I shendetshem dhe frymezueshem qofsh gjithmone i dashur Agim. Te falenderoj per mesazhin, qe me ben te ndjehem me mire.
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Kështu foli Odisea
Ja ku u ktheva, e imja Penelopë
Uro të drunjtin Kalë, për kët' fat
Që mendja ime polli për një Trojë
Dhe pjella polli shkatërrim e gjak.
Oh, të paskam plakur, Penelopë!
Vetë si e harrova pleqërinë?
Ti me një pëlhurë ç'bëre kohë
Unë me një Kalë ç'bëra rininë.
Nuk di pse më prite, Penelopë
Për dashurinë që luftës ja dhuruam
Për fronin mbetur bosh pa të zonë
Që qasësit e tjerë s'e merituan?
Nuk di kë Odise tani do duash
As unë nuk e di kë Penelopë
Veç di, dinakërinë që krijuam
Do lemë trashëgim në këtë botë.
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Pjella e djallit
Nga mali zbritën
Në mal na ngjitën
Zhgryer thepash, shkëmbinjsh.
Dhe pse roitën
Na kallën frikën
Greminash, shpellash çmendish.
Aty na lanë
Aty na thanë
"E mira një hap na ndan".
Me mijra shanë
Me mijra vranë
Miliona si miu në çark.
Na u bë çarku
Si qoftëlargu
Veshur fytyrë mirësie.
Na u bë barku
Gjiriz bataku
Mbarsur me spermë Partie.
Dhe ecëm malit
Pas të madhit
Një popull i tërë kuturum.
Ish' loja e fatit
Kjo pjellë e djallit
Që vdes e prapë s'ka fund.
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Ndocit te pavdekshëm
Ku ikën poeti, kur jetën le pas
Vazhdon udhëtimin, udhëtimin e madh
Shndruar çdo pjesë të trupit në fjal'
Ikur e ikur, si vargu, në varg.
Kët' rradhë shoh Ndocin, tek ecën menduar
Pas jeta e gjorë, e ndjek e penduar
I jep dorën Gjetja, e bën jetën -jet'
E shëron me vargun, pavdekësi i jep.
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Këmbët
Ka këmbë që të len' pas
Ka këmbë që pas i le
Në dy rastet i parë
Në garë kujton s'e del.
Unë qesh me të dy rastet
I pari më gajas
Çdo hap pas mendja zbrazet
Dhe bosh mbushet çdo hap.
Unë qaj me të dy rastet
I dyti më loton
Sado madhon jorganet
Çdo hap këmbët zbulon.
Ç'i dua këto këmbë!
Ç'i dua këto hapa!
Të ha shpirtin me dhëmbë
Në trupin që s'e pata!?
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Fati i milingonës
U bëra milingonë
Mërzitur nga njerëzia
S'di pse u ndjeva zonjë
Dhe pse isha mes mijrash.
Sa ment më duhej, kisha
Sa qejf më duhej, bëja
Sa duhej ushqim, mblidhja
Si mua ishin të tëra.
Një ditë më kërkuan
T'ju flisja për Njeriun
Por këmbë mbi ne kaluan
Dhe vdekja na përpiu.
Me frymën që më mbeti
Dy fjalë munda t'ju them
"Ne shkelim njeri-tjetrin
Që kur lindëm mbi dhe".
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Dikush...
E di!
Dikush tani, nuk ka se çfarë të hajë
Dikush është duke vjellë, tepricën që ka ngrënë
Dikush nuk ka më lot, janë shterur duke qarë
Dikush vazhdon të qeshurën, që s'e mbaroi mbrëmë.
E di!
Në emër të Allahut, dikush kërkon të vdesë
Në emër të lirisë, që Allahu kurrë s'ja dha
E di, ka për të vrarë, ooh, sa dikushë të tjerë
Të shkojë do në xhennet e në xhehennem, ata.
E di!
Dikush zhgënjyer zgjohet, nga ëndrra përrallore
Dikush përrallën e ëndrrës, e bën për shtat' palë qejfe
Kështu vazhdojnë dikushët, avazin nëpër mote
Njeri gjithnjë për tjetrin e tjetri gjithnjë për vete.
E di...
-Mjaft, aman dhe ti!
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Ndaj ty të bërtas!
Urban i Universit më je, Toka ime
S'di pse të parën biletë, falas ma dhe
Unë shtrenjt po ta paguaj atë, që në lindje
Pa ditur ku më çon, pa ditur ku më le.
Pranoj të më çosh, ku u nise pa mua
Ç'pate që me mua, asnjë stacion nuk di?
Ne për njeri-tjetrin, thonë, u krijuam
Kush thotë emrin tënd, thotë dhe emrin tim.
Eej, ku shkon, moj Tokë urbane!?
Mos më bëj pishman, që t'u ngjita pas
Nëse ti ke një, unë kam mijra halle
Me Njeriun s'i zgjidh, ndaj ty të bërtas!
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Më ndihmoooniii!!!
Më ndihmoni, o Njerëz
...
Ka humbur Njeriu
Nuk di nga po ecën
Se gjurmët i fshiu.!
Ha, haaa, thashë, "Njerëz!?"
Ndaj s'përgjigjet asnjë
Paskam mbetur vetëm
Njeri, në asgjë!
-Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)
Krijoni Kontakt