Të thellohesh në dije, nuk çon në ateizëm


Një teleshikuese nga Amerika: "A është e mundur që një person të jetë musliman dhe në të njëjtën kohë të sillet si ateist pa e ndjerë këtë? A është e vërtetë që të thellohesh në dije të çon në ateizëm?"


Abdul Mexhid Zendani: "Disa njerëz, për shkak të injorancës në çështjet fetare, bien në gabime trashanike pa e ndjerë. Kjo, pasi ai nuk e din ç'është e drejtë dhe ç'është e gabuar. Ilaçi më i mirë për këtë, është që të pyesë dhe të interesohet. Thotë Zoti i madhëruar në Kuranin famëlartë:


"andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini." (Nahl: 43)


Përsa i përket pyetjes së dytë, dua të them që thellimi në dije dhe shkenca, nuk çon drejt ateizmit. Kjo, pasi çështjet e fshehta dhe të mistershme (gajb) nuk besohen, vetëm pasi të jetë vërtetuar dhe konfirmuar vërtetësia e mesazhit të dërguarit të Zotit a.s. Nëse do të ankoheshe nga një sëmundje dhe do të shkoje tek doktori, do të veproje sipas udhëzimeve dhe porosive të tij. Për të vepruar sipas porosive të doktorit, nuk është kusht të dish objektivat dhe synimet e doktorit me ilaçet dhe këshillat që të dha. E rëndësishme është që të ndihesh i sigurtë dhe i qetë që ky doktor e njeh mirë sëmundjen dhe ilaçet për shërim.



Veç kësaj, shumë çështje të mistershme (gajb) kanë të bëjnë me botën tjetër dhe jo këtë botë. Çështjet e gajbit dhe të botës tjetër, nuk janë prezente siç janë ato të jetës së kësaj bote. Megjithatë ne i besojmë, ngaqë burimi i informacionit është i dërguari i Zotit a.s, mbi vërtetësinë e të cilit jemi të bindur dhe të sigurtë."