Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e aadili
    Anëtarësuar
    21-09-2006
    Vendndodhja
    Zürich
    Postime
    295

    Sa kemi mësuar dhe sa jemi duke i ndjekur urdhërat e Profetit Muhamed s.a.v

    Hutbeja lamtumirëse
    Ligjërimi i fundit i Muhammedit a.s. në kodrën e Arafatit
    - O njerëz! Dëgjoni çka do t'ju them, sepse nuk e di se a do t'ju
    takoj në këtë vend pas këtij viti.
    - O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të
    njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo është
    dita e flijimeve në emër të All-llahut. Me të vërtetë gjaku dhe pasuria
    juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu
    siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.
    - Ruajeni, respektojeni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe
    dinjitetit njerëzor.
    - Njeriu është vepër madhështore e All-llahut dhe mjerë ai që e
    nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së All-llahut.
    - Ju, o njerëz, pashmangshëm dhe pakthyeshëm do t'i ktheheni
    All-llahut të Amshueshëm dhe Ai do t'ju marrë në përgjegjësi për
    veprat dhe punën tuaj.
    - O besimdrejtë! Ta dini, ta mbani mend dhe të jeni të bindur se
    përfundoi koha e mosdijes dhe traditave të këqija, që i sollën
    fatkeqësi të shumta gjinisë njerëzore. Unë jua kam treguar rrugën e
    shpëtimit, nëpër të cilën duhet të shkoni.
    - Gjërat që ju janë lënë amanet, ruani si të juajat dhe kthejani
    besnikërisht dhe me kohë atij që i takojnë.
    - Gjakmarrja është e ndaluar. Të gjitha akuzat e këtilla që
    rrjedhin nga koha para Islamit, anulohen. Akuza e parë e këtillë që
    anulohet është gjakmarrja e xhaxhait tim, Amir b. Rebi' b. Harith b.
    Abdulmuttalibit, të cilin pa kurrfarë faji e mbytën njerëzit nga fisi
    Hudhejl. Kjo gjakmarrje le të harrohet dhe të gjitha të tjerat në të
    ardhmen le të falen.
    - Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga
    huamarrësi duhet ta marrë vetëm atë që vërtet ia ka huazuar. Huatë
    e para që i nënshtrohen këtij vendimi janë huatë e xhaxhait tim
    Abbasit, i cili ka pasur mjaft borxhlinj.
    - O besimdrejtë! Duhet t'ua falni kamatat borxhlinjve. Dëgjoni
    këshillën time dhe pasuria juaj do të shtohet, sepse juve ju mbetet
    kryegjëja për tregti dhe punë të ndershme.
    - Nëse nuk e bëni këtë, duhet ta dini se do t'i zemëroni thellë
    All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.
    - Nëse borxhliu i juaj është në vështirësi, duhet t'ia vazhdoni
    afatin e pagimit, ndërsa nëse jeni në gjendje që t'ia falni borxhin, kjo
    do të ishte edhe më mirë për ju.
    - O besimdrejtë! O njerëz! Frikësojuni asaj dite që me siguri do
    të vijë, kur të gjithë do të paraqiteni para All-llahut, Gjykatësit të
    Vetëm Suprem, kur ju pret drejtësia absolute.
    - Kur të zotoheni se një borxh do ta paguani me kohë dhe kur ta
    lidhni marrëveshjen, të gjitha këto bëni me shkrim, saktë dhe me
    besnikëri theksoni afatin e pagimit...
    - O të vdekshëm! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin, Krijuesin e tërë
    materiales dhe jomateriales, i Cili krijoi meshkuj dhe femra, prej të
    cilëve u zhvillua gjinia njerëzore.
    - Kini frikë nga All-llahu, në ndihmën, prehjen dhe mëshirën e të
    Cilit të gjithë jemi të udhëzuar. Ne jemi të vdekshëm dhe në çdo
    çast jemi gjithnjë e më afër vdekjes dhe takimit me Të, me All-llahun
    e Amshueshëm, me Gjykatësin e Drejtë.
    - Shprehni respektin e duhur ndaj farefisërisë. Me përgjegjësi të
    thellë përmbushni detyrat dhe obligimet që ekzistojnë ndërmjet
    burrit dhe gruas, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve.
    - Fëmija e fiton xhennetin nën këmbët e nënës së tij.
    - Ruajuni nga prostitucioni, tradhtia bashkëshortore dhe
    xhelozia. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkate të
    rënda, ndërkaq xhelozia mund të shkaktojë prishjen e
    bashkëshortësisë.
    - Martohuni me ato që i doni, e kur vullneti i Zotit t'ju bashkojë,
    atëherë respektojeni dhe duajeni njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri
    dhe harmoni të vërtetë.
    - O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe
    dashuri.
    - O besimdrejtë! Largohuni nga ngatërresat dhe përgojimet!
    - Ata që shpifin për gratë e ndershme, le të jenë të mallkuar në
    të dy botët. Ata që i akuzojnë gratë e ndershme për tradhti në
    martesë ose për amoralitet, ndërkaq që nuk mund për këtë t'i sjellin
    katër dëshmitarë të besueshëm, dënoni me tetëdhjetë goditje, dhe
    asnjëherë në të ardhmen në asgjë mos u besoni, sepse ata janë
    njerëz të degjeneruar dhe të këqij.
    - Nëse mendoni se ndaj grave tuaja më nuk e ndjeni dashurinë
    e dikurshme, mos nxitoni, por mendoni mirë. Ndoshta All-llahu
    nëpërmjet këtij sprovimi ju udhëzon në rrugën e fatit të ri të madh,
    me të cilin dëshiron t'ju përgëzojë.
    - Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, meqë prej
    të gjitha gjërave që All-llahu i ka lejuar, më së tepërmi e urren
    shkurorëzimin.
    - Gratë tuaja u janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o
    besimdrejtë, atë amanet të Zotit.
    - O njerëz! Sot djalli i mallkuar është i dëshpëruar, sepse ka
    pësuar humbje dhe më nuk mund të ndikojë në ju. Por ju
    megjithatë gjithnjë bëhuni të kujdesshëm, që ai i mallkuar të mos ju
    vë në lajthitje as për gjërat më të vogla.
    - O besimdrejtë! Kur e caktoni dhe e ndani ndërmjet veti
    trashëgiminë, bëhuni të drejtë dhe përmbajuni librit të Zotit.
    Ruajeni pasurinë e bonjakëve, të paaftëve dhe të sëmurëve psikikë.
    - Zoti çdonjërit ia ka dhënë të drejtën e vet, andaj nuk ka nevojë
    që trashëgimtarëve t'u lihet testament; ndërsa si testament nuk
    mund të lihet më tepër se një e treta (1/3) e pasurisë.
    - Fëmija i takon atij, në shtratin e të cilit është i lindur.
    - Kush pohon se i takon tjetërkujt përveç prindit, atë do ta arrijë
    mallkimi i Zotit.
    - Nuk i lejohet gruas që të japë diç nga pasuria e burrit të saj pa
    lejen e tij.
    - Borxhin duhet paguar, ndërsa sendin e huazuar duhet kthyer.
    Dhurata duhet të kthehet me dhuratë. Kush hyn dorëzan për
    dikënd, obligohet edhe me përgjegjësi për dorëzani.
    - Me robërit dhe shërbëtorët silluni në mënyrë njerëzore.
    Ushqeni ata sikur që ushqeheni vetë, dhe vishni ata sikur që visheni
    vetë. Nuk guxoni t'u bëni keq, as t'i keqpërdorni. Edhe ata janë
    njerëz, edhe ata janë shërbëtorë të Zotit.
    - O besimdrejtë! Ta dini dhe të mos harroni se të gjithë
    muslimanët janë vëllezër. Ju të gjithë jeni plotësisht të barabartë në
    të drejta dhe detyra. Nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj joarabit, e
    as joarabi ndaj arabit, as i ziu ndaj të kuqit, e as i kuqi ndaj të ziut
    përveç me devotshmëri. Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, ndërsa
    Ademi është prej dheut.
    - O muslimanë! Duhet të kujdeseni, të duheni dhe të
    ndihmoheni ndërmjet vete.
    Nuk guxoni ta ofendoni njëri-tjetrin, e as t'i merrni me dhunë
    njëri-tjetrit diçka. Këto janë mëkate të rënda. Merreni vetëm atë që
    me vetëdëshirë ju jepet. Respektoni pacenueshmërinë e pasurive
    tuaja derisa janë në frymën e ligjeve të Zotit.
    - Në punën tuaj Islami dhe interesi i përgjithshëm le të jenë mbi
    ju dhe interesin tuaj personal. Përkushtojani Islamit jetën tuaj dhe
    në punën për Islam jepni prej vetes gjithçka që mundeni.
    - Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e askujt. Vetvetes
    mos i bëni dhunë. Mos harroni se mëshira është një ndër bazat
    kryesore të Islamit.
    - O njerëz! Dëgjoni çka po ju them dhe mbajeni mend mirë. Unë
    po jua lë librin e Zotit, Kur'anin, i cili, nëse i përmbaheni, gjithnjë do
    t'ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë
    dhe së vërtetës. Kur'ani është libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e
    vërtetë e All-llahut, fjalë e Tij, në vërtetësinë e së cilës nuk ka
    kurrfarë dyshimi.
    - Para vetes e keni tërë jetën time, fjalët dhe veprat e mia.
    Gjithçka që kam folur dhe punuar, jam përpjekur që të jetë në
    pajtim të plotë me urdhrat e All-llahut.
    - Ju vërtet nuk do të gjendeni në lajthitje përderisa t'i
    përmbaheni Kur'anit dhe sunnetit tim.
    - O besimdrejtë! Thuajeni gjithnjë të vërtetën e pastër. Urrejtja
    asnjëherë le të mos ju largojë nga rruga e të drejtave dhe drejtësisë.
    Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësohuni nga All-llahu! Ai
    e sheh punën tuaj.
    - O njerëz! I dëgjuat porositë e mia, futni në zemrat tuaja, në
    jetërat e juaja.
    - Të gjithë ata që i kanë dëgjuar këto fjalë të mia, le t'ua
    përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar, sepse prej tyre mund të ketë
    më mbamendës se vetë dëgjuesit.
    (Pas një pauze të shkurtër, i Dërguari i Zotit me një zë më të
    butë ka thënë):
    “O Zoti im! A e kam përmbushur detyrën dhe misionin e
    besuar?
    - O i Dërguari i Zotit! Ti besnikërisht e ke përmbushur misionin
    tënd dhe neve na ke komunikuar çka të ka urdhëruar Zoti - u
    përgjigjën më se 100.000 haxhilerët e pranishëm.
    (Atëherë Muhammedi a.s. tha
    - O Zoti im, dëshmo (në këtë)!
    (Të njëjtën ditë, Zoti i Lavdishëm e shpalli edhe ajetin e fundit të Kur'anit):
    “Sot jua kam përkryer fenë dhe kam plotësuar begatinë time ndaj jush,
    dhe jam i kënaqur që për ju Islami të jetë fe”. (Maide, 3).
    Ky tekst i përkthyer është njëri ndër versionet më të plota të hutbes lamtumirëse.
    Ndryshuar për herë të fundit nga aadili : 30-12-2009 më 18:13

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •