Ku vdekja dot s’më gjen
Do lindë dita prapë
Pas perëndimit tim
Një çast do ndjej mesnatë
Një çast do ndjej ndriçim.
Pastaj do jem mes tyre
Apo ato mes meje
Si netët nëpër yje
Si yjet përmes netve.
Unë prapë do të qesh
Me buzën e një Hëne
Piklotin do e tret
Si meteor çdo mbrëmje.
Do kthehem në mëngjes
Grimcuar në një rreze
Perëndimin do e pres
Për të rilindur veten.
Kështu, edhe i ikur
I kthyer do të jem
Pafundësis’ i lindur
Ku vdekja dot s’më gjen.
Krijoni Kontakt