-
Guerilet që u stërvitën në Shqipëri
Komisari i Zall Herrit:Kur stërvitnim ushtarët e Arafatit në Shqipëri
27/12/20098
•
Afrim Imaj
Në Shqipëri janë përgatitur guerile të huaja! I njohur nga një rreth i ngushtë njerëzish, ky fakt përbën një kapitull më vete në dosjen sekrete të ushtrisë shqiptare, krenarisë së dikurshme të lidershipit komunist.
E investuar në kauzën për triumfin e revolucionit, Tirana e atyre viteve ofronte kontribute me fonde, mjete e armatim për krahun e armatosur të organizatave politike me të cilat ndante ideale të njëjta. Deri në fundin e viteve ’60, me dhjetra operacione të fshehta, u destinuan për çështjet e logjistikës. Më vonë, solidariteti për “aleatët” e largët u përqëndrua te mbështetja me burime njerëzore. Për javë dhe muaj me radhë repartet e ushtrisë, u kthyen në qëndra stërvitje për dhjetëra e qindra ilegalë nga vende të ndryshme, duke filluar nga Amerika Latine e deri tek Indonezia. Pjesa më dominuese e tyre ishte shpura e luftëtarëve palestinezë, të cilët ishin më të shumtë në numër dhe u stërvitën për një periudhë të gjatë kohe. Kjo në emër të miqësisë me Jaser Arafatin, kreun e Lëvizjes për Çlirimin e Palestinës dhe mbështetjes politike për kauzën e tij. Tridhjetë ushtarët e dërgatës së fundit, janë ndarë me eprorët shqiptarë në mesin e vitit 1971, pas një demonstrimi në Detashmentin e Zallherrit. Gjithçka me ta është zhvilluar në terr të plotë dhe larg syrit të opinionit publik. Pas katër dekadash, ish komisari i kësaj njësise, Muhamet Hoxha, thyen heshtjen e gjatë dhe rrëfen për gazetën “Panorama” të vërtetat e ushtimeve stërvitore me guerilet e Al-Fatahut...
Zoti Muhamet, së fundi është zbuluar një dokument i Shtabit të Përgjithshëm me nënshkrimin tuaj, ku flitet për një demonstrim stërvitor me grupin e palestinezëve në regjimentin e Zall Herrit. Çfarë u kujton ky fakt?
E para, nuk mendoj se kemi të bëjmë me ndonjë zbulim të bujshëm. Lidhur me dokumentin, desha të saktësoj se unë nuk bëja pjesë në Shtabin e Përgjithshëm, por isha komisar i detashmentit të Zall Herrit ku u stërvitën palestinezët. Ishte një demonstrim ushtarak që u zhvillua në përputhje me marrëveshjen zyrtare. Në këtë rast ne ishim zbatuesit në terren.
Pra, ka pasur një marrëveshje të veçantë për stërvitjen e palestinezëve në Zall Herr…
Kur na u komunikua detyra, na thanë se gjithçka do të bëhej sipas një marrëveshje të veçantë dhe sekrete. Kuptohet, nuk kishte si të bëhej ndryshe. Këto lloj modalitetesh i bënin institucionet e larta politike…
Si u njohët me këtë marrëveshje dhe cilat ishin porositë e rastit për stërvitjen e palestinezëve në repartin tuaj?
Me sa më kujtohet, detyrën e morëm drejtpërdrejt nga Drejtoria e Zbulimit të Ushtrisë. Ajo, si të thuash, ishte maja e piramidës e shërbimit tonë. Na thirrën aty dhe na thanë se do të përgatisnim një grup palestinezësh për një kohë gjashtëmujore. Na shpjeguan qëllimin dhe synimet e demonstrimit. Na porositën për karakterin sekret të detyrës dhe na sqaruan me disa nga veçoritë e kontingjentit që do stërvitnim. Ky ishte pak a shumë komunikimi i parë. Pastaj u ulëm shtruar me specialistët në repart. Fillimisht hartuam planin e masave për çështjet e logjistikës, që kishte të bënte me sigurimin e kushteve për jetesë dhe stërvitje. Ngritëm një grup pune për programin stërvitor, duke detajuar disiplinat dhe tematikat që do përpunoheshin.
U kujtohet kur erdhën guerilet e Al-Fatahut në Zall Herr?
Ka qenë diku nga fillimi i vitit 1971. Bëheshin rreth 30 vetë. U dhamë uniformat ushtarake. I orientuam me mjediset e repartit sipas porosive të marra. Folëm për orarin e veprimeve dhe rregullin e brendshëm. Më herët kishim përshtatur për ta dy dhoma për fjetje, klasën për mësim dhe një kuzhinë të veçantë. Biseduam atë ditë gjatë me ta. Ishin të rinj, 20-25 vjeçarë dhe mbanin shami në kokë. Aty për aty mësuam se vinin nga vende të ndryshme. Kishte që udhëtonin nga Jordania, Egjipti, Siria, Libani. Po kishte që vinin nga Perëndimi, madje dhe nga Beogradi. Pjesa më e madhe kishte kryer studimet universitare, ndërkohë që kishte syresh që i kishin ndërprerë.
A ishte e organizuar si trupë ushtarake dhe çfarë përfaqësonin eprorët e tyre?
Ajo ishte një trupë kompakte dhe e disiplinuar, me një hierarki që kulmonte me dy drejtues: Atë politik dhe atë ushtarak. Në kontaktin e përditshëm shfaqej në krye të tyre ky i fundit me profil autoritar dhe i prerë në komunikim. Ai komandonte, jepte porosi, ndiqte dinamikën stërvitore, bënte vërejtje, ndëshkonte etj. Eprori politik (apo komisari, si i thoshim ne) në mjediset e jashtme paraqitej i thjeshtë dhe nuk dallohej nga të tjerët. Puna e tij fillonte e mbaronte në klasë. Pikërisht aty ai ishte i pari, lektori, mësuesi, njeriu që diktonte çështje e tema të spektrit politik.
Çfarë përmbante programi stërvitor që hartuat posaçërisht për ta?
Programi për stërvitjen e palestinezëve parashikonte kryesisht tematikën që trajtonim me kompaninë e zbulimit. Përgatitja taktike për zgjidhjen e situatave dhe detyrave në terren, zinte pjesën më të madhe. Ndërkaq, kishim planizuar masa për njohjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit, të cilat finalizoheshin me zhvillimin e qitjeve. Sa për disiplinat e tjera mund të përmend ato për mbrojtjen nga armët e dëmtimit në masë, përgatitjen xheniere, topografike, mjekësore, ushtrime të mbijetesës e të luftimeve në zona të banuara etj. Gani Elezi, njëri nga kuadrot e reja të zbulimit, ishte caktuar përgjegjësi i trupës stërvitore. Ndërkohë, atij i ishte besuar drejtimi i stërvitjes taktike. Me përgatitjen e zjarrit dhe stërvitjen speciale në terren, merrej shefi i shtabit të detashmentit Tigër Godo. Ndërkaq, Hysen Ymeri, njëri nga mjeshtrit e përgatitjes fizike dhe xheniere, realizoi pjesën më të madhe të ushtrimeve për aftësimin e grupit zbulues që vepron në prapavijë të kundërshtarit. Lëndë e çështje të veçanta trajtonte komandanti i repartit Qani Abazi, i cili mbante kontakte të përditshme me trupën komanduese dhe ndiqte me përgjegjësi ecurinë e stërvitjes.
Në gjithë këtë larmi disiplinash ushtarake, përse interesohej më shumë grupi palestinez?
I tërë programi stërvitor ishte ndërtuar mbi bazën e disa kërkesave specifike të diktuara nga pala e tyre dhe fokusohej në përgatitjen e grupeve të vogla për të vepruar në qendra të banuara dhe në prapavijë të armikut. Në përmbushje të kësaj tendence, planifikuam e realizuam demonstrime të luftimeve në pritë, për kapjen e robërve, për daljen nga rrethimi në zonë të banuar, për ndërprerjen e komunikimit të armikut, për nxjerrjen e pengjeve etj. Eprorët palestinezë këmbëngulnin me force për t’u fokusuar në këtë lloj tematike, e cila ishte disi larg natyrës së demonstrimeve tona. Megjithatë bëmë ç’është e mundur për t’u ardhur në takim, duke e përshtatur tërësinë e veprimeve stërvitore në kushte të përafërta me situata kërcënuese dhe në terrene të shumëllojshme…
A kishin prioritete të tjera veç këtyre?
Prioritet tjetër mbetej njohja dhe përdorimi i armëve të këmbësorisë duke filluar nga pistoleta, automatiku, granatahedhësit, granatat e dorës, mitralozat e lehtë, e deri te topi 75 mm. Mjaft orë stërvitore u angazhuan pikërisht për këtë qëllim. Ata shumë shpejt u bënë njohës të mirë të armatimit, sidomos atij personal dhe realizuan qitje me rezultate mjaft të mira. Ndërkaq, një pjesë të mirë të programit e rezervuam për njohjen dhe përdorimin e lëndëve plasëse dhe eksploziveve. Interesi i tyre për to, megjithëse disi i maskuar, u shfaq që në fillim. Mbaj mënd se gjatë demonstrimit me to patëm dhe një aksident, ku mjeshtri Hysen Ymeri humbi tre gishtërinjtë e dorës së djathtë. Sidoqoftë, e gjitha kjo ishte një përvojë e vyer dhe për ne që deri atëherë ushtroheshim kryesisht me demonstrime diversive në terren…
Pra, interesi i palestinezëve fokusohej te veprimet ilegale në qytet…
Kryesisht interesi i tyre ishte për përgatitjen xheniere. Prandaj programi i stërvitjes parashikonte orë të tëra për përdorimin e lëndëve plasëse gjatë veprimeve kundër objekteve të armikut, për zbulimin e fushave të minuara dhe kalimin e pengesave xheniere, për hapjen e shtigjeve dhe kalimin pa u diktuar në shpinë të kundërshtarit etj. Sakaq, me përparësi trajtuam temat e mbrojtjes nga armët e dëmtimit në masë, ato të reagimit në mjedis të ndotur, përdorimin e mjeteve personale, etj. Tema të veçanta mund të përmend ato të përgatitjes fizike, si luftimin trup me trup, kalimin e terreneve të thyera me mjete alpine, kapërcimin e pengesave ujore etj.
Po çështje politike ishin parashikuar për t’u trajtuar në programin e tyre stërvitor?
Ky ishte një aspekt disi konfuz. Me këto çështje merrej drejtuesi politik i tyre. Me sa më kujtohet programi parashikonte orë të veçanta për formim ideologjik, siç e quanin ata. Ç’vend zinin në të orët politike, nuk e mbaj mënd, por më kujtohet se ato zhvilloheshin në klasa të mbyllura dhe larg kontaktit me palën tonë. Kishte raste që jepja dhe unë mësime të ndryshme.
Çfarë temash trajtuat ju dhe a kishit ndonjë rekomandim të veçantë për to?
Janë bërë kaq kohë dhe, kuptohet, nuk ka si t’i mbaj mënd me hollësi. Me sa më kujtohet, kam trajtuar tema që kishin të bënin me revolucionin dhe kontradiktat midis blloqeve të asaj periudhe, me karakterin e krizave ndërkombëtare etj. Ata dëgjonin me vëmendje dhe mbanin shënime pa e ngritur kokën. Vetëm kur binte fjala për social-imperializmin sovjetik apo imperializmin amerikan, çuditërisht linin lapsin mbi tavolinë dhe shikonin nga dritarja. Më shumë se mungesë interesi, ky gjest i tyre dukej një lloj shpërfillje për përmbajtjen e temës...
A konstatuat diferenca në bindjet e tyre politike?
Në pamje të parë dukeshin të së njëjtës prerje, por në fakt nuk ishte kështu. E vërteta është se kishin mjaft gjëra të përbashkëta në vizionin për të ardhmen, por kishin dhe kontradikta e mendime të kundërta, sidomos për mjetet dhe mënyrën e kapërcimit të kolonializmit. Madje, shpesh konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Grupi i ardhur nga perëndimi, që ishte më i përgatitur e shkolluar, dallonte shumë me pjesën tjetër që vinte nga korpusi i luftëtarëve të Al-Fatahut. Këta të fundit shfaqeshin utopikë e sektarë, duke e lidhur çdo gjë me frymën e Allahut, madje dhe fatin e luftës e të vendit nuk mund ta shikonin përtej saj. Ndryshe reflektonte pala tjetër që dukej e moderuar dhe më afër realitetit. Sidoqoftë, për ne këto ishin gjëra të brendshme dhe nuk duhej të ndërhynim për t’u bërë pjesë e tyre.
Si ishte e organizuar një ditë stërvitje?
Ajo fillonte me zgjimin diku rreth orës gjashtë, për t’i lënë radhën fizkulturës së mëngjesit gjysmë ore dhe vazhdonte me tranazhin stërvitor që zgjaste një orë. Me këtë, pak a shumë, mbyllej pjesa hyrëse e ditës. Pastaj vazhdonte programi mësimor me gjashtë orë stërvitje çdo ditë. Pjesa e pasdites, përshkruhej në një tjetër orar veprimesh që parashikonte studim, kulturë masive, kohë të lirë etj. Liridalja në qytet ishte rezervuar për ditët e diela. Fundjavave apo në ditë festash, bëmë vizita në qytete të ndryshme si në Krujë, Shkodër, Berat, Gjirokastër etj.
Sa kohë vazhdoi stërvitja me palestinezët në Zall Herr?
Me sa më kujtohet filloi në janar të vitit 1971 dhe përfundoi diku nga fundi i qershorit të atij viti. Plot gjashtë muaj. Synimi ishte aftësimi në nivelin e komanduesit ushtarak, detyrë e cila u përmbush me sukses. Kjo falë nivelit cilësor të trupës mësimdhënëse dhe përkushtimit maksimal të efektivit palestinez, i cili ishte shumë i motivuar për të përfituar sa më shumë. Në fund të gjithë morën diplomat përkatëse. Mjaft mbresëlënëse ishte dita e ndarjes. Organizuam me këtë rast një drekë në repart. Kënduam bashkërisht. Ngritëm madje dhe dolli sipas zakonit shqiptar. Na falënderuan për gjithçka dhe na premtuan se do të riktheheshin për të mbetur miq të përjetshëm. Dhe ikën. Ata që i përcollën në Rinas na thanë se do shkonin në Egjipt. Nga ai moment nuk patëm kontakt tjetër me ta, të paktën ne të Zall Herrit…
A është e vërtetë që gjatë periudhës stërvitore me palestinezët ka ardhur për t’i inspektuar edhe Arafati, kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës?
Në fakt vizita e Arafatit në Zall Herr u bë në kushte disi të fshehta. Ne ishim lajmëruar se do vinte një nga udhëheqësit e krahut politik të Al-Fatahut dhe e pritëm zyrtarisht në komandën e repartit pa u njohur me emrin e vërtetë të tij. Pas kortezisë së zakonshme ai u interesua me hollësi për gjendjen e trupës dhe shkallën e përvetësimit të programit nga ana e saj. Me fjalë të ngrohta shprehu mirënjohjen për kuadrot shqiptarë dhe falënderoi shtetin për mbështetjen që i jepte çështjes së luftës së Palestinës. Dukej burrë energjik dhe shumë i vëmendshëm. Nga mënyra si fliste të linte të kuptoje se nuk ishim ne të parët që takoheshim me të. Madje, gjatë një momenti u shpreh se ndante mendime të njëjta me udhëheqjen tonë. Ndërkaq, pohoi se në poligonet e ushtrisë shqiptare kishte bërë dhe qitje me pistoletë. Në fund bëri një mbledhje me trupën palestineze dhe u largua i shoqëruar nga një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes. Morëm vesh që kishim të bënim me një mysafir të rëndësishëm, por askush nuk na njohu me identitetin e tij. Disa ditë më vonë, njëri nga liderët politikë që erdhi në repart, duke folur për jehonën e asaj vizite përmendi dhe emrin e Jaser Arafatit.
Pra, kreu i tyre nuk u prezantua me emrin e vërtetë, po guerilet e maskonin inteditetin e tyre?
Në fakt ne na kishte ardhur një listë zyrtare dhe mbi bazën e saj kishim hartuar evidencën dhe regjistrin përkatës. Fillimisht nuk dyshuam se bëhej fjalë për emra të rremë, për pseudonime, por me kalimin e kohës, në një mënyrë apo në një tjetër, sekreti nuk mbeti më sekret. Prap se prap asnjëherë nuk mundëm t’i merrnim vesh me saktësi emrat e tyre. Ata vinin nga lufta, nga llogoret e ilegalitetit dhe nuk mund të indetifikoheshin e të shfaqeshin hapur për atë që bënin. Me sa dukej ishte në logjikën e kauzës së tyre të mbeteshin anonim...
Detashmenti i Zall Herrit është njohur ndryshe edhe si reparti sekret ku stërviteshin ushtarët e huaj. Veç atyre të Arafatit, çfarë trupash të tjera janë ushtruar aty?
Unë kam qëndruar jo shumë në atë repart dhe nuk mbaj mënd të kenë ardhur ushtarë të tjerë. Me sa di, grupe të huaja, nuk janë dukur më deri sa detashmenti ndërroi destinacion. Megjithatë, kolegë të mi më kanë treguar se në reparte të tjera kanë vazhduar deri vonë demonstrimet me trupa të huaja. Në Korçë, në batalionin e zbulimit, është stërvitur për disa kohë një grup kolumbian dhe një tjetër indonezian. Në Burrel janë përgatitur guerile nga Amerika Latine. Në divizionin e Shkodrës kolegët tanë janë marrë me një trup afrikane. Gjithsesi, ky tashmë është një kapitull i mbyllur dhe nuk mendoj se zgjon interes…
Guerilet që u stërvitën në Shqipëri
Grupi kilian- 1967
Grupi kongolez - 1966
Grupi indonezian - 1968
Grupi palestinez- 1971
Grupi kolumbian- 1967
Grupi ekuadorian- 1967
Grupi bolivian- 1967
Grupi haitian- 1967
Grupi indonezian- 1968
panorama
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 28-12-2009 më 01:21
-
-
i/e regjistruar
Ky qe ka bere artikullin ka qene sekretari i rinise ne Ministrine e Mrojtjes(deri ne vitin 1984).Ish oficer dhe komunist i terbuar(atehere, sot nuk e di).Por i di keto ngaqe kete legenin e kam pasur komisar ne repartin ku bera sherbimin e detyruar ushtarak.Dhe kur SystemA iku pa leje per te pare dicka,ky flokekuqi i ka mbajtur shoket e mi 6 ore ne kembe(dhe ishin ne postroje) derisa u ktheva.Deshti te me rraste ne burg,por komandanti ishte njeri ZOTNI dhe kishte femije vete.Ky qurrsi atehere i b....e me d..e.
S'ka lidhje me temen por keta jane ato felliqesirat,qe sot shkruajne ne shtypin e lire.
Sa per intervisten e M.Hoxha ashtu duhet te kete qene.
lg
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt