Zgjidhja e munguar e një problemi jetik për kombin tonë, siç është problemi i Çamërisë, duhet të gjejë realizim institucional vetëm mbi një praktikë këmbëngulëse e të vazhdueshme qoftë nga ligjëvënësi shqiptar, qoftë nga strukturat e diplomacisë shqiptare.
Kjo zgjidhje s’duhet të trajtohet më vetëm në planin teorik, s’duhet të jetë thjesht një retorikë boshe, amatore, duke u bërë viktimë e hipokrizisë demagogjike të patriotizmit folkloristik siç ka ndodhur deri më tash.
Kështu që, në këto kushte, është i domosdoshëm jo vetëm një kurs i ri drejtimi, një pragmatizëm institucional i problemit, i munguar prej më tepër se 63 vjet. E një rëndësie të veçantë është edhe një ngjyrosje e tij me koloritin e të drejtave historike, legjitime, morale e së drejtës të vetvendosjes së popujve edhe nga media shqiptare. Që të ndodhë një “çudi” e tillë, medoemos nevojitet një ndërgjegjësim gjithëtrupor, më së pari, i politikës shqiptare, qoftë kjo politikë e majtë a e djathtë. Kjo detyrë shtëpie, për politikën shqiptare, vjen si detyrim moral për faktin se, si dje, si sot, ishte dhe është qëndrimi indiferent i kësaj politike me gjenezë të njëjtë që falë gabimeve historike të saj, ka bërë që popullata çame të endet në një rrugë pa krye.
Si dhe pse duhet ta mbajë këtë peshë gabimesh dhe detyrimesh moralo-kombëtare politika shqiptare e afro gjysëm-shekullit të fundit?
Kujtoj. Ashtu si në periudhën e sistemit totalitar, kur dritëshkurtësia, izolimi dhe frika nga kapitalizmi ’dhuruan’ atë çka çamëve nuk u duhej, nënshtetësinë shqiptare, duke iu privuar atë greke (që do të thotë gabim strategjik që në vijëmisi i cili u shoqërua edhe nga anestisia e problemit për afro 40 vjetë), edhe sot, bijtë e tyre, pasardhës të politikës së vjetër totalitare, vazhdojnë me konseguencë të njëjtin ritëm mes dyshimeve të së njëjtës heshtje-zyrtare (edhe pse të favorizuar nga sistemi demokratik) si rrjedhojë sabotim, me dashje apo jo, të problemit çam, përmes aneksimit të tij nga problemi shqiptar në tërësi dhe duke e konsideruar atë vetëm një çështje teknike mes palës greke dhe asaj shqiptare.
Mbishtresat, por edhe nënshtresat e politikës së sotme, përkatësisht, politika zyrtare dhe jo zyrtare, me praktikat e saj po shfaq hapur paaftësi, neglizhencë, dhe jo-largpamësi. Duke e parë atë si një problem të veçuar e të korracuar, pra duke e izoluar atë, pse jo, ndoshta qëllimisht.
Kjo strategji, për mendimin tim, nuk është e rastësishme, nuk është vepër e harresës. Përkundrazi kjo strategji që ushqehet nga frika e presionit të Athinës zyrtare nga njëra anë dhe e biznesit-patriotik grek nga ana tjetër, është jo pak e dyshimtë.
Ku konstaton bashkëpunimi i heshtur midis amatorizmit politik shqiptar dhe djallëzisë profesionale të politikës greke në dëm të popullsisë çame?
Është i dukshëm ky bashkëpunim në hedhjen e themeleve monopolistike të përbashkëta. Politikanët shqiptarë bashkëpunojnë me ata grekë e më tej me elemente të qarqeve ultranacionaliste të shtetit kontradiktor. Ajo që të bën më shumë të dyshosh nuk është fakti që “tanët” bashkë-monopolojnë me gjithëfarë tipash të shtetit grek, por fakti se si i kanë ndarë përgjysmë këto marrë-dhënie ekonomike. Të etur nga afshi i pangopësisë reciproke, “tanët”, d.m.th. “kalamajtë” e politikës sonë, po shkëmbejnë bashkë me interesat ekonomik edhe ato kombëtare që, në rastin në fjalë, lidhen drejtëpërsëdrejti me interesat e popullsisë çame, ndërsa grekët e kalit të Trojës, siç kanë bërë përgjatë historisë së tyre, edhe sot, nuk po kompromentojnë aspak as interesat e pakicës minoritare në Shqipëri, por as ato të fantashkencës së Vorio-Epirit. Pra, ndryshimi, mes palës shqiptare dhe asaj greke, qëndron, jo pak, por në cilësi.
Bazuar në logjikën e fakteve, shumë lehtë mund të qisim pyetsorin e ”pse-ve” filozofike; pse problemi çam qëndron i arkivuar në Athinën-zyrtare, ndërsa nga Tirana politike konsiderohet problem teknik që mund të zgjidhet vetvetiu ?
Kur them ”politika shqiptare”, më së pari nënkuptoj përfaqësinë çame në Parlamentin shqiptar ( qofshin këta të majtë a të djathtë) si dhe P.D.I-në si pjesë e mazhorancës qeverisëse ( në pushtetin lokal). Por, edhe Shoqata Çamëria si burim ushqimi i po kësaj force politike është pothuaj e paralizuar falë transformimit të drejtuesëve të saj në ”turistë” të problemit, por edhe në viktima të “lehta” të Megalidesë.
Atëherë, në këto kushte, në një mjedis politikë të ndotur, me këta drejtues si të partisë, ashtu dhe të shoqatës çame, me këta ‘patriotë të mëdhenj të politikës shqiptare në përgjithësi’, si, nga, dhe kur do të zgjidhet problemi i Çamërisë?
Nga institucionet e Eropës problemi çam duhet konsideruar, jo më si një fenomen mëshire, por si një padrejtësi juridike e faktuar nga një tragjedi historike, si një e drejtë legjitime e, si rrjedhoj, një domosdoshmëri për stabilitetin në Ballkan. Ai, problemi çam, duhet me patjetër të ushqehet së pari nga angazhimi cipëtrashë i politikës së Tiranës zyrtare. Vlerësuar si një nga rastet e rralla në botë, jo vetëm për faktin e tmerrshëm të gjenocidit fashist në dëm të kësaj popullate, por edhe për faktin e qënësisë aktuale të një ligji-lufte (26/36-1940) nga shteti fqinj (ligj ky që mban peng çështjen e pazgjidhur), mendoj se problemi çam, duhet të merret në analizë logjike e diskutim të drejtë institucional nga forumet demokratike të Evropës.
Këto forume, që ta lehtësojnë punën e tyre pa qejfëmbetje të palës greke, kanë se ku të bazohen. Mjaftojnë faktet që Greqia bën pjesë në Konventat dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, është anëtare me të drejta reciproke në Forumet Paqëruajtëse Botërore (siç është NATO) etj...etj..si rrjedhojë ka detyrim juridiko-institucional të respektojë rregullat e lojës së përbashkët. . Pa harruar këtu ndërfutjen legjitime të Prishtinës-zyrtare, Tetovës si dhe të gjitha lobeve politike shqiptare në Ballkan e më gjerë.
Kjo filozofi e qartë e të qënurit faktorizues në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm na bën të fuqishëm si komb, por edhe bashkëpromotor të aleatit tonë më të madh USA, e cila nëpërmjet fjalës së Presidentit Bush në Tiranë, më 10 qershor të 2007-tës mëshoi haptazi rëndësinë e fuqëzimit të faktorit shqiptar, në shërbim të stabilitetit përfundimtar të Ballkanit.
Vetëm në këtë mënyrë, opinioni i politikës europiane, duhet të ndezë motorët e lëvizjes institucionale për zgjidhjen e këtij problemi, sa të padrejtë për shqiptarët, po aq edhe legjitim, duke pasur si pikë të Arkimedit faket historike dhe të drejtat juridike të popujve, në rastin konkret të drejtat e një popullsie me kombësi shqiptare. Pra, edhe politika e Tiranës, bazuar në ”armët” e sipërpërmendura, duhet të marrë guximin e ta ftojë Athinën në ringun e një beteje të paqshme për zgjidhjen demokratike të të drejtave të bashkëkombësve të vet. Kështu që, nga ky ”sulm katëranësh” politika greke, duhet të ndërgjegjësohet për dhe mbi demokracinë që duhet të institucionalizojë edhe në shtetin amë duke njohur dhe respektuar të drejtat e ishqytetarëve të vet. Në të kundërt presioni politiko-ekonomik ndaj tyre, si nga Komuniteti Europian, ashtu edhe nga politika Tiranë-Prishtinë-Tetovë, do të jetë rruga e fundit dhe dara shkundëse për ndërgjegjësimin e Athinës.
Athina, për interesa të saj, e kupton fare mirë se nuk duhet të bëhet pikëshënjestër as e presioneve politiko-ekonomike, por as e Institucioneve apo Aleancave Ushtarake, ashtu siç ndodhi me Beogradin-kokëfortë në Luftën e ’99-ës në Kososvë. Këmbëngul sërish se, Tirana duke qënë piemont i zgjidhjes së çështjes shqiptare , me diplomacinë e saj, duhet të ekspozohet herë në rolin e luanit e herë në atë të dhelprës me qëllim zgjidhjen e problemit çam, nëpërmjet mjeteve demokratike, duke e vlerësuar atë si problem të Tiranës e jo vetëm të çamëve me qëllim që të paraprijë edhe ndonjë eveniment të padëshiruar, por të mundshëm...
Shkruan: Genc Llakaj
(Autori eshte Jurist e njekohesisht Sekretar i Pergjithshem i Shoqates Atdhetare per Identitet e Bashkim Kombetar SH.A.I.B.K )
Krijoni Kontakt