Profesori Xhasim el Mutawa dhe dijetari i shquar Abdul Mexhid Zendani diskutojnë në programin televiziv "Familjet e lumtura" rreth temës "Një ateist në shtëpinë tonë".
Transkripti i programit televiziv "Familjet e lumtura", shfaqur në "Ikra TV".
Prezantues i emisionit: Xhasim El-Mutava
Titulli i emisionit: Një ateist në shtëpinë tonë
I ftuar në studio: Abdul Mexhid Zendanij, Drejtor i universitetit "Iman" në Jemen.
Prof. Xhasim Elmutava: "Paqja e Zotit qoftë mbi ju! Këtë emision e kemi titulluar "Një ateist në shtëpinë tonë" dhe i ftuari ynë është dijetari i njohur musliman, Abdul Mexhid Zendanij.
Shumë veta mund të habiten nga një temë me këtë titull "Një ateist nështëpinë tonë." Por, një temë e tillë është pasqyrimi i shqetësimit të shumë nënave dhe prindërve. Në një letër që ma dërgonte mua, një nga këto nëna thotë: "E dërguam djalin në perëndim, ku qëndroi mbi shtatë vite derisa përfundoi dhe magjistraturën. Kur u kthye ai jo vetëm që nuk falej dhe agjëronte, por mohonte dhe ekzistencën e Zotit të madhëruar...."
Të shumta janë ato familje në emigrim të cilat vuajnë nga një realitet i tillë. Duke qenë se i ftuar në këtë emision është dijetari musliman, Abdul Mexhid Zendani, ne i urojmë mirëseardhjen dhe e pyesim mbi mendimin e tij rreth temës së këtij emisioni."
Abdul Mexhid Zendani: "Një temë e tillë dhe shqetësimet në rritje, pasqyrojnë problemet që lindin nga takimi i kulturave, popujve dhe kombeve të ndryshme, nëpërmjet mjeteve të telekomunikacionit. Kjo ka bërë që e gjithë bota të duket si një qytet i vogël dhe i vetëm. Kjo është rezultat i takimit mes kulturave të ndryshme, ku kultura sunduese është ajo perëndimore, e cila lindi në Europë pas një konflikti të gjatë me kishën.
Ne muslimanët besojmë se feja e krishterë ka pësuar një sërë ndryshimesh tekstuale. Për këtë, kur shkencat moderne filluan të lulëzojnë, ato u përplasën me forcë me kishën dhe pushtetin e saj. Pasuesit e kishës, duke besuar se tekstet e tyre ishin të shenjta, u zhytën në konflikte të thella me pasuesit e shkencës dhe dijeve. Shkaku i kësaj përplasje është se vetë bibla e lufton dijen. Në besëlidhjen e vjetër thuhet se mëkati i parë i Ademit ishte njohja dhe se duke i shtuar dijet, hëngri nga pema e ndaluar. Me këtë akt, ai fitoi zemërimin e Zotit dhe u dëbua nga parajsa.
Ndërkohë që në islam, nderi dhe fisnikëria më e madhe e Ademit a.s ishte pikërisht dija dhe njohuritë e tij. Ademi ishte më superior se vetë Melekët, për shkak të dijeve me të cilat e kishte pajisur Zoti.
Një konflikt i tillë bëri që perëndimorët ta mënjanojnë fenë nga jeta e tyre duke e izoluar atë vetëm brenda mureve të kishës. Ide të tilla, ata i përhapën në të gjithë botën bashkë me kulturën dhe civilizimin.
Për fat të keq dhe për shkak të dobësisë së muslimanëve, disa mendjelehtë muslimanë i përvetësuan këto ide dhe i reklamuan edhe mes muslimanëve.
>>>
Krijoni Kontakt