Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576

    Ne mbrojtje te çeshtjes çame

    PARTIA PER DREJTESI DHE UNITET
    DEKLARATE PER SHTYP

    Ditët e fundit Z. Dule, pas disfates elektorale dhe nevojes per te rifituar kolltukun e kryetarit, bëri disa aluzione negative për PDU-në.
    Ai foli për “objektiva fantazëm”, “për parti në koalicionin me Berishën, që janë të lidhura me të shkuarën”, “kundër integrimit europian”, që protestojnë kundër Bashkimit Europian,etj, etj.
    Këto fjali provokative ndaj një partie të ligjshme shqiptare, me karakter kombëtar, janë dëshmi e krizës së ketij drejtuesi te PBDNJ. Kjo parti është shpallur si parti e të drejtave të njeriut, por pozicioni i Dules ngjan si e nje ekstremisti grek.
    Ky drejtues, siç thonë në akuzat për njeri tjetrin, nuk ka asnjë lidhje me interesat jetësorë të minoritetit vëlla grek.
    Këto qëndrime janë provokim i rëndë për komunitetin çam, mbështetësit kryesor të partisë sonë, por jo te vetmit.
    Do t’i argumentojmë më poshtë këto përfundime :
    Objektivat, që shpall sistematikisht zoti Dule, janë qartësisht objektiva fantazëm, dmth larg realitetit dhe interesave jetësorë të minoritetit grek në Shqipëri.
    Ky minoritet gëzon një kuadër të shkëlqyer të drejtash dhe lirish njerëzore. Kurse objektivat e zotit Dule janë fantazëm, sepse keto objektiva nuk votohen.
    A nuk është kjo dëshmi e një krize përfaqesimi?
    Zoti Dule i ka ndërruar aleancat zgjedhore jo prej partisë së komunitetit çam, me të cilën ishte bashkë në zgjedhjet lokale të 2007, por për llogaritë e veta personale.
    Qëndrimet e zotit Dule janë një provokim, që nuk e kemi nxitur Ne, pasi Ne, kemi qene dhe jemi gjithmone ne mbeshtetje te te drejtave te minoritetit.
    Zoti Dule nuk mund të kërkojë të rizgjidhet duke bërë ekstremistin dhe duke provokuar 300 mijë çamë e te gjithe Shqiptaret.
    Objektivat, që ka zoti Dule dhe mbështetësi i tij i madh, shqiptari me gjak të shprishur nga Progonati, Vasil Bollano, janë ato të ekstremistëve grekë të shekullit të 19 dhe shumë larg atyre të grupeve përparimtare greke të shekullit ku hymë.
    Këto grupe perparimtare, ndryshe nga Dule dhe ndjekësi i tij Bollano, kërkojnë rishikimin e krimeve ndaj çamëve dhe i konsiderojnë ato si “spastrim etnik”. Lexoni zoti Dule autorë të tillë përparimtarë si, Jorgos Margaritis, Tasos Teloglu,etj.
    Objektivat tonë janë europianë. Shumë qytetarë të popullit çam nuk shkojnë dot në Greqi sepse u refuzohet viza, nje veprim ky i vazhdueshem- pseudoeuropian i Amasades Greke, por kjo s’do të thotë se ata nuk ndihen europianë, siç pretendon se ndihet zoti Dule, që shkon shpesh në Greqi.

    Askush brenda popullit shqiptar, më shumë se çamët nuk e kërkon integrimin europian.
    Integrim europian për ne do të thotë liri lëvizjeje. Do të thotë kuadër ligjor dhe drejtësi për krimet e së kaluarës nga armiqtë e njerëzimit, që frymëzojnë Dulen si bashkëpunëtori i nazistëve, Napoleon Zerva.
    Ju zoti Dule, jeni kundër integrimit europian të Shqipërisë, sepse do të mbeteni, pa karta presioni në dorë ndaj Tiranës; sepse s’do të ketë më blerje të votës me viza.
    Se shpejti Shqiptaret do te fitojne te drejten te levizin pa viza ne Bashkimin Europiane.
    Ne kete dite fatlume dhe çamët do të kenë të drejtë të udhëtojnë të lirë në zonat ku kanë jetuar të parët e tyre dhe ku janë të paprekura gjurmët e krimeve të kryer mbi ta.
    Askush më shumë se komuniteti çam nuk është më i interesuar për marrëdhënie të mira me Greqinë.
    Ne besojmë shumë se qeveria e zotit Papandreu, në respekt të traditës më të mirë të së majtës greke, do të hapë për mirë kapitullin e padrejtësive ndaj komunitetit çam, pjesë vitale e kombit shqiptar.
    Po i përsërisim dhe njëherë objektivat tanë jetësore dhe të gjallë:
    Lartësimi i dinjitetit kombëtar;
    Integrimi i Shqipërisë në BE;
    Një status më i mirë për shqiptarët kudo që janë;
    Barazi e Shqipërisë në familjen e kombeve.
    Ne mendojmë se minoriteti grek dhe popullsia çame janë shtyllat ku ngrihet miqësia shqiptaro-greke.
    Si parti parlamentare me mbështetje të gjerë, me kauzë të qartë proeuropiane, kombëtariste, Ne do të punojmë për objektivat tanë politikë proeuropianë, dhe pse jo dhe për përparimin e statusit të minoritetit grek në Shqipëri.

    Tirane me, 21.12.2009

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576

    Nderhyrja e Dashamir Tahirit ne Parlament

    E Nderuar zonja Kryetare,

    Të nderuar deputet,

    Jam sot këtu për të denoncuar aludimet e Dules në lidhje më PDU. Pas disfatës së tij elektorale dhe nevojës për të rifituar kolltukun e kryetarit dhe ai si pjesa tjetër e opozitës e ka humbur toruan.

    Ky njeri që nuk njeh genoncidin, vrasjen, përdhunimin dhe shpërnguljen me forcë të mijëra vetëve e na deklarohet kryetar i një partie të të drejtave të njeriut.

    E të drejtat e kujt promovon ky njeri kur ato më themeloret i dukërkan fantazëm.

    z. Dule ka provokuar, sulmuar, ofenduar 300.000 mijë shqiptarë dhe për këtë ai smund ta kaloj pa kërkuar falje zyrtare. Ai nuk mund ta kaloj aq lehtë sepse ky është antishqiptarizmi më i madhë i këtij burri që paturpësisht ulet këtu mes nesh në parlamentin shqiptarë.

    Askush brenda popullit shqiptar, më shumë se çamët nuk e kërkon integrimin europian, z.Dule. Ngulite këtë në mendjen tënde. Askush më shumë se komuniteti Cam kërkon marrëdhënje të mira më shtetin grekë.

    Si përfaqësues i minoritetit grek në shqipëri të respektoj por si përfaqësues i vetshpallur i Greqisë në Tiranë të lajmëroj që erdhi koha që ne të kthehemi në shtëpitë e të parve tanë e të marrim pronat që na takojnë.

    Nëse je kundër kësaj je anti-shqiptar e meriton të ndiqesh penalisht për deklaratat e tua publike që nxisin urrejtjen kombëtare.

    Ju vetë, zoti Dule, jeni kundër integrimit europian të Shqipërisë, Ju do të mbeteni, pa karta presioni në dorë ndaj Tiranës; sepse s’do të ketë më blerje të votës me viza.

    Ti z.Dule je pjesë e të kaluarës së errët të kombit tonë. Tani është dita jonë të integrohemi në të gjitha strukturat europiane dhe të rifitojmë të gjitha të drejtat e humbura.

    Ndaj kërkoj këtij përfaqësuesi anonim të kërkoj falje publike për fyerjet e tij dhe të nxis urrejtjen ndër-etnike në shqipëri.

    Ju faleminderit.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576
    Replika në Kuvend e kryetarit të PDU-së, Shpëtim Idrizi

    Komuniteti çam dhe ai grek janë vërtet figura bashkëpunimit të sinqertë. Ju keni thënë se nuk kemi asnjë gjë personale por po të them se e kam personale me ty dhe pse? Ke abuzuar publikisht me protestën që PDU ka bërë bashkë me Klubin e Patriotëve të rinj. Ne këtë protestë e kemi ndërmarrë me rastin e ditës ndërkombëtare kundër gjenocidit, dhe krimeve kundër njerëzimit. Ne jemi qenë para selisë para BE dhe i jemi Presidentit, Kryeministrit si dhe trupit diplomatik me një promemorie për të sensibilizuar me atë gjenocid që ka ndodhur në histori me popullsinë çame. Dhe ti po abuzon me këtë pjesë pasi ajo ishte protestë paqësore dhe gjej rastin për të thënë se dy institucione ka mbajtur një qëndrim të tillë. Ia kemi çuar promemrojne dhe ambasadës greke në Tiranë. E futëm më një zarf dhe para disa ditëve me erdhi një zarf ku ambasada greke e kishte futur përsëri në një zarf, zarfin tonë.

    Është e vërtetë që qartë që qarqe të caktuara antishqiptare janë munduar ta fshehin këtë çështje. Por ne jemi 300 mijë qytetarë çamë që nuk ndodhemi rastësisht këtu. Zoti Dule unë shtëpinë time e kam në Margëlliç ndërkohë që ti rrije në kasolle.


    Iu referove asaj partisë para 28 qershorit e cila ishte Partia për Drejtësi dhe Integrim. Ajo parti perfaqeson camet, vllezerit e mi e nese e ke me ate parti e ke me mua personalisht. E nga ky moment e kam une me ty personalisht per te vene ne vend dinjitetin e vllezerve te mi cam.

    Ajo parti që ti pretendove se u largove nga koalicioni mos harro ka qenë me ty në të njëjtin koalicion në vitin 2007. nga kjo foltore i bëj thirrje partisë socialiste të mbajë qëndrim sepse ti këtë pretendove se u largove nga Partia Demokratike për të partia Socialiste por unë e di sepse kam qenë në atë parti dhe këtë nuk e pranoj. Dua një qëndrim publik nga PS për këtë.

    Fole për merkato por e ke gabim sepse i ke hyrë një fushe, ku edhe në futboll, pasi kur luaja unë në Qemal Stafa ti luaje me top lecke. Por të them se unë e kam ndërruar fanellën time por e di se çfarë fanelle kam veshur. Kam veshur fanellën e shtëpisë time, familjes time komunitetit tim dhe të shqiptarëve ndërsa ti ke veshur fanellën e rrëndëgatëve. Po të them edhe një herë mos na provoko zoti Dule. Minoreti grek kishte një kryetar si Valis Melo i cili merrte 40 mijë vota dhe shih si je katandisur pasi nuk të voton as minoriteti.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576

    Incident në Kuvend, deputetet çamë përplasen me Dulen

    Deputetët që përfaqësojnë në Kuvend komunitetin çam dhe minoritetin etnik grek, janë përfshirë dje në replika të ashpra me njëri-tjetrin gjatë punimeve të seancës plenare. Tonet e larta të debatit detyruan kryeparlamentaren Jozefina Topalli të ndërpriste për disa minuta seancën. Ka qenë fillimisht deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri, ai i cili e akuzoi kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si antikombëtar dhe antishqiptar. Sipas Tahirit, Dule duhet dërguar për ndjekje penale referuar deklaratave që ky i fundit ka bërë lidhur me çështjen çame. Kreu i PBDNJ-së deklaroi pak ditë më parë se në thelb të partive që mbrojnë të drejtat e komunitetit çam është armiqësia dhe konfliktualiteti. Ndërkohë, pas deklaratave të Tahirit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Dules, i cili deklaroi se “PDU-ja është në krizë elektorale dhe për këtë arsye përbalt PBDNJ-në sepse mendon se kështu do të fitojë elektorat. Disa politikanë kanë sot e kësaj dite kurajën të protestojnë përpara selisë së BE-së me sloganin, të mos integrohet vendi ynë në Bashkimin Europian. Nëse nuk është e vërtetë, le të përgënjeshtrojnë, le të pranojnë gabimin e bërë, le t’i kërkojnë ndjesë popullit shqiptar dhe çdo gjë është në rregull, kjo është demokracia. E kuptoj ankthin e zotërinjve se kanë një parti të re, e cila nuk mund të mbledhë vota duke shpallur armik Vangjel Dulen e PBDNJ-në”, - theksoi Dule. Pas kësaj, menjëherë ka replikuar kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, i cili bëri përgjegjëse PS-në që ka pranuar brenda gjirit të saj PBDNJ-në pas largimit nga Berisha. “Kreu i PBDNJ-së deklaroi pak ditë më parë se u shkëput nga koalicioni i PD-së për shkak të aleancës që partia më e madhe e maxhorancës bëri me komunitetin çam. Atëherë, sipas kësaj logjike, PBDNJ-ja lë të kuptohet se PS nuk e mbështet komunitetin çam, një pretendim ky që është absolutisht i pavërtetë”, - tha Idrizi. Mandej ai shpjegoi se protesta e PDU-së ishte organizuar në ditën ndërkombëtare kundër genocidit ndaj çamëve. “Ne këtë protestë e kemi bërë me rastin e ditës ndërkombëtare të genocidit dhe dënimit të krimeve kundër njerëzimit. Atë ditë ne iu kemi drejtuar një promemorie të gjitha ambasadave të BE-së për t’i sensibilizuar për atë genocid. I çuam këtë promemorie edhe ambasadës greke, e cila na ktheu një zarf, brenda të cilit kishte zarfin që ne i dërguam. Sa për akuzat personale që keni bërë në adresën time, dua t’ju kujtoj se unë shtëpinë time e kam pasur në Markëlliç kur ti e kishe në kasolle. Keni thënë që çështja çame është një çështje fantazmë. Është e vërtetë që për 50 vjet, qarqe të caktuara janë munduar që këtë çështje ta fshehin dhe ta mbulojnë. Zoti Dule, po të them që unë e kam ndërruar fanellën, por e di çfarë fanelle kam veshur, kam veshur fanellën e shtëpisë sime, familjes sime, komunitetit tim, kam veshur fanellën e shqiptareve, kurse ti mos vish fanellën e renegatëve”, - u shpreh Idrizi. Pas kreut të PDU-së ka kërkuar të reagojë sërish Dule, por në këtë moment deputeti tjetër i partisë çame, Dashamir Tahiri është ngritur i revoltuar nga karrigia e tij. Në këtë situatë, kryetarja e Kuvendit u detyrua të ndërpriste për pak minuta seancën, duke parandaluar kështu një incident të mundshëm.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576

    Idrizi versus Dule dhe Çamëria në mes.

    Alfred CAKO

    "Mos ju beso grekërve edhe kur të bëjnë dhurata". Kjo ishte një maksimë homerike të cilën ia pati kujtuar Dhimitër Berati, kolonel Telini, italianit që kryesonte grupin e KNK-së (Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve), përpara se ai të shkonte në Janinë për një vizitë pune gjatë një udhëtimi fatal, i cili do t‘i kushtonte atij jetën në vigjilje të dhjetëvjeçarit të tretë të shekullit të kaluar. Përfaqësuesi ortodoks shqiptar që mbronte interesat e shtetit të brishtë shqiptar pranë KNK-së e ndiente erën e pacak të pabesisë që kutërbonte në eterin ballkanik. Dhe vrasja e Telinit dhe 2-3 bashkëpunëtorëve të tij do t‘i kushtonte atëbotë Greqisë dorëzimin e Korfuzit tek Italia, kapjen dhe varjen e ‘sharrëxhinjve të fshatit Zhepë" (pasi atentatorët nacionalistë korfuziotë ishin maskuar si sharrëxhinj dhe kishin bllokuar rrugën me pemë në këtë fshat pranë Kakavijës, ndërsa përfaqësuesit grekë në KNK, ju "prish" makina në Delvinaq) nga Kryeministri italian i sapofronëzuar, Benito Musolini.
    Kjo ngjarje kishte ndodhur 7 vjet pas tangos së ‘dashurisë‘, risi dhe thuajse të rrallë, midis italianëve dhe grekëve, që kishte pasur si nun pagëzimi anglezët, në Kongresin e fshehtë të Londrës më 1915. Tokat shqiptare ishin përdorur në thelb si një karrem dhe si një urë lidhëse midis dy shemrave rajonale detare (Italisë dhe Greqisë, pasi Italia synonte të trashëgonte suzerenitetin venecian e gjenovez të ishujve të Dodekanezit duke i njohur Greqisë të drejtën mbi Çamërinë, një tokë me shumicë shqiptare) për ta futur Italinë në luftë në krahun e Aleatëve të Anglisë dhe Greqisë. Ndërkohë, perandoria britanike që dukej si një luan i përgjumur në rajonin e asaj kohe, e mbante një syhapur dhe nuk toleronte shumë në siujdhesën shqiptare.
    Ajo linte të kuptohej me stratagjemën e saj se nga ish-perandoria osmane lakmonte vetëm tokat naftëmbajtëse arabike, burime të cilat do t‘i milte nëpërmjet xhandarit të saj në rajon, Izraelit, shtet të cilin po e krijonte në Palestinë. Gjithashtu, dukej sikur Anglia ishte e interesuar për trekëndëshin e artë të opiumit, Pakistan, Hong Kong, Kinë për minierat e arit në Afrikë të Jugut dhe dominimin e SHBA-së në politikën e jashtme. Por ajo e prishi statuskuonë që vendosi Kongresi i fshehtë i Londrës për Shqipërinë nëpërmjet një roli të fshehtë që luajti me një diplomat dhe agjent të saj (ka pasur edhe me italianët një ‘Lorenc të Arabisë‘ që punonte në favor të shqiptarëve) në organizimin e Kongresit të Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, dy veprime të cilat e kishin prishur statuskuonë e pas Luftës së Parë në terrenin shqiptar për palën italiane në favor të interesave të shqiptarëve; por kjo nuk ndodhi me tokat në shumicë shqiptare të Çamërisë dhe kështu çamët ngelën për një intermexo midis dy luftërave botërore të kruspullosur me pelerinën e tyre të mynxyrtë të vulosur me vulën e kuqe tragjike të shtetit grek, i cili përdori një matricë ngjarjesh të zakonshme për të gjithë popujt e asaj kohe si kuaj trojanë për t‘i shkulur me vdekje, zjarr dhe barut, këtë popullsi të paasimilueshme, nga trojet e veta të lashta. Ka me dhjetëra harta të kohës para napoleonike që këto toka i quajnë shqiptare, brenda tokave të islamit. Madje, dihet shprehja e famshme e Tukididit i cili thotë se 300 spartanët i pritën persët ‘në Termopile, aty ku mbaron Greqia‘. Megjithatë, ka historianë të cilët duke i dhënë më shumë rëndësi elementit religjioz i llogarisnin popullatat sipas regjistrimeve fetare që ato i bënin në kishë apo xhami dhe duke ngatërruar kështu ortodoksët e shumtë shqiptarë me grekët, gabim që e bën edhe Pukëvili.

    Dihet më tutje se si kërkoi që ta zhbënte Italia realitetin e vendosur në dobi të grekëve mbi trojet shqiptare të Çamërisë, të sanksionuara nga 2 kongreset e Londrës. Marrja e Çamërisë për llogari të Mbretit Viktor Emanuel do t‘i jepte një impuls Luftës së Dytë dhe rifitimit të nderit të humbur të luftës nga Italia në luftën italo-greke, me ndihmën e Gjermanisë. Madje, mund të ketë qenë edhe zhgënjimi ndaj pabesisë së anglezëve për tokat shqiptare, një nga arsyet për të cilat Italia u hodh në prehrin e Gjermanisë në Luftën e Dytë, përfundimi i së cilës dihet, por shkaqet e kësaj lufte ende vazhdojnë të jepen të gënjeshtërta në thelbin e tyre, shkaqe të cilat pak a shumë i ka theksuar në Testamentin e vet Politik Hitleri (në prani të pesë dëshmitarëve), një muaj para se forcat aleate të hynin në Berlin.
    Hitleri bazohej te filozofia e Spenglerit dhe kërkonte mandat për kontrollin tokësor të Europës ndërsa Britanisë kërkonte t‘i njihte mandatin perandorak detar dhe të dyja të bënin atë që ne sot e quajmë Bashkim Europian dhe të kontrollonin SHBA-në (të cilën nuk e quante më një shtet perëndimorist që funksiononte sipas parimeve kristiane të etërve themelues, por një shtet që kontrollohej nga çifutët) dhe barbarët sllavë. Por shtëpia Uindsor e Anglisë nuk pranonte ndarje pushteti; ajo i donte të gjitha për vete dhe ky oreks i ndërsjellë solli luftën dhe rreshtimet e saj përkatëse, ku popujt e vegjël si grekët dhe shqiptarët ishin të turbulluar dhe me grupe-grupe u sollën politikisht me mënyra të ndryshme, sjellje të cilat shkaktuan edhe luftëra civile. Por lufta që iu bë çamëve nga forcat qeveritare nacionaliste nuk mund të quhej e tillë, pasi ajo nuk u bë për pushtet dhe për t‘i nënshtruar politikisht ata ndaj një regjimi, por për t‘i shfarosur; ajo fushatë ishte një pogrom për shfarosje totale dhe për dëbim.
    Urdhri i pamëshirshëm i qeverisë greke ngjante me një urdhër për ushtrinë të dhënë nga Kajzeri gjerman kundër "lëvizjes së boksierëve" të Kinës: "nuk dua të dëgjoj fjalën mëshirë; nuk dua të emocionoheni nga fjala pleq, gra dhe fëmijë; dua që të kujtohem tek ta për 1000 vjet ashtu siç kujtohet te ne Timurlengu i tyre".

    Por shqiptarët nuk kishin pasur ndonjë Timur për grekët. Ata kishin pasur një Akil; kishin pasur një Aristotel; kishin pasur një supernjeri me gjak të përzier greko-shqiptar si Aleksandërin e Madh; kishin pasur një Pirro. Këta kishin qenë vëllezër me grekët dhe kishin ndarë së bashku historinë si popujt më të vjetër sa vetë historia e rajonit. Histori e cila deri me shfarosjen e çamëve kishte pasur interesa të përbashkëta nën perandori të përbashkëta, çati të përbashkëta ekonomike dhe politike, si dhe aspirata të përbashkëta. Madje edhe skema e mbretërisë greke para luftërave ballkanike ka qenë për një bosht aleance greko-shqiptare për t‘u mbrojtur kundër sllavo-bullgarëve në rajon. Por strategjia e Elitës botërore të shekullit të 19-të e Iluminizmit për shkatërrimin e dinastive perandorake konvencionale nëpërmjet zgjimit të ndërgjegjes dhe shteteve kombëtare, i pati përçarë popujt ballkanikë sidomos ata ortodoksë të cilët iu hodhën shqiptarëve si ujq të uritur mbi shpinë, madje duke i dhënë kësaj lufte edhe karakterin e një kryqëzate kristiane ballkanike.

    Duhet thënë paraprakisht se Ahmet Zogu, dhëndri i Elitës, në raport me grekët kishte qenë në ekuilibër forcash për 14 vjet, pasi grekët në Shqipëri dhe çamët në Greqi i mbanin shtetet të kujdesshme reciprokisht dhe në balancë të veprimeve diplomatike. Tash kjo balancë është e prishur dhe që të ruhet përkorja diplomatike, duhet të rivendoset, edhe si funksion i korrigjimit të fajit të tmerrshëm historik nga ana e shtetit grek. Por pogrom nuk është bërë vetëm në Çamëri. Nën tehet e thertores së kasaphanës greke e kanë ndier veten edhe kolonjarët e përtej Gramozit dhe ata të Thesprotisë.

    Edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Greqia mendoi se erdhi koha e ëndrrave të Jani Koletit për një Greqi të Madhe dhe të çmendurit e Athinës, të cilët frymëzimin më të madh e marrin nga duhma religjioze e Fanarit, ndërtuan strategjitë e tyre të asimilimit të shqiptarëve. Me sa duket ata nuk e kishin dhe nuk e kanë kuptuar ende një të vërtetë të thjeshtë me shqiptarët: ata janë të paasimilueshëm! U duk sikur Greqia po fitonte terren në ëndrrën e saj të Megali Idhesë.
    Madje, në vitin e mynxyrtë të shqiptarëve, 1997, gjysmë i ftilluari Kosta Simitis do t‘u ulërinte në fytyrë disa ‘kolonelëve‘ të vjetër të cilët i quajti të çmendur dhe që nuk kuptojnë asnjë gjë nga politika, kur ata do t‘i kërkonin atij futjen e ushtrisë greke në juglindje të Shqipërisë.
    Madje ustai i tyre, Janis Kranidiotis (ish-zëvendësministri i Jashtëm grek që hynte pa droje si në tokat e entitetit të vet politik atëbotë në Shqipëri), mund t‘i jetë goditur më pas avioni gjatë rrugës për në Rumani, kur udhëtonte së bashku me djalin e vet, me predha elektromanjetike me frekuencë të ulët dhe që nuk lenë shenjë, ashtu siç thuhet se ja kanë bërë edhe Ul Haq të Pakistanit dhe ndonjë tjetri. Natyrisht, nëse është e vërtetë kjo hipotezë që pëshpëritet, një nga arsyet mund të ketë qenë edhe teprimi në protagonizëm dhe futja e hundëve në çështjen e "Epirit të Veriut" më 1997(ndoshta edhe 2-3 çështje të tjera të Egjeut për të cilat ai kundërshtonte planet e Elitës). Pra, kjo histori e mbarsur me elektricitet nacionalist dhe kaq e komplikuar në dukje, por që në fakt me pak vullnet ndërkombëtar mund të jetë shumë e thjeshtë, rizbriti në tapetin e politikës shqiptare; për hir të së vërtetës jo për herë të parë. Madje, autori i këtyre radhëve, si ish-deputet, ka kontribuar në hartimin e një projektrezolute të bujshme për Çamërinë në legjislaturën 2001-2005, rezolutë e cila u hodh poshtë me një vendim politik të PS-së, pas një komunikimi intensiv të deputetëve të mazhorancës rozë të asaj kohe me ish-liderin e tyre, F.Nano, i cili ndodhej atëbotë me pushime në Greqi!!!
    Edhe në atë seancë, Vangjel Dule, ish-përkthyesi i Janullatosit, frymëzonte të njëjtën rezistencë kundër projektezolutës dhe interesave të çamëve dhe midis 2-3 iniciatorëve, edhe unë pata qenë një objekt nominal sulmesh.
    Këta nuk e kuptonin se drejtësia është drejtësi dhe ka një parim të thjeshtë që në politikë të mos quhesh maskara: kur ke interes të përfitosh nga një padrejtësi, hesht dhe lëri ngjarjet të shkojnë sipas vulosjes që u bën lumi i fatit; kur ke interes të përfitosh nga një veprim i drejtë, mbroje në mënyrë aktive kauzën tënde. Konservatori ortodoks me mbiemër mysliman duket se ka zgjedhur variantin e parë. Shqiptarët dhe grekët e Shqipërisë, në fakt, nuk kanë aspiratë të kundërta apo të kithta; përkundrazi ata janë në një anije dhe më duket se grekët e Shqipërisë janë trajtuar me një delikatesë dhe altruizëm të thekshëm nga çdo qeveri në Tiranë dhe kjo nuk është temë për ndonjë ese. Por, fatkeqësisht, lidershipi i vet ka përqafuar skemën më antishqiptare të helenizimit të qarqeve më reaksionare dhe antishqiptare dhe kjo formulë do ta rrudhë edhe më tej Dulen, çka do të sjellë një rreshtim të qytetarëve shqiptarë me origjinë greke, që të rreshtohen në parti mbi baza ideologjike dhe jo nacionaliste të mykura si ajo e Dules.
    Ky duket shumë qesharak kur paraqitet nëpër ekranet shqiptare i ngrefosur sikur ka marrë flamurin dhe ‘çelësat‘ e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe i ka mbushur mendjen vetes se është një lojtar mbretëreshë në lojën e madhe të shahut që luhet midis Greqisë, Shqipërisë dhe Perëndimit, por unë kam droje se ai me veprimet e veta që i pandeh si të Shën Kozmait, nuk është as si një ushtar që mezi bie në sy në fushën e këtij shahu reciprok. Dhe u duk qartë se si u shit Dulja me partinë e tij nga vizita e dy kryeministrave të fundit grekë para zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti te ne, të cilëve ju duhej shumë më tepër një deal me lidershipin politik të të dy krahëve të Tiranës se sa interesat e paprincipta të disa maxhordomëve të Janullatosit që përfaqësojnë një pakicë të vogël konvencionale që po vjen duke u rrudhur.

    Po kështu, edhe z.Idrizi i cili ka nën skalpin e vet adrenalinën e nxehtë të trashëguar me të drejtë nga prindërit dhe gjyshërit e tij, duhet ta përmbajë pak më shumë veten e të mos merret shumë me Dulen, por me ata që vendosin këtë çështje të drejtë. Ai lipset të kuptojë se çështjet e trojeve ndonjëherë zgjidhen pas shekujsh; kujtoni atë të Izraelit, e cila u zgjidh pas 20 shekujsh.

    Madje, tokat çame kanë një histori me ‘Abrahamë‘ dhe "Moisinj" që vinë nga historia e regjistruar dhe jo nga legjendat e librave të shenjtë. Aty ka jetuar Akili, lakedemonasi i madh. Aty flitet se jetonte Çirçja e cila i shndërroi në derra shokët e Odisesë, të cilët ishin në kërkim të Itakës. Aty në gjirin e Aktiumit u bë beteja detare që ndërroi historinë botërore nga lufta midis Oktavianit, nga njëra anë dhe Kleopatrës e Mark Antonit nga ana tjetër. Madje, në këto toka të Ilirikumit kaloi për herë të fundit duke u larguar për në Egjipt edhe Pompeu i madh. Në këto toka ka jetuar Shën Pali për tre muaj ku thuhet se ai ka mirosur edhe Papën e parë informal, çamin shqiptar, Eleuther (sipas Konicës). Madje, çamët dhe shqiptarët thesprotë kanë pasur edhe tempullin më të rëndësishëm pagan para kristian, atë të Zeusit në Dodonën (disa historianë mendojnë se ajo ndoshta ka qenë në malin e Miçikelit pranë Janinës, por unë mendoj se mund të jetë edhe mali i Tomorit, por kjo është temë tjetër). Pra, zotit Dule mund t‘i bëhet një pyetje nga ana e ime: a ka ndonjë popull që mund ta falë këtë histori emocionuese kaq kollaj vetëm se fati i keq i vendosi gurin e muhaxhirit për gjysmë dekade? Po ja edhe për një shekull apo dy të tilla? A mund të pranojë ndonjë popull i tillë i shndritshëm ta pijë kupën me zeher të cilën zoti Dule ja u zgjat me arrogancë për ta pirë sikur ai të ishte Zoti i tyre monoteist? Në një kohë kur zoti Dule mund të luante rolin e një "Pokahontasi" grek në Tiranë, për të zbutur zërin e statukuosë së Çamërisë në Athinë.

    Por unë e kuptoj se ashtu siç u bë nën hundën e anglezëve (për shkaqe ndoshta të justifikueshme në atë kohë nga imponimi i Zervës, të cilin anglezët e shikonin si një aleat të vyer) gjenocidi çam, po ashtu rikthimi i tyre në tokat stërgjyshore do të bëhet përsëri me bekimin dhe për interes të tyre. Kjo është edhe arsyeja se përse ne nuk po i zbutim dot së pari ‘derrat‘ e tjetërsuar nga ‘çirçja‘ e politikës së jashtme të Tiranës dhe me të cilët ka sfidën e parë z.Idrizi. Njohja e "çështjes çame" duhet të kryhet njëherë nga Berisha dhe Rama e pastaj nga Dulja. Por të gjithë këta, me sa duket, nuk duan fatin e "Jani Kranidiotis" nëse nuk ju a hap një semafor jeshil Elita londineze, e cila punon me disa standarde. Ajo në përgjithësi nuk i duron dot nacionalizmat e së kaluarës, por kur i intereson, e skërfit korren e ndonjë plage të vjetër, siç bëri me Kosovën. Pra sfida e të gjithë shqiptarëve (jo vetëm e partisë së Shpëtim Idrizit dhe e nismës së tij sizifike) është që ta ndezin këtë semafor dhe atëherë do të shohim se si urtësohen e ju zbutet zëri jo vetëm ushtarit Dule, por dhe disa ustallarëve të tij kokënxehtë të Fanarit dhe të Athinës. Ashtu siç bënë edhe për Kosovën.
    Ndryshuar për herë të fundit nga gjirfabe : 26-12-2009 më 19:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •