Aparenca ime dhe ...
E vesha veten me aparencën e duhur, pasi pa këtë aparencë mes njerëzve, bëhesh krejt i papërfillshëm. Edhe pse me qindra apo mijra herë zgjedh vetë apo ma zgjedh ustai rrobaqepës copën e aparencës, edhe pse me qindra apo mijra herë merr masën e trupit, pa lënë lartësi, gjerësi e perimetër pa matur, prapë se prapë asnjëherë, mo po as vetëm një herë, nuk e kam ndjerë veten të qetë e të lirshëm brenda saj. Diku do më shtrëngojë më shumë, diku më rrudhosur do më rrijë, duke më shfaqur, herë të dobët dhe herë të ngjallur, herë të deformuar dhe qesharak, herë të shëmtuar dhe karagjoz. Por, pavarësisht nga kjo mospërputhje e kostumit aparent me formësinë e qenies sime, për opinionin jam një normal i pranueshëm, shumë më tepër se i shfaqur para tij, me të vetmen veshje timen, atë të shpirtit.
Po këpucët?
Ato i mbuloj me gjatësinë e pantallonave, për të mos rënë në sy të opinionistëve. Janë te vetmet veshje në masën e këmbës, që më ndihmojnë në ecjen më normale e origjinale të vetes sime. Të formuara me materialin më special njerëzor, lëkurën time, me lidhëset më magjike, venat gjakore të trupit tim, fjonguar në formën e zemrës sime.
Thjesht, vishem zbathur.
@E Sh
Krijoni Kontakt