
Postuar më parë nga
Brari
Qeveria u merr zaptuesve 1 milion e 321 metra katrorë tokë
VALENTINA MADANI
Qeveria u merr abuzuesve 1 milion e 321 metra katrorë tokë të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Sipas ministrit të Shtetit, Genc Pollo, kjo tokë është siguruar prej komisionit të posaçëm për verifikimin e titujve të pronësisë që nga miratimi i ligjit deri në fund të muajit nëntor. Komisioni për verifikimin e titujve të pronësisë ka afat trevjeçar për mbylljen e këtij procesi, por sipërfaqet që ai i identifikon si të përfituara në mënyrë abuzive do të mund të kalojnë përfundimisht në tërësi të shtetit, vetëm pasi të marrin edhe vendimin e gjykatës. Një vit pas miratimit të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë, ministri i Shtetit, Genc Pollo, bëri dje të ditur se komisionet vendore të vlerësimit pranë prefekturave kanë shqyrtuar 693 vendime. Deklarata e z. Pollo vjen pas mbledhjes së fundit për këtë vit me anëtarët e Komisionit qeveritar të Tokës për verifikimin e titujve të pronësisë, ku tha se deri në fund të muajit nëntor u janë marrë zaptuesve 1 milion e 321 metra katrorë tokë. Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhëna që nga viti 1991, edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, e që më pas janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.04.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga data 1 gusht e vitit 1991, por që nuk figurojnë në Hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj. Sipas të dhënave, është vërejtur se me ligjin 7501 janë dhënë në mënyrë abuzive 26 mijë hektarë tokë, ndërsa me ligjin për ndarjen e tokave bujqësore dhe kooperativa janë ndarë 12 mijë hektarë tokë. Ministri Pollo njoftoi dje: “Kjo është mbledhja e fundit për këtë vit, e Komisionit Qeveritar të Tokës dhe deri në fund të nëntorit të këtij viti, u janë marrë zaptuesve 1 milionë e 321 mijë metër katrorë tokë, tokë e marrë në mënyrë të kundërligjshme nga zyrtarë abuzivë, por edhe nga privatë të pangishëm. Me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme”. Ai vuri në dukje se ky është një proces që po vazhdon, po jep frytet e veta dhe pas konfirmimit në gjykatë, të tëra këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave, ky fond toke i kthehet pronësisë së shtetit, për t’u përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve. “Është një proces që po vazhdon, një proces që po jep frytet e veta, ligji parashikon një periudhë trevjeçare për të realizuar verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë”, - tha Pollo. Sipas tij, në bazë të ligjit 9948, datë 7.7.2008 për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore janë krijuar komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë, pranë çdo prefekture. “Që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009, komisionet kanë shqyrtuar 693 vendime, nga të cilat ka rezultuar një sipërfaqe toke bujqësore për shfuqizim prej 1.320.763 m2. Janë marrë gjithashtu 92 vendime për shfuqizim të plotë të akteve dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm, si dhe vendime të tjera. Sipas ligjit, kjo sipërfaqe pas konfirmimit nga gjykata kalon në pronësi të shtetit”, - theksoi z. Pollo.
29/12/2009
standart
Krijoni Kontakt