Prishtinë, 25 dhjetor - Festa e Krishtlindjeve në kryeqytetin e Kosovës u shënua me meshën e shenjtë, e cila u mbajt në kishën katolike “Shën Ndou”. Me rastin e kësaj feste, ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, tha se Kosova i dërgon botës mesazhe paqeje. Qytetarë të besimit katolikë dhe myslimanë festuan bashkërisht.
Mbretërimi i paqes, tolerancës, solidaritetit dhe dashurisë ndërnjerëzore kanë qenë mesazhe, të cilat janë dërguar nga kisha katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, ku është mbajtur mesha e shenjtë e Krishtlindjeve, për të shënuar këtë festë të besimtarëve katolikë.
Meshën e ka udhëhequr ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili foli për rëndësinë e kësaj feste dhe njëkohësisht është lutur për të gjithë ata, të cilët siç tha ai, janë lënë anash kujdesit njerëzor dhe vuajnë në këtë botë.
“Lutem për të gjithë ata, të cilët janë në trishtim, nën trysninë e varfërisë dhe të moskujdesit njerëzor, për të gjithë ata të moshuar që janë të detyruar të ballafaqohen me vështirësitë e jetës, të sëmundjeve dhe të pleqërisë, në vetmi, pa dashurinë e fëmijëve të tyre. Zoti qoftë mbështetje, ngushëllim dhe shpresë për të gjithë njerëzit që në çdo mënyrë vuajnë në këtë botë”.
Urime dhe porosi për paqe besimtarëve katolikë dhe gjithë shqiptarëve u ka dërguar edhe famullitari dom Lush Gjergji i cili ishte i pranishëm në meshën e Krishtlindjeve në Prishtinë..
“Të jenë sa më afër Zotit për të qenë sa më afër njëri-tjetrit, që ta zbulojnë të mirën, të drejtën dhe të vërtetën, që të dimë të gëzohemi së bashku pas shumë dhembjeve, vuajtjeve dhe pikëllimeve që kemi pasur edhe si popull edhe si kishë dhe mbi të gjitha, që ta mësojnë artin e dashurisë, që është arti i jetës”.
Festën e krishtlindjeve, besimtarëve katolik dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, në emër të Qeverisë së Kosovës, ua ka uruar Gjergj Dedaj, ministër i punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili me këtë rast porositi...
“Për një unitet, solidaritet, paqe, tolerancë, bashkëpunim që t’i tejkalojmë të gjitha këto sfida që janë para nesh, në shtetin e ri dhe demokratik të Kosovës. Sepse, nëse jemi bashk, tolerant, solidar, do të jemi më të fortë, më të bindshëm dhe më të sigurt me ecjet tona për ta ndërtuar shtetin e Kosovës, mirëqenien për të gjithë qytetarët, për besimtarët dhe për gjithë popullin e Kosovës”.
Në meshën e shenjtë të Krishtlindjeve në kishën “Shënd Ndou” morën pjesë një numër i madh i besimtarëve katolik, ndërkaq që të pranishëm kishte edhe qytetarë të besimit islam, të cilët në shenjë respekti, bashkërisht kanë shënuar këtë festë.
Krijoni Kontakt