pronarët e ligjshëm të merrnin tokat e tyre të trashëguara brez pas brezi, me qëllim që toka që do të jepej nga Shteti, të mos ishte trashëgimi e familjeve, por dhuratë e “nënës parti”. Në këtë skandal të pashoq, të dy partitë kryesore që kanë zëvendësuar njëra tjetrën në këto 18 vjet pluralizëm kanë funksionuar në unitet të plotë. Parlamenti e ka amenduar mbi 20 herë ligjin 7501, por gjithmonë ka pasur unitet të plotë që ndryshimet të mos abrogonin nenin 8 të tij. Ky ligj dhe ky nen u bë themeli i korrupsionit dhe i piratërisë së papërmbajtur të grabitjes së tokave më të mira të vendit, veçmas atyre turistike që synohet të grabiten përfundimisht me ligjet e fundit.
    Politikanët e pas vitit 1991 për shkak të kufizimeve në koncepte, për interesat elektorale dhe për përfitimet familjare, personale dhe klanore kanë zbatuar një standard të dyfishtë. Në mbi ¾ e vendit me vullnetin e shtetasve, ligji 7501 nuk u respektua, çdo familje mori pronat që i ishin shtetëzuar ndonëse komisionet zyrtarisht raportuan sikur prona ishte e ndarë për frymë sipas ligjit 7501 në masën 98%. Dihet se kthimi i pronës tek i zoti kudo ku u bë, nuk shkaktoi asnjë problem, asnjë konflikt, por ky veprim demokratik i popullit rivendosi të drejtën e shkelur dhe hapi rrugën e mohuar të zhvillimit kapitalist. Në ¼ e vendit, përfshi të gjithë zonën turistike, ku populli priste kthimin e pronës me ligj, shteti zbatoi ligjin 7501. Në këto zona ndodhi katrahura, pasi prona mori ai që ishte më i zoti dhe ai që kishte mbështetje nga zyrtarët dhe politikanët ose që zbatoi metodat e rrugës dhe vetëgjyqësisë.
    Për cilindo është e qartë se ndërhyrja nga shteti me ligjin diabolik nr 7501 nuk kishte si shkak nevojat publike. Konfliktet për pronën dhe korrupsioni pushtetarëve janë krijuar artificialisht nga ligjet e këqija të pronave të miratuara prej vitit 1991 e deri sot. Prona veçanërisht në zonat turistike Vlorë-Sarandë u denacionalizua pa respektuar origjinën e pronës, pa respektuar titujt dhe të drejtën e pronësisë. Normalisht shteti demokratik nuk do kishte shkaktuar 18 vjet tranzicion torturues për pronarët e zonave turistike, nëse zoti Sali Berisha dhe politikanët e tjerë paraprakisht do të kishin kërkuar nga organet shtetërore të përcaktonin se çfarë prone ishte e shtetit dhe çarë ishte e shtetëzuar nga diktatura, ndonëse Shteti i kishte dhe i ka në çdo kohë të gjitha mjetet dhe mundësitë për këtë rrugëzgjidhje, por mungon vullneti politik. Ne kërkojmë që shtetit ti diktohet nevoja të veprojë për të zgjidhur problemet e krijuara, nga rrëmuja e krijuar pas vitit 1991 me mbivendosjen e dokumenteve mbi pronat. Ne pranojmë që kompensimet për pronarët të bëhen vetëm për pronat që deri në vitin 1991 janë tjetërsuar për godina banimi si dhe për pronat që nevojiten për nevoja publike. Familjet që kanë përfituar prona nga aktet që nuk respektojnë të drejtën e pronësisë në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës Qeveria le ti kompensojë me prona që i përkasin Shtetit por jo me pronat tona.

    Si duhet kryer korrigjimet e reformës së tokës në zonat turistike.
    Përshëndesim dhe vlerësojmë angazhimin që mori Kryeministri zoti Sali Berisha pak muaj më parë në Dhërmi, për t’u siguruar Bregdetasve kredi të buta edhe financime të tjera për të zhvilluar fshatrat turistike ekzistuese në resurse turistike bashkëkohore, duke rritur kapacitetet dhe krijimin e të gjitha kushteve të një turizmi familjar elitar, por në këtë deklarim të Kryeministrit, ne theksojmë domosdoshmërinë e respektimit të së drejtës për pronën e trashëguar, në të kundërt kjo është shkatërrim dhe nxitje e tërthortë për konflikte dhe vëllavrasje.
    Bregasit, të rrahur me vaj e me uthull, gjatë tranzicionit torturues që prej 18 vjetësh e kanë bërë mendjen top, për ta zgjidhur çështjen e pronësisë që trashëgojnë nga të parët e tyre.
    Na pëlqen zgjidhja që bënë bashkë atdhetarët dhe vëllezërit tanë veriorë, duke shkuar secili në tokën e trashëguar, prandaj kemi vendosur të kopjojmë përvojën e tyre pasi edhe ne jemi si ata, zonë kodrinore malore. Nuk ka pse në zonat turistike pranë detit Jon të pranojmë një standard të ndryshëm nga ai që u zbatua që në 1991-92 me zonat turistike në mes të maleve, liqeneve e pyjeve të veriut dhe në ¾ e gjithë Shqipërisë.
    Një faktor tjetër që na nxit për të mos e humbur më tej kohën e vlefshme, është fakti që kemi në emigracion shumë djem e vajza që punojnë me vite në sektorin e turizmit të fqinjëve tonë, kanë akumuluar përvoje të pasur dhe janë të gatshëm ta sjellin atë në atdhe.
    Ne kemi siguruar bashkëpunim të plotë si shoqatë e fshatra me pushtetin vendor, i cili është i angazhuar plotësisht për ta zgjidhur siç duhet çështjen e pronësisë, duke e kaluar tokën tek trashëgimtarët ligjorë, duke realizuar themelin e demokracisë. Nuk ka dyshim se në këto prona do të ndërtohen fshatra turistike por vetëm duke bërë marrëveshje me pronarët e ligjshëm të tokës. Kjo do të thotë prioritet për zhvillimin e turizmit me ritme të larta, në harmoni me pronarin e tokës me investitorët dhe klientët.
    Suksesi më i madh i rrugës që ne kemi zgjedhur për pronësinë mbi tokën, qëndron në mundësinë që krijohet për nxjerrjen jashtë loje të mekanizmave të veprimit të politikanëve mafiozë, të cilëve u mbyllen shtigjet e hapura deri tani nga ligji 7501 dhe kolateralet e tij.
    Sensibilizimi, mbështetja efektive dhe qëndrimi i drejtë i pjesës patriotike që ka emigruar në SHBA dhe Evropë, sqarimi dhe sensibilizimi i institucioneve ndërkombëtare, së fundi fjala e zotit Pierre MIREL si përfaqësues i Komisionit Europian; sensibilizimi që po bëjnë masmediat demokratike brenda dhe jashtë vendit dhe përfaqësitë diplomatike, janë garanci se ky krim i organizuar sipas porosive të Katovicës do të demaskohen. Politikanët, që me zhurmën për pluralizëm, kanë grabitnin pronat në zonat turistike, duke miratuar ligje dhe vendime sipas “porosive”, duke disorientuar ndërkombëtarët do të dështojnë dhe e drejta do të fitojë.
    Një lehtësi e madhe për zgjidhjen e drejtë të pronësisë në Bregdet, përbën fakti që shteti nuk ka pasur prona në fshatrat tona as në kufijtë midis fshatrave dhe nuk kemi konflikte të pazgjidhshme midis pronarëve të çdo fshati dhe midis fshatarëve të zonës.
    Sot zgjidhja është e thjeshtë dhe ka ardhur koha për të bërë shtrëngimet përkatëse ndaj politikave që nuk respektojnë të drejtën e shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar, shkelin këtë të drejtë themelore dhe nxitin popullin në vëllavrasje dhe ndërkohë shtyjnë kohën duke e mashtruar komunitetin ndërkombëtar,.duke raportuar se në këtë fushë kanë hartuar ligje të mira.
    Ndihma juaj do të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin pushtetar dhe grabitësit e pronave tona, do të çrrënjosi mbeturinat e komunizmit dhe do bëjë të triumfojë drejtësia, të respektohet e drejta e çdo familje për pronën e trashëguar apo për pronën e përbashkët të fshatit ashtu siç ka qenë para kolektivizimit komunist. Rrugë tjetër të ndershme dhe fisnike nuk ka.


    KRYESIA E SHOQATËS "BREGDETI"
    Tiranë, më 6 Janar 2010

    Sqarim : Kjo deklaratë më datën 7 Janar 2010, është e botuar në gazetat “Telegraf”, “Tema”, “Gazeta Shqiptare”, dhe më 8 Janar 2010 në “Shekulli”, "Koha Jonë" dhe “Zëri i Popullit”

  2. #2
    Cfare keni pritur deri tash apo tash ju erdhen mendet?!

    Toka i takon atij qe eshte pronar i vertete!

  3. #3

    Pse Shoqata "Pronësi me Drejtësi" është kundër ndarjes së tokave me ligjin 7501

    Pse Shoqata "Pronësi me Drejtësi" është kundër ndarjes së tokave në zonën turistike me ligjin 7501


    Në deklarime në median elektronike dhe në Gazetën “Telegraf” të dt.05.01.2010, mësuam për qëndrimin e deputetit Fatmir Toçi, por edhe të Partisë Socialiste, në emër të së cilës flet, rreth kundërshtimit të projekt – ligjit për tokat në bregdet.

    Nga këto deklarime, me keqardhje mësojmë për qëndrimin antikushtetues, antidemokratik, kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që mban deputeti Fatmir Toçi e aq më tepër Partia Socialiste, ne emër të së cilës flet. Ligji 7501 i vitit 1991 tashmë është i njohur nga të gjithë shqiptarët, si ligji komunist që shkatërroi e shkatërron çdo ditë vlerat demokratike mbi pronësisnë në Shqipëri, është ligji që u hapi rrugën korrupsionit galopant me pronat si dhe në gjithë rrugën e ndjekur drejt ekonomisë kapitaliste.

    Ekonomia e tregut dhe nisma e lirë e qytetarëve janë bazat e sistemit ekonomik kapitalist. Shqipëria nuk kishte nevojë të shpikte, për të ndjekur këtë rrugë, sepse mesimet dhe shembujt ishin te gatshëm. Mentaliteti komunist bëri që Shqipëria të ndiqte një rrugë tjetër, “drejt ekonomisë së tregut”, duke miratuar ligjin leninist për tokën, me parimin e thjeshtë toka i përket atij që e punon, dyqanet u përkasin shitësve, ndërmarrjet u përkasin punëtorëve etj. etj.

    Zbatimi në praktikë i këtij parim ka bërë që Shqipëria të jetë akoma një fanar ndriçues në Europë e në Botë ku mbretëron anarkia mbi pronën, ku fiton padrejtësia, ku fiton shkelësi i ligjit, grabitësi i pronave të të tjerëve, ku fiton ai që nuk paguan asgjë duke filluar nga toka e deri te energjia elektrike, e për pasojë ne jemi jashtë Europës, kurse vendet e tjera të Europës Lindore tashmë janë pjesë e Bashkimit Europian.

    Kështu po ndodh dhe me projekt – ligjin e tokave në bregdet, ngrihen disa banorë që e quajnë padrejtësi që nuk kanë marrë tokë nga ligji 7501, se duan të kalojnë në pronësi tokat që dha shteti në përdorim, pavarësisht se të kujt janë, pavarësisht se shteti komunist, këto toka ua grabiti me dhunë e pa shpërblim pronarëve që e kishin blerë atë me mundin, djersën dhe gjakun e tyre.

    Kushtetuta e vitit 1976, që bëri shtetin pronar të të gjithë tokës në Shqipëri, u hodh në koshin e plehrave në vitin 1991 e më pas u miratua Kuhtetuta e vitit 1998 në të cilën theksohet se një pronë mund ti fitohet me anë të një blerjeje, dhurimi nga pronarët apo trashëgimnisë; ishte po kjo Kushtetutë që në nenin 181 të saj ngarkonte Kuvendin që brenda dy deri tre vjetësh të nxirrte ligje për të kthyer pronat pronarëve që jua kishin grabitur.

    Në këtë kuadër shumë i saktë është Vendimi Unifikues i Gjykatësë Lartë nr.24/2002 ku qartazi është vendosur: ".....dhe ligji Nr. 7698, dt.15.04.1993, “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish Pronarëve”, nuk janë mënyra të reja të fitimit të pronësisë, por korigjim i padrejtësisë së bërë, dhe për këtë qëllim, shfuqizojnë ipso lege të gjitha aktet e mëparshme ligjore, me të cilat u ishte marrë prona pronarëve padrejtësisht. Ato nuk krijojne një situate të re, por ristabilizojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë. Shfuqizimi i akteve të siperpërmendura, ka si efekt kthimin e paleve ne gjendjen e mëparshme, duke rregulluar në masën më të mundshme, situatën e paligjshmërisë lidhur me të drejtën reale me te rëndësishme, atë të pronësisë..... Nëpërmjet këtyre akteve normative u njihet e drejta e pronësisë ish pronarëve, ose trashëgimtarëve të tyre, dhe u përcaktuan modalitetet për gëzimin efektiv te saj....

    Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i konsiderojnë këto akte ligjore që u drejtohen ish pronarëve apo trashegimtarët a tyre, jo si mënyrë të re të fitimit të pronësisë në favor të tyre, por si mjete që mbrojnë dhe garantojnë të drejtën e pronësisë dhe e bëjnë efektive atë duke e bazuar edhe në argumente analoge... Me fjalë të tjera, kthimi i pronave ish pronarëve ose trashëgimtarëve të tyre është thelbi dhe qellimi i këtyre ligjeve.

    Nocionin kthim i pronës ose, me saktë, kthim i sendit objekt i së drejtës së pronësisë, Kodi Civil e përmend në rastin e padisë për kërkimin e sendit, neni 296 e vijues i tij. Ne rastin, kur pranohet padia e rivendikimit, poseduesi jopronar duhet ti kthejë sendin paditësit në favor të të cilit është njohur e drejta e pronësisë. Praktika gjyqësore ashtu edhe literatura juridike, në keto raste nuk kane vene kurrë në dyshim ekzistencën e së drejtës së pronësisë të pronarit joposedues, mbi sendin objekt të padisë së rivendikimit. Pronari joposedues nuk ka humbur për asnjë moment titullin e së drejtës së pronësisë, por vetem posedimin e sendit. Pikërisht kjo është arsyeja pse ligji e kthen atë në situatën e mëparshme duke i njohur të drejtën e kthimit edhe të frutave të sendit dhe kur kjo nuk është e mundur, pranon vetem kthimin e sendit.



    Këto janë parimet mbi të cilat duhet të mbështetet Kuvendi i Shqipërisë për rregullimin e njërës prej të drejtave bazë të njeriut, atë të pronësisë. Mosrespektimi i kësaj të drejte ka çuar në dështimin e rreformave ekonomike në Shqipëri.

    Lind pyetja e thjeshtë ai i zbaton projek – ligji i ndarjes së tokave në bregdet këto parime? Jemi të bindur që jo, sepse tokat në bregdet janë toka që sistemi komunist jau grabiti, me dhunë, pronarëve të ligjshëm dhe që shteti i sotëm është i detyruar tua kthejë pronarëve të vërtetë. Çdo devijim nga kjo e drejtë është antidemokratike, antiligjore, në kundërshtim të hapët me reformat që duhet të bëjmë dhe ushqen korrupsioni ekonomik e politik.

    Pyesim pse duan tokë qytetarët që nuk kanë pasur asnjë lidhje pronësie me tokën, për të zbatuar ligjin 7501? Përse do ta përdorin ata këtë tokë, për prodhime bujqësore apo për pallate? Me çfarë të drejte këta kërkojnë të pasurohen në kuriz të interesave të pronarëve, që panvarsisht nga kontesitmet, ligja sot jua kthen tokën e tyre? Sigurisht që përgjigjet janë të qarta e të thjeshta, ata duan tokën për ta “mbjellë” me pallate, që pastaj t’i shesin në treg dhe të gdhihen miljonerë, ashtu si dhe qytetarët e tjerë që politika i përkrah duke i legalizuar, panvarsisht se shkelin ligjin.

    Atëhere kush do paguajë? Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, apo i gjithë populli? A keni pyetur ndonjherë sa është kostoja e kompensimit të pronarëve dhe nga do dalin këto para? Po ta themi ne, është mbi 30 miljard EURO dhe po të shkojnë të gjithë pronarët në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg kjo kosto do të jetë shume më e madhe, ndoshta shumëfishi i kësaj shifre. Vetëm për 1637 m2 tokë në Tiranë shteti Shqiptar u dënua me 3 miljon EURO, po për 22 miljon metra katrorë që duhet të kompensojë në Tiranë sa del shifra?

    Zotërinj deputetë,

    Hiqni dorë nga ligjet antikombëtare dhe antikushtetuese, sepse pronarët shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më tepër se një të drejtën e tyre, që nuk mund t’ua mohojë askush. Miratimi i ligjit për ndarjen e tokave në bregdet, sipas ligjit 7501, është një regres dhe jo progres. Prandaj ju bëjmë thirrje mos miratoni këto lloj ligjesh. Të njëjtën thirrje i bëjmë edhe Presidentit të Republikës që të mos dekretojë këto lloj ligjesh.


    Përsa i përket deputetit Fatmir Toçi, i bëjmë pyetjen e thjeshtë çfarë përfaqson, Shtetin Ligjor, Shtetin e së Drejtës, mbrojtjen e të drejtës së pronësisë, apo antiligjin, antikushtetën, Shtetin e rrëmujës, Shtetin e të fortit, Shtetin e dhunës kundër pronarëve, Shtetin Komunist? Aq më keq në qoftëse ky qëndrim është edhe i Partisë Socialiste në emër të së cilës flet.



    Agim Toro

    Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi"

  4. #4

    Mbi çështjen e pronës private - Letër ambasadorëve të trupit diplomatik në Shqipëri

    Tiranë, më 24 Janar 2010

    AMBASADORËVE TË TRUPIT DIPLOMATIK TË AKREDITUAR NË SHQIPËRI


    Lënda: Kërkesë që të ndikoni që nga Shteti Shqiptar të respektohet e drejta e pronës private edhe në zonën turistike dhe ashtu siç është bërë në zonat veriore të Shqipërisë dhe në afro 75% të vendit prona që nuk është e shtetit por që është e grabitur nga shteti i diktaturës të kthehet fizikisht tek pronari i ligjshëm. Ligjet aktuale synojnë që toka turistike të përvetësohet nga oligarkia politike dhe shkelësit e ligjit.



    I nderuar zoti Ambasador,

    Duke vlerësuar impenjimin Tuaj për të futur Kuvendin e Shqipërisë dhe në tërësi politikën shqiptare në rrugën e demokracisë ju parashtrojmë sa vijon:

    Prej vitit 1991, kur Shqipëria u shpall shtet demokratik dhe pranoi si detyrim kushtetues, zbatimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të konventave ndërkombëtare, kanë kaluar 19 vjet që thuhen fjalë të mira në drejtim të politikanëve shqiptarë, megjithëse ata vazhdimisht kanë nxjerrë ligje me të cilat shkelet e drejta e pronës private, fenomen që është më i theksuar në zonën turistike Vlorë-Sarandë.

    Duke parë mungesën e vullnetit politik të dy partive kryesore shqiptare dhe mosveprimin efektiv të përfaqësive të FMN, Bankës Botërore, USAID, OSBE, BE dhe të komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, kërkojmë ndihmën tuaj për t’a kushtëzuar Qeverinë Shqiptare nëpërmjet Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, që në zonat turistike pronat private të shtetëzuara padrejtësisht nga shteti i diktaturës, t’u kthehen trungut familjar të pronarit të ligjshëm sipas dokumentave kadastrale të para vitit 1945, dokumenta që shteti i disponon. Që kthimi i pronave të futet në rrugën e zgjidhjes duhet që proçesi i kthimit të ndahet nga ai i kompensimit, duke përcaktuar një afat kohor të shpejtë për përfundimin e proçesit të kthimit fizik në përputhje me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në fuqi, dhe në përputhje me kërkesat e nenit 191 të dokumentit nr.11115 datë 20 dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të KE. Pas përfundimit të kthimit fizik dhe korigjimit të gabimeve të bëra në këtë periudhë, të fillojë kompensimi, e pas tij legalizimi. Në të kundërt platforma euroatlantike mbetet vetëm sllogan dhe populli shqiptar do vazhdojë të zhytet në llumin e korrupsionit dhe të anarkisë.

    Edhe me këta politikanë kundërshtarë të pronarëve të ligjshëm, situta do të ishte krejt ndryshe duke përcaktuar afate kohore dhe të kontrollohet që ndihmat dhe mbështetja ekonomike dhe politike për Qeverinë Shqiptare në kuadrin e KE, BE dhe SHBA të kushtëzohet me detyrimin e Shtetit për respektimin e origjinës së pronësisë si në të gjitha vendet demokratike euroatlantike.
    Ne jemi të shqetësuar edhe për faktin se regjistrimi i ri dhe modern (regjistrimi primar) i pasurive të paluajtshme i realizuar me fondet e USAID, FMN, Banka Botërore etj, nuk ka pasqyruar pronarët e vërtetë dhe kufijtë e pronave të tyre para vitit 1945 si dhe mënyrën e tjetërsimit të pronës. Ky regjistrim modern i bërë me ndihmën dhe mbikqyrjen e institucioneve ndërkombëtare, maskon dhe mbron anarkinë e titujve të pronësisë të organizuar pas vitit 1991 dhe praktikisht e vret demokracinë.
    Në një shtet të së drejtës, pronat e shtetëzuara nga shteti i diktaturës nuk mund të konsiderohen prona të shtetit që politikanët tanë po i ndajnë sipas interesave të tyre. Çdo gjë rregullohet lehtë edhe sot nëse ky regjistrim do të pasqyrojë origjinën e pronës para kolektivizimit komunist dhe shteti do të detyrohet të bëjë korigjimet përkatëse në përputhje me nenin 41 të Kushtatutës dhe me nenin 1 të protokollit 1 të Konventës Europiane. Vetëm kështu këto fonde të institucioneve ndërkombëtare nuk do të jenë financim për transferimin e paligjshëm të pronave private.

    Në çdo shtet antar të NATO dhe të BE, vetë shteti ka detyrim për t’ua kthyer pronarëve të ligjshëm pronën e grabitur, por në Shqipëri po ndodh e kundërta.

    Siç jeni në dijeni nga ankesat e shumta të përsëritura për këtë problem që ne i kemi drejtuar FMN, Bankës Botërore, USAID, ambasadorëve të KE, OSBE, BE, NATO, SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali etj. në Tiranë, situata aktuale është e zymtë për stabilitetin ekonomik dhe social dhe ne çuditemi me vlerësimet pozitive për këtë politikë dhe shtet që prej 18 vjetësh, në zonat turistike nuk ka kthyer akoma pronat tek i zoti por miraton ligje absurde që prona të mos t’i kthehet pronarit të ligjshëm, por ato t’u falen personave të tretë dhe zaptuesve.
    Qëndrimin konstant kundër pronarëve të ligjshëm të politikës shqiptare e vërteton qartë edhe një herë ligji i fundit që u miratua në Kuvendin e Shqipërisë Nr. 10208 datë 23.12.2009. Ky ligj ka ndryshuar pjesën pozitive të ligjit egzistues nr 8053 dt 21.12.95 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” Neni 2 i ligjit në variantin e tij në vitin 1995, tokat e ish fermave bujqësore në zonat turistike ua kthente të zotërve. Ky nen megjithëse i përket vitit 1995 nuk u zbatua pasi pengohej nga kufizime të tjera edhe në Dhjetor 2009 Kuvendi i Shqipërisë e eliminoi këtë nen. Ligji i vitit 1995 në vend që të përmirësohej edhe për tokat e ish kooperativave, bëri të kundërtën. Kuvendi i Shqipërisë me mentalitetin komunist dhe etatist që prej 19 vjetësh ka zbatuar me konseguencë parimet e Katovicës.
    Kuvendi, me këtë ligj të turpshëm e ka zgjeruar më tej grabitjen edhe në tokat e ish fermave shtetërore dhe pse sot jemi shtet anëtar i NATOs dhe kërkohet antarësim në BE. Sipas këtij ligji tokat turistike të ish Fermave Bujqësore nuk i kthehen të zotërve të ligjshëm por u jepen personave të tretë, deri 750 metra katrorë. Këta janë familje të punonjësve që para vitit 1990 kanë punuar në ish fermat bujqësore dhe sipërfaqja që do t’u jepet do të llogaritet për frymë. Arsyetimi i vetëm është se dikush nga kjo familje paska punuar në fermë në kohën e diktaturës dhe meqenëse kjo sipërfaqe ju është dhënë në përdorim në vitin 1996, ndonëse në shkelje dhe në zbatim të keq të ligjit të kohës nr.7501, sot nuk mund të ju hiqet por t’u jepet në pronësi dhe sipërfaqja e tepërt që ai ka marrë në përdorim, kthehet në pronësi të shtetit (!!)

    Ndërsa pronari i ligjshëm i këtyre pronave nuk përmendet fare edhe pse vazhdon të jetë prej 19 vjetësh në pritje që shteti t’i kthejë me ligj pronën e trashëguar. Për çudinë e të gjithëve me gjithë kundërshtimet nga ana jonë dhe të shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”, ligji i mësipërm nuk u kundërshtua por u firmos pa asnjë hezitim nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi. Me këtë platformë veç konflikteve ndërmjet familjeve por dhe brenda familjes, i hapet rruga vetgjyqësisë e konflikteve të pafundme.
    Politikanët shqiptarë për zgjidhjen e anarkisë që kanë krijuar pas vitit 1991 me pronat nuk pranojnë respektimin e të drejtës së pronës dhe korigjimin e gabimeve por mbrojnë platformën e kompensimit. Kjo pikpamje që i intereson mafies së trojeve turistike që praktikisht e komandon politikën dhe Parlamentin Shqiptar, është në shkelje të hapur të asaj që parashikon Kushtetuta pasi nuk është shpronësim për nevoja publike dhe në aspektin praktik është mashtrim fund e krye. Kjo barrë antikushtetuese u ngarkohet të gjithë taksapaguesve shqiptarë dhe nuk mund të realizohet as pas 1.000 vjetësh.
    Kjo platformë duke mbrojtur anarkinë e titujve të pronësisë, praktikisht ka sabotuar themelet e demokracisë. Kjo politikë e gabuar nuk duhet të mashtrojë për më shumë kohë instancat ndërkombëtarte të BE, KE dhe SHBA. Politikanët duhet të kushtëzohen të njohin të drejtën e pronësisë pronarit origjinal, se vetëm pronari ka të drejtë të japi pronën e tij në përdorim personave të tretë. Drejtuesit e politikës, politikën populiste për efekte elektorale dhe klanore le t’a bëjnë me pronat që ata vetë ose partia e tyre i trashëgon në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën.

    Këtë politikë ne e kemi denoncuar si antikombëtare pasi e tjetërson Shqipërinë në shprehje gjeografike dhe e fut shtetin në krizë të vazhdueshme ekonomike.
    Kur Shteti miraton dhe zbaton ligje që shkelin kaq hapur Kushtetutën, ky është gangsterizëm shtetëror dhe shpërdorim i të drejtës së pushtetit, para të cilit ne si palë e interesuar nuk mund të bëjmë asgjë. Në këto kushte ne e shikojmë reagimin e Qeverisë tuaj si shpëtimtare për demokracinë në Shqipëri, ashtu siç ishte ndihma për lëvizjen demokratike në Shqipëri në vitet 1990-91 dhe më vonë ndërhyrja e NATOs që shpëtoi Kosovën nga genocidi serb.


    Për sa më sipër ju lutemi t’a transmetoni këtë apel për demokraci nëpërmjet ligjit, në organet vendimmarrëse të BE, KE, OSBE dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, pasi kemi arsye të shumta që të mos kemi më asnjë besim në drejtësinë dhe në politikën shqiptare që deri tani po manipulon për përfitime personale dhe klanore.

    Reagimet e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” janë botuar në datë 6 Janar 2010 në gazetën “Telegraf” dhe Deklarata për shtyp e Shoqatës "Bregdeti", është botuar në shumë gazeta të datës 7 Janar 2010 si edhe janë publikuar këto në faqet e Forumit Shqiptar.

    Ju lutemi n'a caktoni për këtë problem një takim në ambasadë me përfaqësinë e Kryesisë së Shoqatës.

    Ne shpresojmë në mirëkuptimin dhe ndërhyrjen tuaj për të ndihmuar popullin dhe demokracinë në Shqipëri. Në emër të popullatës dhe pronarëve autoktonë të zonës turistike Vlorë-Sarandë dhe në emër të Kryesisë së Shoqatës “Bregdeti” ju shprehim respekt dhe falenderime.


    Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Bregdeti”
    Kryetari
    Niko Nesturi

  5. #5

    Apel Diasporës Shqiptare për të mbështetur zgjidhjen e çështjes së pronës private.

    APEL DIASPORËS SHQIPTARE

    Të nderuar motra dhe vëllezër të diasporës shqiptare,

    Duke parë mbështetjen e madhe të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për të mbështetur zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe faktit se në raportet dhe kërkesat e tyre ndaj Shtetit Shqiptar ankesat dhe peticionet tona të përsëritura për mos respektimin e të drejtës së pronës private që ju kemi dorëzuar ambasadorëve të akredituar në Shqipëri pasqyrohen shumë dobët, në mënyrë jo detyruese sikur të kishin rëndësi të dorës së katërt, ne kërkojmë angazhimin tuaj për të sensibilizuar drejtpërdrejt organet vendimmarrëse të politikës Europiane dhe Amerikane për gjendjen faktike të shkeljes së të drejtës së pronës në Shqipëri.
    Ne kërkojmë ndihmën tuaj pasi ndjehemi të sabotuar prej ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, të cilët e raportojnë në qendër situatën e pronave ashtu siç e paraqesin politikanët dhe jo ashtu siç është në realitet. Ne kemi protestuar dhe vazhdojmë të protestojmë për këtë politikë klanore dhe aspak demokratike që po shkatërron themelet e shtetit, por zëri ynë bie në vesh të shurdhër.
    Ju dërgojmë edhe juve të njëjtin APEL që më datë 24 janar 2010, Shoqata “Bregdeti” i ka dërguar ambsadorëve të KE, BE, OSBE, FMN, Bankës Boterore, NATO, Britani e Madhe, SHBA, Itali, Francë etj, të akredituar në Shqipëri. Ju lutemi të ndikoni për të krijuar lobingun e nevojshëm që Shteti Shqiptar të korigjojë veprimet e gabuara të pas vitit 1991 me pronat e pronarëve të ligjshëm. Shpresojme që angazhimi i “VATRËS”, i gazetave “Dielli”, “Ilyria” dhe i personaliteteve të shquara të diasporës për mobilizimin e shqiptarëve në emigracion të bëhet një zë i fuqishëm për t’a shpëtuar politikën shqiptare nga mentaliteti komunist, nga korrupsioni me pronat dhe dështimi i tranzicionit dhe populli shqiptar të futet në shinat e rrugës së demokracisë .

    Në emër të popullit që pret ndihmën tuaj për të shpëtuar nga anarkia institucionale dhe vjedhja e pronës së trashëguar dhe me besim në reagimin tuaj atdhetar, ju falenderojmë.



    Kryetari i Shoqatës “Bregdeti”

    Niko Nesturi

    E-mail : shoqatabregdeti@yahoo.com

  6. #6
    DR-GR Maska e oliver55
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Europa
    Postime
    666
    Denancojmë qëndrimin e institucioneve të shtetit tonë, të cilët e trajtojnë tokën, pronat private, njësoj si tokë në pronësi të shtetit duke justifikuar piraterinë mbi pronat tona.
    Pronarët kërkojnë zbatimit e parimit të trashëgueshmërisë së tokës.
    PARA KOMBIT DHE KOMBESISE. VE NJERIUN;

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    OPINION

    Pronat e Nikolla Çepikut dhe e qytetarëve të tjerë, nën diktatin e papranueshëm të nomenklaturës envero-ramiziste
    01-02-2010 /

    Nga Liri Kuçi


    Pranvera Strakosha, emblema e juristes komuniste

    Disa vite më parë, më 18 korrik 1992, Hetuesia e Rrethit Tiranë, kërkonte të ndaloheshin për të dalë jashtë shtetit 8 persona për shkak të një skandali që lidhej me birësimet. Në listën e personave që kërkoheshin të mos dilnin, ishin edhe dy gjykatëse. Njëra prej tyre është nëna e një deputeteje të re të pabetuar të Partisë Socialiste, ndërsa tjetra është e bija e Liri Strakoshës (e njohur më shumë me emrin Liri Gjoliku), e quajtura Pranvera Strakosha. Ndonëse skandali i birësimeve ishte i madh, juristja komuniste zgjodhi rrugën e largimit nga Shqipëria për në Greqi, ku qëndroi deri në vitin 1997. Bëmat e drejtësisë së Liri Strakoshës njiheshin, tani duhej të njiheshin edhe bëmat e Pranvera Strakoshës. Skandali i birësimeve mbeti për shumë vite pa përgjigje, ndërsa me ardhjen e vitit 1997 - pra të “revolucionit popullor” - u harruan edhe këto raste. U harruan këto skandale, sepse gjolikët kishin ardhur në pushtet. Tani duhej të drejtonin. Me vendimin nr.419, datë 30.6.1999 u zgjodh anëtare e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit
    Pas disa stacioneve të tjera, Pranvera Strakosha jo vetëm që shpëtoi nga akuzat që kish mbi kurriz, por u fut edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e mundësuar kjo sipas vendimit nr. 62, datë 14.11.2002, të Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë mandat, Strakosha gjolik, mëtonte “vjetërsi” në detyrë edhe kohën e ekzilit, kur nuk ishte ekstraduar siç duhej. Por siç edhe dihet në Shqipëri po të kryesh vepër penale dhe të jesh i majtë, nuk të shënohet gjë për keq, përkundrazi bën hapa përpara në detyrë. Jo vetëm që bën hapa përpara, por edhe mund të vazhdosh luftën e klasave, sidomos në pikëpamjen ekonomike. E kështu që shoqja Pranvera do të bëhet kapitaliste në pronë e sigurisht të ngelet komuniste në shpirt. Rasti e ka sjellë që ajo të hyjë edhe në pronën e ish-të përndjekurve politikë, pasi në ortakëri është edhe me Edi Ramën, kryetarin e partisë që godet “armiqtë e klasës”.
    Biznesi i sotëm është ndërtim pallatesh/Rasti i listës gjyqësore të Nikolla Çepikut, i cili po stërmundohet të mbrojë pronën e vet, të trashëguar nga familja e të përndjekurit politik të regjimit komunist, Mihal Sherko, është flagrant, për të analizuar se si e gjithë nomenklatura e shtetit komunist është unifikuar për të ligjëruar një batakçillëk të vërtetë.
    Saga e vjedhjes së truallit të Çepikut nga ana e Pranvera Strakoshës, nuk është e panjohur për opinionin publik, por në këtë fazë finale ku ka mbërritur ajo, të bën përshtypje arroganca me të cilën kjo dinasti e tjetërsimit, po mundohet ta mbyllë procedurën. Nikolla Çepiku ishte trashëgimtar legjitim i 90 % të truallit, ku ishte shtëpia e Mihal Sherkos. Aksionerët minoritarë prej 10 përqindësh ishin bashkuar me Çepikun në ndërmarrjen tregtare “Seni”, duke e regjistruar pjesën e tyre si kapital minoritar të saj.
    Por oktapodi i nomenklaturës nis e zë rrënjë bash aty. Ata ia shitën këtë truall fiks Pranvera Strakoshës (të bijës së Liri Gjolikut pra), e cila s’e pati për gjë të ligjëronte një transaksion të tillë, edhe pse vetë ishte nënkryetare e Gjykatës së Tiranës, instancë e cila në të njëjtën kohë kishte pranuar një padi civile për likuidimin e firmës “Seni”, edhe pse ajo ishte bërë nga aksionerët e saj në pakicë. Pra, pakica kërkonte me ngulm që ndërmarrja tregtare të shpërbëhej, edhe pse bilancet ishin krejt frytdhënëse dhe 90 përqindëshi ishte i vendosur të mos e pranonte kërkesën dhe së bashku me ta investohet edhe Gjykata e Tiranës – merret me mend, se ishte nën hyqmin e Pranvera Liri Strakoshës. Saga e proceseve gjyqësore është e njohur dhe shkeljet procedurale janë pafund, por zhvillimi interesant vjen me ndërhyrjen e Edi Ramës - i famshëm për të mos lëshuar asnjë leje ndërtimi - për t’i akorduar me urgjencë Strakoshës një leje ndërtimi, për truallin ende në kontest gjyqësor.
    Për të ligjëruar ndërtimin, fillon e vepron edhe e gjithëpushtetshmja Strakosha, tashmë anëtare e KLD-së. Pas shkeljes që ushtroi, duke shkelur Kodin Civil, meqenëse pranoi e gjykoi çështjen e truallit në Gjykatën e shkallës së parë (vetë nënkryetare), kur ishte direkt e interesuar, më tej ajo ushtroi gjithë ndikimin e saj që kjo çështje thelbësisht civile (e karakterit tregtar), në Gjykatën e Apelit të gjykohej nga gjyqtarë të krimeve të rënda (!!!), pasi dyshohej se kjo instancë nuk ishte krejt nën kontrollin e “nomenklaturës” e ndoshta në mënyrë surprizë “e drejta do të shkonte tek i Zoti”.
    Ndërkohë që konsumohej kjo odise, Çepiku nis një korrespondencë me ZMQ-në, ku pasardhësi i Spahiut në këtë post, i ka dhënë atij plotësisht të drejtë e ka nisur edhe ajo një angazhim civil për kthimin e drejtësisë në vend. Vetë Çepiku u takua me Kreshnik Spahiun sapo ai mori funksionin e nënkryetarit të KLD-së dhe i kërkoi që të niste një investigim të institucionit, për shkak të shkeljeve flagrante që po kryheshin gjatë shqyrtimit të padisë së tij civile. Fillimisht, ai shprehu mirëkuptimin, por më pas refuzoi të kthente ndonjë përgjigje, duke u distancuar nga ideja e tij fillestare, por edhe nga qëndrimi i pasardhësit të tij në krye të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve.
    Tashmë çështja është sërish në Gjykatën e Lartë dhe tek kjo instancë mbetet një shpresë që sistemi i drejtësisë të mund ta ridimensiojë të drejtën brenda vetvetes, duke prishur “rregullsinë” që ka vendosur aty kjo trojkë e diktaturës. Gjithsesi, Çepiku thotë se u është drejtuar edhe instancave të tjera që mund ta kërkojnë edhe ato “kryesisht” kthimin e së drejtës në vend, si ministrit të Drejtësisë apo Avokatit të Popullit, por duket se për procesin ende në Gjykatën e Lartë, ka një shpresë për shpëtimin e sistemit; ajo është shpresa e “shpronësimit” të trojkës enveriste nga prona e grabitur dhe e turpërimit të Kreshnik Spahiut, i cili vendosi të rreshtohej krah tyre.
    Nikolla Çepiku, viktima e vjedhjes së segmenteve të drejtësisë, në bashkëpunim dhe me pushtetin lokal shprehet se, akoma pa mbaruar procesi gjyqësor, Edi Rama merr vendim për dhënien e lejes së ndërtimit. Më 17 mars 2005, Çepiku i dërgon një letër kreut të Bashkisë së Tiranës, me anë së të cilës i kërkon pezullimin e lejes së ndërtimit që ia kishte dhënë më parë bashkëshortit të Pranvera Strakoshës, Aleksandër Josifi. “Për shkak të një konflikti pronësie, ky truall vazhdon të jetë edhe sot në proces gjyqësor, më datë 17 mars 2005, ku e paditur është ZRPP Tirana -1 së bashku me kufizues të truallit “Seni” sh.p.k.”, thuhet në letrën që i dërgohet kryetarit të bashkisë, Edi Rama. E megjithatë, pavarësisht se ishte në dijeni të problemit, Rama nuk ngurron të japë lejen e ndërtimit për Strakoshën, dukë i vënë vulën një vjedhjeje të pastër që Strakosha, nën petkun e nënkryetares së gjykatës i bën një qytetari. “Përgjigjja e Edi Ramës ishte se, ai nuk mund të priste gjyqet e të bllokonte ndërtimin. Në kundërshtim të hapur me ligjet jep lejen e ndërtimit, akoma pa u gjykuar çështja e pronësise së truallit në Apel. Ne nuk mund të pezullonim ekzekutimin e vendimit të Apelit, sepse “mjeshtra e plotfuqishme” e KLD-së bllokoi titullin e ekzekutimit në Përmbarim. Kështu filluan ndërtimin... ndërtesa në krah të TVSH-së. Kuptohet që nuk donin të humbnin as kohën e as truallin në një vend të tillë, në mes të Tiranës”,- thotë Çepiku
    Që prej asaj dite, puna për ndërtimin e pallatit ka vazhduar me ritme të shpejta dhe duket sikur ata që po e ndërtojnë, duan të betonizojnë sa më shpejt abuzimin që kanë bërë me pronën e dikujt tjetër. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, nga ana e tij, duket se i ka bërë një nder të madh zonjës Strakosha, nder të cilin një ditë i duhet që kjo e fundit t’ia shpërblejë. Kur ka ardhur fjala për emrin e anëtares së KLD-së, duket se kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk ka denjuar të shohë as dokumentet me të cilët pronarët bredhin derë më derë të shtetit për të kërkuar drejtësi. Kanë apo jo të drejtë, Edi Rama me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës duhej që më së paku të priste që gjykata të merrte vendimin përkatës, por si në çdo rast edhe këtë herë, kreu i bashkisë nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm se ka ndjekur ritualin e vjetër, me anë të të cilit vetë vendos dhe vetë vulos, por që këtë herë ka pasur një motiv më të fortë, nderin duhej t’ia bënte një anëtareje të KLD-së, Pranvera Strakoshës.
    Por paligjshmërinë e transkriptit, të kryera në favor të bashkëshortit të Pranvera Strakoshës, duket se e pranon dhe vetë zyra e Hipotekës. Me anë të një letre, dërguar Nikolla Çepikut, më datë 19.01.2006, thuhet se vendimi i gjykatës, i marrë në vitin 1999, i cili është bërë shkak dhe për të falsifikuar dokumentet nga ana e Strakoshës, nuk ka të bëjë me pasurinë e shoqërisë “Seni” SHPK për 500 m katrorë truall, por me pasuri të tjera. Sipas asaj çka thuhet nga ana e zyrës së hipotekës, duket qartë dhe falsifikimi i bërë. “Në kolonën “Shënime Transkriptimi” të këtij regjistrimi, janë bërë këto shënime: Në bazë të urdhrit 515 datë 5.12.2003 të regjistruesit, bllokohet prona për dy javë, duke filluar nga data 15 dhjetor 2003. Më tej, më datë 24.05 2004 bëhet shënimi “pronë e lirë”, thuhet në letrën e zyrës së hipotekës. Data 24 maj është dhe data kur Aleksandër Josifi, bashkëshorti i Strakoshës, kalon truallin në pronësi të tij. Nga ana tjetër, në letrën që i dërgohet Gjykatës së Lartë, vetë Hipoteka pranon se veprimet e regjistruesve janë antiligjore, por është kjo e fundit, pra Gjykata e Lartë, e cila nuk merr në konsideratë letrën e ardhur nga vetë hipoteka. “Veprimi i fshirjes nga hipoteka e regjistrimit të kapitalit fillestar të shoqërisë tregtare “Seni” sh.p.k është i gabuar dhe i pabazuar në ligjin e shoqërive tregtare dhe atë të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, thuhet në letrën e hipotekës.
    Po tani, si do veprojë drejtësia?

    ...
    55

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-02-2010
    Postime
    12

    Angry Politikanet qe pengojne kthimin e prones tek i zoti bejne politike antishqiptare

    Drejtuesit kryesore te politikes se vendit z. Bamir Topi, znj.Jozefina Topalli, z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama po ecin ne rruge antikombetare . Politikanet qe po drejtojne kete vend prej vitit 1991 e deri sot nuk kane deshire per ta kthyer pronen e grabitur tek i zoti . Ata kane gelltitur çorben e katovices . Kompensimi eshte mashtrim ndersa legalizimet jane absurditet . Shoqatat po perpiqen por zgjidhja nuk vjen vetem me artikuj ne gazete. Protestat ne rruge, dmaskimi ne shtyp i kryetareve te PD dhe PS, letrat e individeve te shpronesuar drejtuar keshillit te Europes dhe presidentit te SHBA, padite e shumta ne gjykate per te perfunduar ne Gjykaten e Strasburgut jane faktore qe do te detyrojne faktorin nderkombetar te instaloje kushte detyruese ndaj keture hajduteve te futur ne rugen e politikes qe ata ta kthejne me ligj pronen tek i zoti. Ne te kundert Shqiperia do behet nje Palestine ne Europe.

  9. #9
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    SHEKULLI,

    Pyetësori i BE dhe doktrina në drejtësi
    ERVIN MALAJ, Universiteti i Bremen, Gjermani

    Shumë juristë të fushave dhe angazhimeve të ndryshme shpresojnë që reforma në drejtësi të jetë duke u bërë edhe pse kjo, ndoshta, po zhvillohet në mënyrë jo transparente dhe me zë.

    Fakti që kjo reformë po ndiqet nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Drejtësisë, apo ndonjë organi tjetër të lartë, bën të gëzohemi, por edhe të mendojmë për cilësinë e asaj që do na ofrohet. Pyetësori i plotësuar nga Ministria e Drejtësisë ngre shumë pikëpyetje, nëse vërtetë ligjet tona janë "të mira" dhe "të përafruar" me standardet europiane të së drejtës.

    Aktorët, por njëkohësisht dhe vuajtësit më të mëdhenj të reformës në Drejtësi mund të jenë juristët, pasi janë këta të fundit, të cilët me këto mjete (armë ligjore) do luftojnë kundërshtarët e tyre për një drejtësi dhe paqe në shoqëri.

    Pra, padurimi mund të kthehet në zhgënjim. Ndoshta me të drejtë arsyet, që mund të sjellin pakënaqësi në radhët e juristëve (pasi këta përfaqësojnë interesat e palëve, si në shtet ashtu dhe në sektorin privat) janë të shumta dhe krejt të ndryshme me arsyet që në periudhën jo - demokratike sollën në fuqi një bazë ligjore në shërbim të sistemit shtet-parti.

    Ndryshe nga atëherë, kur gjyqtarët dhe prokurorët ishin pasqyra e politikës së partisë, tashmë roli i konsoliduar i gjykatës, prokurorisë, avokatëve e noterëve është përfaqësimi profesional dhe dinjitoz i interesave të palëve, të cilët ata përfaqësojnë.

    Arsyeja më kryesore nga ku lind ideja e ndryshimit konceptual të doktrinës, tashmë në fuqi, duket e pranishme me kontradiktat esenciale të Kodit Penal me vetveten e tij. Kjo diferencë midis "është" dhe "duhet të jetë" rritet gjithnjë e më shumë si pasojë e përkthimit të literaturës europiane dhe lindjes së një klase juristësh me dije perëndimore jo të përfituara në Shqipëri.

    Çdo jurist i ardhur nga perëndimi nuk koncepton brenda fajit mënyrën e kryerjes së krimit (Neni 14 II KP), sepse edhe vetë Neni 14 i KP e krijon konceptin e fajit si një nocion më vete.

    Masa e fajit, ku aftësia e personit për të diferencuar ç`është e drejtë dhe ç`është e dënueshme luan rolin kryesor, përcaktohet pikërisht nga mundësia individuale për të zgjedhur veprimin ose mosveprimin e personit në shkeljen e një norme të caktuar ligjore. Kjo dallon katërçipërisht nga vullneti ose neglizhenca e personit për ardhjen e një pasoje të caktuar, që jo në mënyrë sinne qua non është e dënueshme.

    Format e dashjes (dolus), në atë direkte (dolus directus) dhe pakujdesi (dolus eventualis), duhet të jenë të detajuara në doktrinën që i përcillet juristit të ardhshëm, pasi konfuzioni dhe paqartësia në këtë fazë, sjell juristë jo të plotësuar profesionalisht dhe rrjedhimisht pasoja fatale në mbrojtjen apo fajësimin e personave të caktuar.

    Faji, çdo ndërgjegjësim individual për thyerjen e një norme të caktuar dhe jo në dëshirën e brendshme për ardhjen (ose lejimin e ardhjes) e një pasoje - element objektiv i veprës penale, duhet të jetë i trajtuar më saktësisht në doktrinën e së drejtës penale.

    Kjo pjesë është esenciale në marrjen e standardizuar të trajtimit të elementëve kryesorë të së drejtës Penale dhe procedimeve përkatëse, pasi gjykatat, prokuroria edhe avokatia do ecin mbi të njëjtin rrugë profesionale. Rifreskimi, pse jo dhe ndryshimi ose korrektura profesionale e librave të vjetruar dhe me doktrinë jo bashkëkohore, do sillte një evolucion në mendimin juridik.

    Kalimi i veprës penale të vjedhjes, si e ndarë esencialisht nga mashtrimi dhe vënia në dispozita përshkruese në Kodin Penal të këtyre dy veprave, do bënte që vepra e mashtrimit me anë të vjedhjes (Neni 143 i KP) të mos ekzistonte më si e tillë në mënyrë se ipso. Momenti i dhënies me dëshirë apo marrjes pa dijeninë e viktimës është shkencërisht e pakontestueshme si element ndarës në këto dy vepra.

    Mashtrimi, ndryshe nga vjedhja, krijon elementët e saj pikërisht në momentin kur viktima e jep me dëshirën e tij pasurinë duke pasur në vëmendje sukses të pritshëm, por jo të vërtetë.

    Doktrina ligjore nuk ka vetëm këto mangësi, pasi këto janë të papërfillshme në krahasim me përgjegjësitë në kuadrin civil (para - dhe quasi kontraktor).

    Ndërtimi i një koncepti, ku përgjegjësitë dhe detyrimet lindin në momentin që palët kanë vullnetin për t'i hyrë një marrëdhënie detyrimesh e të drejtash (culpa in contrahendo), vazhdojnë kur lidhet dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe përfundojnë jo në afatin e mbylljes, së kontratës, por në afatin ligjor të parashikuara në ligj për detyrimet e palëve karshi njëra-tjetrës (garancitë), do krijonte një ambient ligjor të përafruar vërtetë me atë të vendeve që kanë realizuar pyetësorin para vendit tonë...

    Ndërtimi i bazave ligjore për trajtimin e shumë problematikave të jetës së përditshme, si ajo e kontratave turistike, përgjegjësit e mjekut, arkitektit apo avokatisë është një detyrim i rëndësishëm i të gjithë klasës juridike.

    Përgjegjësitë e profesioneve të lira (sipërpërmendur) tregojnë vullnetin për një jetë cilësore profesionale. Arritja e futjes në doktrinë i paraprin një kodifikimi të mundshëm dhe do të shndërronte në mënyrë historike Shqipërinë në këtë momente aderimi pranë shteteve dhe Institucioneve Europiane.

    Shpresa, që pyetësori s`ishte vetëm për Europën, por më shumë për të parë ku jemi me Institutet (e së drejtës në veçanti) europiane, duhet të ligjërohet me nisma ligjore dhe të shoqërohet me investime financiare nga Shteti shqiptar dhe nga institucionet akademike private në kuadrin e shumë doktrinave, tashmë të vjetruara.

  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-02-2010
    Postime
    12

    Dukatasit, nuk duhet te kerkojne 7501 por te kerkojne pronen e trasheguar

    Pse nuk po flet Sabri Godo per problemin e pa zgjidhur te prones ? Dukati

Faqja 0 prej 10 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •